top of page

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit


Shqipëria votoi sot për parlamentin e ri, mbyllet zyrtarisht procesi i votimit. Kryeson Dibra, Vlora e fundit

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në vendin tonë, ku u votua për zgjedhjen e parlamentit të ri. Ndonëse në disa qendra ka ende qytetarë që presin të votojnë, pritet konfirmimi nga KQZ nëse do të ketë shtyrje të orarit për këto raste.


VOTIMI


Të dielën e 25 prillit rreth 3 milionë e 600 mijë shqiptarë me të drejtë vote u thirrën në votime për të zgjedhur 140 deputetët e Parlamentit të ardhshëm. Për të ushtruar të drejtën e votës, zgjedhësit u paraqiten në 5199 Qendra Votimi.

Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor përcakton se Shqipëria ka një sistem zgjedhor proporcional rajonal, ku në secilin prej 12 qarqeve të vendit prodhohen mandate, bazuar në popullsinë e secilit Qark. Qarku Kukës është ai që nxjerr më pak deputetë, vetëm 3. Ndërkohë që nga Tirana, e cila ka dhe numrin më të madh të popullsisë në vend, përftohen 36 mandate ligjvënësish. Në këto zgjedhje parlamentare, garuan 1841 kandidatë për deputetë, që përfaqësojnë 12 parti, koalicione zgjedhore e kandidatë të pavarur.

Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, zgjedhjet e 25 Prilli, sjellin risi. Në të njëjtën Fletë Votimi Zgjedhësit votuan për partinë dhe kandidatin preferencial për deputet, që në Fletën e Votimit u identifikua nga një numër e jo emri i tij. Ligji saktëson se së pari numërohen votat për subjektet zgjedhore e më pas, për kandidatët për deputetë. Lista fituese e kandidatëve për deputetë pas numërimit të votave për partitë, mund të thyhet vetëm nëse një kandidat që renditet poshtë vijës së kuqe ka marrë më shumë preferenca se mesatarja e votave të partisë.

Për herë të parë në Shqipëri po aplikohet teknologjia në zgjedhje. Në çdo Qendër Votimi u instalua pajisje elektronike, të cilat kryen identifikimin elektronik të zgjedhësve. Një mjet ky i cili mundësoi shmangien e votimit të dyfishtë, votimit familjar apo votimit për një person tjetër. Ndërkohë në Zonën Administrative Zgjedhore Nr. 40, e cila përkon me Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë, u zbatua projekti pilot për votim dhe numërim elektronik. Votuesit votuan në pajisjen elektronike si për subjektin politik, ashtu edhe për kandidatin preferencial. Zgjedhjet e së dielës kanë tërhequr vëmendjen e faktorit ndërkombëtar, ku u angazhuan në vëzhgimin e tyre. Vëmendja ishte kudo, por të ashtuquajtura zona të nxehta tërhoqën më shumë syrin e vëzhguesve ndërkombëtarë, për të cilët standardet e zgjedhjeve mbizotërojnë mbi gjithçka.

Zgjedhjet e 25 Prillit u zhvilluan në kushte tejet të veçanta, për shkak të pandemisë së COVID-19. E për këtë çdo votues ishte i pajisur me mjetet mbrojtëse gjatë këtij procesi. As në këto zgjedhje, qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë vendit nuk mundën të votonin. Votimin e tyre, politika ia la në dorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Por ky mbeti vetëm një projekt në letër dhe faji për dështimin mbeti rrugëve.

45.40 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 18:00, në rang vendi

Ora 18:40 Deri në orën 18:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 45.40% në rang vendi. Janë 1920 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 51.42 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

PS thirrje qytetarëve nga selia rozë: Votoni, kjo është dita kur politika hesht dhe populli flet!

ORA 17:55 Përmes zëdhënëses, PS ka apeluar qytetarët të marrin pjesë në votime. “Kush nuk ka votuar ende, le të përfshihet në proces, të shkojë e të votojë. Ushtroni të drejtën tuaj themelore, në këtë ditë kur politika hesht dhe populli flet.

Ndiqni shembullin e atyre, që deri tani e bënë detyrën e tyre. Mos harroni se sa më shumë të merrni pjesë në zgjedhje, aq më shumë politika i merr parasysh hallet tuaja. Votoni”, tha zëdhënësja e PS.

41.24 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 16:00, në rang vendi

Ora 17:00 Deri në orën 16:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 41.24% në rang vendi. Janë 1967 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 47.8 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

PD tjetër thirrje shqiptarëve: Mos e humbni këtë mundësi. Mos u dorëzoni. Shkoni dhe votoni tani

ORA 16:35 Përmes zëdhënëses Floriana Garo, PD ka apeluar sërish qytetarët të marrin pjesë në votime. “Mos e humbni këtë mundësi. Mos u dorëzoni. Shkoni dhe votoni tani, mos prisni për momentin e fundit. Shkoni dhe votoni tani, mos prisni per momentin e fundit.

Ky eshte momenti juaj. Ky eshte momenti yne. Mos e humbasim kete moment. Dilni, dhe votoni!” apeloi Garo.

Incident në një qendër votimi në Maliq, burrë e grua dhunohen me karrige nga një vëzhgues i PD

ORA 16:00 Një tjetër incident është shënuar sot në një qendër votimi. Bëhet fjalë për një rast në fshatin Vashmi, në Maliq.

Gazetarja Lorena Kodra raporti në një lidhje live për ‘News24’ se burrë e grua janë goditur me karrige. Një vëzhgues i PD-së ka goditur ciftin, simpatizantë të PS.

Ngjarja ka ndodhur në korridorin e qendrës së votimit. Çifti ka pësuar disa lëndime në trup. Në bashkinë e Maliqit pjesëmarrja e votuesve ka qenë e lartë, rreth 31.7%.

40.86 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00 në rang vendi

Ora 16:30 Deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 40.86% në rang vendi. Janë 1642 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Vlora është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 47.55 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

Edhe 3 orë nga mbyllja e procesit, Basha sërish thirrje qytetarëve: Dilni e votoni, është dita juaj!

