top of page

Mesazhi i bashkëshortes së shkrimtarit Shefki Karadaku


8 MARSI; NADIRE KARADAKU: Të promovosh paqen, shërbimi më i mirë që i bëhet njerëzimit

Mesazhi i bashkëshortes së shkrimtarit Shefki Karadaku



Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

 

 

Me kërkesën e lexuesve, ribotoi në shqip dhe anglisht romanin “Puthja e ngrirë” të bashkshortit Shefki Karadaku – autor i 35 veprave letrare në prozë dhe poezi, tre vjet pas ndarjes së tij nga jeta

 

 

Në këto kohë të krizës globale të promovosh paqen është shërbimi më i mirë që i bëhet njerëzimit. Pikërisht këtë mesazh përcjell në vigjilje të  8 – Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Nadire Karadaku, e njohur si gazetarja, redaktorja, juristja, noterja, nëna dhe bashkshortja shembullore “Ambasadore e Paqes” – model i gruas fisnike e me inteligjencë të rrallë. Dhe jo vetëm kaq. Ndoshta si askush tjetër ajo ka kontribut të veçantë si bashkpunëtorja më e denjë, redaktorja dhe botuesja e dhjetra librave të bashkëshortit të saj, shkrimtarit të mirënjohur Shefki Karadaku. Dhe teksa i përmend bashkshortin ajo përlotet, pasi për të Shefkiu ishte në sintoni të plotë si shkrimtar dhe njeri i mrekullueshëm. Ndaj dhe pohon njëzëshëm se ka qenë me fat që për rreth gjysmë shekulli ishte përkrah tij. Ai nuk jeton më, por kudo që rrotullohet në shtëpi i duket sikur e ka pranë, pasi kudo prek libat e shumtë të tij që përbëjnë një pasuri tejet të vyer, jo vetëm për familjen, por parasëgjithash për kulturën tonë kombëtare. Krahas punës së përditshme në zyrën noteriale të së bijës Albanës, për punën dhe shembullin e së cilës ndjehet krenare, ajo flet me krenari për veprën letrare të bashkëshortit. 




“Mjafton të kujtosh analizën e shqiptaro-maqedonasit Lutfi Turkeshi në gazetën ‘Fjala’ të shqiptarëve të Shkupit, (i panjohur për Shefkiun) i cili e quan “Kajani i ditëve tona” dhe “një autor i madh”… Moikom Zeqon që e krahason me Jetsin, Enver Kushin që e quan “poeti i reve”; Xhevat Mustafën që shkruan në ditën që Ai ndrroi jetë tre vjet më pare më 16 mars 2021, se “u shua një yll i lerësisë shqipe”. Erika Beermann, albanologe dhe studjuese e vendeve të Europës Juglindore e quan një nga autorët e famshëm të vendeve të Europës Juglindore dhe e boton me shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, në një antalogji me karakter studimor në vitin 1995 në Gjermani…Shefi i katedrës së albanologjisë të Universitetit të Sorbonës, Kristian Guut i shkruan se e vlerëson shumë lart krijimtarinë e tij”, thotë Nadirja. Dhe është vërtetë rast i rrallë, që me kontributin e saj financiar (ndonëse në pension), në përgjigje të kërkesës së lexuesve, ajo ribotoi në shqip dhe anglisht romanin “Puthja e ngrirë” të bashkshortit të saj Sh.Karadaku – autor i 35 veprave letrare në prozë e poezi (mes të cilëve romanet kryevepra: “Sagë Mbretërore”, “Njëmijë vjet dashuri”, “Apokalipsi i gjetheve”, “Vila e magjepsur”, “Salamandrat”, “Filantropi” etj), tre vjet pas ndarjes së tij nga jeta.

 

 

FRYMËZUESE E KRIJIMTARISË SË BASHKSHORTIT

 

Nadire Karadaku është ndoshta nga zonjat e rralla, jo vetëm si frymëzuese e krijimtarisë së bashkëshortit të saj të ndjerë, shkrimtarit të mirënjohur e shumë të sukseshëm, Shefki Karadaku, por edhe mbështetësja e financuesja e botimit të 20 librave të tij. E sapodiplomuar për gjuhë-letërsi (dhe më pas edhe juriste e funksionare në Ministrinë e Drejtësisë), që në rininë e saj ka shkruar dhe botuar poezi, skica e tregime të arrira artistikisht dhe të vlerësuara nga lexuesi i asaj kohe, ditën e që mori titullin “Ambasadore e Paqes” nga FPU, u prezantua jo vetëm si njohëse perfekte e letërsisë botërore e asaj shqiptare, por edhe si një kritike e mirëfilltë letrare. Atë mund ta veçojmë si një ndër të paktat gra  shkrimtarësh që u janë përkushtuar bashkëshortëve të tyre, duke i krijuar Sh.Karadakut një mjedis të qetë familjar, mbështetur dhe inkurajuar atë për shkruar dhe botuar librat, por edhe duke e këshilluar edhe me mëndime kritike. Sepse e  adhuron letërsinë. Që në adoloshencën e herëshme ka lexuar klasikët e botës të përkthyer mjeshtërisht tek ne, si Tolstoin, Shekspirin, Dostojevskin, Pushkinin, Gogolin, Çehovin, Hemingujejin, Re Markun, Drajzërin, Hygoin, Balzakun, Mopasanin, Gollsuorthin, Arçibald Kronin e  shumë e shumë të tjerë. Në këtë këndvështrim, ajo pohon se ishte me fat që bashkëshorti i saj, ishte poet dhe prozator me shumë talent.

