Meçan Hoxha: Korabi i plagosur
- Jul 5, 2025
- 2 min read

*Tri poezi për Lirinë e Kosovës, nga libri im “Aromë gjethi”
Korabi i plagosur*
Ishte i akullt ajri në Prishtinë,
Dhe qielli shfrynte nga stuhia,
Kosova s’pranoi më robërinë,
Koha lajmëronte: po vjen liria!
Shtrat për lindje, malet e Dardanisë,
Gjithë trojet shqiptare, djep për rritje,
Pushkët e topat i oshëtinë lirisë,
Por, si çdo lindje, pati dhe dhimbje.
Në odën time rënkoi Korabi,
Djalë që u lind bashkë me Lirinë.
Në gji të nënës e plagosi dushmani,
Dëshmi për brezat, që do të vinë.
*Korab, quhej djali i plagosur, strehuar tek unë, gjatë Luftësn ë Kosovë.
Ylfete Mentor Humolli (Lupç, Podujevë)
Kur përmend Kosovën,
Mendja kap lirinë,
Lirinë në peisazh të përgjakur.
Me qiell e tokë të përflakur.
Lumenj gjaku që s’u derdhën në det,
Vaditin Kosovën për mot e jetë.
Lule gjaku mbi të do të rriten,
Simbole sakrificash, që s’harrohen.
Edhe këto dy lule, aromë mirë,
Mbi lotë lirie, sapo kanë mbirë.
Njeri për motrën, tjetri për vëllan.
Njëra manushaqe, tjetri tulipan.
Hylfete Hunolli, vajzë 16 vjeçe,
Për t’u bërë nuse ish ende e mitur.
Po për lirinë nuk pati pritur,
Për të, ish burrëruar e rritur.
Duke u ndarë përjetë, një pyetje bëri,
Ku është vëllai im, ku është Mentori?
Mentori 13 vjeç , dorën i shtëngoi,
Këtu jam motër, po të përqafoj.
Ikën vitet po rritej Mentori,
Halli që kishte motra, në mal e nxori,
-Prit dhe ca or djalë, je u duke rritur,
-Do të shkoj mëj nënë, më pret ime motër.
Liria, që u fitua me kaq shumë gjak,
Do të rrojë përjetë bajrak më bajrak,
Dhe po e dhunuan, edhe po e nganë,
Do ndrijë mbi Kosovë si diell e hënë.
Nëna e pesë dëshmorëve: Më mungojnë çdo ditë, ama kanë shku për liri
Madhështia e Lirisë
Liria nuk matet me asgjë,
Ajo peshohet vetëm me Liri.
Edhe kur mos mbetet asnjë,
Do lindin të tjerë, për t’u bërë fli.
E hoqa këtë foto nga Interneti,
Në kornizë e vura me axhale.
Kornizë të artë prej së vërteti,
Për djemtë e nënës Emine.
Emine Dvorani, nga Tersteniku,
Pesë djem i dha për Liri.
I rriti me mundime, lum miku,
Por lotë te syri, nuk pa njeri.
Nënloket trime kosovare,
Dhuruan shumë djem për lirinë.
Përjetë do të ndjehen krenare,
Se lirisë, i dhanë pavdeksinë.








Comments