ORA 15:43 Lideri demokrat Lulzim Basha nga Elbasani bëri sërish thirrjen e tij drejtuar qytetarëve, që t’i drejtohen kutive të votimit. Në një prononcim për mediat Basha tha se sot është dita e qytetarëve, e fuqisë së tyre që shprehet me votë.

“Dua t’ju bëhej një thirrje qytetarëve që s’kanë dalë të votojnë, që të votoni. Se ditë me diell. Në këndvështrimin e përfaqësuesve tan n terren, situata është e mirë. Por mos prisni një shans të dytë, votoni. Kanë ngelur edhe rreth 4 orë.

E kam bërë nga Tirana, po e bëj nga Elbasani, se jemi bërë një lagje. Kjo për shkak të lidhjeve të mia me Elbasanin. Do shkoj edhe në Durrës, ku do të bëjë një thirrje. Mesazhi është i njëjtë. Dilni dhe votoni, është dita juaj, e fuqisë suaj. Nderime për median, për këtë mision të rëndësishëm që keni, të shkoni edhe ju të votoni.”, tha Basha.

38.3 % pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 15:00 në rang vendi

Ora 15:30– Deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 38.12% në rang vendi. Janë 2254 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Vlora është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 44.17 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

Tentoi të fotografonte votën, kush është i riu në Shkodër që u shoqërua nga policia (EMRI)

ORA 14:48 Është shoqërohet në polici një i ri në Shkodër, i cili ka tentuar që të fotografojë votën. Ngjarja ndodhi në qendrën e Votimit Nr. 0299, e cila ndodhet në shkollën “Neki Lezha”, në lagjen “Salo Halili”. Rasti në fjalë është konstatuar nga anëtarët e Komisionit.

Me vendimin nr. 3 të datës 25.04.2021 të Qendrës së Votimit është kërkuar ndërhyrja e Policisë. Pas marrjes se vendimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër kanë hyrë brenda Qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi Ditmir Ulqinaku, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë.

Pasi ka kryer veprimet, ai ka tentuar të fotografojë votën e tij, por është konstatuar nga anëtarët e Komisionit. Shtetasit D. U. i është bllokuar fleta votimit dhe më pas, nga shërbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të mëtejshme hetimore. Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i të riut., për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.



35.59% pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 14:00 në rang vendi

Ora 14:45- Deri në orën 14:00 pjesëmarrja në votime raportohet të jetë 35.59% në rang vendi. Janë 2034 Qendra Votimi që kanë raportuar nga 5199 në total. Dibra është qarku me pjesëmarrjen më të lartë me 41.34 %, më pas vjen Tirana. E fundit është Vlora që raporton një pjesëmarrje të ulët.

Ja pjesëmarrja deri në orën 13:00

Ora 13:40- Deri në orën 13:00, pjesëmarrja e votuesve në rang vendi është 31.87%. Gazetarja Marsela Karapanço raportoi për “BalkanWeb” se këto të dhëna janë nxjerrë nga raportimi i 65 Qendrave të Votimit nga 5199 në total. Kukësi është qarku me pjesëmarrjen më të lartë deri tani me 38.69%, Dibra qarku i dytë me 36.85%, më pas Tirana me 35.59%, ndërsa qarku i Vlorës me pjesëmarrjen më të ulët deri tani me 22.58%.

“Problemet teknike të trajtohen në bashkëpunim me KQZ”, Celibashi apelon: Komisionerët të jenë të qetë, të mos ndikohen nga faktorë të jashtëm politikë!

ORA 12:25 Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka bërë një apel për komisionerët e të gjtiha Qendrave të Votimit në vend. Përmes një statusi në “Twitter”, Celibashi thekson se atmosfera e punës së komisionerëve duhet të jetë e qetë dhe e pandikuar nga faktorët e jashtëm politik.

Më tej ai thekson se trajtimi i problematikave teknike të bëhet me të gjitha palët politike dhe me KQZ, pasi nënvizon se është mënyra e vetme për të zgjidhur problemin.

“Atmosfera e punës së komisionerëve duhet të jetë e qetë dhe e pandikuar nga faktorë të jashtëm politikë. Ti lemë të qetë të bëjnë punë e tyre. Trajtimi i problematikave teknike në bashkëpunim me të gjitha palët politike dhe me KQZ, mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemit”, tha Celibashi.

Denoncon Kryemadhi: Në QV 1824 vëzhguesit e LSI të vulosura dhe të plotësuara për PS në dhomën e fshehtë, pezullohet procesi

ORA 12:17 Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka denoncuar një parregullsi në procesin e votimit në Qendrën 1824 tek Njësia 5. Kryemadhi deklaroi se nga vëzhguesit e LSI janë kapur dy fletë votimi të vulosura dhe të plotësuara për PS, të vendosura në dhomën e fshehtë.

Pas kësaj është njoftuar KZAZ dhe është pezulluar procesi i votimit. Pritet të sekuestrohen pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse fletët e votimit janë harruar apo i kanë futur vetë dhe më pas nga Kryemadhi paralajmërohet denoncimi penal.

Përplasje mes simpatizantëve të tre forcave politike në Memaliaj, i pranishëm dhe ministri Çuçi

ORA 12:10 “BallkanWeb” ka siguruar pamjet nga një përplasje që ka ndodhur mes simpatizantëve të tre forcave politike, PD, LSI dhe PS. Gazetarja Brikena Metaj, raporton se simpatizantët e PD dhe LSI kanë filmuar votuesit e Partisë Socialiste dhe ky ka qenë shkaku i konfliktit. Mes të pranishmëve në konflikt ka qenë edhe Arianit Arapi, ish-drejtor policie në DPQGJ, aktualisht pjesë e stafit të fushatës të ministrit Blendi Çuçi, ky i fundit i ndodhur në vendngjarje gjatë konfliktit të simpatizantëve.

