top of page

Meçan Hoxha: Qortim me dashuri

  • 2 hours ago
  • 7 min read

 (Mbresa nga vëllimi poetik "Amaneti i Marigosë" i Elona Tabakut)

Nga Meçan Hoxha

Para ca ditësh, lushnjari i mençur, Petrit Myftari, më kërkoi një kopje nga libri “Aromë gjethi”. Mësova se atë libër ia dhuroi mbesës së tij, poetes Elona Tabaku, Sekretare e Shkrimtarëve dhe artistëve të Lushnjes. Pati fat libri se ra në dorë të vlerave të poezisë. U krijua një kontakt krijuesish dhe tek unë erdhi libri i Elonës “Amaneti i Marigosë”. Nisa ta lexoj, si respekt për dhuratën, pastaj nuk e hoqa nga dora se nuk më lëshoi ai. Pa komplimentet e zakonshme në këto raste, libri më pëlqeu dhe kërkova më shumë njohje për këtë autore. Poeti i shquar Agim Bajrami, më foli me shumë vlerësime për krijimtarinë poetike të Elonës. Nisur nga kjo marrdhënie dhe si detyrim për letërsinë tonë shqipe, po shfaq dhe unë disa mbresa nga leximit i këtij libri.

Që në titull miklon një simbolikë e fuqishme femërore e atdhetare me identitet shqiptar. Në gjuhën e përditshme, kur thuhet "Marigoja", shpesh nuk nënkuptohet thjesht gruaja me atë emër, por gruaja që i dha jetë flamurit kombëtar, njësoj siç emra të tjerë historikë janë shndërruar në simbole të idealeve që përfaqësojnë. Njëherësh mendja shkon dhe te Marigoja e Andon Zako Çajupit në komedinë "Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër" (e njohur edhe nga filmi Përrallë nga e kaluara). Ajo është një personazh simbolik shoqëror.

Këto imazhe e pështjellin mendimin kur je përpara ballinës së librit, që është vërtet tërheqëse dhe e bukur. Por, gjatë leximit vëren se autorja, vërtet ka kompozuar ballinë të bukur me këtë simbolikë, ama nuk i referohet asnjë personi historik të vetëm.

Marigoja e Elonës, nuk është vetëm një grua. Ajo shndërrohet në simbol të kujtesës morale, bëhet figurë simbolike universale, që përfaqëson çdo njeri të denjë që ka vuajtur padrejtësisht nga "baltosja" e të gjallëve, por që shpreson të mos mbulohet kurrë nga "pluhuri i harresës".

Në poezinë "Amaneti i Marigosë", Marigoja personifikon njeriun e ndershëm, krijuesin ose idealistin, i cili gjatë jetës është përballur me vesen të pështira njerëzore. Këtë linjë ndjekin shumica e lirikave të këtij vëllimi me poezi të bukura, ku mua më ra në sy, se Elona kryefjlë të mendimit estetik e moral dhe të fjalës së bukur poetike ka Dashurinë.

Ai nuk është thjesht një përmbledhje poezish lirike, por një udhëtim i gjatë nëpër labirintet e shpirtit njerëzor, aty ku dashuria shfaqet si forca e madhe, siç është në të vërtetë e siç e kanë vlerësuar dietarë të mëdhenj. Ajnshtajni ka shkruar: “Dashuria sundon mbi gjithçka, dashuria është e aftë të kapërcejë mbi çdo gjë, sepse dashuria është jetë.  Dashuria është Zoti dhe Zoti është dashuri.” Që në parathënie, lexuesi orienton vështrimin drejt boshtit të veprës: dashurisë në të gjitha dimensionet e saj: njerëzore, bashkëshortore, familjare e atdhetare. E, ndërsa leximi avancon, bëhet e qartë se autorja nuk ka shkruar vetëm për dashurinë. Ajo ka shkruar edhe për mungesën e saj, për plagët që lë pas, për heshtjet që e vrasin dhe për kujtimet që refuzojnë të vdesin. Pikërisht këtu më lindi edhe ideja e këtij shkrimi të formuluar " Qortim me dashuri”

Ky titull nuk është një akuzë. Është një thirrje e qetë e ndërgjegjes. Sepse ka një dallim të madh mes dënimit dhe qortimit. Dënimi synon të shkatërrojë; qortimi synon të zgjojë. Elona Tabaku nuk kërkon të dënojë askënd. Ajo beson se njeriu mund të ndryshojë vetëm kur përballet me pasqyrën e dashurisë që ka humbur.

Në këtë kuptim, libri shndërrohet në një proces të heshtur gjyqësor, ku nuk ka prokurorë dhe të pandehur, por vetëm zemra që dëshmojnë.

Nëse do të kërkonim një emër tjetër për këtë vëllim, ai mund të ishte "Triumfi i dashurisë mbi urrejtjen.", sepse edhe kur poezia e Elonës flet për braktisje, për vetmi, për mungesë apo tradhti, ajo nuk e humb kurrë fisnikërinë e saj. Autores nuk i intereson të ndërtojë figurën e fajtorit; asaj i intereson të shpëtojë figurën e dashurisë.

