top of page

Mehdi Hyseni: Barometri diplomatik

  • 21 hours ago
  • 5 min read

Mehdi Hyseni: Barometri diplomatik

 

Prof. Dr. Mehdi HYSENI

 

Pa Albinin dhe Vjosën, Kosova do të stagnojë në planin ndërkombëtar!

Ndërkaq, në planin e politikës së brendshme, mungesa e “tandemit” Albin Kurti – Vjosa Osmani rrezikon rënien e kësaj qeverie të kryeministrit Albin Kurti!

Referendumi zgjedh çështjen e Presidentit Unifikues të Kosovës.

Nëse duam “figurë unifikuese të popullit” të Kosovës, atëherë është i pashmangshëm organizimi dhe mbajtja e REFERENDUMIT GJITHËPOPULLOR!

Ndryshe, vazhdojnë debatet me formula të vjetra të zgjedhjes së presidentëve të Kosovës (2008–2026), në “stilin modern” të simbolikës premtuese, mashtruese, spekuluese, demagogjike, oportuniste dhe hipokrite politike – “ti mua e unë ty” – kompromis i keq ndërpartiak, krejtësisht antiunifikues i popullit.

Duke qenë se gjatë disa muajve të kaluar, qëkur Vjosa Osmanit i pati skaduar mandati ligjor si Presidente e Republikës së Kosovës (4 prill 2026), janë zhvilluar debate politike ndërmjet kryeministrit aktual, Albin Kurti, dhe kryeliderëve politikë në opozitë (Lumir Abdixhiku, LDK, dhe Bedri Hamza, PDK), mirëpo deri tash nuk kanë dhënë kurrfarë frytesh konkrete për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

Tash, së fundi, Kurti dhe Abdixhiku e kanë arritur një marrëveshje të përbashkët që Bekim Sejdiun ta propozojnë si “kandidat konsensual” për president të Kosovës, por këtë menjëherë e refuzuan “6 deputetë të LDK-së: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri”, duke reaguar se nuk do ta votojnë emrin e Sejdiut dhe se vendi rrezikon zgjedhje të reja.

Lidhur me këtë refuzim të deklaruar nga gjashtë deputetë të LDK-së, u prononcua para opinionit publik Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së, në një konferencë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar, se 6 deputetët, Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Armend Zemaj, Kujtim Shala dhe Janina Ymeri, kanë deklaruar se nuk do ta votojnë emrin e Sejdiut dhe se vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje.

Shihet qartazi se edhe ky propozim kompromisi politik LVV–LDK bie “në ujë”, nëse refuzohet nga këta 6 deputetë të përmendur në deklaratën e kryetarit të tyre, Lumir Abdixhiku.

Atëherë, logjika e shëndoshë e thotë: pse të mos kërkohet alternativë tjetër ligjore dhe kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës me REFERENDUM, direkt nga vota e lirë, demokratike, ligjore dhe paqësore?

– Deri kur instituti juridiko-kushtetues REFERENDUMI do të jetë “mollë e ndaluar” për SOVRANIN?!

Kur dihet se vetëm ky instrument juridiko-ligjor dhe kushtetues mund të “prodhojë” Presidentin konsensual-unifikues të popullit të Kosovës, jo kompromiset politiko-partiake të kryeliderëve të pozitës dhe opozitës, siç ishte dikur edhe “presidentja e zarfit”, Atifete Jahjaga (“viktimë” e pazareve të Behgjet Pacollit, të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës), jo kurrfarë figure unifikuese dhe konsensuale e popullit, por vetëm e kompromisit të interesave të politikës ditore të “treshes” Pacolli, Thaçi dhe Mustafa.

Ky nuk ishte faji i Jahjagës, por i politikës së gabuar Mustafa–Thaçi, për interesa të tyre karrieriste politike për udhëheqjen e shtetit të ri të Kosovës.

Albini dhe kryeliderët e opozitës së Kosovës të kërkojnë mbajtjen e REFERENDUMIT për zgjedhjen e presidentit konsensual-unifikues!

Ky do të ishte shpëtimi dhe mbrojtja e interesave jetike, vitale dhe e të drejtave të UNITETIT të SOVRANIT të Kosovës, jo kurrfarë kompromisi politik ndërpartiak, sikurse dëshmon praktika e deritashme dhe procedura e zgjedhjes së presidentit të Kosovës (2008–2026).

 

Veç Vjosa Osmanit, Kosova nuk ka tjetër personalitet të konfirmuar me plebishit se mund ta unifikojë popullin e Kosovës (2021–2026).

Prandaj, Qeveria e Kosovës duhet të shpallë REFERENDUM GJITHËPOPULLOR, që të gjejë “një figurë unifikuese”, sikurse që ishte ish-presidentja Vjosa Osmani, të cilën populli e votoi me plebishit!

– Rrimë shtrembër dhe flasim drejt: Vjosa Osmani ishte dhe është e vetmja figurë politike që bashkon popullin. Këtë e dëshmoi edhe veprimtaria e saj 5-vjeçare në postin e Presidentes së Kosovës, e cila, me rezultate, me fakte, me argumente, me sjellje, me veprimtari politike, diplomatike, juridike, demokratike, ligjore, kushtetuese dhe paqësore, ishte në funksion të drejtpërdrejtë të unifikimit të popullit.

