Ibrahim HAJDARMATAJ
Gazetar e publicist
Kryetar i OJF-së “Mësuesi”
Tropojë
Murati ishte njeri surprizave
Me prof. Murat Gecajn jam njohur pas viteve 60. Unë punoja mësues, ndërsa ai redaktor i gazetës “Pionieri”. Mund të them se ai ishte redaktori i parë i shkrimeve të mia. Më vonë prof. Murati u transferua redaktor në gazetën “Bashkimi”.
Në këtë artikull përkujtimor, po sjell disa episode “të vogla” jetësore, që kam përjetuar me mikun tim të paharruar, prof. Muratin:
1.Unë kisha dërguar në gazetën “Bashkimi “ një reportazh të gjatë për vendlindjen, Zogaj të Malësisë së Gjakovës dhe prisja botimin, kur marr një letër nga prof. Murati. Ai më shkruante:
“-Javën tjetër do t`ju botohet reportazhi për Zogajn. Ai reportazh është komentuar në kolegjiumin e gazetës, si reportazhi më i mirë i numrit”.
Kjo ishte një surprizë për mua, e cila më gëzoi shumë.
Më vonë Murati kaloi redaktor në gazetën “Mësuesi”. Atëherë unë isha drejtor gjimnazi dhe ndieja se e kisha detyrim të shkruaja në gazetën e profesionit tim. Fillova të shkruaj intensivisht falë edhe nxitjes që më bënte prof. Murati, duke më këshilluar e sugjeruar tema nga jeta shkollore. Asokohe, Ministria e Arsimit u bë si të thuash “shtëpia ime e dytë” nëpërmjet gazetës e, më vonë, revistës “Mësuesi”...
Murat Gecaj, Ibrahim Hajdarmataj
2.Murati më merr një mëngjes në telefon dhe më thotë:
-Sot nuk do të pimë kafenë e mëngjesit (ngaqë kisha ardhur në Tiranë për të takuar djemtë, kishim lënë të pinim kafe), por, - vijoi ai, - a e ke me vete pasaportën?
-Po, - i them. - Po ç`hyn këtu puna e pasaportës?
-Sepse, bëhu gati se do të nisemi, pasdite për në Preshevë, në një aktivitet ndërkombëtar. Do të kemi aktivitete në Prishtinë dhe në Shkup. Unë para disa ditëve e kam bërë propozimin për ty, që të jesh pjesëtar i atij grupi si drejtor gjimnazi dhe publicist që je, por konfirmimin e mora tani që po të lajmëroj. Ekipi ynë përbëhet nga prof. Emil Lafe, unë, ju dhe disa të tjerë. Kryetar grupi do të kemi prof. Ibrahim Gashin, i cili është shkrimtar dhe publicist, por dhe kryetar shoqate...
Kjo ishte një suprizë e këndshme, por dhe një detyrë që e kryem me sukses të plotë....
3.Vitet e fundit që kishim dalë në pension, pinim kafe me prof. Muratin, Viron Konën, shkrimtar, i cili pati ardhur në gazetën “Mësuesi” 4-5 vitet e fundit, si dhe me Sejdo Harkën, i cili kishte qenë kryeredaktor i gazetës “Mësuesi”. Por dhe me Bardhyl Xhamën, shkrimtar për fëmijë, i cili ka qenë sekretar i Kolegjiumit të gazetës “Mësuesi” apo dhe me bashkëpunëtorët e ngushtë dhe shumë aktivë të gazetës “Mësuesi”: Fran Gjoka (Lezhë), Kadri Tarelli (Durrës), Bashkim Saliasi (Tiranë), Zeqir Lushaj ( shkrimtar dhe publicist i njohur, redaktor i përgjithshëm i portalit “Zemra shqiptare”), Agron Gjediaj, avokat (Tiranë), Vera Istrefaj, poete (Kukës), Ganimete Thaçi e Nafie Salihi, poete (Tiranë), Ramiz Lushaj, shkrimtar dhe kryeredaktor i “Gazetës së Alpeve”, (Tiranë) etj.
I.Hajdarmataj, V.Kona, M.Gecaj, S.Harka
Tek po pija kafe me Muratin, ai më kërkoi leje që të shkonte në shtëpi për pak minuta, ngaqë ishim afër shtëpisë së tij. Shkoi dhe erdhi me një qese në dorë.
-Çfarë ke aty, o Murat?
Ai nuk foli, vetëm shpalosi qesen, nxori një palë këpucë të bardha dhe më tha:
- I ke dhuratë nga unë!
-O Murat, dje më dhuroi edhe Vironi një palë këpucë të kuqe, – i thashë dhe e përqafova.
Kështu unë u bëra me dy palë këpucë dhuratë.
Njeri human Murati. Tjetri nuk të jep një cigare duhan, ndërsa ai nuk kursente asgjë. I tillë ishte Murati!
Pershendetje dhe urime per kete shkrim te ngrohte dhe shume te vertete, kushtuar mikut tone Prof. Murat Gecaj, i cili nuk kursehej ne miresi dhe ndihme ndaj atyre qe kishin nevoje. Ky eshte nje homazh kujtese dhe nderimi per figurat qe dhane aq shume per kombin, siç ka qenë Prof. Murat. Ai shkelqeu ne gazetari, publicistike dhe studime te mirefillta. Me duhet ta theksoj, se eshte i pari shkrimtar qe i kushtoi disa libra, grave dhe vajzave te suksesshme shqiptare. Mirenjohje i nderuar Ibrahim!.