Në letërsinë botërore kemi parë heronj që, pasi plagosen, kthehen në hakmarrës. Tek Elona Tabaku ndodh e kundërta. Sa më e thellë të bëhet plagosja, aq më e pastër bëhet fjala poetike. Dhimbja nuk shndërrohet në helm; ajo bëhet dritë.

Kjo është arsyeja pse lexuesi nuk e mbyll librin me ndjenjën e zemërimit. Ai e mbyll me një trishtim të kthjellët dhe me bindjen se dashuria është forca më e madhe që i jep shpresë njeriut.

Autori i shkrimit
Autori i shkrimit

Po kush janë, në të vërtetë, "vrasësit e dashurisë"? Leximi i këtij libri të shtyn të kuptosh, se ata nuk janë domosdoshmërisht tradhtarë. Më të rrezikshëm janë ata që e lënë dashurinë të vdesë ngadalë, ata që nuk gjejnë kohë për një fjalë të mirë, ata që kursejnë përqafimin, ata që harrojnë mirënjohjen, ata që e zëvendësojnë dialogun me heshtjen, ata që e kthejnë praninë në mungesë.

Dashuria rrallë vritet nga një goditje e vetme. Ajo shuhet pak nga pak, si një qiri që nuk e fik era, por harresa.

Prandaj shumë poezi të këtij libri, si: "Të prita", "Pres hapat e kthimit tënd", "Mungesa jote", "Fjalë të pa thëna" apo "S'kam forcë të të harroj" nuk flasin vetëm për një histori personale. Ato flasin për dramën universale të njeriut që pret një përgjigje që nuk vjen kurrë.

Një nga meritat më të mëdha artistike të autores është mënyra se si e trajton dhimbjen.

Në kohën tonë është bërë pothuajse modë që vuajtja të shndërrohet në revoltë. Në këtë libër ndodh krejt ndryshe. Dhimbja bëhet moral. Loti bëhet lutje. Malli bëhet kujtesë. Vetmia bëhet meditim.

Në shumë poezi, personazhi lirik duket sikur flet me njeriun që e ka lënduar. Në të vërtetë, ai flet me secilin prej nesh.

Ai na pyet: Sa herë kemi vrarë një dashuri pa e kuptuar? Ndoshta me një fjalë të pamenduar. Ndoshta me një heshtje të gjatë. Ndoshta me mungesën e një përqafimi. Ndoshta me krenarinë tonë.

Dhe pikërisht këtu qëndron forca morale e vëllimit “Amaneti i Marigosë“. Ai nuk na lejon të kërkojmë fajtorin vetëm te tjetri. Na detyron ta kërkojmë edhe brenda vetes.

Një simbol që përshkon pothuajse të gjithë vëllimin është loti.

Por ky nuk është lot dobësie. Është lot kujtese. Lot besnikërie. Lot dinjiteti. Lot shprese.

Tek Elona Tabaku loti nuk rrjedh për të kërkuar mëshirë. Ai rrjedh për të mos harruar.

Prandaj në këtë poezi shiu, mjegulla, nata, era dhe heshtja nuk janë vetëm elemente të natyrës. Janë gjendje shpirtërore.

Kur shiu bie mbi qytet, ai bie edhe mbi zemër. Kur era flet, ajo flet me kujtimet. Kur nata errësohet, errësohet edhe shpirti. Ky bashkim i natyrës me botën e brendshme krijon një lirizëm të pastër dhe të sinqertë, që nuk kërkon efekte artificiale për të prekur lexuesin.

Edhe nga pikëpamja artistike libri rrëfen profesionalizëm. Autorja përdor një figuracion të pasur, por të natyrshëm. Metaforat nuk janë të stërngarkuara; ato lindin organikisht nga ndjenja. Vargje si "mjegull malli", "monedha malli", "rrjeta kujtimesh", "lot që thyhen mbi buzë", “lot që përmbyt shkretëtira”, “lotët bëj gërshetë”, "zjarre malli" apo "frymoj në buzët e jetës" krijojnë një botë poetike ku abstraktja bëhet e prekshme. Figurat stilistike nuk janë të sajuara për të joshur lexuesin. Ato burojnë nga vetë përjetimi poetik. Kjo është arsyeja pse mbeten gjatë në kujtesë. Edhe ritmi i vargut mbetet i rrjedhshëm, duke e bërë poezinë të lexohet këndshëm.

Por libri nuk ndalet vetëm te dashuria mes njerëzve.

Në pjesën e tretë të tij, dashuria merr përmasa më të gjera. Ajo bëhet dashuri për atdheun, për historinë, për kujtesën kombëtare, për njerëzit që kanë sakrifikuar jetën për lirinë.

