top of page

MEHMET JAUP BEQAJ LUFTËTARI I LUFTËRAVE PËR LIRI


Qatip Mara

Në 100 vjetorin e luftës së Vlorës

Mehmet Jaup Beqaj lindi në Vranisht Vlorë , në vitin1885. Në hapat e para të jetës së tij, Mehmet Beqaj kishte rrënjosur  dashurinë e madhe për Vranishtin e bukur, për gjuhën shqipe e atdheun e robëruar nga pushtimi i gjatë i turqve osmanllinj. Fëmijëria e tij në robëri, u pagëzua me krismat e luftës për çlirim kombëtar.  Ende kur ishte  fëmijë, kur sapo kishte mbushur gjashtë vjeç, dëgjonte thirrjet për zhvillimin e kuvendeve të burrave të Lumit të Vlorës, ku burrat e fisit Beqaj zinin një vend të nderuar, me fjalën e tyre të mençur. Ata ishin dalluar për besnikëri, ndershmëri, trimëri dhe ia kishin rritur peshën fisit Beqaj në tërë hapësirën e Labërisë. Babai i Mehmet Beqaj, Jaup Beqo Beqaj ishte luftëtar në betejat kundër ushtrisë osmane. Në formimin e Mehmet Beqaj, ndikuan fuqishëm ngjarjet e mëdha të fundit të shekullit XIX dhe fillimit shekullit XX, ku trimat e Vranishtit u shquan si luftëtarë të vendosur deri në fund për lirinë dhe sigurimin e tërësisë kombëtare e tokësore të popullit tonë. Ai hodhi shtat në mes të këtyre luftëtarëve të lirisë dhe pothuaj gdhihej e ngrysej në mes të çetave të tyre qëndrestae, të zonës së Labërisë. Në këto takime mbresëlënëse, Mehmet Beqaj  nisi të kuptonte se liria për atdhe  ishte një gjë tepër e çmuar.

Kërkesat për lirinë dhe truallin e parëve, ai, do t’i mbroj me guxim së bashku me dhjetëra luftëtarë vranishjotë të shquar, herë në njësite të vogla, ose edhe në mënyrë individuale. Me guxim labi, kishte  kundërshtuar çdo formë nënshtrimi, duke u ngritur kundër administratës osmane. Kur po kapërcente moshën tetëmbëdhjetë vjeçare, në fillmet e rinisë dhe të gjallërisë së një stine të bukur e fluidie, Mehmet Beqaj ishte një djalosh simpatik, me tipare të hequra, por fisnike, me një temparment sa të shtruar e të qetë, aq të zjarrtë e shpërthyes, plot impulse dhe hove shpirtërore, një shpirt të etur për liri dhe drejtësi.


Mehmet Jaup Beqaj

Në vjeshtën e vitit 1908, kur patrioti madh Ismail Qemali shkoi për takim në Vranisht, trimi Mehmet Beqaj së bashku me vëllan e tij Meço Jaup Beqaj  u betuan me burrat e Vranishtit se do të luftonin me armë për çlirimin e vendit nga zgjedha osmane. Mehmet Jaup Beqaj ishte ndër të parët që e kundërshtoi regjimin turk, e për pasojë u arrestua dhe keqtrajtua ashpër në Bashaj të Smokthinës, së bashku me Murat Abazin, Murat Veizin e Hamzo Selamin.

Me vendosmëri, ai mori pjesë në krijimin çetës për “Lirinë e Shqipërisë” me komandant kryetrimin Sali Murati, të cilët ishin të vendosur për realizimin e programit kombëtar, që e kishin shpallur qysh në fillim të kryengritjes së përgjithshme anti osmane. Çeta për “Lirinë e Shqipërisë” ishte çeta e parë në Lumin e Vlorës si repart i organizuar dhe me objektiva të qarta.

Veprimtaria atdhetare e luftëtarit trim Mehmet Beqaj shtrihet në një hapësirë të gjerë kohore 15 vjeçare pa ndrëprerje si luftëtar i përhershëm .Së bashku me luftëtarët vranishotë kishte marrë pjesë në aksionet e Palohuarit të Shashicës, Bestrovës dhe Picarit. Në beteja Mehmet Jaup Beqaj kishte luftuar me trimëri. Ai kishte luftuar me heroizëm në disa aksione të çetës për “Lirinë e Shqipërisë”, jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë. Me 1911 Mehmet Jaup Beqaj është pjesëmarrës në Mbledhjen e Drashovicës në përkrahje të kërkesave te Memorandumit të Gërçes.

