top of page

“MJESHTRI I MADH” FATMIR TERZIU MES DIBRANËVE...


“MJESHTRI I MADH” FATMIR TERZIU MES DIBRANËVE...

(edhe në Athinë)


Nga Abdurahim Ashiku,

Publicist dhe gazetar


Ishte hera e parë që u takova me Fatmir Terziun, më 29 prill 2013, kur i dhashë dorën dhe i mora buzëqeshjen që i del nga shpirti, por dua ta rithem se nuk është hera e parë që e lexoj dhe ngrohem me fjalën e tij në rreshta e në vargje. Për herë të parë ia kam lexuar shpirtin në gazetën lokale “Ushtima e Maleve” kur ai shkruante për mësuesit dhe banorët e Ostrenit të Madh të Dibrës. Nuk do ta kisha njohur në qoftë se nuk do të kishte qenë mes nesh mërgimi, “Fjala e Lirë”, aq e dëshiruar në rini e aq “pranë e larg” në pleqëri. Fatmir Terziu ishte një ndër qindra mësuesit që i erdhën Dibrës nga e gjithë Shqipëria kur ajo kish më shumë se kurrë nevojë për njerëz të ditur që do ti jepnin dije e kulturë brezit të ri të saj në shkollat e mesme hapur në skajet më të largëta të mbi 1500 kilometrave katrorë të saj, nga Stebleva në Kala të Dodës, Reç. Lurë, Selishtë... Ishte pjesë e atij brezi që siç më shkruante mësuesi im Gavril Kote nga Përmeti dhe mësuesja ime nga Berati Nigjare Velçani, mësues në Brezhdan të Peshkopisë në vitin 1951...

GAVRIL KOTE... “Unë tash kam hyrë në vitin e 6-të të pensionit, por nuk mund të harroj mikpritjen e atij populli dibran, respektin dhe dashurinë që ata treguan për ne arsimtarët jabanxhinj. Shumë kujtime të pashlyera më janë fiksuar nga gjithë familjet e Brezhdanit. Mikpritja, bujaria, thjeshtësia, komunikimi reciprok na e lehtësonte detyrën tonë të vështirë por humane... ... Puna e mësuesit i del para sysh gjithsecilit. Është e vetmja rrugë që e kalon gjithkush, është pjesa më e bukur e gjithsecilit...” NIGJARE VELÇANI: “Lexova me vëmendje shkrimin tuaj me titull “ Mësuesit – më të përkushtuarit dhe të harruarit”, botuar në gazetën “ Zëri i Popullit “ të datës 20 qershor 1993. Të them të drejtën ky shkrim më preku thellë në zemër mbasi më ktheu në kujtimet e 44 vjetëve më parë, në moshën time më të re. Akoma pa mbushur 16 vjeç, pas një kursi metodik pedagogjik, lash Beratin dhe erdha në Peshkopi, fillimisht në fshatin Brezhdan, i cili më ka lënë mbresa të paharruara në kujtesë dhe pastaj në kufi, në fshatin malor të Cerjanit ku e ndjeva veten në shtëpinë time. Pra për herë të parë hyra në jetë, në punë si arsimtare për tu dhënë njohuritë e para të gjuhës sonë të bukur shqipe vocërrakëve aq të etur për dije..” Ata, dhe shumë mësues të tjerë të atyre viteve që ditën u mësonin shkronjat e abetares fëmijëve dhe natën, nën dritën e pishës dhe kandilit, ua mësonin ato prindërve do të pasoheshin nga mësues të brezit të Fatmir Terziut, tash në një stad të ri dijesh e kulture.

Tek shfletoja koleksionet e “Ushtimës së Maleve” në kërkim të jetës sime 55-vjeçare faqeve të shtypit (1957....2020), midis firmave të shumta që përbëjnë vlerën e pazëvendësueshme të saj, takova edhe Fatmir Terziun, emër tash i njohur nga ana ime në letërkëmbimet në adresat tona elektronike. Ashtu si edhe shkrimi im i parë në faqet e gazetës “Sporti popullor” më 8 maj 1987 e shkrimet e tjera në “Zëri i Rinisë” në shkollë të mesme dhe në shkollë të lartë, shkrimet e Fatmir Terziut në “Ushtima e maleve” përbëjnë vlerë të madhe njohëse, vlerë në kohë e hapësirë, hapa të parë modestë faqeve të shtypit, faqeve të librave.

Do ti citoj ashtu si janë shkruar, me thjeshtësinë dhe dashurinë gjer në amshim... I pari daton më 10 mars 1984. Flet për punët e ditës në Ostren. Flet për Hajredin Koçin dhe brigadën e tij...

