Mentor Serjani: Shullëri i Mestranit
- 1 day ago
- 4 min read

(prozë përshkruese-rrëfimtare)
Shullëri i Mestranit shtrihet si një prehër dielli në kurrizin e malit të Lávanit, mbi fshatin Sasaj. Ai nis aty ku bashkohen përrenjtë e Mokrave e të Norinaftit në jug, e zgjatet deri në përroin që zbret nga Qafa e Krisjes në lindje. Në veri ndalet tek rrjedhjet e ujërave që përfundojnë tek Ara e Vashës, ndërsa në perëndim e mban gjallë korija e Gusharëve, ajo gushë e gjelbër e fshatit, që frymon erë lisash e bari të freskët.
Kështu formohet një trekëndësh i qetë kullote, me dy krahë të mbështetur në veri e perëndim dhe një shpat’të gjatë diellor në lindje.Pjesa e poshtme është e mbuluar me shkurre, ndërsa më lart toka është e veshur me sherebelë, rigon, lule mali e bimë medicinale që mbledhin aromat e gjithë stinëve. Në krye të shullërit ngrihen katër lisa të vetmuar, të vendosur si me dorë, në formën e një rombi të përkryer – dëshmitarë të heshtur të stinëve, kohëve dhe njerëzve që kanë kaluar andej.
Në fund të shullërit, mbi rrugën e vjetër këmbësore që të çon drejt malit të Lávanit, dikur buronin dy sy uji të njohur si burimet e Ujthit. Prej tyre pinin barinjtë, bagëtitë,kafshët e ngarkesës e të punës, si dhe freskoheshin udhëtarët që kalonin për në mal. Në atë vend kishte qenë ngritur dikur edhe baxhua e përpunimit të qumështit, një baxho malore ku transporti bëhej me kafshë përgjatë udhës së këmbësorëve.
Në shullë kishte gjallëri: thëllëza, lepuj, dhelpra, kunadhë e zogj të tjerë. Gjuetarët sillnin prej aty shpendë, ndërsa bariu njihte çdo shteg, çdo hije guri e çdo aromë bari.
Më poshtë, fshatarët kishin hapur baçet e tyre, pronë vetjake pas kolektivizimit të tokave. Por gjithçka ndryshoi më 1976, kur u hap tuneli Tatzat–Sasaj; ujërat u thanë dhe shullëri humbi zërin e burimeve. Sot, aty ka mbetur vetëm heshtja dhe kujtimi i gjallë i njerëzve që punuan e jetuan me diellin përballë.Fjalorët thonë se “shullëri” është një vend që e zë mirë dielli, një diellishtë ku njeriu shtrihet e shullëhet, ngrohet e pushon. Por për ne, Shullëri i Mestranit është më shumë se kaq: është kujtesë, jetë, emër.
Askush nuk di me siguri se nga vjen fjala Mestran
.Hipoteza etimologjike më bindëse është se
“Mestran” mund të ketë qenë emri ose nofka e një pronari, bariu ose kryefamiljari,
Forma- Mestránit - paraqitet në rasën gjinore.
Në toponiminë shqiptare ky ndërtim zakonisht tregon pronësi ose lidhje me një person,karakterin fizik të vendit,etj.
Shembuj analogë në Sasaj janë:
-Ara e Meme
-Qafa e Lëmënjve
-Kroi i Bunecit,etj
Prandaj, ndërtimi Shullëri i Mestranit na sugjeron se kemi të bëjmë me kullotën që lidhej me një person ose familje të quajtur Mestran.
Ose ka një substrat shumë të lashtë si shtreë gjuhësore para osmane ,ndoshta dhe më herët
Por le të kthehemi tek objekti i shkrimit,te thëllëzat e bardha të Mestranit
Kur agimi sapo kishte çelur sytë mbi Mestran dhe vesa e mëngjesit ende shkëlqente mbi barin e njomë, ne merrnim shtegun drejt shullërit për të mbledhur bimët medicinale. Vetëm cicërimat e largëta të zogjve dhe hapat tanë të lehtë prishnin heshtjen e shenjtë të mëngjesit.
Befas, nga gëmushat e dendura e cfakat e mëdha shpërthenin në fluturim thëllëzat – ato thëllëzat e bardha të Mestranit, siç i quanim me përkëdheli. Të trembura nga prania jonë, ngriheshin, si një skuadrilje e argjendtë që përshkonte qiellin. Rrahjet e krahëve të tyre përziheshin me aromën e rigonit, të sherebelës, e të luleve të egra.
Ato nuk ishin thjesht zogj. Ishin shpirti i Mestranit, mbi shpatet e gurta të tij. Ashtu si pulëbardhat me bardhësinë e tyre mbi kaltërsinë e detit, edhe këto “pulëbardha” të malit qëndisnin me fluturimin e tyre kupën e qiellit, aty ku bluja e pafund takonte horizontin detar. Për një çast dukej sikur mali dhe deti i jepnin dorën njëri-tjetrit dhe qielli bëhej ura e tyre e përjetshme.
Ne mbeteshim të shtangur, me sytë lart, duke harruar edhe bimët që kishim dalë të mblidhnim. Ishte një mrekulli, dhuratë e natyrës, një shfaqje e rrallë në amfiteatrin madhështor të vendlindjes, ku çdo fluturim thëllëze ishte një varg poezie, çdo rrahje krahu një melodi e padukshme dhe çdo mëngjes një bekim plot dritë.
Edhe sot, sa herë më rikthehet në kujtesë ai çast, më duket se i dëgjoj sërish rrahjet e krahëve të tyre dhe shoh bardhësinë e tyre të humbasë në kaltërsinë e pafund.
Në Shullë na çojnë tre rrugë.Udha e malit, që nis nga Sasaji.Udha turk, përgjatë rrjedhës së ujërave që vjen nga Piqerasi,dhe udha e lopëve, që ngjitet mbi baxhon e Ujthit e përfundon në korijen e Gusharëve.Në Qafën e Krisjes, maja lindore e këtij trekëndëshi, dikur rritej bari i quajtur belizmë, që fshatarët e përdornin për të bërë fshesa,prej nga vjen edhe një nga emrat e kësaj qafe,sepse belizma është e ngjashme me barin e krisjes sidomos për nga fortësia: Qafa e Frashërit, për shkak të drurëve që rriteshin matanë qafës; dhe Qafa e Selime, sepse aty afër kishin pronat fisi i Selime nga Tatzati,por edhe nga Sasaji
Shullëri nuk është vetëm tokë. Ai është një hartë kujtimesh dhe legjendash që kalojnë brez pas brezi.Në atë shullë ndodhen Ara e Vashës,më poshtë Buza e Kalimjeshtrit, më tej Varri i Llukut,në shpinë të tij Lisi i Sulos – vende që mbartin histori dashurie,pronë,besë e moral, rrëfime që flasin për kanunin e maleve, për nderin dhe për natyrën e ashpër që i mësoi njerëzit të jetonin me dinjitet.Çdo cep i Shullërit të Mestranit ka një histori më vete që nuk do të shuhen kurrë.








Comments