Kështu amaneti i Marigosë nuk mbetet vetëm amaneti i një zemre të dashuruar. Ai bëhet amaneti i një kombi që nuk duhet të harrojë as dashurinë dhe as sakrificën.

Në fund të leximit, lind një pyetje që nuk i drejtohet autores. Ajo i drejtohet vetë lexuesit:

Mos vallë edhe unë kam qenë, pa e kuptuar, vrasës i një dashurie? Ndoshta duke mos dëgjuar. Ndoshta duke mos falur. Ndoshta duke mos qenë pranë kur dikush kishte më shumë nevojë për mua.

Ky është triumfi i vërtetë i këtij libri. Ai nuk na vendos përballë autorit. Na vendos përballë ndërgjegjes sonë. Dhe kur një libër arrin ta bëjë këtë, ai nuk mbetet më vetëm letërsi.

Ai bëhet një amanet.

Një amanet që na kujton se dashuria nuk është një privilegj, por një përgjegjësi. Se ajo nuk mbahet gjallë vetëm me fjalë të bukura, por me kujdes, besnikëri, durim dhe përkushtim. Se plagët që i shkaktojmë njëri-tjetrit nuk shërohen me harresë, por me pendesë dhe mirësi.

Prandaj, mesazhi më i madh që përcjell "Amaneti i Marigosë" së Elona Tabakut është i thjeshtë dhe njëherazi i thellë: mos u bëni kurrë vrasës të dashurisë. Dhe nëse jeta ju vë përballë një të tillë, mos e qortoni me urrejtje. Qortojeni me dashuri. Vetëm dashuria ka fuqinë ta zgjojë ndërgjegjen e njeriut. Vetëm ajo mund ta kthejë një plagë në dritë dhe një amanet në shpresë, se dashuria nuk është vetëm lumturi; ajo është përgjegjësi, sakrificë dhe besnikëri. Ata që e vrasin dashurinë mund të fitojnë një çast, por humbin përgjithmonë mundësinë për të njohur bukurinë më të madhe të jetës. Ndërsa ata që vazhdojnë të duan, edhe të plagosur, mbeten fitimtarët e heshtur të ekzistencës.

Në thelb, “Amaneti i Marigosë” nuk është thjesht një libër me poezi dashurie. Ai është një apel për ta mbrojtur dashurinë nga gjithçka që e zbeh: egoizmi, harresa, tradhtia dhe ftohtësia shpirtërore. Është një kujtesë se njeriu nuk bëhet më i madh kur di të urrejë, por kur arrin të qortojë me dashuri ata që kanë vrarë dashurinë. Aty qëndron forca morale dhe artistike e këtij vëllimi poetik.

Teksa mbylla faqen e fundit të “Amanetit të Marigosë“, nuk mu duk se po mbyllja një libër. Mu duk sikur po mbyllja një bisedë me shpirtin. Sepse poezia e vërtetë nuk përfundon te pika e fundit e vargut; ajo vazhdon të jetojë në ndërgjegjen e lexuesit. Dhe nëse ky vëllim na lë një amanet, ai është ky: “Ta mbrojmë dashurinë jo vetëm kur na buzëqesh, por sidomos kur sprovohet. Sepse njeriu matet jo nga sa shumë është dashur, por nga sa shumë ka ditur të ruajë dashurinë."

Më pëlqen të citoj filozofin dhe poetin e famshëm.persian, Xhelal al-Din Muhammad Rumi: “Dëgjo me veshët e tolerancës! Shiko me sytë e dhemshurisë! Fol me gjuhën e dashurisë!”

E së fundi, për ju lexues të dashur, një poezi po nga ky autor, që e ilustron më së miri vëllimin me lirikat e Elonës:

 

Zgjodha në heshtje të të dua

 

Zgjodha në heshtje të të dua,

Por jo në një heshtje që pafundësisht ngrin

Sepse, edhe nëse ti nuk ndien gjë për mua,

Brenda heshtjes nuk do të më bësh dot refuzim…

 

Zgjodha të të dua në përpëlitjet e mia

Qoftë edhe nëse dridhem si klithmë rrufeje

Sepse, kur thellë brengës sime shtrihet dashuria

Askush tjetër s’të zotëron dot, përveç meje…

 

Zgjodha, të të dua vetëm nga larg

Jo se afërsia mund të zgjojë vëmendjen

Por, sepse larg atje, mund të shmang një çark

Që përveç trishtimit, ta ndiej më pak dhembjen

 

Era puth më lehtë se buzët e mia

Dhe për këtë, s’ke se pse m’pyet mua

Ti, e di se ç’zjarr mund t’shuajë puhia

Ndaj zgjodha të puth erën, në vend t’buzëve tua

 

Në ëndrra zgjodha thellë të të mbaj

Dhe kështu nuk vendosa rastësisht

Do të ta them se, pse, dhe s’dua të më vësh faj

Sepse, vetëm në ëndrra do tê jesh e imja pafundësisht…

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page