Aksioni më i bujshëm është ai i hapjes së burgut të Vlorës, më 24 gusht 1912, prej të cilit u liriuan gjithë të burgosurit, ngjarje qe pati jehonë në shtypin vendas dhe atë të huaj. Në prag të shpalljes së pavarësisë, Mehmet Beqaj me luftëtarët vranishotë iu drejtuan Delvinës, pasi bandat shoviniste greke kishin ndërmarrë veprime terrorizuese e kriminale ndaj popullsisë vendase.

Mehmet Beqaj, duke luftuar me trimëri arriti ditën historike të 28 Nëntorit 1912, kur kuvendi mbarëshqiptar, me në krye burrin e shquar Ismail Qemali, i mbledhur në Vlorë, shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Vranishti, me çetën për ”Lirinë e Shqipërisë”, u bë simbol i qëndresës për Liri, duke shkruar me grykën e pushkës fjalën e ndritur “Pavarësi” . Mehmet Beqaj së bashku me luftëtarët: Azem Sulua, Hamzo Selmani, Sulo Murati, Tare Selmani, Imer Begua, Murat Myftari, Xhezo Balo, Selam Abazi etj., me në krye komanndatin e Çetës “Për Lirinë e Shqipërisë”,Sali Muratin, organizuan mbrojtjen e Qeverisë së kryesuar nga Ismail Qemali, duke luftuar forcat armike

Me krijimin e qeverisë të Ismail Qemalit, Mehmet Beqaj inkuadrohet si luftëtarë në komandën e sigurimit publik, për mbrojtjen e qeverisë së parë kombëtare, me kryeministër Ismail Qemali. Përkrah komandantit kyetrim Sali Murat Vranishti, Mehmet Beqaj u angazhua me besnikëri për të mbrojtur Kuvendin Kombëtar të Vlorës nga 28 nëntori 1912 deri në 7 dhjetor 1912.

Në atë kohë të trazuar, kërkohej vazhdimësi veprimesh në mbrotje të “foshnjës të sapolindur”. Ngjarja më e madhe e Kombit rrezikohej prej planeve e veprimeve shoviniste,në ndihmë të të cilëve vepronin Esat Toptanët e Spiro Milot me sojët e tyre antishqiptarë. Dhe Mehmet Beqaj, besnik i idealit të tij, nuk e vari pushkën në “gozhdë”, por ndoqi me përkushtim rrugën e nisur. Merr pjesë në përballjet me armikun në Cakran, Ardenicë, ku plagoset i vëllai tij, Meçe Beqaj, në Himarë, Borshë e deri në Luftën e Vlorës

Në shtatë vjetorin e shpalles së pavarësisë më 28 nëntor 1919, në Vlorë Mehmet Jaup Beqaj mori pjesë aktive në protestën kundër pushtuesve italianë dhe u angazhua si atdhetar trim i maleve të Labërisë, duke luftuar kundër ushtrisë pushtuese italiane në vitin 1920. Ai u përfshi në Epopenë e madhe të luftës së viti 1920.

Shkrimtari Petro Marko në librin “Ultimatumi” përshkruan luftëtarin trim Mehmet Beqaj duke e cilësuar në faqet e këtij libri “Mehmet Fajkoi”, sepse si fajkua sulej në betejat kundër italianëve. Kishte trup lastar të gjatë, sytë kur fliste i xixëllonin shkëndija, ndërsa zëri i drithëronte dhe shponte si plumbi. Përkrah Heroit Sali Murati Vranishti ai u sul si rrufe në kalanë e Kaninës. Me jatagan e manxerë, ecte në këmbë duke luftuar. Luftëtarët trima më 3 shtator 1920 me grykën e pushkës dhe erën e barutit pagëzuan fjalën “Liri” të Vlorës. Atë ditë Vlora ishte në festë, si më 28 nëntor 1912. Mehmet Beqaj me luftëtarët grupe-grupe hidhnin valle labe dhe festonin fitoren