Incidenti në Divjakë, procedohen penalisht dy kandidatë të PD dhe 18 simpatizantë. Policia: Edhe pas thirrjeve për t’u larguar, bllokuan rrugën

ORA 12:02 Procedohen penalisht dy kandidatë të PD në qarkun e Fierit si dhe 18 simpatizantë. Enkelejd Alibeaj dhe Saimir Korreshi bashkë me 18 simpatizantët janë proceduar penalisht nga policia pas përplasjeve të ndodhur ditën e djeshme në Divjakë. Sipas policisë, edhe pas thirrjeve që ju bëri Policia për t’u larguar, këta persona bllokuan rrugën.

Ambasada e SHBA ndan fotot nga grupet e monitorimit: Ne do të jemi duke vëzhguar! Sot është dita juaj!

ORA 11:41 Ambasada e SHBA në Tiranë ka publikuar në facebook, foto nga ekipet e monitorimit të tyre në terren të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.

“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë në Shqipëri! Ekipet e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shpërndarë sot në të gjithë Shqipërinë, për të vëzhguar procesin e votimit dhe numërimit.

Ja disa prej fotove që kemi marrë nga ekipet tona! Ne do të jemi duke vëzhguar! Sot është dita juaj!” shkruhet në një status të ambasadës në facebook.

Zgjedhjet parlamentare në vend, ja sa është pjesëmarrja e qytetarëve deri në orën 11:00

ORA 1:40 Deri në orën 11:00 janë 20.06% e votuesve shqiptarë që kanë votuar në rang vendi.

Gazetarja Marsela Karapanço, raportoi për “News 24” dhe “Balkanweb”, se përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ku kanë votuar 22.34 % e qytetarëve , ndërsa më e ulët raportohet në Vlorë me 14.64%. Në Qarkun e Gjirokastrës kanë votuar 17.03% e zgjdhësve. Pas Tiranës pjesëmarrjen më të lartë e ka Elbasani, pastaj Durrësi.

Fotografoi votën, arrestohet 30-vjeçari në Tiranë, bllokohet përkohësisht procesi i votimit tek shkolla “Çajupi”

ORA 11:36 Më datë 25.04.2021, rreth orës 10:10, është marrë njoftim nga Komisioni i Qendës së Votimit Nr. 1767, e cila ndodhet në shkollën “Andon Zako Çajupi” se është bllokuar përkohësisht procesi i votimit, pasi nga anëtarët e Komisionit është konstatuar një shtetas që po fotografonte votën e tij.

Me vendimin Nr. 1 të datës 25.04.2021, të Qendrës së Votimit, është kërkuar ndihma e Policisë së Shtetit.

Pas marrjes së vendimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë hyrë brenda qendrës dhe nga kryerja e veprimeve të para ka rezultuar se shtetasi G. S., 30 vjeç, pasi është regjistruar, ka marrë fletën e votimit dhe ka shkuar tek dhoma e fshehtë. Pasi ka kryer veprimet, ka fotografuar votën e tij dhe ky veprim është parë nga anëtarët e Komisionit.

Shtetasit G. S. i është bllokuar fleta e votimit dhe më pas nga sherbimet e Policisë është bërë shoqërimi i tij në ambientet e Komisariatit, për veprime të metejshme hetimore.

Në përfundim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. S., 30 vjeç, për veprën penale “Shkelja e fshehtësisë së votës”.

Një person i paautorizuar shoqëronte qytetarët për të votuar, sekretarja e QV në Elbasan ndërpret procesin, situata zhbllokohet pas 40 minutash

ORA 11:24 Një person i paautorizuar shoqëronte qytetarët për të votuar, sekretarja e QV në Elbasan ngre alarmin, ndërpreu për 40 minuta procesin. Një incident është regjistruar në Qendrën e votimit 23, 71/ 1 në qytetin e Elbasanit.

Sekretarja e kësaj qendre, e cila i përket Partisë Demokratike, ka kërkuar ndërprerjen e procesit, pasi sipas saj, një person i pa autorizuar shoqëronte qytetarët për të votuar. Procesi ka ndalur për 40 minuta dhe tanimë pas zgjidhjes së problematikës ka rinisur normalisht. Kreu i KZAZ, z. Pulaku, në një prononcim për gazetaren e “Neës 24”, Klodiana Lala, tregoi dinamikën e incidentit. “Morëm një telefonatë nga 21 71/1 sepse kishim raportime që futeshin njerëz dhe shoqëronin persona në qendrat e votimit. Sekretarja e PD thërriti instancat më të larta për të zgjidhur çështjen.

“Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë”, PD thirrje shqiptarëve: Dilni për të votuar dhe për të vendosur

ORA 11:09 Përmes zëdhënëses së fushatës, Floriana Garo, PD apeloi edhe një herë shqiptarët të dalin të marrin pjesë në votime.

“Falenderojmë nga zemra gjithë qytetarët e Shqipërisë që sot marrin përgjegjësinë për fatin e tyre dhe dalin për të votuar. Një herë në katër vjet ne kemi mundësinë të vendosim për rrugën që do të ndjekë vendi ynë në 4 vitet e ardhshme. Qytetarë shqiptarë, dilni për të votuar dhe për të vendosur. Kjo është një ditë e madhe për Shqipërinë dhe për demokracinë tonë.

Ndodh në Durrës/ Ndryshimi i vendbanimit për shkak të tërmetit, qytetarët nuk gjejnë emrat në lista, nga mëngjesi 80 raste

ORA 11:09 Një problematikë me votimin është shfaqur në zonën e Plazhit në Durrës. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se KZAZ 22 në disa Qendra Votimi ka pasur qytetarë që nuk kanë gjetur emrat në lista ose u është ndryshuar qendra e votimit.

Kjo është zona më e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit dhe shumë qytetarë kane ndërruar vendbanimet. Nga mëngjesi deri tani ka pasur rreth 80 raste të tilla. Qytetarët janë orientuar ku e kanë qendrë dhe kanë shkuar kanë votuar. Aktualisht vijon procesi normalisht.