I dyti, ai i 21 prillit 1984 ka për titull “Flet puna e shokët”, flet për Vera Elezin, mësuesen e shkollës 8-vjeçare “Elez Koçi” Ostren. “Ajo erdhi familjarisht nga rrethi i Durrësit për të punuar vullnetarisht në këtë zonë të thellë malore. Kanë kaluar dy vite shkollore. Rezultatet e kanë shoqëruar gjatë këtyre viteve. Thjeshtësia, sinqeriteti, sjellja korrekte nga ana tjetër e plotësojnë akoma më mirë portretin e saj si një mësuese shembullore...”

Më 2 maj 1984 shkruan për pasurimin e bazës materiale në shkollën e tij. Shkruan për mësuesin e ri Ilir Jorgo, për mësuesit e tjerë Veli Kajën, Shefik Elezin, Ismail Llagaçin, Agim Fejzon, Fatmir Boriçin...

Më 9 maj “Tingujt e daulles mblodhën përreth shkollës së mesme bujqësore të bashkuar Ostren grupet artistike të pesë çetave të pionierëve të shkollave 8-vjeçare të fshatrave Ostren, Tuçep, Lejçan, Okshtun e Pasinkë.” “Këngët e kënduara, thekson Fatmiri, nga Majlinda Muça e Fëllanxa Muça Ostren, Fatime Stojku Lejçan e grupi i Tuçepit u duartrokitën më shumë nga të pranishmit. U pëlqyen kënga e kënduar nga F. Muça kushtuar atdhetarit Eles Koçi, etj.

Më 30 maj 1984 portretizon punonjësit e tregtisë të Ostrenit, skicon portretin e Ramazan Tolës, Mehdi Ibrahimit e Semije Kurtit. Penelatat për portretet e tyre i ka marrë nga “fjalët e popullit”. Flet edhe për Luan Koçin dhe Ahmet Koçin, për punë të mirë e mangësi.

Më 2 qershor ndalet tek ndërtuesit, tek ata njerëz që me punë e djersë ndërtojnë vendin, tek ata nipër e stërnipër ndërtuesish duarartë që rrahën rrugët e Ballkanit, që ndërtuan veprat më të bukura të Perandorisë Otomane, tek ata për vlerën e punës të të cilëve një historian i madh i kohës shkruante “ Po të digjej Stambolli, Dibra do ta ngrinte të ri nga themelet, ndërsa po të digjej Dibra askush s’do lëvizte vendit”. Fatmiri në shkrimin e tij ndalet tek “15 ndërtuesit Gollobordas, që drejtohen nga mjeshtri i talentuar i ndërtimeve Adil Muça që shtojnë veprat e artit në rrugën e re të Ramnagorës që lidh Ostrenin me Shupenzën” . Shkruan për mjeshtrit në ndërtim, për Fatmir Mijën, Fiqiri Koçin, Halit Canin, për shoferët e palodhur Shyqyri Kurti dhe Liman Rena, për tu ndalë tek cilësia e lartë e punës, vlerë e ndërtuesve gollobordase, ndërtues që vetëm Trebishti ka nxjerrë 11 heronj të punës socialiste. Fatmiri është një njeri që i dhemb kur gjërat ecin ngadalë apo qëndrojnë për vite në vend. Ai është i shqetësuar pse ndërtesa e dyqanit të Ostrenit të Vogël ka tre vjet që nuk ngrihet nga themelet dhe nuk vihet në shërbim të banorëve. Por ajo “ S’është e vetmja, ajo ka edhe shoqet e veta, që gëzojnë fatin e saj. Në të hyrë të fshatit ndodhet edhe shkolla 8-vjeçare e planifikuar, por e papërfunduar, ku të 250 nxënësit e këtij fshati, marrin rrugën akoma drejt fshatit Tuçep...”

Përcolla para jush fragmente të jetës dhe krijimtarisë të Fatmir Terziut në një fshat të Dibrës, në Ostren, Ostrenin e Madh siç quhet për ta dalluar nga Ostreni tjetër në anën tjetër të malit, Ostrenin e Vogël, në një krahinë të Dibrës me njerëz të punës e sakrificës, në një karakoll të madh të qëndresës shqiptare në historinë e Shqipërisë. Shkrimet modeste të Fatmir Terziut në gazetën lokale “Ushtima e Maleve” më ngjajnë me gurët e grykës së romanit të tij të vlerësuar, “Bunari”, Bunarit të tij, bunar që ai mori ujin e jetës së tij publicistike, letrare duke u bërë një publicist i dëgjuar, një shkrimtar i suksesshëm, një njeri me germa kapitale.

Dhe ajo që shoh tek Fatmir Terziu është se ai vazhdon të gërryej në bunarin e tij të jetës duke nxjerr prej andej ujin e pastër me të cilin selit fjalën, vargun.

Athinë, 29 prill 2013-shkurt 2020






150 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page