Poeti Xhevair Spahiu ishte i pranishëm me shkrimtarin Petro Marko në takimin që bënë me luftëtarin Mehmet Jaup Beqaj dhe në shkrimin “Kockëfortët e Vranishtit”, botuar në gazetën “HORA “ thekson:

“Ishim ulur në bar dhe bisedonim. Përkrah nesh tymosnin me çibukët që i shkundnin në pëllëmbët e tyre të ashpëra, si trungje lisi, dhjetë pleq vranishtiotë, pjesmarrës në luftën e Vlorës të 1920-ës. Në çetën e Vranishtit, ku kishte mbi 200 luftëtarë, bënin pjesë edhe këta pleq. Shumë kishin parë e shumë kishin dëgjuar ata në jetë,po kujtimet e ditëve të asaj vere të vitit 1920 i ruanin thellë në kujtesë. Në këtë fond kujtimesh hyjnë edhe plagët që u lanë predhat e pushtuesve italanë. Dikush kishte një gishtë të prerë,tjetri një plagë në kokë e një tjetër në kofshë.Të nesërmen, në mëngjes, shkuam në shtëpinë e një tjetër luftëtari të 1920-ës.Ka disa njerëz që e mbajnë zjarrin të ndezur gjer vonë. I tilllë ishte edhe Mehmet Bequa nga Vranishti. Kishte një trup të drejtë si lastar, fytyrë të mprehtë e qeleshen e bardhë në kokë.

Kur fliste, sikur lëshonte shkëndija. Sytë, herë i mbërthente në cep të qerpikëve, herë i lëvizte si zhivë.

-Keni qenë në luftë?

-Në cilën luftë” –tha.

E kuptova se pyetja ime s’ishte e saktë…

-Në luftën e 1920-ës?

-Po tha, Mehmet Beqaj. -Ne vranishjotët kishim në krye kapdean Salinë. Ishte trim, i donte njerëzit e mirë. Një dynym dhe (tokë) kishte kapedani. S’luftonte për pasuri, por për vatan.

Kish zakon e na thoshte: “Të hajë mish plumbi juaj!”

Mehmet Beqaj, 85 vjeçar, atje rrëzë maleve, dinte me saktësi të filozofëve, ngjarjet historike.

-Kishit dëgjuar ju për Leninin në vitin 1920?-pyetëm.

-Ne që ishim në male, e dinim nga ata që kishin këmbë e dilnin jashtë…

-Si ju shpërbleu parësia pas luftës?

-Nga një çikë rrush e nga një çikë bukë.e një feste të bardhë në kokë e hajt, udhë e mbarë ju qoftë!

Më tërhoqi vemendjen gishti tregues i dorës së tij të djathtë, ishte i prerë.”Nga ndonjë predhë”, mendova. Kur po iknim, iu afrova dhe e pyeta:

-Në ç’luftë e keni prerë?

-S’mbaj mend ,15 vjet nëpër luftëra kam qenë, -tha Mehmet Beqaj. -15 vjet gishtin në këmbëz…

Me siguri, mendova,gishti i ishte konsumuar nga të shkrehurit e shumta të armëve...”

Kur në vitin 1956, nisi të krijohej kooperativa, u mpak prona vetjake, mori vrull prona e përbashkët, Mehmet Beqaj thoshte: “Do të bëhemi kooperativë…se nuk shpëtojmë dot nga Lenini!”…

Megjithëse koha shënoi Utopi, ky ishte dështimi, që plaku Mehmet Beqaj e gjurmoi. Dhe sot e kësaj dite mendimet e tij të parashikuara i hodhën në letër deshifruesit e fakteve. Këta njerëz të heshtur, që të godisnin pas shpine, ia bënë “letrat”…Mehmet Beqaj i priti ato pasoja. Ata të qeverisë nuk e dënuan, por e lanë si peshku pa ujë…Nuk i dhanë pension Lufte Mehmet Beqos, këtij plaku që kërkonte të arrinte të 100-tat

Mehmet Beqaj la një Patriotizëm, një ndershmëri, një fisnikëri... Dhe krenarisë i kërkonte...vetëm një firmosje...për pesionin e “harruar” të Luftës?!

Në lotët e fundit të jetës, Mehmet Beqaj, kujton Xhevair Spahiun, (Kur ishte në shtëpinë e tij me Petro Markon), kur i qëndisi...”ULTIMATUMIN”… “A mund të lihet në harresë. Mehmet Beqaj?...Me ato faqe të shumta Historie, Krenarie! Kur edhe ky, brez i ri, kërkon më tëpër- Nostalgji…!?