“Problemet teknike të mos karakterizohen si politike”, Celibashi thirrje komisionerëve politikë: Respektoni përgjegjësitë tuaja, nëse i bëni bisht do përballeni penalisht

ORA 11:04 Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, foli mbi problematikat e pajisjes elektronike, që bën të mundur dhe identifikimin e zgjedhësve.

Celibashi tha se në të gjithë vendin vetëm në 142 qendra votimi paraqitet ky problem, ndërsa shtoi se 120 prej tyre, po e vijojnë procesin e identifikimit në mënyrë manuale.

Celibashi tha se problemet teknike nuk duhet të karakterizohen si politike dhe i bëri thirrje komisionerëve politikë që të respektojnë përgjegjësitë e tyre, ose në të kundërt, do të përballen penalisht.

“Sipas informacioneve që ka KQZ, janë vetëm 142 në qendra votimi, në të cilat procesi i verifikimit po bëhet manualisht. Për rreth 120, kjo për faktin se operatorët nuk u paraqitën në vendin e votimit, në 40 raste nuk arritëm të gjenim operatorë për të përdorur pajisje. Ajo që është për tu evidentuar është fakti që në 142 qendra votimi procesi i identifikimit po bëhet në mënyrë manuale.

E vërteta është që kemi pasur disa probleme të karakterit teknik. Në pritshmërinë tonë kanë qenë më të mëdha këto probleme, sepse sistemi përdoret për herë të parë në Shqipëri dhe në kohë të shkurtër na është dashur ta implementojmë këtë projekt. Ka pasur disa probleme, që më së shumti vijnë nga niveli i ulët i dijeve nga operatorët dhe lidhet me printimin.

Edhe në rastet kur pajisja nuk printon në mënyrë korrekte pamjen e votuesit, procesi duhet të vazhdojë. S’ka arsye për faktin që printeri nuk funksionon të mos përdoret pajisja. Kanë qenë mbi 5 mijë telefonata nga operatorë në lidhje me problematikës së identifikimit elektronik, kanë marrë zgjidhje. Dua t’iu bëj një thirrje drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive që kanë anëtarë në QV, këta anëtarë të respektojnë përgjegjësitë e tyre, nuk ka asnjë arsye që edhe për probleme të vogla teknike, t’i kategorizojnë të arsyes politike. Kushdo komisioner do t’i bëjë bisht dhe largimin nga detyra, do të ketë përgjegjësi penale.

Në ato raste në të cilat pajisja e identifikimit elektronik nuk ka funksionuar mirë ose ka pasur probleme ne kemi udhëzuar komisionerët që të kontaktojnë me KQZ dhe në rast se do ketë mosfunksionim të pajisjes janë marrë të gjitha masat që pajisja të zëvendësohet. Deri në momentin e zëvendësimit të pajisjes komisioni duhet të presë dhe nëse nuk është i mundur ata duhet të bëjnë procesin e identifikimit të zgjedhësit në mënyrë manuale. ”, tha Celibashi.

Zgjedhjet/ Kryesuesja e vëzhguesve të ODIHR: Vëmendja i dedikohet ditës së zgjedhjeve, por për ne si mision është vetëm një pjesë e procesit

ORA 10:55 Ambasadorja Ursula Gacek e cila kryeson Misionin e Kufizuar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri ndaloi për një vëzhgim në qendrën e votimit nr. 1729/1730 tek Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në një prononcim për mediat, znj. Gacek u shpreh se në fokus të misionit nuk është vetëm dita e zgjedhjeve por në tërësi procesi zgjedhor në Shqipëri.

“Mbase duhet t’ju shpjegoj pse jam këtu. Misioni i dedikohet mbarëvajtjes së fushatës elektorale. Jam në Shqipëri prej datës 17 mars. Gjitha vëmendja i dedikohet ditës së zgjedhjeve, po për ne si mision është vetëm një pjesë. Fokusi i vëzhgimit të fushatës në tërësi, paregullsitë gjatë saj, sjellja e kandidatëve.

Vetë unë do të vëzhgoj një numër të vogël qendrash votimi, anëtarë të tjerë janë shpërndarë në të gjithë qarqet e Shqipërisë.

Nga Tirana, ambasadori Soreca shkon në Elbasan, interesohet për procesin dhe identifikimin elektronik

ORA 10:53 Ambasadori i BE-së Luigi Soreca nga Tirana ku vëzhgoi procesin në shkollën Dora d’Istria ka shkuar në Elbasan. Soreca ka qenë në një Qendër Votimi ku pasi ka përshëndetur qytetarët ka hyrë brenda për të zhvilluar një bisedë me komisionerët. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” ai është interesuar për procesin dhe ka pyetur për pajisjen e identifikimit elektronik të votuesve.

Zgjedhjet/ Në një QV në Cukalat të Beratit nuk ka ende votim. Dy denoncime nga opozita ORA 10:47 Me disa problematika paraqitet votimi në Berat. Gazetarja Eneida Petova raportoi për “BalkanWeb” se në Qendrën e Votimit 3337 në fshatin Çetë në ish-komunën Cukalat nuk ka filluar ende procesi i votimit. Komisionerët nuk gjejnë kartën e pajisjes elektronike që verifikon kartat e identitetit. Për këtë problem është njoftuar KQZ dhe pritet të merret një vendim për të filluar procesi pa pajisjen elektronike. Problematika për pajisjen elektronike ka pasur dhe në qytetin e Beratit. Kandidati i LSI Ardit Çela ka denoncuar se një qytetar në Tërpan ka shkuar për të votuar në KZAZ 67, Qendra e Votimit 3370 shkolla 9-vjeçare Tërpan, por sistemi e ka nxjerrë sikur ka votuar dy herë ndërkohë që nuk e ka ushtruar asnjëherë të drejtën e tij. Nga kandidati i PD Tomor Alizoti një tjetër denoncim se një vëzhgues i PD është dhunuar. “Një vëzhgues i PD në KZAZ 65 në Berat është dhunuar fizikisht. Arben Mpeshtanaku është dhunuar. I bëj thirrje bandave të Klosit që të

Rama voton në shkollën e Surrelit, i shoqëruar nga bashkëshortja: Demokracia nuk është sport me spektatorë, zbrit në fushë dhe voto

ORA 10:28 Kryeministri Edi Rama është shfaqur në orën 10:25 në shkollën e Surrelit për të votuar. Rama e është drejtuar Qendrës së votimit bashkë me bashkëshorten Linda Rama.

