Mburrja
Nga Fatmir Terziu
Për ty nipi im …
Më kërkon me emailin tënd të të ndihmoj. Por këtë të fundit nuk e kuptoj. Vërtet nuk e kuptoj! Ti nuk kërkon ndihmë të veçantë. Ti nuk kërkon para. Ti nuk kërkon rroba. Ti nuk kërkon të ndajmë pronat. Ti nuk kërkon të vëmë kufirin tek toka. Ti nuk kërkon asgjë nga ato që mund të kërkonte një nip. Ti nuk kërkon pra asgjë nga këto. Por më kërkon ndihmë. Ndihmë?! Më kërkon këtë ndihmë në një fushë që as ti, as unë, as ne që jetojmë në këtë botë nuk e dimë. Më kërkon një ndihmë që nuk varet nga unë. Një ndihmë që nuk është as në dorën time, as në mendjen time, as në njohuritë e mia. Nuk është as në xhepin tim. Nuk është askund në këtë hapësirë.
Më kërkon të dish se ku jetohet më mirë? Pra ku jeta bëhet më e mirë për ty? Më thua se këtë ma kërkon me lotë në sy. Dhe e nxjerr këtë lot mëngjes, drekë e darkë. E nxjerr në shtëpi, në shkollë e në mbrëmje kur gjendesh me tët atë bashkë. Këtë lot e bën pastaj pikiatë. E trazon ekranin e kompjuterit tat.
….Ardhëlindjen aty e kishim fat. Dhe jemi mburrur, jemi krenuar, jemi lëvduar me ditë e me natë. Nuk kemi bërë gabim, nuk kemi bërë mëkatë.
Por, i dashur nipi im, ndoshta padashje kemi bërë një gabim. Dhe këtë e kam dhe për veten time si qortim. Ndoshta lëvdatat paksa i kemi fryrë. Kur gjithnjë kemi thënë se ne jetojmë nga të gjithë më mirë. Kur kemi thënë se jeta jonë është për të gjithë të tjerët një pasqyrë.
Ne, nipi im, kemi një dhuratë më të madhen në botë: Jetën tonë!
Dhe vetëm kur e duam, kur e kuptojmë, e jetojmë. Vërtet ne e jetojmë përgjithmonë, vetëm jetën tonë.
Jeta jonë është ndryshe. Ka një lidhje të mistershme me miliona vite. Ajo është e lidhur me gurin, dheun, pluhurin, drurin. Ajo është e lidhur me emrin, me gruan, fëmijën, gjyshin, gjyshen, me burrin. Jeta jonë ka lindur në dashuri. Është një lidhje që e gjen në Bibël, që e gjen në mitologji, është një lidhje që e gjen dhe ka bërë vetë histori.
Gjon Pagëzori në Bibël ishte një djalë gjakftohtë që jetonte mjaft i qetë kudo që ndodhej. A do të thotë kjo se ai kurrë nuk kishte qenë gjaknxehtë dhe jeta gjithnjë i kishte pëlqyer atje ku ndodhej? Përgjigja varet pjesërisht se kush e tha këtë, kur u tha, përse u tha, ku u tha, e mjaft të tjera nipi im, që vetë jeta i merr me vete dhe rrugëtimit të saj u jep shpjegim.
Rrëfimet rreth perëndive, të quajtura mite, u bënë mijëra vjet më parë. A kishte një Herkul të vërtetë, … kur ai vdiq, pra Herkuli, u çua në malin e Olimpit për të jetuar me perënditë.
Dhe jetën duhet ta duam patjetër, ashtu sikurse e kanë dashur të gjithë që nga koha e vjetër, tek e fundmja, larg nga mburrja.
Në lëvizjen tonë, ne humbin vetveten, humbim malin tonë, tokën tonë, humbin detin, flakim tej pa e kuptuar identitetin. Prandaj këtu është më mirë, të më mirëkuptosh në këtë pikë.
Ndaj ikim, ikim dhe në fakt me kohë jemi të fikur duke ikur.
Gusht 2017-2020
Comments