top of page

MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË


MIHAL CIKO, MJESHTRI QË BASHKOI ARTIN ME ATDHETARINË


(Rreth librit “Mihal Ciko një zë nga fillesa” të Thimi Çollakut)

I lindur në vitin 1935, dhe i arsimuar sa në vendlindje, Hoçisht, në Shkodrën e kontributeve të mëdha kulturore dhe Institutin për Marrëdhënieve Ndërkombëtare në kryeqytetin e ish Bashkimit Sovjetik, Moskë, autori Thimi Çollaku ka pasur një jetë mjaft interesante, të mbushur me ulje ngritje nga më të çuditshmet. Të çuditshme dhe absurde, pasi politika e kohës e përplaste nga Ministria e Jashtme e Radio Tirana, në motorist e tornitor e deri fonderist në Kombinatin e Tekstileve në Berat, për t`u kthyer i nderuar pas demokracisë, po në Ministrinë e Jashtme. Por, pavarësisht kësaj, atij për asnjë çast nuk ju fashit dëshira për të evidentuar vlerat e larta shpirtërore dhe ato që krijoi gjenia e popullit tonë në fusha të ndryshme, si letërsia, muzika, ikonografia, kodikët e famshëm, diplomacia, politika etj. Përveç rubrikave mjaft interesante dhe bisedave me personalitete të diasporës në RTSH, ai ka një seri botimesh mjaft serioze si “Pyetje dhe përgjigje për Shqipërinë”, “Manuali diplomatik i RSH”, “Shërbimi konsullor në trojet shqiptare”, “Kalendari i Botës Shqiptare” dhe “Shqipëria palë në Traktatet Ndërkombëtare”. Njëkohësisht, ai ka evidentuar jetën dhe veprën e disa figurave të shquara në rang kombëtar, siç ka bërë me monografinë e titulluar “Një zë nga fillesa”, kushtuar artistit të paharruar atdhetar Mihal Ciko. Lexoja jetën e maestro Mihal Cikos në librin e tij dhe për asnjë çast nuk më ndaheshin tingujt e Rusallkës, asaj poemës të njohur të Pushkinit, që aq bukur e kishte përshtatur në muzikë Dargomizhkij, dhe që atë ditë kremtimi të Pavarësisë të vitit 1953 në Tiranë, shënonte fillimin e operistikës shqiptare dhe kurorëzimin e Teatrit tonë të Operas dhe Baletit. Lexoja dhe mendoja se ç`do të ishim ne, këtu në mes të Evropës, pa punën sizifiane dhe përkushtimin e atyre artistëve që të parët e kishin kuptuar rolin e kulturës në përgjithësi dhe të muzikës në veçanti, në qytetërimin e një populli të porsa dalë nga terri shekullor i sa e sa pushtimeve dhe fatkeqsive historike. Pra, i atyre artistëve që edhe pse i njihnin mungesat dhe vështirësitë e kohës, jo vetëm donin të ringjallnin traditën dhe dashurinë e popullit tonë për muzikën, por dhe ta çonin shumë më përpara atë; pse jo, edhe në lartësinë e veprës së gjigantëve si Moxarti, Bet`hoveni, Verdi, Puçini, Maskanji, Donixeti, Shtrausi, Vagneri, Vivaldi, Belini etj. Nga shumë gjëra të mençura që ka thënë F. Niçe, ja vlen të sjellim ndërmend atë se “Pa muzikë jeta do të ishte gabim”. Dhe për të mos shkarë në këtë gabim, djaloshi Mihal, i lindur në një ditë gushti të vitit 1902 në një familjeje intelektuale, të njohur për patriotizmin e saj në Korçë, pas shkuarjes qysh kur ishte shtatë vjeç në Bukuresht, u përfshi dhe u formua në të gjitha veprimtaritë që burra si Asdreni, Viktor Eftimiu me shokë zhvillonin në shoqërinë artistike që krijuan me emrin “Liria”. Njëkohësisht, ai nisi studimet e larta në Konservator, ku spikati talenti i tij dhe prirja drejt kantos. Këngët korçare që baritoni i ri, këndonte para bashkëkombasve të tij si “Bilbil o i mjeri Bilbil”, “Asaman o syri i zi” apo “Çelni ju, moj lule çelni”, jo vetëm i argëtonin ata por edhe i