“Demokracia nuk është sport me spektatorë, zbrit në fushë dhe voto”, shkruan Rama. E para ka votuar bashkëshortja e tij Linda Rama dhe më pas kryeministri.

Meta nga Elbasani: Prokuroria dhe Policia të marrin masa, të parandalojnë çdo incident. Qytetarët të dalin e votojnë të lirë në këtë ditë historike për vendin!

ORA 10:18 Pas takimit që zhvilluan në një nga hotelet në qendër të qytetit të Elbasanit, me drejtuesin politik të PD në Qarkun e Elbasanit, Gazment Bardhi, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i shoqëruar nga ish-ministri Edmond Panariti dhe zëdhënësi i tij Tedi Blushi, ka dhënë një deklaratë për mediat.

Meta theksoi se me Bardhin diskutoi mbi ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë, ku i vrarë mbeti Pjerin Xhuvani.

Presidenti tregoi se në lidhje me këtë çështje do të merret vetë personalisht dhe i bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë në këtë ditë historike.

“Kujt nuk i pëlqen dy gishtat mbaj dhe grushtin, dy gishtat janë të demokracisë, të fitores së kushtetutës, vendosmërisë për të forcuar themelet e Republikës përmes votës së lirë dhe të barabartë. U njoftova që kishte disa probleme teknike, do të njoftojmë edhe KQZ të marrim masa. Sapo folëm në telefon me zotin Soreca dhe i kërkova që të parandalojmë çdo incident që mund të dëmtojë atmosferën në Elbasan dhe arsye ka. Duke iu referuar dhe ngjarjes së rëndë në Elbasan. Unë thërrita zotin Bardhi si përfaqësues i opozitës. E pyeta nëse e ka thërritur Prokurori për kallëzimin që ka bërë, ai është i gatshëm të shkojë në Prokurorinë e Elbasanit.

Veliaj voton te Parku Olimpik: Një ditë e bukur për të votuar. Njerëzit duan qytetarinë, jo dhunën e sherrin

ORA 10:00 Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili në këto zgjedhje drejtoi qarkun e Tiranës për Partinë Socialite, votoi së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa ne Parkun Olimpik.

Pas votimit, në një deklaratë për mediat, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, sepse vota është më e fortë se zhurma dhe plumbat.

“Patëm shumë çudira, por them se çdo gjë është mirë që përfundon mirë. Kemi një shans historik që kjo të përfundojë mirë. Është një ditë e bukur, njerëzit kanë dalë masivisht. Kam besuar se shumica e njerëzve e do qytetarinë, nuk e do dhunën, nuk do sherrin, nuk do rrëmujën, do familjen, respekton qytetin e tij.

Kemi mundësinë që sot ta përfundojmë mirë historinë zgjedhjeve. Unë dhe Ajola jemi shumë të lumtur që shohim familje të kapur prej duarsh, burra e gra që po votojnë si të ishte një ditë vere. Edhe ne do ta trajtojmë si një ditë feste, si me qenë dita e verës. Abraham Lincoln e thoshte shumë bukur ‘Vota është më e fortë se plumbat, vota është më e fortë se dhuna, vota është më e fortë se zhurma’”, u shpreh Veliaj.


Presidenti Meta zbret në terren, mbërrin në Elbasan për të ndjekur procesin e votimit (Foto)

ORA 09:51 Presidenti i Republikës Ilir Meta ka zbritur në terren në ditën e zgjedhjeve. Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se Kreu i Shtetit ka mbërritur në Elbasan për të ndjekur procesin e votimit. Ndërkohë që dhe këshilltarët e tij janë shpërndarë në tre qarqe.

Dalin jashtë funksioni dy nga pajisjet elektronike në Qarkun e Fierit, ndërpritet përkohësisht procesi i votimit

ORA 09:51 – Ka ndaluar përkohësisht procesi i votimit në dy Qendra Votimi në Qarkun e Fierit, më konkretisht në njësinë e Kumanit dhe Libofshës.

Gazetari Ervis Kuçi, raporton për “BalkanWeb”, se në qendrën e votimit 36, 36 në Kuman, ka dalë jashtë funksioni pajisja elektronike dhe po pritet ardhja e teknikëve për të zgjidhur problemin.

Gjithashtu e njëjta problematikë është shfaqure edhe në Libofshë, ku në Qendrën e Votimit me numër 31, 91, pajisja elektronike nuk ka funksionuar as në mënyrë manuale.

“Ndodhem në Kuman, paranë disa mjediseve të kësaj qendre është votuar 36, 36 procesi i votimit, pasi pajisja elektronike që automatikisht duhet të nxjerrë të dhënat e personit të printuar nuk ka funksionuar. Ka ndalur procesi, pasi po pritet ardhja e teknikëve për ta zgjidhur problemin. I njëjti problem me pajisjen identifikuese, ka bllokuar procesin në Libofshë, aty ku në qendrën me numër 31, 91, ku është bllokuar procesi pasi pajisja identifikuese as manualisht nuk ka funksionuar”, tha gazetari.

Prishet pajisja e identifikimi elektronik në një qendër votimi në Durrës, ndërpritet procesi për 30 minuta

ORA 09:44 Prishet pajisja e identifikimi elektronik në një prej qendrave të votimit në Durrës.

Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se në qendrën e votimit nr. 1472 në universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ është prishur pajisja e identifikimit elektronik të votuesve.

Sipas gazetares Dorjana Bezat procesi i votimit në këtë qendër u ndërpre për rreth 30 minuta derisa u bë zëvendësimi i pajisjes së identifikimit elektronik.

