Maxhun Osmanaj: Përsiatje letrare
- Jun 25
- 6 min read

“Dritare e hapur”, një dritare për ta parë shpirtin dhe ngjyrat e jetës së larmishme
( Prolog në vend të biografisë dhe bibliografisë letrare)
Viti 2026 sikur shënon dy –tre përvjetorë të çmuar të autorit Syla; 70-të vjetorin e lindjes( 3 janar 1956), 50-të vjetori i botimit të librit të parë , “Syri i pranverës”-vjersha, (1976), por mund të mirret edhe si 60-të vjetori i botimit të vjershës së parë në revistën letrare “Pionieri” (1966) si udhëtim i parë letrar në letërsi. Dr.Xhevat Syla, gjatë këtij udhëtimi letrar me dekada, dëshmoi një udhëtim serioz prej një shkrimtari të pjekur me vlera të qëndrueshme, një studiues serioz dhe i vyer, një pedagog që arriti t’i botojë dhjetra vepra letrare, studimore, pedagogjike-shkollore.Përgatiti shumë vepra letrare për diasporën shqiptare, autor dhe bashkautor i disa librave shkollorë në nivelin 1, 4, 5, 6, 9 si dhe fitues i shumë çmimeve letrare në Kosovë dhe Shqipëri. Tash e tetëmbëdhjetë viteve, koordinator i Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”-Prishtinë. Vepra e tij letrare-studimore mbetet një gjurmë mbarëkombëtare për letërsinë për fëmijë. Do t’i mbetemi borxh lexuesit, po nuk shpalosim edhe portretin tjetër të Xhevatit në ca funksione që kishte para lufte dhe pas lufte në Kosovë. Nga viti 1975-1978 qe kryetar i rinisë në komunën e Istogut.Nga viti 1979-1982 ishte kryeredaktor i gazetës së studentëve “Bota e re”-Prishtinë.Nga viti 1978-1979, sekretar i Rinisë Letrare të Kosovës.Në vitin 1982, kryetar i Rinisë së Kosovës, ndërsa nga vitet 1978-1982 anëtar i Kryesisë së Rinisë së Kosovës, kryetar i Komisionit për Kulturë.Nga vitet 1984-1997 kryeredaktor i Entit të Teksteve dhe të Mjeteve mësimore të Kosovës. Po nga viti 1998 -2004, redaktor në Shtëpinë botuese Libri Shkollor në Prishtinë.
Të lexosh veprën e Xhevatit...
Leximi i një vepre letrare për një lexues-krijues ka një dallim në disa aspekte nga një lexues i thjeshtë. Së pari, pos kënaqësisë estetike si përjetim i takimit me një botë dhe shpirt poetik, dallon diçka më shumë në brendësi të tekstit. Së dyti, me një hetim vëzhgues që nuk e përjeton lexuesi i thjeshtë.Së treti, bë një krahasim me vlerat e ndonjë libri si “peshore” për të ardhur deri te një konkludim a përcaktim teoriko-letrar ku lexuesi krijues bazohet nga bazamenti i ndërtuar letrar, nga ngjyrat, nga fryma, nga gjuha, nga stili, nga laryshia tematike dhe mesazhi që përcjell vepra në tërësi.Shkrimtarin Xh. Syla e kam lexuar gati 4 dekada, andaj çdo vepër e botuar më tërhjek për ta lexuar dhe hetuar diçka...Ta lexosh veprën letrare-studimore të Xhevatit, nuk është vetëm buzëqeshje letrare, nuk është as përjetim i një freskie letrare, por është një ngrohje në përmbajtje, në stil, por edhe sikur viziton një hartë laryshi tematike, një pikturë shumëngjyrëshe poetike, një thjeshtësi interpretimi, duke pasur parasysh që autori është njohës i mirë kërkesave dhe psikologjisë së fëmijëve.
Libri “Dritare e hapur”,paraqet një prurje dhe arritje e veçuar si një rrumbullakësim i përvojës letrare bashkë me krativitetin poetik në përmbajtje dhe shprehje letrare. Qartësia në ide, mesazhi pedagogjik për botën e fëmijëve dhe botën që e rrethon bashkë me ëndrrat e fëmijëve vjen si reflektim i mrekullueshëm dhe i këndshëm për lexuesin e çdo moshe.
Libri si strukturë poetike ndërtohet nga 34 poezi të cilat janë të shpërndara në katër cikle: Kalaja e dijes, Dimri i fëminisë, Këngë për kullën, Zgjëndërrim dhe përmbyllet me një pasthënie përmbajtësore nga shkrimtari Ibrahim Kadriu, Qasje poetike në laryshi temash.