frymëzonin dhe u ngjallnin dashurinë e mallin për atdheun e tyre. Por edhe i tregonin botës nivelin e lartë kulturor të popullit tonë të shpërfillur nga fuqitë e mëdha evropiane të kohës dhe të lakmuar nga fqinjët e pangopur. Mihal Ciko e kishte kuptuar domosdoshmërinë e kultivimit të artit muzikor mes popullit, veçanërisht në kushtet ku ndodhej Shqipëria. Ai e dinte se çfarë rëndësie i kanë vënë njerëzit muzikës qysh në kohët e lashta, kur në mitologji, zunë vend Apoloni me lirë në dorë, si perëndi i muzikës, Efterpi si mbrojtëse e muzikës, Pani me fyellin e tij, këngët magjepsëse të sirenave, Orfeu, babai i këngës, Orgjitë (festat e Dionizit) që shoqëroheshin me këngë e muzikë, e plot të tjera. Prandaj, asnjëherë nuk do të mungojë nderimi e respekti për ata artistë që bënë aq shumë për ne dhe njëkohësisht duke u rritur edhe vetë profesionalisht si virtuozë të vërtetë. Dhe, natyrisht që midis tyre, zë një vend të veçantë Mihal Ciko, të cilin shumica e këngëtarëve, kompozitorëve dhe instrumentistëve, me të drejtë e kanë quajtur mësuesin e tyre. Autori Thimi Çollaku, na e përshkruan jetën e Mihalit nëpërmjet fakteve të njohura botërisht. Dhe sidomos për këtë, pra duke parë të gjithë veprimtarinë e tij të mëpastajme, për gjallërimin dhe përhapjen e kulturës muzikore “Mihal Ciko me të drejtë konsiderohet pionieri i këngës dhe muzikës shqiptare”. Duke lexuar këtë libër sheh se Mihali nuk është i shkëputur nga koha kur jetoi, nga ngjarjet që rrodhën, nga shokët që e rrethonin dhe nga klima, nevojat dhe kërkesat për mbijetesë që vendi kishte. E parë kështu, autori na jep lidhjen e fortë të përpjekjeve të këtij intelektuali për përhapjen e muzikës, jo vetëm si qetësuese e shpirtrave të trazuara të shqiptarve, por edhe si mjet ndërgjegjësimi të ndjenjës së atdhedashurisë. Pikërisht këtu, sikurse shprehet autori “Ai shihte te kënga e muzika, te skena e arti, vlerat që e ngrenë lart prestigjin e kombit, forcën, që emancipon dhe fisnikëron shpirtrat e njerëzve.” Kjo është dhe arsyeja që baritoni - atdhetar, kthehet në vendlindje, ku së bashku me mërgimtarë të ardhur edhe nga SH. B. A. dhe gjithë sa gjeti aty, japin koncerte muzikore mbresëlënëse dhe me një ndikim të pazëvendësueshëm. Tani Mihali, jo vetëm si këngëtar, luan edhe në pjesë teatrore, si fjala vjen në dramën “Vdekja e Pirros”, të cilat gjithashtu kishin frymë të theksuar patriotike. I organizonin këto pjesë të zgjedhura për qytetarë e fshatarë, a për nxënës shkollash, pa asnjë përfitim, madje duke shpenzuar nga mundësitë e tyre. Ishte kohë idealesh dhe nuk kishte mënyrë tjetër argëtimi, ndaj interesimi dhe pjesëmarrja qe aq e madhe. Me kohë, Mihal Ciko vazhdon studimet në Konservatorin “Xhuzepe Verdi” të Milanos, ku jo vetëm njeh personalitete të artit muzikor dhe jep koncerte nëpër vende të ndryshme, por dhe i fton ata në Shqipëri. Sa hare sillnin ato arie operash të mrekullueshme, të kënduara si nga mjeshtrit italianë ashtu dhe nga artistë shqiptarë si Mihali apo veprimtari i njohur dhe mbështetësi i tij Thoma Nasi me shokë. Autori i librit, krahas shumë personaliteteve të tjera, citon diçka nga kujtimet e Fori Spiro Tërpinit i cili shkruante: “Zoti Mihal Ciko formoi një kor të rinjsh prej 25 - 30 vetash dhe brenda një kohe të shkurtër arritën rezultate të shkëlqyera duke marrë pjesë në publik në festën e 28 Nëntorit 1920 me këngën e