Zgjedhjet parlamentare, ja pjesëmarrja e qytetarëve dy orë nga hapja e qendrave të votimit

ORA 09:32 Në 757 nga 5199 Qendrat e Votimit në të gjithë vendi, deri në orën 09:00 kanë votuar 7.36 % e qytetarëve, e përkthyer në 61.439 qytetarë.

Gazetarja Marsela Karapanço, raportoi për “News 24” dhe “Balkanweb”, se përqindja më e lartë e votuesve është në Qarkun e Tiranës, ku kanë votuar 8.36 % e qytetarëve , ndërsa më e ulët, në Qarkun e Vlorës, ku kanë votuar 5.24 %.

“Kanë dalë numri i votuesve në këto momente, deri në 9, 7.36 %. Deri në këto momente flasim për pjesëmarrjen më të madhe në Tirana me 8.36 % dhe pjesëmarrja më e ulët në Vlorë, me 5.24 %”, u shpreh gazetarja. KQZ: Në 230 Qendra Votimi problematika me aparaturat, procesi në dinamikë

Ora 09:30- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se deri tani procesi i votimit po vijon normalisht. Zëdhënësja e KQZ Drilona Hoxha tha se nuk ka pasur asnjë problem për shpërndarjen e bazës materiale, teksa në 230 qendra votimi ka pasur problematika me aparaturat.

“Nuk kemi pasuar një problem, as për bazën materiale. Qendrat e Votimit kanë qenë të pajisura me bazën materiale. Lidhur me numrin e operatorëve që do të përdorin pajisjen e identifikimit elektorin, ka pasur disa QV që nuk kanë qenë të pajisura me operatorë, në zona të thella, ku infrastruktura ka qenë e vështirë. Në këto QV nuk ka ndonjë problematikë sa i përket procesit të votimit. Pasi procesi i votimit në këto raste vijon sipas procedurave manuale. Procesi është në dinamikë. Ka pasur disa problematika në disa QV, nga 5199, 230 QV që ka pasur problematika ndoshta dhe për shkak të presionit, ndoshta dhe për shkak të mosardhjes në trajnime të komisionerëve për përdorimin e aparaturave.

Ambasadori britanik vëzhgon zgjedhjet në Durrës: Thirrje qytetarëve të votojnë

ORA 09:27 Të gjithë ambasadorët e akredituar në Tiranë janë shpërndarë në rrethe të ndryshme të vendit për të vëzhguar procesin zgjedhor.

Ambasadori i Britanisë së Madhe Dunkan Norman ndodhet në Durrës, në Qendrën e Votimit 1494 tek Pallati i Kulturës për të parë nga afër votimin.

Ai iu ka bërë thirrje qytetarëve të votojnë atë që ata mendojnë. Dunkan tha se grupet e vëzhguesve janë në teren dhe po operohet siç është vendosur më herët. BE ka 60 grupe vëzhguesin në terren.

Ambasadorja Yuri Kim thirrje qytetarëve nga Shkodra: Sot është dita juaj, shkoni dhe votoni të lirë

ORA 09:21 Nga Shkodra, ku ka shkuar për të monitoruar procesin e votimit, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim, ka bërë thirrje për qytetarët. “Çdo qytetar shqiptarë të ketë mundësinë të votojë i lirë. Kjo është dita juaj”, tha ambasadorja amerikane. Sakaq, pritet që Ambasadorja Yuri Kim, të monitorojë procesin e votimit në Shkollën e Mesme “28 Nëntori” në qytetin e Shkodrës.

Albin Kurti voton për herë të parë në Shqipëri: Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë

ORA 09:06 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka votuar sot për herë të parë për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Kurti votoi në kopshtin 31, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kandidon si i pavaruar, Bojken Abazi. Po ashtu, LVV ka garues edhe në Gjirokastër e Lezhë.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj qytetarët që të respektojnë Atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve. Dita është e bukur, me diell, e diel dhe do jetë deri në mbrëmje.” u shpreh Kurti në një prononcim për mediat.

Basha thirrje qytetarëve: Sot ditë historike për kombin. Dilni e votoni masivisht për fëmijët dhe familjen!

ORA 09:05 Fill pasi votoi në Njësinë numër 8 në kryeqytet, në prani të votuesve për herë të parë, kryedemokrati Lulzim Basha u ndal për një prononcim për gazetarët e pranishëm. Basha tha se dita e sotme është historike për vendin. Ai i bëri thirrje qytetarëve të dalin e të votojnë masivisht, për kombin dhe demokracinë.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj.

Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë. Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë. Faleminderit! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, tha Basha.

Soreca ndjek nga afër procesin në shkollën Dora d’Istria në Tiranë: Ka shumë njerëz që po ndjekin zhvillimet nga jashtë Shqipërisë

ORA 08:53 Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca ka qenë sot në shkollën “Dora d’Istria” në kryeqytet për të parë nga afër procesin e votimit. Ambasadori Soreca ka pyetur komisionerët për procesin e deritanishëm dhe iu ka uruar punë të mbarë. Ndërkohë ai iu kujtoi se ka shumë njerëz nga jashtë Shqipërisë që po ndjekin zhvillimet duke iu kërkuar të bëjnë sa më mirë punën e tyre.

“Ne do të jemi të pranishëm në të gjithë Shqipërinë por do doja ta fillonim ditën këtu me një këtë sistem të ri votimit. Ne do të shikojmë punën tuaj. Dëshiroj që ta dini që ka shumë njerëz që po ndjekin zhvillimet nga jashtë Shqipërisë. Nuk është se dua t’ju vë në presion, por pak që ta kuptoni që punën tuaj ta bëni sa më mirë”, deklaroi Soreca.

Voton famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, mesazh për qytetarët: Dilni masivisht, vota është e shenjtë. Lus Zotin të mos ketë incidente!

