Mihal Gjergji: ÇAMJA
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 25
- 1 min read

U gjendëm të dy ballëpërballë
Si vjesht’ e florinjtë me dimrin zemërak
Në krah frynte deti me valë
Nuk di pse morrnicat i ndjeja në gjak!
Nuk fliste, po qeshte. Dalldisa i tëri
Poeti ngjason me fëmijën pa faj
M’u mekën, dhe fjalët dhe zëri
I bindur vrapova pas hapit të saj
Si pranga e ndrynin dy komça jeleku
Mbi gjinjtë e harbuar, që donin liri
Mëndafshi i flokut këmbente te bregu
Stërkala ylberi, që ndjellin magji
Rrëmbimthi u tretëm në afshin e nxehtë
Provova të vdes e të ngjallem sërish
Jam çame, më tha, me zërin e beftë
Dhe foli e foli me fjalë perëndish
Rrëketë e pasionit në duf çmendurie
Ju shtuan Bistricës, u derdhën diku
Dhe trupi ju drodh si dramë çamërie
I zbrita mbi krye një copë qiell blu
Dhe shkau e trembur, me ankthin në pritje
Por mbiu te kënga, në sy domosdo
Këmishën e erës e vesha në ikje
Kamzhikët e dhimbjes më rrihnin kudo!
Sarandë, Shtator 2015.









kam lexuar disa poezi nga ju dhe më kanë pëlqyer. Por, kjo ÇAMJA jote më tronditi, më tallaziti, më bëri magji: Më rrëmbeu dhe s'di ku më çoi dhe mua plakun të më rinoj.
Faleminderit, shumë urime. suksese. Myslim Maska Athinë, 25 - 9 - 2025