 

 

RRËFIMI PËR “PAKTIN” ME BASHKSHORTIN SHKRIMTAR

 




Krahas kujtimeve të bukura, Nadirja kujton edhe realitete të trishta që përjetoi me bashkshortin e saj.

“Gjatë periudhës së diktaturës, Shefkiu botoi 9 libra, sigurisht duke u munduar të ishin brenda kornizave të kohës. Krahas këtyre botimeve, duke filluar nga vitit 1972 deri në vitin 1985 shkroi gradualisht vëllimin me poezi ‘FENIKS’ dhe në vitin 1976-77 novelat ‘Arkadia e largët’. Mbaj mend se rreth viteve 1976- 1977 kishte shkruar dhe përgatitur për shtyp një roman. E çoi në Shtëpinë Botuese ‘Naim Frashëri’ dhe nga reçensionistët u dhanë vlerësime pozitive, ndaj dhe libri hyri në shtyp për botim. Por kur prisnim të dilte romani, u njoftua se ky roman ishte kthyer në karton. Shefkiu ishte tepër i ndjeshëm dhe erdhi në shtëpi i dërmuar moralisht. Pasi mësova se pse ishte dëshpëruar aq shumë, i thashë: Ti e kupton se në ç’kohë jetojmë! A bëjmë një pakt bashkë?! Ti vazhdo të shkruash dhe shkrimet e tua do t’i lexoj vetëm unë, nuk do t’i çosh për botim… Dhe natyrisht, poezitë e “FENIKS”-it apo novelat e “Arkadia e Largët”, nuk mund t’i dërgonte për botim, pasi kur doli në dritë botimi i tyre (viti 1993) ne do ishim harruar”, - rrëfen mjeshtërisht Nadirja. Më tej ajo pohon se si i ka ruajtur me fanatizëm  dorëshkrimet e “Feniks”-it dhe “Arkadisë së largët”, si dhe romanin “Puthja  ngrirë”.

Poezitë e ‘Feniks-it Shefki Karadaku i daktilografoi vetë në redaksionë e revistës  ‘Ylli’, ku punoi për 20 vjet rresht. I përfundoi së daktilografuari rreth viteve 1986-1987. Nadirja pohon se i ka lexuar mbasi i daktilografoi dhe i  ka thënë së nëse do vijë një ditë që të botohet, të mos ia japë askujt për redaktim, pasi këto poezi nuk kanë nevojë për t’u hequr dhe as për t’u shtuar asnjë pikë dhe asnjë presje. Dhe në të vërtetë nuk ishte gabuar.

 “FENIKS”-i u prit mjaftë mirë dhe u vlerësua me nota maksimale nga kritikë, specialistë të fushës dhe dashamirës të letërsisë. Madje Erika Beermann, albanologe dhe studjuese e vendeve të Europës Juglindore e quan Shefkli karadakun një nga autorët e famshëm të vendeve Juglindore dhe e boton me shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, në një antalogji me karakter studimor në vitin 1995 në Gjermani. Po ashtu shefi i katedrës së albanologjisë të Universitetit të Sorbonës, Kristian Guut i shkruan se e vlerëson shumë lart krijimtarinë e tij.

Ndjeshmërinë e Shefkiut bashkshortja e tij e ilustron edhe me një shembull tjetër. “Ne kemi një shtëpi në një fshat të Tiranës. Shkonim në çdo fundjavë. E adhuronte atë shtëpi pasi natyra atje është e virgjër. Kur niseshim për në fshat nuk harronte të merrte me vehte ushqim për zogjtë apo për ndonjë kafshë shtëpiake që mund të kishte mbetur pa ngrënë (ne nuk mbajmë kafshë në shtëpi). Kënaqej kur ndihmonte financiarisht banorët e fshatit. Ishte njeri me zemër të madhe. Ndjente kënaqësi të paparë kur redaktonte librat që i jepnin shokët apo miqtë…dhe gjithshka e bënte falas dhe me shumë kënaqësi”,-shprehet Nadirja. Duke pohuar shpirtin e artistit dhe jo të tregtarit që kishte bashkshorti, Nadirja thotë se të gjithë librat e Shefkiut, (26 botime pas viteve ‘’90) janë botuar nga vetë familja pa asnjë subvencion. Si  adhuruese e letërsisë edhe krijimtarinë e Shefkiut ajo çmon si brilante, prandaj thotë se ka patur kënaqësi të shpenzoj për botimin e librave të tij, i cili i la kulturës shqiptare 35 botime me vlera të mëdha artistike, por edhe për mesazhet që ato përcjellin.

