Migel Flor: PSHERËTIMA E KOHËS
- 37 minutes ago
- 2 min read

(Ese poetike)
Po heshtin penat e arta, ndërsa “modernët”
trumbetojnë vetëm zhurmë “filozofike”.
Gjuhën Naimiane e quajnë të vjetëruar,
lirikat u duken bejte,
ndërsa gjuha “aliene” na sjellka art...
Zoti na ruajt nga gjëmimet në qiell të kthjellët,
nga ngjirja që ka zënë psikikën e ufove,
me parashuta gjysmë të fryra
për një ulje tokësore.
Shenjtëria e fjalës “sisë” shpallet turp,
qumështi pagëzohet “Red Bull”,
e filozofia e Sigmund Freud
copëzohet në triliarda fjalë pa shpirt,
pa qenie.
Manaferra vidhet nga pjergulla e ferrës ku lindi
dhe shitet si man i butë;
shkurret hiqen si qiparisa,
e plot të tjera si këto
përhapen si kulpër në poezinë e shpirtit.
Kakarizmat janë produkt i filozofisë së tyre,
duke jetësuar “molën”
që gërryen shoqërinë nga brenda,
aty ku lind kënaqësia e brejtjes.
Ç’metafora krimi po vegjetojnë!
Ftoi ogurmirë,
që ruhej dikur në sepete si ozon,
bëhet pjepër hormonesh
dhe zverdhet jo nga soji,
por nga pikëllimi i ziliqarëve.
Kjo makutëri denatyron
jo vetëm objektin,
por edhe subjektin;
ombrella mbahet si në shi, edhe në diell.
Po i madhërishmi det?...
Ai nuk përfill ta fusësh në bidon
apo në çisterna.
Edhe lumi që derdhet në gjirin e tij
s’ia shuan dot etjen,
prandaj mbeti përjetësisht i kripur
nga fermentet e kohës.
Ndoshta dikur loti mblidhej me gjyma
dhe bëhej kavaletë kristali,
por kur shkrihej,
shëllira mbante aromë balade e legjende,
aromë mitike, natyrore e njerëzore.
Në ç’det po lundrojnë vallë,
pa vela e pa busull?...
Vetëm albatrosi orienton horizontet,
dhe Kristofor Kolombi endet kot,
sepse Amerikën
e gjen sërish Ameriko Vespuçi,
ose alienët.
Kockat e ikonave të artit tonë
kërcasin nën thundrat poetike të hienave
që kalojnë mbi varret e tyre
me trokun Trojan
Grurin nuk e bluan më mullixhiu;
qepanarët sqepojnë kockën deri në palcë
dhe botës po i humbet embrioni,
ajo jetësorja, qenia, shpirti.
Frytet i bren krimbi,
u ha bërthamën,
dhe filizat rriten me anemi.
Pranverën po e sfidon vjeshta,
ajo vjeshtë njerëzore
që i hap portën stuhisë dhe dimërimit.
Shpirti lëngon në agoni;
arti, poezia, piktura
janë në ethet e “malarjes”,
e jo në ethet e ekzistencës,
të vrullit, të shpërthimit,
të klorofilës
që bën edhe diellin
të vajtojë fatin tonë,
nga kolerat e kohës.
Ndoshta rilindja do të vijë,
por misionarët do të largohen
me reumatizëm në kockë e në shpirt,
dhe një eklips
mund ta kurdisë sahatin e kohës,
që psherëtima
të mbetet veç legjendë.








Comments