HAJRI SHEHU: PËR LIBRIN E STUDIUESES ALBA BORIÇI (GEGA)
- 1 minute ago
- 5 min read

PAK FJALË PËR LIBRIN E STUDIUESES ALBA BORIÇI (GEGA)
“SHENJAT INTERKONTEKSTUALE NË ROMANIN ‘OH’. SPROVË PËR NJË LEXIM EMPIRIK”
PROF. DR. HAJRI SHEHU
Romani është i shkrimtarit të njohur kosovar, Anton Pashku. Libri u Albës është promovuar disa javë më parë në një auditor mjaft të këndshëm.
Libri është kritikë letrare. Kritikë letrare do të thotë studim dhe vlerësim për një vepër letrare. Aty fjala peshon shumë. Dhe kësisoj, duhet të njohësh thellë shkrimtarin, veprën e shkrimtarit, idetë e mendimet e tij, pëlqimet e mospëlqimet e tij, strukturën e thënies së tij, gjuhën e stilin e tij. Autorja e ka pasur gjithë këtë dije. Këtë e tregon vetë libri i saj.
Tek titulli i librit autorja shton thënien “Sprovë për një lexim empirik”. Mua më duket shumë më shumë se kaq. Recensuesja e librit, prof. dr. Viola Isufaj thotë: “Autorja e këtij punimi, Alba Boriçi Gega, na sjell një dëshmi të një pune të ngulët, të palodhur dhe të pashmangshme për çdo studiues të ri, që synon të hulumtojë për romanin Oh të Anton Pashkut.”
Kanë thënë edhe të tjerë se leximi i romanit të Anton Pashkut nuk është i lehtë. Madje, jo vetëm për lexuesin e zakonshëm, por edhe për një lexues të kualifikuar. Arsyeja? Na e thotë autorja: “Romani ‘Oh’ ka gjuhë të tërthortë, me konotime të vështira për t’u zbërthyer. ... Romani ia lë lexuesit ... të gjithë shtrirjen e fijeve shenjore të tekstit. Teksti nuk ka asgjë drejtpërdrejt. Çdo fjalë (edhe thënie – H.Sh.) ia lë këtij lexuesi për ta përthithur, përpunuar, shkoduar dhe së fundi, për t’i dhënë trajtën e kuptimit denotativ çdo konotacioni dhe alegorie që gjendet në të.” Ky, sipas autores, është lexuesi model. Dhe ky lexues model, - thotë më tej autorja, - bëhet një me tekstin, përjeton gjendjen e amullt dhe gjendjet alegorike ... në tekst ... dhe shpërhap –pëlhurën penelopiane të shenjave e kodeve në të.”
Vëzhgimet e autores janë krejt të sakta: Romani ka gjuhë alegorike – simbolike. Madje, që në titull. Ç‘është kjo ‘Oh’? Dhe për kë e për çfarë është kjo Oh? Edhe personazhet janë simbolike. Edhe personazhet historike janë simbolike. Edhe ngjarjet historike. Edhe hapësira (vendet), ku ndodhin ngjarjet. Edhe koha, kur ndodhin ngjarjet. Edhe përshkrimet. Edhe mitet e legjendat. Edhe bisedat e kujtimet. Edhe emërtimet janë simbolike. Edhe emrat (p.sh., mali, piramida, qerrja e diellit, barka çifteli, balonat (që pufllojnë), salla vezake (dhe jo e rrumbullakët), flokët e shprishur (dhe leximi i gazetës duke kruar kurrizin), akuariumi (dhe tre peshqit), 99 delet, 12 deshët e 12 ujqit, sorrat, gishti tregues tek tëmthi etj. janë simbolikë. Dhe Alba i ka dekoduar të gjithë simbolizmat e të gjithë alegorizmat e romanit. Dhe ky dekodimi i Albës është udhërrëfyesi për lexuesin.
Lexuesi i parë model është autorja jonë, Alba. Dhe leximin e saj model na e përcjell edhe neve. Mendjen dhe mundin e saj e vjelim ne. Mendja dhe leximi i menduar i Albës është në çdo paragraf, thënie, fjali a fjalë të romanit, kur nuk e rrokim dot. Madje, mua më duket sikur Alba na merr për dore dhe na tregon si hyhet në tekst e si dilet nga teksti. Dhe, mbi të gjitha, na tregon gjedhen (modelin) se si duhet lexuar teksti i çdo vepre letrare. Kjo është, vërtet një ndihmë e madhe, jo vetëm për lexuesin që di më pak, por edhe për lexuesin që di më shumë. Por lexuesi duhet të parapërgatitet për të lexuar librin e Albës. I duhet, për shembull, ta ketë lexuar romanin. I duhet edhe të njohë termat e Albës. Jo, thjesht si fjalë, por si koncepte. Madje, këta terma duhen nxënë e përvetësuar; ndryshe, nuk e vijon dot leximin. Ja disa nga ata: stil litotë, kronotopi, analepsë, epanalepsë, prolepsë, narratologji, tipologjizoj, semiotikë, karakterologji, simbolikë, simbolizëm, polisimbol, shenjues, palimpsest, denotativ, konotativ, oksimoron etj.

