Migel Flor: BALADA TË PAMBARUARA
- Jun 24
- 4 min read

Kur poeti lexon poetin, lind një lloj kritike që nuk matet me teori, por me dridhjen që lë vargu në shpirt dhe me dashurinë që zgjon për poezinë shqiptare.
Udhëtoj.
Trishtohem.
Gëzohem.
Dashuroj.
Besoj.
Zhgënjehem...
Kështu mund ta përmbledh udhëtimin tim nëpër faqet e librit "Balada të pambaruara" të poetit Agim Bajrami.
Një libër me qindra mesazhe, me vargje të kultivuara me kujdes, ku ndjenja dhe mendimi ecin krah për krah.
Te poezia "Edhe njëherë për idiotët", poeti godet me ironi dhe realizëm:
"Sado jam munduar
asnjëherë s'ia kam dalë.
Idiotët bëjnë gjithmonë të fortët,
me ta s'ka fjalë!"
Sa herë në jetë jemi përballur me njerëz të tillë? Me ata që nuk dëgjojnë, nuk reflektojnë dhe nuk pranojnë dialog. Agim Bajrami e trajton këtë temë me një gjuhë të thjeshtë, por me një mesazh universal që secili prej nesh e ka përjetuar.
Në poezinë "Erë e paftuar", poeti sjell një ndjesi krejt tjetër:
"Çuditërisht s'më ftohu fare,
dhe pse akoma ish janar..."
Era këtu nuk është thjesht fenomen natyror. Ajo bëhet kujtim, frymë, prani e dikujt që vjen nga larg për të ngrohur shpirtin. Duke qenë se kam lindur në janar, erërat e këtij muaji më janë gjithmonë të njohura. Ato sjellin mall, kujtime dhe një lloj afërsie me njerëzit që kemi humbur.
Më pëlqeu veçanërisht mënyra se si poeti përdor kontrastin: flladi bëhet erë, largësia bëhet afërsi, mungesa shndërrohet në prani.
Era dhe flladi në këtë poezi flasin për dashuritë e humbura, për kujtimet e largëta dhe për ata që na mungojnë. Poeti na çon larg në hapësirë e në kohë, vetëm që të na sjellë më pranë njerëzit e zemrës sonë.
Një kontrast i fuqishëm: afër dhe larg, si shpirti kur loton. Loti lag syrin dhe rrëshqet në faqe, por njëkohësisht zbut mermerin e varreve dhe zgjon kujtimet e atyre që nuk janë më.
Ndër poezitë që më lanë mbresë është edhe "Hëna e natës të shkuar":
"Nuk kish nevojë të ndizte llambën,
në dhomë çdo send dallohej qartë..."
Këtu poeti ndërton një atmosferë të qetë, intime dhe pothuajse magjike. Drita e hënës bëhet aq e fuqishme sa zëvendëson llambën. Librat në raft, çarçafi me lule mbi shtrat, të gjitha marrin një dimension tjetër. Nuk kemi të bëjmë vetëm me përshkrim, por me një gjendje shpirtërore ku kujtimet, vetmia dhe bukuria bashkëjetojnë në një dhomë zemre.
Në poezinë "Në mungesë të diellit", autori shkruan:
"Dielli s'është këtu, por do dalë patjetër,
rrallëherë e ka bërë këtë vonesë.
Qyteti pa të është i verbër
dhe mëngjesi s'më ngjan si mëngjes."
Këto vargje janë shumë më tepër sesa një përshkrim moti. Dielli shndërrohet në simbol të shpresës, të së mirës, të arsyes dhe të besimit. Mungesa e tij e lë qytetin të verbër, sepse njeriu pa shpresë nuk sheh dot rrugën përpara. Edhe mëngjesi humbet identitetin e vet. Është një metaforë e fuqishme për kohët kur drita morale, njerëzore dhe shpirtërore mungon nga jeta jonë.
"Në rrugë është zgjuar sërish era..."
Kjo erë duket si një lajmëtare e kohës. Ajo endet nëpër rrugë, troket në kujtime dhe zgjon pyetje. Në poezinë e Agimit, era nuk fle kurrë; ajo mbart zëra, mungesa, kujtime dhe ndjenja të pathëna.
Po aq tronditës është edhe mesazhi i vargjeve:
"Lejlekët s'do vijnë në këto anë,
të bukurit krahëgjatë të mi.
Ata që kishin mbetur i vranë,
të tjerët ikën larg në arrati."
Lejleku, në traditën tonë, është simbol i kthimit, i vazhdimësisë së jetës, i shtëpisë dhe i shpresës. Kur poeti thotë se lejlekët nuk do të vijnë më, ai nuk flet vetëm për zogjtë. Ai flet për largimin e njerëzve, të ëndrrave, të brezave dhe të vlerave.
Ata që mbetën u vranë, ndërsa të tjerët u detyruan të iknin. Brenda katër vargjeve ngrihet një dramë e tërë shoqërore dhe njerëzore. Është një elegji për vendet që zbrazin foletë e tyre dhe për kohët kur qielli mbetet pa krahë.
Agim Bajrami ma dhuroi këtë libër gjatë një promovimi tim në Prizren. Unë gjithmonë i lexoj me kujdes dhe dashuri librat që më dhurojnë miqtë.
Ua dua poezinë poetëve të vërtetë; atyre që hedhin shpirtin në varg, që e bëjnë lotin të lulëzojë, që e shndërrojnë trishtimin, mungesën, dhimbjen dhe zhgënjimin në mesazhe të forta me vlera letrare.
A e dini kur e gjej unë autorin e përkryer?
Atëherë kur vargu i tij më bëhet muzë.
Muza e Agimit duket e pashtershme. Vargu i tij lind në erërat e shpirtit; herë ftoh, herë ngroh, herë të bën të skuqesh, të mendosh, të ndjesh, të zhgënjehesh dhe të ringrihesh.
Agim Bajrami është poet me shpirt të madh. Ai fluturon nëpër vargje si një pëllumb i bardhë i paqes dhe i dashurisë.
Le t'i japim më shumë vlerë Artit të Vërtetë Shqiptar, pa u ngujuar vetëm te poetët tashmë të famshëm të kombit. Shqipëria ka lindur dhe do të vazhdojë të lindë poetë të vërtetë, të cilët, edhe pse shpesh të pazhurmshëm, zgjojnë shpirtra me vargje të mrekullueshme.
Ne gjithmonë do të lindim Lasgushë, Dritëro e Kadare. Mjafton t'i pranojmë, t'i lexojmë dhe t'i njohim..








Comments