ORA 08:30 Drejt Qendrave të Votimit, për të votuar për qeverinë e re, është drejtuar famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, Atë Nikolla Petani. Pas hedhjes së votës në kuti, në Shkollën 9-vjeçare “Mati Logoreci”, Atë Nikollë Petani ka dhënë një mesash për të gjithë qytetarët e Shkodrës, e më gjerë. Ai ka thënë që në votime të marrin pjesë masivisht dhe të ruhet qetësia.

Atë Nikolla Petani e ka ndaluar kategorikisht fenomenin e shit-blerjes së votës, duke thënë që është e papranueshme. “Edhe unë si qytetar i Shqipërisë, erdha shpreha mendimin tim për sa i përket zgjedhjeve të reja që po bëhen në Shqipërinë tonë të dashur. I bëj thirrje popullit të Shkodrës të dalin sa më shumë në votime, sepse vota është e shenjtë, është diçka personale.

Kemi ndjekur këto ditë shit-blerje të votës, nuk besoj që populli i Shkodrës e ka në gjak një gjë të tillë. E lusim Zotin të mos ketë incidente dhe të mbarojë sa më shpejt e të fitojë ai që është më i miri. Ky është një mesazh paqja, sepse jemi të gjithë vëllezër e kjo duhet të shkojë sa më mirë”, u shpreh Atë Nikolla Petani.

Ruçi voton tek Liceu Artistik: Sot është dita e qytetarëve, jo e politikanëve. Nesër fituesi të administrojë fitoren pa eufori, humbësi pa panik

ORA 08:13 Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka votuar në qendrën e votimit pranë Liceut Artistik. Në orën 08:00 fiks, Ruçi është paraqitur në Qendrën e Votimit, ku ka ka votuar qetësisht. Në një mesazh për mediat pas votimit, ai tha se sot është dita e qytetarëve dhe jo e politikanëve dhe shprehu bindjen se sot do të fitojë qytetaria. “Sot nuk është dita jonë, e politikanëve, sot është dita e qytetarëve. Unë kam bindjen se sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve shqiptarë. Ne politikanët duhet të heshtim, të ndjekim procesin dhe t’i nënshtrohemi verdiktit që do japë sovrani. Nga nesër e tutje do ketë një fitues dhe një humbës. Nga nesër, fituesi të administrojë fitoren pa eufori dhe humbësi të administrojë humbjen pa panik”, deklaroi Ruçi.

Kryemadhi thirrje qytetarëve: Votoni për t’u afruar sa më pranë Evropës. Fitorja e LSI e pa tjetërsueshme!

ORA 08:20 – Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, pasi votimit, u ndal në një prononcim për mediat. Para gazetarëve, Kryemadhi i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në votime për t’u afruar sipas saj më pranë Evropës. Ndër të tjera, Kryemadhi theksoi se fitorja e LSI do të jetë e pa tjetërsueshme.

“I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të drejtohen drejt Qendrave të Votimit, të qetë, të bindur, të realizojnë nëpërmjet votës, vullnetin e tyre. Vota e qytetarëve është një votë e fshehtë, që për hir të së vërtetës do të japin mundësi dhe të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve që përmes verdiktit të tyre, të afrohemi më shumë drejt Evropës. I uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos atyre të LSI. Jam i bindur që fitorja do të jetë e pa tjetërsueshme për LSI”, u shpreh Kryemadhi.

“Komunikimi i paprecedentë”/ Presidenti Meta thërret me ‘videocall’ Sokol Ballën në transmetim ‘live’, ja biseda (VIDEO)

ORA – 08:17 Një risi ka ndodhur në studion maratonë të lajmeve në “News 24”, në këtë ditë, ku e gjithë Shqipëria është duke votuar për qeverinë e re.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, nëpërmjet një lidhje direkte me gazetarin Sokol Balla dha mesazhe të qarta për zgjedhjet.

Ai tha se 2 gishtat që bëri teksa votoi, janë një tregues për dy marsin e një viti më parë, ku presidenti zhvilloi në manifestim mbarëkombëtar në Tiranë. Ai tha se procesi deri më tani po ecën shkëlqyeshëm sepse dhe presidenti është në krye të detyrës.

Meta deklaroi më tej, se të gjithë sytë e Evropës janë në Shqipëri në këto zgjedhje.

Biseda:

Sokol Balla: Mirëmëngjesi!

Ilir Meta: Lidhje live?!

Sokol Balla: Po.

Ilir Meta: Procesi po ecën shkëlqyeshëm, sidomos në Elbasan. Dy gishtat janë dy marsi, Kushtetuta.

Sokol Balla: Pse pikërisht në ato tre qarqe?

Ilir Meta: Nuk presim situata. Sepse presidenti është në krye të detyrës në zyrë. Suksese në punën tuaj. Me dashuri e qetësi si Evropianë, të gjithë Evropa i ka sytë këtu sot. Sot qetësi, dashuri për Shqipërinë.

Një mesazh nga fëmijët, kryedemokrati Basha publikon videon: Votoni për ne! Ora 07:43- Kryedemokrati Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjete sociale, me protagonistë fëmijët.

Këta të fundit, bëjnë thirrje që në këto zgjedhje për të votohet për ta, nëpërmjet numrit 9.

Kujtojmë se lideri demokrat Basha pritet të votojë në orën 09:00, në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 8, në kryeqytet.

Situatë e çuditshme në Vlorë, komisioneri paraqitet në QV, por detyrohet të largohet Ora 07:30- Një komisioner i dyshuar si me COVID është paraqitur në një nga Qendrat e Votimit në qytetin e Vlorës. Gazetari Enrik Mehmeti, raporton për “BalkanWeb”, se komisoneri është paraqitur që në mëngjes herët në Qendrën e Votimit ku është caktuar, por ka qenë nëna e tij, e cila ka paraqitur një dokumentacion që tregon se është me COVID, që ka bërë të mundur largimin e tij nga Qendra e Votimit.

Gazetari raporton se komisioneri fillimisht ka refuzuar të largohet, por me insistimin e komisionerëve të tjerë, ai është larguar, ku pritet që të kryejë një tampon e të paraqitet përsëri në QV. “Qytetarët janë paraqitur që në orët e para të mëngjesit. Kjo është dhe situata e çuditshme, është paraqitur e ëma dhe i ka kërkuar që të largohet, ka paraqitur dhe një dokumentacion që është me COVID.