Ndaj, mos u shteroni kot me muaj të tërë, duke kërkuar “një president konsensual”, që bashkon popullin dhe politikat e ndryshme në Kosovë, por kthehuni realitetit dhe fakteve e veprave konkrete, që Vjosa Osmanin ta RIZGJEDHNI PRESIDENTE të Republikës së Kosovës, sepse ky është momenti më kritik politik, juridik dhe kushtetues në të cilin gjendet Kosova përballë konfliktit me Serbinë, e cila përditë, me sjelljet dhe me veprimet e saj, po përzihet në punë të brendshme të Kosovës, me qëllim të ripushtimit të saj neokolonial dhe gjenocidal, mbështetur nga Rusia dhe nga disa shtete të mëdha aziatiko-afrikane përmes Lëvizjes Botërore të Mosinkuadrimit, e cila historikisht, politikisht dhe diplomatikisht nuk është “lëvizje e Serbisë”, as “lëvizje e Jugosllavisë”, por është LËVIZJE ME KARAKTER NDËRKOMBËTAR E MOSINKUADRIMIT, themeluar nga India, Gana, Egjipti, Jugosllavia e Titos dhe Indonezia.

Pra, as de facto e as de jure, Serbia nuk është “shtet sukcesor” i LËVIZJES NDËRKOMBËTARE TË MOSINKUADRIMIT, as që përmendet ndokund në “Platformën Themeluese” të saj, por vetëm Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë së Josip Broz Titos si shtet themelues i Lëvizjes Ndërkombëtare të Mosinkuadrimit.

Ndërkaq, organizimi dhe mbajtja e Konferencës së Parë të kësaj lëvizjeje në Beograd, më 1961, nuk nënkupton “trashëgiminë historike, politike, diplomatike, demokratike dhe paqësore” të Serbisë gjenocidale të Slobodan Millosheviqit dhe të “RFJ-së” së Dobrica Qosiqit (Mali i Zi dhe Serbia).

Pra, as historikisht, as de facto e as de jure, Serbia gjenocidale nuk është sukcesore e Lëvizjes Ndërkombëtare të Mosinkuadrimit (por vetëm pesë shtetet themeluese të saj: Indonezia, Egjipti, Gana, India dhe Jugosllavia e Titos), asnjë shtet tjetër i bashkësisë ndërkombëtare (1961–2026).

Sa më sipër, politika dhe diplomacia e Kosovës nuk ka arsye që të merret me vetveten, duke kërkuar dhe humbur kohë për të “gjetur” një “president konsensual”, por duhet të merret me problemet serioze që po e kërcënojnë Kosovën edhe në planin e brendshëm, edhe në atë ndërkombëtar, nga përzierja dhe nga lobimi agresiv i politikës së brendshme dhe të jashtme të Serbisë përmes OKB-së, OSBE-së, Lëvizjes Ndërkombëtare të Mosinkuadrimit, ku Serbia, si shtet agresor dhe gjenocidal (1990–1999), në mënyrë fiktive, pa asnjë të drejtë, as historike, as politike e as juridike ndërkombëtare, ka FITUAR STATUSIN JURIDIKO-POLITIK si “shtet sukcesor” i RFJ-së së Titos (status ky, i cili i ndihmoi që të pranohet në OKB, pa aplikuar si “shtet i ri”, si Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia) dhe i Lëvizjes Ndërkombëtare të Mosinkuadrimit, edhe pse i pati kryer tri agresione dhe gjenocide ndaj Kroacisë, BeH-së dhe Kosovës (1990–1999).

Edhe sikur të zgjidhej, Bekimi nuk është “FIGURA UNIFIKUESE” e zgjedhur nga ndonjë plebishit, sikur ishte Vjosa Osmani. Kjo ka domethënie të madhe, sepse ai nuk do të jetë në gjendje, sikurse Vjosa Osmani, që ta ndihmojë kryeministrin e Qeverisë së Kosovës.

Derisa ai të aftësohet dhe të bëhet “figura unifikuese” e Kosovës, qeveria e Albin Kurtit mund të bjerë lehtë nga kundërshtitë e saj të brendshme dhe të jashtme! Momenti është shumë kritik, që nuk duron “akrobacione”: “jo Bekimi, jo Hashimi” etj., por urgjentisht, sa më parë të jetë e mundur, në postin e Presidentit të Kosovës, të rizgjidhet Vjosa Osmani, e cila për pesë vjet ka dëshmuar, me rezultatet e saj brilante politike, diplomatike, juridike dhe kushtetuese, si “personalitet unifikues” i të gjithë qytetarëve dhe i subjekteve politike të Kosovës.

Pra, nëse me çdo kusht dëshirojmë mbylljen e krizës institucionale të presidentit, atëherë le të rizgjidhet Vjosa Osmani. Nëse jo, Referendumi zgjedh çështjen e Presidentit Unifikues të Kosovës.

Pra, të jemi të sinqertë: nëse duam “figurë unifikuese të popullit” të Kosovës, atëherë është i pashmangshëm organizimi dhe mbajtja e REFERENDUMIT GJITHËPOPULLOR, jo “bekimi pa përvojën e presidentes paraprake, Vjosa Osmani”, sepse nuk ka as aftësinë, as praktikën e Vjosës. Thjesht, ky nuk mund ta ndihmojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, sikurse Vjosa Osmani, e dëshmuar në pesë vitet e shkuara në krye të Presidencës së Kosovës.

 

NJË “ZGJEDHJE” E KËTILLË MUND TË NDIKOJË NË RRËZIMIN E QEVERISË AKTUALE TË ALBIN KURTIT. ASGJË MË SHUMË!


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page