Në epitafin e tij mund të shkruhet:

“Mehmet Beqaj, besnikërinë ndaj atdheut,

Ia la Krenarisë,

Patriotizmin.,Ndershmërinë dhe Fisnikërinë

Ia fali Lirisë…”

Me rastin e 50 vjetorit të Luftës së Vlorës Mehmet Jaup Beqaj u dekurua me medalje patriotike. Si luftëtar i vijës së parë, në të gjitha luftërat çlirimtare, i takonte pension , por organet qëndrore në Tiranë e penguan me absurdtitete,sepse kishte shprehur mendimin kritik kundër ideve leniniste për krijimin e kooperativës. Kërkesat e vazhdueshme të admistratës vendore Vranisht e Vlorë, e detyruan Tiranën shtetërore që të miratonte pesionin patriotik,të cilin ja dhanë vetëm një javë para vdekjes, në moshën 88 vjeçare.

Në gazetën “HORA”, muaji shkurt 2010, në kuadrin e 90 vjetorit të Luftës së Vlorës 1920, ish-ushtaraku vranishtiot, Lefeter Hasanaj ka botuar shkrimin: “Mehmet Beqaj-Luftëtar i Luftërave për Liri”, në të cilën shkruan: “…Kur nisa të bëjë jetëshkrimin e atdhetarit Mehmet Beqaj, në mend më erdhi thënia që historinë nuk e bëjnë delet e çala, por luanët që hidhen në zjarr. Se, Mehmet Beqaj ishte pjesë a atij brezi që nuk përzgjodhi qëndrimin pranë “hirit”, por “zjarrin e ndezur me dru-lisi”, duke u shndërruar në një zë të fuqishëm në grupimin popullor, që luftonte për çështjen e madhe të kohës.

Po,kush ishte Mehmet Beqaj, personazhi i gjallë e real,që ka zënë vend edhe në romanin historik “Ultimatum” të shkrimtarit Petro Marko? Pse ai dhe të tillë si ai kanë mbetur në kujtesën kolektive?

