top of page

Faruk Myrtaj: ATDHE  TJETËR

  • 1 hour ago
  • 2 min read
Në arkivën time pa firmën e autorit me firmën e botuesit...
Në arkivën time pa firmën e autorit me firmën e botuesit...

(ORË  TË  FRANC  KAFKËS)

(prozë e thyer që të mos lexohet si roman)

-fragment-

ATDHEU KURRE S'VRET...

 

Se si më tingëlloi kjo radhë fjalësh, në ikje e sipër.

I kishte shqiptuar dhe deklamuar poeti me thinja të bukura, duke lexuar një poezi të ndaluar të dikujt që s’jetonte më.

Mbyllte sytë, sa herë përmendte emrin e Poetit, dhe kur dëgjonte emigrimin e ndokujt mes miqve, kolegëve, të njohurve.

“Ju të rinjtë e sotëm, megjithatë, jeni me fat!”, shtoi fill më pas. ”Këtu ku na ndodhi të rrojmë, ka qenë e rrezikshme të gëzohesh, të këndosh, të shkruash bukur. Edhe të shkruash më bukur se tjetri, është rrezik. E prapë, atdheu duhet dashur, edhe kur vret...”

U gëzohej përvajshëm fjalëve që i duhej të artikulonte, këtyre shpirtërimave, mbase ngaqë s’u kishte gjetur vend në librat e tij. As në vitet që erdhën më pas nuk i shfaqi.

“Mos e bëni fjalë, se e marrin për keq lirinë këtu...

Ju të sotmit e keni me të dëgjuar por erdhi një ditë, dikur, na lejuan të këndonim. Dhe ne besuam, ashtu bëmë, kënduam. Na e prenë këngën në mes...

Për pak na prenë edhe rrënjën e gjuhës.

Ndonjë herë s’marrim vesh kush na e rrëmben ëndrrën por prapë, na mban shpresa se, hera herës, ky vend bie në duar të të vetëve...

Dhe duhet të besojmë, ia vlen të presësh. Edhe si komb, për këto ditë të rralla, ndaj mbetemi! Atdheu duhet gjithnjë, edhe kur...në duar të liga, duket sikur i ndëshkon ai të vetët...Se, kurrë nuk vret ai, Atdheu, kurrë!”

"Atdheu duhet dashur edhe kur ikim prej tij...", përshtata në ditën time përshpirtjen e tjetrit, si për t’ia kthyer një hua.

Borxh i madh ishte urtima e tij, që nuk shlyhej kurrë.

Qysh kur kishte ringjallur imazhin e trenit të provincës sime, e përfytyroja vendlindjen të ecte si ai tren...

Avash-avash, slowly slowly, my dearest one...

....

(Mbulesa/kopertina e librit nga Robert Kananaj)

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page