Teknologjia e librit është krejt e pëlqyeshme: Ja ngjarja a historia, ngjarja legjendare a ngjarja mitike, monologu a dialogu, rrëfimi a thënia, kujtimi a asociacioni, situata ligjërimore a përgjigjja, ëndrra a vegimi, koha a vendi, e djeshmja a e sotmja etj., dhe ja interpretimi, ja analiza, ja shkodimi. Mënyrë shumë e këndshme për lexuesin – thuajse si shpjegimet në një fjalor njëgjuhësh a si barasvlerësit (ekuivalentët) në një fjalor dygjuhësh.
Libri është shkruar me kulturë të lartë letrare dhe gjuhësore. Kulturë e lartë letrare dhe gjuhësore do të thotë, më së pari të zgjedhësh e të përzgjedhësh fjalën për thënien tënde. Dhe zgjedhje e përzgjedhje e fjalës do të thotë edhe pasuri mendimesh. Sepse mendimi formësohet me fjalë e me fjali. Autorja e ka pasur këtë punë numër një. Fjalën e ka të përzgjedhur. Termin e ka të saktë. Fjalës diturore i ka gjetur vendin. Formimet e saj – krejt sipas rregullave fjalëformuese të gjuhës letrare shqipe janë një tjetër kontribut i librit të Albës. Shih p. sh., bashkëmendimtar, biografizëm, heshtarak, karakterologji, këmbëngulshëm, kainik (zënkë kainike / nga Kain-i), labirintor, mjegulltësi, përtheksoj (parashtesa për- me vlerë intensive = theksoj shumë), poetikisht, simbolikisht, i tërthotshëm, tërthorshëm, tipologjizoj, telepatik (në mënyrë telepatike), theksueshëm etj.
Libri është udhërrëfyes i saktë për këdo që e lexon romanin “Oh” të shkrimtarit të njohur kosovar, Anton Pashku. Por, sidomos për studentët e letërsisë e të gjuhës, për mësuesit e gjuhës e të letërsisë. E, edhe për nxënësit e shkollave të mesme. Libri është një model që na mëson se si mund të analizohet a të komentohet një vepër letrare e një autori. Është model që na mëson edhe si duhet lexuar një vepër letrare. Libri është ndihmëtari i përkthyesit. Nëse romani “Oh” do të përkthehej në një gjuhë të huaj, përkthyesi do ta kishte libër tryeze punimin e Albës. Për studiuesit a kritikët letrarë e bashkëmendimtarët e Albës, libri është një kontribut i ri në fushën e studimeve letrare e kritiko-letrare.
Dy fjalë për autoren:

Alba i ka mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Pedagogia e saj, prof. dr. Viola Isufaj, bën këtë vlerësim për studenten Alba: “Dallohej menjëherë për vëmendjen e saj, gjetjet e hollësishme dhe përkushtimin e vazhdueshëm ndaj studimit.”
Alba e ka filluar punën në Universitetin “Bedër”, Tiranë. Unë kam qenë koleg i Albës. Dallohej për formimin e saj intelektual, kulturor, letrar dhe gjuhësor. Kishte intuitë të jashtëzakonshme. Intuita është mprehtësi e brendshme e njeriut. Alba kishte ndezëllinë (zellin) për punë. Në orët e punës, në zyrën e saj bëhej vetëm punë. Një ndër punët e saj, - mbaj mend, - ka qenë korrektura letrare e tërë dokumentacionit të Universitetit “Bedër” – qindra e qindra faqe. Dhe një ndër arsyet pse specialistët europianë të akreditimit të universiteteve e vlerësuan lart Bedrin, qenë këto qindra faqet e Albës. Alba ka qenë redaktorja e të gjitha botimeve të Universitetit. Me aftësi të jashtëzakonshme për të gjetur e për të përdorur fjalën e duhur. Edhe për t’i gjetur fjalës vendin e duhur. Dhe sidomos, për të lakmuar e për të gjetur fjalën shqipe a me formim shqip. Në Universitetin “Bedër” bëheshin seminare, diskutime e studime shkencore. Në krye të këtyre punëve ishte prof. dr. Rahim Ombashi, studiues i përkushtuar i letërsisë shqiptare. E dyta vinte Alba. Dhe Alba sapo ishte diplomuar. Zëre se ishte ende studente.
Tani, Alba është në Berat. Atje është te kurrikulat (programet shkollore). Atje është e para. Nga Berati na vjen edhe ky studimi i saj individual - i thukët, por i thellë për shkrimtarin tonë të njohur nga Kosova, Anton Pashku. Tani, Alba ka në dorë një punim shkencor për studiuesin e madh, akademikun Rexhep Qosja.
Alba e ka rrënjën nga Kalabardha. Kalabardha është krahina e bukur ndërmjet Dibrës, Librazhdit dhe Elbasanit. Nga Kalabardha ka personalitete. Po përmend vetëm dy – Qemal Stafën dhe Qemal Ataturkun. Qemal Stafa – Heroi ynë i Popullit. Qemal Ataturku – themeluesi i Turqisë moderne e Heroi i saj.
Si Alba, është edhe e motra, Emineja. Edhe Emineja është kritike letrare. Me shumë artikuj kritikë letrarë e me dy libra deri tani.








Comments