Meçan Hoxha: Poezi e bukur, e sinqertë, origjinale.
- May 22
- 3 min read

(Rreth librit “Jeta është dhuratë”)
Këto ditë doli për lexuesin një libër i ri i poetit dhe shkrimtari të njohur durrsak, Skënder Milaqi. Vjen menjëherë pas monografisë “Udhëtimi i një jete”, të cilën lexuesi e mirëpriti dhe e çmoi për gjithçka të bukur që gjeti në të. Tani, përsëri me monografi po këtë radhë ndryshe. Këtë radhë vjen e koncentruar në vargje, ngarkuar me ndjenjë, lakonizëm dhe bukuri estetike që mundëson poezia.
Në 75 poezitë që ka vëllimi shpalosen ide filozofike, dashuri njerëzore, atdhedashuri, dëshirë për progres dhe një përvojë e pasur personale, që lidhet me familjen, profesionin, vështirësitë për sukses, kënaqësia e suksesit, vendlindjen, atdheun e lirinë.
Temë qendrore në këtë vëllim është jeta si vlerë dhe përvojë shpirtërore. Vetë titulli “Jeta është dhuratë”, shfaq boshtin filozofik të veprës. Autori e trajton jetën jo si një rrjedhë të zakonshme ngjarjesh, por si një bekim, një mundësi për të përjetuar dashurinë, familjen, natyrën dhe atdheun.

Në parathënie autori shprehet: “Jeta është dhuratë nuk është vetëm një titull, por një besim i lindur nga përvoja…”. Kjo tregon se poezia e tij nuk ndërtohet mbi abstraksionin, por mbi përjetimin personal. Përvoja jetësore bëhet burim i vargut, gjë që e vendos librin pranë poezisë refleksive dhe meditative.
Autori citon Wordsworth-in: “Poezia është shpërthimi spontan i ndjenjave të fuqishme.” Është një gjetje e përzgjedhur me kujdes që realizon mbështetje të fuqishme profesionale për ato që ka përjetuar në rrugëtimin e tij jetësor. Ky citim nuk është rastësor; ai duket si program estetik i librit. Milaqi e sheh poezinë si çlirim emocional, nga kuptohet se poezitë janë më tepër: rrëfime të shpirtit, kujtime, meditime mbi jetën, shprehje dashurie për njerëzit e afërt, ndjeshmëri ndaj vendit dhe natyrës.
Motivet kryesore janë:a) Familja dhe fëmijët. Ka poezi të vyera si “Fëmijët e mi” ku paraqet dashurinë prindërore me një varg të mrekullueshëm:“Për ju dashuritë e mia të sinqerta…”. Aty ndjenja paraqitet e pastër, mbrojtëse dhe e përhershme. Familja del si themeli moral i jetës.
b) Atdheu, është motiv i rëndësishëm në krijimtarinë e Skënderit. Ai është një qytetar që ka provuar emigracionin dhe ka shetitur nëpër botë. Ka parë dhe konkluduar se Shqipëria lëngon nga njerëzit e saj që e qeverisin dhe jo nga bekimi, që ka marrë nga krijuesi. Krijuesi i ka dhënë Shqipërisë, tokë dhe det, klimë dhe pozicion të lakmuar gjeografik. I ka dhënë burime hidrike e pasuri nëntokësore të mrekullueshme. Ndaj dhe shpreh dhimbje që një vend në mes të Europës, me histori paraeuropiane, ka pësuar dramë të dhimbëshme dhe ndjek Europën nga mbrapa. Ai ka bindje se Shqipëria do të përparojë, ndaj e ka dhënë shembullin vet duke hapur biznes këtu e duke punuar përditë për progresin e vendit të vetë.
Kur autori shkruan:“Shqipëria kjo tokë e begatë…”, atdheu nuk trajtohet vetëm si hapësirë gjeografike, por si burim identiteti dhe frymëzimi. Kjo e afron librin me poezinë patriotike të butë, pa retorikë të rënduar. c) Koha dhe përditshmëria, janë komponentë të rëndësishëm në poezinë e Skenderit. Edhe evente të zakonshëm si një kafe mëngjesi, autori i kthen në simbol të kohës, kujtimeve dhe shoqërisë njerëzore. Kjo është veçori e poezisë që gjen kuptim në gjërat e vogla, (poezia: “Eh, kafja e mëngjesit…”. d) Natyra, është një motiv që e gjen dendur në faqet e këtij vëllimi me poezi. Aty theksohet vazhdimisht natyra si burim qetësie: “…natyra… jep frymëmarrje dhe qetësi të brendshme.” Natyra paraqitet si hapësirë shpirtërore, jo vetëm si peizazh.
Skënder Milaqi është një krijues që përdor ghuhë e stil të thjeshtë, të qartë e të kuptueshëm për të gjithë lexuesit, pa ngarkesa të tepruara me figura të ndërlikuara. Duket qartazi që kërkon më shumë sinqeritetin, sesa eksperimentimin formal, gjë që e bën poezinë të afërt me lexuesin e zakonshëm. Poezia e tij përcjell te lexuesi emocione të këndëshme e frymëzuese.
Këta tregues ruhen dhe te toni poetik, i cili është: meditativ, i qetë, optimist dhe hera-herës nostalgjik,(“Na ishte një herë”). Edhe kur flet për vështirësi, autori ruan besimin te jeta. Kjo lidhet drejtpërdrejt me mesazhin e titullit, të cilin mund ta përmbledhim: Njeriu duhet të vlerësojë jetën, familjen, dashurinë, atdheun dhe çastet e vogla, sepse ato përbëjnë pasurinë e vërtetë shpirtërore. Ky është një mesazh human dhe universal.
Ritheksojmë se vëllimi “Jeta është dhuratë”, është një përmbledhje poetike me karakter refleksiv dhe autobiografik, ku autori ndërthur kujtesën, përvojën personale dhe ndjenjat njerëzore. Forca kryesore e librit buron nga ndershmëria emocionale dhe përpjekja për të gjetur kuptim te jeta e përditshme. Libri lexohet me ëndje dhe bashkë me mesazhet e fuqishme të begaton dhe me bukuri estetike. Urimet më të mira për autorin dhe suksese librit!








Comments