Në ciklin Kalaja e dijes, autori na shpalos ca poezi përkushtuese si poezi identitare që bartin dhe ruajnë frymën, dashurinë dhe rrënjën e krenarisë dhe historisë shqiptare. Këto përkushtime na vijnë për gjuhën e nënës, për flamurin tonë, për figurat gjuhësore, rilindase, K.Kristoforidhin, N.Frashërin , për shkrimtarin e talentuar V.Kikaj, për revistën “Pionieri”, Karvanin e Shkrimtarëve, për librin, për mësuesin e vet Z.Gj, takimi me një personazh të Agim Devës, etj.Këto përkushtime ruajnë farën e dashurisë te lexuesit e vegjël, mbollin një frymë të krenarisë për ata që ia falën një jetë gjuhës, kombit, flamurit, dërgojnë një porosi të lexuesit e çdo moshe që kurrë mos t’i harrojmë, por t’i nderojmë për atë çfarë i lanë atdheut, dritë të diturisë që ne përditë i shijojmë ato vlera...
“Sot flas gjuhën që nëna ma mësoi/Gjuhë e nënës i them me krenari;/E dua atdheun, flamurin,Skënderbeun.../Shqipen time-mbi çdo shenjtëri”(Gjuha e nënës, fq.7).Ndërsa “Është yni, qenia jonë/Gjaku që na vlon në dej/Kudo në botën e gjerëE kemi të parin shej’j.(Flamuri ynë,fq.9).

Në ciklin e dytë Dimri i fëminisë, autori shpalos vlera nderimi për ata që nuk duhet harruar, por duhet nderuar.Nderon shtyllën e shtëpisë, gjyshin: “N’shkollë dëgjoj mësuesin tim/Sa mirë i shkon fjala!.../M’porosit në fund të orëve:/-Gjyshit t’i bëj të fala”.(Shtylla e shtëpisë, fq.40).Autori nuk harron as një ngjarje të rëndë, fatin e prindërve të Amserës, ku një ortek i borës ia mori prindërit Amserës së vogël në Restelicë të Sharrit,më 2012, ku shprehet “Amser, ti bëfsh katunde të reja/Si bijë e Diellit dhe Hënës!/Të lindi dhe të ktheu prapë në jetë/Vetëm dashuri e nënës”(Dashuri e nënës, fq.42).Pra, një poezi e ndjerë emocionalisht, ku në gjirin e nënës gjen shpëtim nga ai rast tragjik atmosferik.Në këtë cikël autori nuk harron as Nënë Terezën, Migjenin ku u falë vargje plot shpirt.Autoi i kthehet edhe fëmijërisë, ngase ajo e tërhjek si magnet i zemrës:”Të doja edhe kur isha plot mërzi;/Vapën, shiun e borën ta doja/Lisat, furtunën, bjeshkët përmbi/Lumin që buron ndër shkëmbinj...”(Magneti i zemrës, fq.54.) Këtë poezi ia kushton, vendlindjes, Istogut, me gjithë atë mrekulli natyrore që ka, sado që nuk ia përmend emrin në poezi.Këtu shihet zjarri dhe etja emocionale nostalgjike që përjeton për vendlindjen.Autori në këtë cikël i kthehet fëmijërisë, pra kujtimeve që e thërrasin: gjyshi, qyteti lisi, dimrat,korriku..., qoftë si përjetime, qoftë si ndjesi emocionale në kohë, qoftë si dhuratë kujtesë.
Në ciklin e tretë Këngë për kullën, Syla ndalet te Kulla si objekt qëndresë, si ndjenjë krenarie ku ajo u rezistoi furtunave të jetës, janë vargje që përmbajnë mall, nostalgji, nderim dhe kulla mbetet gjurmë e pashlyer për autorin.Kulla simbolizon një kala e pamposhtur.Në këto vargje autori shpalos rrëfimin poetik:“Në gurët e tu/Ndjej frymëmarrjet e të parëve/Dasmat, vdekjet/Kuvendimet/Lojërat kapuça, këngët me lahutë/Miqtë e armiqtë/Nga krahina të tjera/që i sillte era te dera.../Në frëngjitë e tua/Shoh syrin pishë, tytën/Ndjej zërat/Krenarinë, frikën...”.(Këngë për kullën, fq.61).Pra në këtë cikël i ndërtuar prej gjashtë pjesëve, flen i gjithë tharmi etnologjik ku jeta brenda gurëve ka gjuhën e qëndresës, burrërisë, krenarisë, dashurisë dhe historisë, përballë armiqve. Aty ka zëra të burrave, të nënave, oxhaku, frëngjitë, zërat e dallëndyshëve, Radio Kukësi, ahuri, qetë, të lehurat e qenit, zhurma e cullëve, dimrat e acartë, akujt, pranverat, krijojnë para lexuesve atë pikturën e bukur shumëngjyrëshe ku dominon ngjyra e mallit, dashurisë, nderimit dhe krenarisë.
