top of page

MIRËNJOHJE DHE URIM PROF. DR. NUHI VINCËS NË 90 VJETORIN E


SHPENDI TOPOLLAJ




Ndofta nga të gjitha thëniet e mençura lidhur me moshën e njeriut, ja vlen ta kujtojmë më shpesh atë shprehjen e Teodor Drajzerit se “Njeriut nuk i vjen keq se plaket, por se nuk është më i ri”. Mirëpo ka dhe përjashtime, si ky i mikut tonë të shtrenjtë Nuhi Vinca, të cilit nuk ka përse t`i vijë keq për asgjë, pasi edhe pse na ka mbledhur me rastin e 90 vjetorit të tij të lindjes, përsëri ka mbetur po ai burri energjik e mendjefreskët, vizionar e buzagas, i urtë dhe i thjeshtë, familjar e shoqëror, i ditur e punëtor, mikpritës e atdhetar i pashoq, që pata njohur rreth tridhjetë vjet më parë, kur shkoja në një nga perlat e atdheut tonë, Strugës magjike që ai e donte aq shumë, që bëri për të aq shumë dhe ku e respektuan aq shumë. Për mua, dhe besoj edhe për shumicën e atyre që e njohën nga afër, ai u konturua si një njeri, intelektual, shkrimtar, poet, veprimtar dhe shqiptar trupvogël por zemërzjarr, i cili me vlerat e tij morale, me sjelljen prej fisniku të vërtetë dhe fjalën e mençur, e zbukuronte akoma më shumë atë parajsë natyrore të njerëzve të mirë. I detyrohem shumë, madje edhe familjarisht, këtij miku të rrallë për gjithësa bënte për mua, duke më shëtitur kudo nëpër Maqedoni, ku nuk la fshat, motra e vëllezër, deri dhe farefis, muzeume, vende historike a takime letrarësh pa më çuar me makinën e tij. Dhe siç më thoshin shokët e mi, ai kështu vepronte me të gjithë ata që venin atje nga Shqipëria. Ishte i djegur nga malli për atdheun e ndarë padrejtësisht dhe kryefjalë e gjithë krijimtarisë së tij, ishte pikërisht ai guri absurd i kufirit. Atij i shkëlqenin sytë nga lumturia kur na takonte si atje, ashtu edhe në Tiranë, Durrës, Elbasan etj. Ai dhe shokët e tij, ashtu sikurse edhe ne, e kishin vuajtur gjatë atë ndarjen që pasoi, si rezultat i pazareve të fëlliqura të Fuqive evropiane të dikurshme, atëherë kur siç shprehet vetë ai te “Kënga e lahutarit”: “Diplomatë të pispillosur, / Me cilindra e me frak, / Kombe duan të varrosin, / Kombe duan t`lajnë me gjak.” Por ja që është ashtu sikurse thosh Viktor Hygoi se “në çaste të vështira lindin njerëz të mëdhenj”. Dhe krahas figurave të shquara që kanë nxjerrë trevat tona si në Kosovë, Maqedoni të Veriut, Çamëri, Mal të Zi e gjetkë, Nuhi Vinca me jetën dhe veprën e tij zë një vend nderi. Ai ndofta nuk luftoi me pushkë, por ja që fjala e tij në librat e shumtë që shkroi, së bashku me armatën e akademikëve, mësuesve, shkrimtarëve, poetëve, dramaturgëve, artistëve, publicistëve mbajtën ndezur ndërgjegjen kombëtare dhe frymëzuan rezistencën që çoi në çlirimin së bashku me forcat e NATO - s të Kosovës, tingëllimin pa drojë të gjuhës tonë të bukur, duke ja lënë turpit të historisë ata gurët e shëmtuar të kufirit. Nuhi Vinca, natyrisht që nuk është i dërguari biblik i Zotit, që sipas Testamentit të Vjetër shpëtoi njerëzimin pas Përmbytjes, por sikurse e thotë emri i tij nga hebraishtja, ai në këtë 90 vjetor, patjetër që ndihet i lehtësuar, kur sheh sa kemi arritur nga dëshirat e tij. Ndaj dhe unë me këtë rast gëzimi, i uroj që të jetojë derisa të shohë që politikanët tanë, burrërisht ta ngrenë zërin së toku deri në qiell dhe të realizohet përfundimisht bashkimi i trojeve tona. sikurse e meriton atdheu ynë të coptuar.

12 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page