top of page

Mentor Serjani: Dramë me përmbajtje të thellë ideore e filozofike



Nga Mentor Serjani

 

Duke lexuar përshkrimin e shkurtër që autori Zekerija Idrizi bën mbi subjektin e dramës se tij më të fundit “Lufta e shenjtë” mendoj të jap disa vlerësime e mendime ,pasi kjo është një temë e vaçantë e historisë së njerëzimit por e pa trajtuar ende në të gjitha dimensionet e saj nga letërsia jonë ,dhe kjo është një gjetje e zgjuar e autorit dhe një sfidë e jashtëzakonshme për të .Por le të shikojmë më poshtë si shfaqet në optikën tonë të leximit .Drama duket se është një përpjekje ambicioze për të ndërtuar një tekst dramatik me përmasë filozofike, historike dhe ideologjike. Ajo që bie menjëherë në sy është dëshira e autorit për të trajtuar çështje universale përmes një strukture dialogjike që sjell në skenë personazhe me botëkuptime të kundërta – nga fondamentalisti fetar te ateisti, nga nacionalisti te humanisti – duke krijuar një diskurs të pasur, përplasës dhe shpeshherë paradoksal.

Ky lloj ndërtimi i personazheve e afron veprën me teatrin filozofik apo alegorik,Autori shfaq një vetëdije të lartë për kompleksitetin e temave që trajton, duke u zhytur në dilema të mëdha të kohës: marrëdhënien mes Lindjes dhe Perëndimit, luftën ndaj terrorizmit, rrënjët e dhunës në emër të fesë dhe kthesat ideologjike të njerëzimit ndër shekuj. Kjo vepër mendoj se është një reflektim filozofik i dramës njerëzore dhe shpirtërore, duke ngjallur pyetje të thella për rolin e fesë, politikës dhe filozofisë në shoqëri.

Konflikti është përballje e filozofive të jetës, e ilustruar nga shembuj të marrë nga historia njerëzore, sidomos nga ngjarje tragjike si inkuizicioni, regjimet totalitare apo terrorizmi.Gjuhësisht,mendoj, se teksti është i ngarkuar me intensitet emocional dhe retorik, me një stil të theksuar eseistik dhe shpeshherë polemik. Autori nuk i shmanget qëndrimeve të forta, duke përdorur një gjuhë të ashpër kundrejt fenomeneve si fanatizmi fetar apo totalitarizmi ideologjik. Kjo e bën veprën të guximshme, ndoshta edhe provokuese për lexuesin e zakonshëm.Megjithatë, sfida e një krijimtarie të tillë qëndron pikërisht në balancimin mes mendimit filozofik dhe strukturës dramatike.

Në tërësi, struktura e personazheve dhe konflikti dramatik janë të ndërtuar mbi baza konceptuale e ideore, çka e bën dramën një sfidë për aktorët dhe një ftesë për reflektim të thellë për spektatorin.

Në përfundim, “Lufta e shenjtë” përfaqëson një përpjekje të denjë për një dramë me përmbajtje të thellë ideore e filozofike, që synon të shqyrtojë fatin e njeriut në përballje me të shenjtën, dhunën dhe zgjedhjet ideologjike. Kjo vepër është një debat me shpirt kritik ndaj së kaluarës dhe të tashmes.

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page