Ndërsa në ciklin e fundit ,Zhgjëndërrim, autori hy në historinë më të re të fatit të popullit shqiptar të përjetuar gjatë luftës së fundit ku nuk harron t’i kujtojë dhe nderojë personalitetet që i dolën në ndihmë popullit të pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptar.
Lexuesi mëson se kush ia shkaktoi atë dramë –tragjedi popullit shqiptar, por edhe kush e mbrojti nga ato rrebeshe dhe stuhi vrastare. Kështu lexuesi i çdo moshe, i çdo kohe duhet t’i ruajë në kujtesë dhe t’i nderojë përjetësisht NATO-n, UÇK-në dhe kryepersonalitetet botërore që dënuan dhe goditën forcat ushtarake serbe. Nuk mund të harrohet kurrë 24 marsi 1999, si datë shpëtimtare kur “NATO, UÇK/bombat shpëtimtare/i tretën egërsirat/e dalura fare”(Pak histori, fq.74).Autori u kushton poezi shpirtbardhëve ku në vargje ndriçojnë veprat dhe shpirti i :Bill Clintoni-t, M.Olbrajti-t, R.Doli-t dhe shpërthen si kujdes për breza: “Ashtu siç i kemi borxh dheut tonë/iu kemi borxh atyre/dhe gjithë të tjerëve që hapën zemrat-na shpëtuan;/që iu bënë krah luftëtarëve tanë-na çliruan”( Shpirtbardhët, fq.79).Pra, kjo është porosia e autorit që ne të punojmë, të sillemi ndershëm dhe mos t’i harrojmë kurrë ata, si dhe të përcjellim porosi të mira tek ata, që ne e paskemi merituar lirinë. Një poezi përkushtuese e gjejmë me titull “E vërteta rron” kushtuar Milan Shuflajt, historian dhe albanolog kroat, i cili mbrojti tezën se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve, ndërsa nga kjo e vërtetë u vra nga forcat e errta serbe- antishqiptare. Në fund gjejmë edhe ndonjë poezi lirike Lulja, Zhgjëndërrim, Rrëfimi i plakut, Lufta, Ëndërr e bukur, ku shihet se autori ruan dromca kujtimesh nga fëmijëria dhe rinia si ndjenja dhe mall që shpesh i trokasin në mendje autorit.
Gjuha, metrika dhe figuracioni poetik
Në librin “Dritare e hapur, autori Syla përdor vargje me një gjuhë të kapshme për çdo moshë, shprehje të bukura, një stil sa të thjeshtë për lexuesin, po aq të këndshëm dhe të pjekur në rrëfim si manifestim poetik.Autori njeh mirë psikologjinë e fëmijëve dhe nuk përdor figura të rangut të thellë figurativ, por ato që janë të kapshme dhe reflektojnë rrëfim, porosi, ide...Ndër to janë metafora(mbrëmja herët fle), krahasimi (oxhakët, si duhanxhinj pleq), epitet (për vjeshtën mendtare), etj. Autori përdor zakonisht strofa katërvargëshe ku vargu i dytë rimon me të katërtin, por edhe ndonjë poezi me varg të lirë. Librin e pasurojnë ca ilistrime bardhë e zi, që i japin një vlerë estetike dhe zgjojnë asocime,ndjenja emocionale.Në përgjithësi, shpirti i vargjeve të këtij libri ka frymën e një rrëfimi të pjekur dhe një porosie të shëndoshë edukative.Ky libër meriton të jetë pjesë e lektyrës shkollore nëntëvjeçare dhe të bëhet pjesë e çdo biblioteke shkollore dhe familjare. Autorit i dëshirojmë suksese të radhës!
(Xhevat Syla, “Dritare e hapur”, poezi për fëmijë e të rinj, SHB “Libri shkollor”, Prishtinë, 2026)
Fundqershor 2026








Comments