“Shumë vjet, nëpër lufta kam qenë…” Kjo ishte përgjigja që Mehmet Beqaj dha në bisedën me shkrimtarin Petro Marko dhe poetin Xhevair Spahiu,kur e kishin pyetur se në cilën luftë kishte marrë pjesë. Po bëhen shumë vjet nga ai takim i ngrohtë i njerzëve të letrave me “kockëforët” e Vranishtit, siç i quajti me respekt poeti Xhevair Spahiu luftëtarët e lirisë, por përgjigja e mësipërme i ka qëndruar kohës,duke u përcjellë gojë më gojë, si dëshmi reale e vlerave dhe kontributit vranishtiot në breza për liri e pavarësi.Burri i moshuar i Beqajve,atëhere 85-vjeçar, ndonëse shquhej për kujtesë të kthjellët, ishte mjaftuar me ato pak fjalë,si për t’u thënë se përgjigjen më të mirë e kishte dhënë kur kërkohej “gishti në këmbëz”…Se ai, bashkë me shokët, jo pak herë i ishin përgjigjur zërit të Shqipërisë së robëruar e më pas të rrezikuar nga shovinistët fqinj.Vetëm në Luftën e Vlorës ishin 200 vullnetarë luftëtarë vranishtiotë, që rrokën armët,u rreshtuan në repartet çlirimtare, u ndeshën fuqishëm me armikun dhe dolën fitimarë. Në gjirin e atyre luftëtarëve, që komuniteti ku lindën e u rritën, i kujton,si pasuri të çmuar, ka vendin e vet të merituar dhe Mehmet Jaup Beqaj.Mehmet Beqaj lindi në kohën kur Shqipëria ishte nën sundimin ottoman, por kur mjedisi shoqëror mbarëkombëtar ziente nga duhma e rezistencës për mëvetësi. Në hapësirat ku flitej shqip, liria e pavarësia nuk ishin më një deshirë e largët,por një realitet për zhvillime të reja e të vrullshme.”Pena” e rilindasve kishte filluar “shtrimin” e rrugës shumëplanëshme, ku doemos pushka do të kishte rolin e saj të pazvëndësueshëm.Në shumë krahina, çetat atdhetare kishin marrë formë e vepronin intesivisht në dobi të kauzës madhore të kohës. Mehmet Beqaj, i edukuar dhe i nxitur fillimisht në gjirin e familjes, sidomos nga i ati, Jaup Beqaj, i cili ishte luftëtar i Pesë Puseve të Janinës,do të rritej me frymën e dashurisë për vendin dhe të kundërshtimit ndaj regjimit të huaj. Vit pas viti, Mehmet Beqaj do të ndërgjegjësohej se në mjediset e luftëtarëve do të kishte “pjesë” edhe për të. Ishte koha që kërkonte atdhetarë, ndërsa mosha e tij gjurmonte modele.Kishte dëgjuar shpesh për Abdyl Frashërin, Ismail Qemalin, Sulejman Vokshin, Ded Gjon Lulin, Isa Boletinin e Çerçiz Topullin dhe zemra e shtynte drejt tyre. Por, fati e desh që të mos ikte aq larg. Zëri rilindas kishte ardhur deri aty, në Vranisht, ku vepronin luftëtarët e hershëm, Pasho Ramadani, Sali Murati e Azem Sulo me shokë.Nëpërmjet tyre, do të bindej se në atë “stinë-dimri”, zjarri jo vetëm duhej mbajtur ndezur, por duhej të fuqizohej. Parapëqeu malet, aty ku ishin “lisat”, me të cilët e lidhi vullentarizimi dhe përgjegjësia për t’i kontribuar lirisë. Mehmet Jaup Beqaj ka një biografi të pasur, që nuk të ”lodh” për të përzgjedhur çastet kulmore të jetës së tij. Emri i Mehmet Beqaj vjen në ditët tona i mbështjellë me vlerat e një luftëtari të vendosur, si pjesë e rëndësishme e çetës së Vranishtit. Se ai me të vëllanë, Meçen, ishin midis 11 pjestarëve të përhershëm të saj, që ditën e krijimit, në vjeshtën e vitit 1908. Mehmet Jaup Beqaj luftoi me armë në luftëra për liri 15 vite pandërprerje por shumë pak vetë e dinë se Mehmet Beqaj e përfitoi pensionin për merita të veçanta atdhetare,vetëm një javë,ndonëse jetoi 88 vjet.Jo rastësisht u njoha me dekretin e dekorimit të tij me medalen “Për veprimtari patriotike” dhe tre vendime të Këshillit të Ministrave që ndodhen në Arkivën e Shtetit. Duke lexuar vendimet që bëjnë fjalë për pensionin e tij, meson se dhe ai nuk i shpëton paradokseve absurde të kohës. Me vendimin e parë, që mban datën 2 shkurt 1973, nuk miratohet pensioni, ndonëse propozimi i organeve përkatëse në Vranisht dhe në Vlorë, ka qenë i argumentuar. Siç duket, zytrarë dritëshkurtër, të prirur për të gjetur “gjëlpërën në kashtë”, janë bërë pengesë me shpjegime absurde. Është dashur këmbëngulja e pushtetit vendor, që ta merrte atë që i takonte. Dhjetë muaj më pas, me vendimin nr.177 datë 24 tetor 1973,Këshilli Ministrave i akordon pensionin patriotik,të cilin e gëzoi vetëm një javë para vdekjes.”

Në të gjitha betejat e luftërave për liri e pavarësi, nga viti 1908 deri në vitin 1924 të dy vëllezërit Mehmet Beqaj e Meçe Beqaj, luftuan me trimëri, në vijën e parë të sulmit mbi armikun e huaj ku vëllai Meçe Beqaj plagoset, por nuk e ndërpret luftën për liri e pavarësi. Pa u ftohur mirë pushka prej Epopesë së madhe të Vlorës,vjen një tjetër thirrje . Në shtator të vitit 1920, kryeministri Sulejman Delvina kërkon domosdoshmërisht ndihmën e popullit,pasi forcat agresive kishin arritur deri afër Tiranës, duke rrezikuar seriozisht pavarësinë e vendit. Mehmet Beqaj së bashku me vullnetarë nga Vranishti nisen drejt Tiranës, bashkohen me forcat e tjera çlirimtare dhe sipas traditës drejtë e në fushën e betejës, me syrin në shënjestër. Luftimet do të zhvilloheshin të ashpëra deri në Qafën e Deshëve e Macukull, ku agresorët serbë do të mposhteshin dhe do të largoheshin nga ishin nisur. Katër vjet më vonë 50 luftëtarë vranishtiotë do të vinin përsëri në Tiranë. Për Mehmet Beqaj kjo do të kujtohej si beteja e fundit masive, por edhe për një arsye më shumë: Në këtë betejë do të ishin të katër vëllezërit Beqaj:Mehmet Jeup Beqaj, Meçe Jaup Beqaj, Isuf Jaup dhe Abaz Jaup Beqaj.