kësaj dite “Prej qiellit të ndrituar, një zë po na thërret” dhe mjaft këngë të tjera patriotike. Gjithmonë nisiator e novator, ai edhe pas çlirimit, është edhe regjisori i operetës së parë shqiptare “Agimi” i Kristo Konos. Jo pa qëllim, duke folur për vlerat e larta të tij, Artisti i Merituar Tonin Harapi ka thënë se “Në punë tij ai, nuk ka pasur as orare të kufizuar dhe as lodhje. Ne e kemi të vështirë ta mendojmë Profesor Cikon të ndalur dhe të heshtur, prandaj do ta kujtojmë gjithnjë në ecje, si artin tonë, duke dhënë fjalën e tij të saktë plot dashuri për artin dhe artistin”. Në libër ndeshim dhe një konstatim të goditur: “Muzika ka qenë dhe mbetet gjuhë e përbashkët e popujve, gjuha që kuptohet nga të gjithë, e dëshëruar prej të gjithëve, ilaçi që i zbut zemrat dhe shpirtrat, i afron ato, pavarësisht nga mosha, ngjyra e lëkurës, pavarësisht nga kombësia dhe shtetësia, pavarësisht nga besimet dhe filozofitë.” Këtë moto ndoqi Mihali edhe kur punoi si drejtues i formacioneve muzikore në Radio Tirana, duke vazhduar të përhapë në eter tingujt e majave të krijimtarisë botërore dhe ku siç shohim te kujtimet e saj, u njoh me shoqen e jetës, gruan e mençur, Evanthinë. Gjithashtu, ai krijoi korin e radios, ka ndihmuar dhe aktivizuar këngëtarët që më pas bënë emër, i dha rëndësinë e duhur këngëve partizane që ngjizeshin atje te borumet e asaj radioje dhe merrnin udhë në popull, u angazhua vetë në çdo program, krijoi dhe sistemoi fonotekën e radios, dha një kontribut të çmuar në krijimin e radiostacioneve lokale, krijoi shkollën e këngës dhe muzikës, u shqua si pedagog, bashkëpunoi me Këshillin Antifashist Nacional - Çlirimtar, interpretoi gjithmonë deri në skenat ballkanike, me nivel shumë të lartë muzikën popullore, të huaj dhe atë lirike, punoi me vullnet të rrallë edhe për ngritjen e teatrit, pra ashtu sikurse shprehet energjiku Gaqo Avrazi …emrin e Mihal Cikos “e gjen në themelin dhe në historikun e institucioneve më të rëndësishme muzikore, në Filarmoninë e shtetit dhe në Liceun Artistik “Jordan Misja”, në Teatrin e Operas e Baletit dhe në Institutin e Lartë të Arteve, kudo ku mbillej dhe një “pemë e re” për lulëzimin e artit tonë, kudo ku kërkohej mund e dije, për të realizuar ato aspirata, të cilat për Cikon, sado entuziast atëherë, kur nisi rrugën e artit, ishin të paimagjinueshme.” Vështirë të gjesh një të dytë si ai në tërë historinë e artit tonë. Mihal Ciko, me gjithë atë që bëri për kulturën tonë në përgjithësi dhe për muzikën në veçanti ka qenë me të vërtetë një institucion i tëri. Ai, me veprën e tij i ka bërë një nder të madh jo vetëm qytetit të tij të lindjes, Korçës, por edhe gjithë Shqipërisë. Duhej një kulturë superiore që fare mirë pasqyrohet tek i biri, maestrua evropianist Zhani Ciko që ka ecur plot dinjitet në gjurmët e të atit, por dhe dashuri e veçantë për atdhe dhe sidomos përkushtim pa rezerva ndaj asaj që mund të bësh për vendin tënd. Dhe Mihal Ciko që jetoi në dy sisteme, i kishte të treja këto veti, pasi jo më kot, qysh në tetor të vitit 1924 është cilësuar si lulja e djalërisë korçare në ideal dhe në art. Me kohë, ai u bë lulja e burrërisë shqiptare në ideal dhe në art, aq sa meriton fjalët e arta të Gëtes se “Pavdekësia është mundësia e së kaluarës për të vepruar në mënyrë të frytshme në të tashmen.”

26 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page