 

 

QË TË MOS KETË MË “PUTHJE TË NGRIRË”

 

Mes 35 veprave letrare (13 vëllime me poezi dhe 12 romane e 10 libra me tregime e novela) që përbëjnë trashëgiminë letrare që na la Shefki Karadaku, vlerësuar kjo nga të mëdhenjtë e letrave shqipe: Dritëro Agolli, Llazar Siliqi, Petro Marko, etj., romani “Puthja e ngrirë” vlerësohet si më i miri nga lexuesi. Treguesi më i qartë është ribotimi këto ditë për herë të tretë i këtij romani, (në shqip dhe anglisht) nga bashkshortja e tij Nadirja, me kërkesën e lexuesve.  Kjo për faktin se që në paradigmë të titullit të romanit “Puthja e ngrirë” futemi përkitazi, në një botë simbolike, përmes reales dhe ireales, jetës dhe vdekjes, dashurish mes puthjesh dhe lektisjesh plot pasion në ngjizje të ardhmërisë dhe ngrirjes. Përshkruhen mjeshtërish artistikisht nga një penë e artë, si Sh. Karadaku: e ngrira, e acarta, e ftohta prej akulli, në imagjinatën e një bote që mbetet pas në kohë dhe hapësirë dhe që është e destinuar të humbasë dhe shkrihet si akulli, sintetizuar kjo te personazhi kryesor, Rroku që ngrihet mbi sistemin që ka mbajtur në këmbë të atin dhe familjen e saj. Kësisoj “Puthja e ngrirë” ka një natyrë moderne për sa i përket portretizimit të personazheve, si natyra njerëzore, që në dukje kanë tipare të veçanta, fytyrë, veshje, shtat, etj., që ngjajnë dhe janë krejt të kundërt me njeri-tjetrin sa i përket karaktereve, çuditërisht, që nga Pigali, Meku, Zurba Sina, dhe deri te Basriu, Rroku, Zibeli, Kanadi të ndarë në dy kategori: tri të parët, edhe pse përmenden rëndom në roman, nuk kanë identikit, janë pa fytyrë, pa shëmbëllim, vetëm emra simbol, e megjithëkëtë janë kaq të qartë dhe prezent në sytë e lexuesit. Të tjerët, madje edhe dy shoqëruesit-vëzhgues, njëri me fytyrë të kuqe si spec dhe tjetri plot prenjka, janë të karakterizuar nga idetë që mbartin, mënyra e të jetuarit plot vitalitet, përmes sakrificës dhe jo rutinës. Por ajo që është padyshim linja me e bukur e romanit, është dashuria e Rrokut me Zibelin. A thua se nuk i pengon aspak përkatësia shoqërore, rendi klasor dhe ekonomik? Në realitetin e kohës kur dy botë përplasen me antagonizma për jetë a vdekje, nuk ndodhte, porse në letërsi frikshëm, e justifikuar dhe e përligjur kjo dashuri. Sikundër dhe antitezat e Kadillakëve dhe vilave plot shkëlqim, të familjes Sina, me kasollet e braktisura, bodrumin e Basriut dhe Rrokut, me krevate hekuri dhe kamionët që hiqen zvarre nëpër baltë, në roman janë të justifikuara. Kësisoj, falë kontributit modest të bashkshortes, Puthja e ngrirë” e Shefki Karadakut, botuar në fillim të viteve 90, vjen sërish me këtë ribotim me tjetër frymë, me qetësinë e asaj çka mbetur në të shkuarën; me gëzimin e së sotmes që e përmend atë si një ëndërr të keqe si lajtmotiv për një jetë më të mirë të shqiptarëve, pas një burgu të hapur në sytë e botës. Dhe e shkuara është dhe përbën histori…

Ndoshta si askush, Nadire Karadaku është angazhuar në përjetësimin e vepës së bashkshortit shkrimtar edhe tre vjet pas ndarjes së tij nga jeta, (më 16 mars 2021 në moshën 80 vjeç), qoftë si bashkrealizuese e dokumentarit “AND-ja e pandryshuar e Shefki Karadakut”, dhe në organizimin e pëkujtimit të ditëlindjeve të tij me praninë e divës së skenës dhe ekranit Margarita Xhepa – Nderi i Kombit, që i ka për zemër dhe i interpreton mjeshtërisht poezitë e këtij kolosi të letrave shqipe , si dhe dhjetra miqve e bashkpunëtorëve të tij.

 

91 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page