Në vargun e këtij gjerdani trimëror të luftëtarit të lufëtrave për liri e pavarësi Mehmet Jaup Beqaj, vazhdoi i biri, Reiz Mehmet Beqaj, i cili është pjesë e traditës patriotike të kësaj familjeje të madhe të Mehmet Jaup Beqaj. Reiz Mehmet Beqaj u edukua e u frymëzua nga shembulli i sakrificave të mëdha për mbrojtjen e aspiratave të lirisë dhe flamurit kombëtar, që babai shfaqi gjatë gjithë jetës, duke luftuar shumë vite për liri. Në gjurmët e atdhetarit Mehmet Jaup Beqaj, biri tij Reiz Mehmet Beqaj bëhet ushtarak i talentuar, i cili për nga idealizmi, këmbëngulja, sakrifica, potenca, energjia dhe vetëmohimi dallohet dhe përpiqet që të ecë në gjurmët e të atit. Në vitin 1959, i specializuar në artin ushtarak artileri bregdetare, filloi punën në ishullin e Sazanit. U shqua si oficer, me përgatitje të lartë ushtarake dhe për ndërgjegje të lartë atdhedashurie, duke kundërshtuar planet e komandatëve rus në çështjen e mbrojtjes së bregdetit shqiptar. U vlerësua dhe u gradua nga komanda e lartë ushtarake shqiptare.Shokët e tij, kuadro e njerëz të thjeshtë, flasin plot dashuri e respekt për ushtarakun e përkushtuar Reiz Mehmet Beqaj, si ushtarak të zotin e intelektual me vlera të spikatura, që diti të drejtojë me mençuri, guxim, shembull personal e ndershmëri në të gjitha reaptet ushtarake për mbrotjen e atdheut.

Shoqata Kulturore e Labërisë e ka nderuar me titullin “MIRËNJOHJA E LABËRISË”, me motivacionin: “Mbartës të vlerave e virtyteve më të mira Labe, duke u bërë shëmbull për të tjerët. Pjesmarrës aktiv e me ndihmesë në veprimtarit e degës Fier, mbartës e përcjelljes i frymës së mirëkuptimit e vëllazërimit”.

Në vazhdimësi të traditës atdhetare të Mehmet Jaup Beqaj, ecën sot, nipi tij, Adrian Reiz Beqaj, i cili ka shërbyer e shërben me devotshmëri në Forcat e armatosura të atdheut. Ka shkëlqyer në studimet ushtarake. Sot Adrian Reiz Beqaj është një ushtarak i talentuar, dituror dhe i përkushtuar, autor i librit udhëzues të (FA)  në  Komandën e Doktrinës dhe  Stërvitjes, e cila është bërthama kryesore e dijes dhe arsimimit ushtarak në Shqipëri. Ka kryer me sukses kualifikime profesionale ushtarake jashtë shtetit.

Ushtaraku i talentuar Adrian Reiz Beqaj ka shërbyer me devotshmëri në misionet ndërkombëtare paqëruajtëse, duke shfaqur cilësitë më të mira prej ushtaraku të devotshëm. Me sakrifica larg familjes së tij të shtrenjtë, ai ka ngritur lart emrin e ushtarkut shqiptar në misionet paqëruatjëse të NATO-s

Duke trashëguar traditat më të vyera të paraardhësve, ushtaraku Adrian Reiz Beqaj është i thjeshtë, modest, me kulturë qytetare, me aftësi intektuale. Ashtu siç thotë populli: “Tek ka rrjedhur, do pikojë, do vejë soja në sojë”…

Qatip Mara

Nju Jork 13 korrik 2020




141 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page