Ai është larguar, me insistimin e të tjerëve, do të kryejë tamponin dhe më pas do të kthehet përsëri në QV. I ka kërkuar vetë familjari që të largohet nga QV”, tha gazetari.

Policia e Shtetit kalon në gatishmëri, 5200 efektivë pranë QV-ve, plan me 4 faza për procesin zgjedhor Ora 07:34- Me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë Ardi Veliu, policia e shtetit ka kaluar në gatishmëri. 5200 punonjës policie janë pranë qendrave të votimit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë në to.

7519 punonjës policie janë trajnuar që prej dhjetorit për t’u angazhuar në këto zgjedhje. Policia po ndjek një plan me 4 faza për të garantuar një proces zgjedhor të qetë.

Rëndësi i është kushtuar ruajtjes së personaliteteve dhe institucioneve ku koordinohen forcat e policisë dhe ato komando. Policia e shtetit ka referuar në prokurori më shumë se 30 raste që lidhen me krimet zgjedhore. Në ndryshim nga vitet e tjera KQZ ka kërkuar nga policia të mos lejojë grumbullime 150 metra afër qendrave të votimit si edhe të mos angazhojë punonjës policie me më pak se 4 muaj eksperiencë.

Zgjedhjet, KQZ: Nis normalisht procesi thuajse në të gjithë Qendrat e Votimit në vend Ora 7:25- Gazetarja e “News 24”, Marsela Karapanço, e vendosur në selinë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dha detajet e para në lidhje me çeljen e procesit të votimit në vend.

Gazetarja theksoi se burime për KQZ kanë raportuar se thuajse në të gjithë vendin janë hapur qendrat e votimit, ndërsa në disa zona të vendit, ka vonesa. KQZ ka theksuar se procesi i votimit ka nisur në normalitet.

“Sot shqiptarët vendosin kush do ti drejtojë në katër vitet e ardhshme, pranë burimeve të KQZ, procesi i hapjes së votimit është kryer në të gjitha qendrat e votimit. Raportimi i orës 08:00 që do të jetë komunikimi i parë i KQZ do të jepen detajet e tjera, procesi do të përfundojë në orën 19:00. Ka disa risi sa i përket këtyre zgjedhjeve, që nga votimi elektronik që do të implementohen në Njësinë 10 në Tiranë. Tirana ka dy mandate më shumë, risi ka pasur dhe procesi sa i përket qendrës së votimit. Do të votohet për kandidatin, jo me emër, por me numër”, tha Karapanço.

Zgjedhjet/ Rama mesazh shqiptarëve: Ta tregojmë të gjithë së bashku se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria, bindjet t’i shprehim me votë Ora 07:15- Kryeministri Edi Rama iu ka drejtuar një mesazh qytetarëve shqiptarë mëngjesin e sotëm duke iu bërë thirrje të gjithëve të vënë Shqipërinë të parën. Rama e cilëson një ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike.

“MIRËMËNGJES 🇦🇱 le ta tregojmë sot të gjithë së bashku, se përtej partive e dasive për ne është Shqipëria dhe le t’i shprehim bindjet e ndryshme me votë, por duke e respektuar Shqipërinë me mirësjellje shembullore ndaj njëri-tjetrit, në këtë ditë të shënuar të bashkëjetesës sonë demokratike, ku çdonjëri duhet ta gëzojë i patrazuar të drejtën e votës së lirë e të fshehtë, e prej ku Shqipëria duhet të dalë kryelartë për ne të gjithë👐🏿”, shkruan Rama.

Voton Presidenti Meta dhe përshëndet me dy gishta: Për Kushtetutën, për demokracinë, për Shqipërinë në Europë (Video) Ora 07:10- Presidenti i Republikës Ilir Meta ka votuar pak minuta pas orës 7:00, ora zyrtare e hapjes së qendrave të votimit. Meta është shfaqur i buzëqeshur në qendrën e votimit të vendosur në kopshtin numër 31, në njësinë 5. Ndërsa pas votimit ka pasur dhe një mesazh të shkurtër fillimisht.

“Për Kushtetutën, për demokracinë, për Shqipërinë në Europë”, tha Meta teksa ka përshëndetur me dy gishta.

E para politikane, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi voton në kopshtin 31: Qytetarë të votojnë të qetë Ora 07: 03- Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është politikania e parë që ka votuar mëngjesin e sotëm. Kryemadhi ka votuar në Qendrën e Votimit në Njësinë numër 5, në kopshtin 31. Kryemadhi iu bëri thirrje qytetarëve të votojnë të qetë dhe të bindur për atë që duan të realizojnë.

“Dua t’ju bëj thirrje sot të gjithë qytetarëve që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre. Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do t’i japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës. Unë ju uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos kandidatëve të LSI-së, siç ndodh gjithmonë, kështu që jam e bindur që fitorja do të jetë e patjetërsueshme për LSI-në”, deklaroi Kryemadhi.

Hapen qendrat e votimit, qytetarët votojnë për partitë dhe kandidatët për deputetë Ora 07:00- Janë hapur 5199 Qendrat e Votimit në të gjithë vendin. Komisionerët kanë nisur punën për të pritur votuesit e parë.

Pak çaste para çeljes së votimit, Meta publikon foton: Drejt zyrës në krye të detyrës. Sot dita e sovranit!

Ora 6:50- Ashtu siç e kishte lajmëruar një ditë më parë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, do të votojë ditën e sotme në orën 07:00, orar ky që përkon dhe me hapjen e procesit të votimit.

Me anë të një fotoje në rrjete sociale, Meta, e ka cilësuar ditën e sotme si një ditë të mrekullueshme dhe thekson se do të jetë dita e sovranit. “Drejt zyrës në krye të Detyrës! Ditë e mrekullueshme sot. Dita e SOVRANIT”, shkruan Meta.

34 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page