Maxhun Osmanaj: POEZI E MALLIT
- 3 hours ago
- 6 min read

Maxhun Osmanaj: POEZI E MALLIT RRËFIMOR E GJEOGRAFISË RURALE –URBANE DHE KRONIKËS KOHORE
(Arif Molliqi, “Ata udhëtonin pa e ditur fundin”, poezi, SHB“Armagedoni”, Prishtinë, 2025)
Arif Molliqi, poet, prozator, publicist, nuk është ëmër i panjohur në letrat shqipe, ngase tash e pesë dekada është i pranishëm në sofrën e madhe të shtruar të letërsisë.Pra, është një krijues maraton, i stërvitur ku letërsia sikur i jap shpirt, i jap dritë, por edhe frymë në kohë.Vepra e tij letrare është çmuar dhe vlerësuar nëpër kohë, si dhe lexohet nga të rinjtë dhe të rriturit...Libri poetik “Ata udhëtonin pa e ditur fundin”, botuar në vitin 2025, është një lloj përzgjedhje poetike e krijimtarisë letrare, lëvruar për gjysmë shekulli dhe mbetet një fryt në kohë.Autori dëshmon një udhëtim, një vullnet, një këmbëngulësi se nuk ishin rastësi hapat e parë letrarë, por një shpërthim i pandalur letrar.Ky libër nuk është vetëm voluminoz në sasi, por kritika e ka vlerësuar edhe në cilësi.Është një prurje që vazhdimisht ka ngacmime të reja, ka forma dhe motive të larmishme, qoftë që i përkasin aspektit personal, qoftë atij të gjithëmbarshëm, shoqëror.Libri ka afër 300 faqe, që i paraprin një parathënie mjaft cilësore e redaktorit të librit, Berat Armagedoni, ndërsa është i ndarë në njëmbëdhjetë cikle : Burri që hante djathë zvicëran, Sarkofagu i zogjve,Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku, Si kripën të kam dashtë, E dashura ime Eva,Një hije bënte rrugë,Portret i pambaruar,Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D.,Premiera e një pranvere, Psherëtima e zareve,Në udhëkryq pa zhurmë.
Titulli i librit, “Ata udhëtonin pa e ditur fundin”,është sa provokues, po aq intrigues për lexuesin. Njeriu i sapoardhur në këtë jetë dhe mëson hapat e parë të udhëtimit, së pari atë e mbështjellin shumë ëndrra dhe dëshira, të cilat kanë vel herë të këndshëm, herë, fatkeq, herë të trishtë, herë të lumtur, por gjithmonë egoja e njeriut synon lartësitë, por bartin edhe enigmën e fundit...Bile, enigma (pa e ditur fundin) bart filozofinë e njeriut, sepse fundja, njeriu është udhëtar ëndrrimtar-mashtrues i vetvetes.Poezitë e këtij libri i karakterizon ; ironia, revolta dhe protesta shpirtërore, sado që poeti e do jetën me krajatat që ndeshemi gjatë etapave kohore, atë e shqetësojnë ca fenomene të pakëndshme, fenomene të ulta që i sheh, jeton me to në “tregun e fjalëve” të përditshmërisë.Prandaj, poeti s’ka tjetër armë që i kundërvihet këtyre dukurive, që i japin ngjyra të ftohta dhe jo të mira pikturës, jetë.
Poezia e A. Molliqaj reflekton një rrëfim poetik, ku ngjarjet, ndjesitë, dukuritë, emocionet, kujtimet i ruan në kohë si dëshmi shpirti, por edhe si kronikan poetik.Shpirti poetik i poezisë së autorit është rrëfimi.Mbi themelet e rrëfimit poetik, shpërndan “armatimin emocional”: ndjenjat, mendimet revoltën, ironinë, por edhe dashurinë.Ai nuk mbetet vetëm si vrojtues, por edhe kronikan i ëndrrave të popullit shqiptar, sado që jeton brenda një “teatri grotesk”,siç thekson redaktori. Autori është frut i fshatit dhe njeh mirë psikologjinë e njerëzve, por edhe një bashkëjetues me mërgimin.”Vokacioni i tij është kritik,social,politik dhe kulturor edhe në poezi.Ai ka kujtesë dhe ka shpresë.Ka revoltë, prandaj shpreh pakënaqësi.Ai ka rrënjë në Llukën e Epërme dhe plagë shpirtërore të cilat i bart nëpër kohë dhe vende” (Berat Armagedoni, redaktor i librit,fq.5, po aty), nuk mund t’i anashkalojë dhe t’i harrojë aq lehtë. Portreti i autorit na del një burrë i pjekur letrar me një histori të moçme që frymon bashkë me traditat fisnike-atdhetare të popullit shqiptar. Më saktësisht, Molliqaj e njeh mirë hartën psikologjike-etnografike të popullit që e lindi dhe i përdor bukur ato ide, mendime, shprehje si gërshetim rrëfimi.Nganjëherë sikur e mbyt përditshmëria çfrarë vrojton, e mbyt politika boshe...,ku bashkë me shokë, krijues,poetë, kritikë, botues, pi kafe në kryeqytet, por revolta shpërthen: “Ky është kryeqyteti im/e kaluara na ka bërë të plakemi para kohe/e tashti po plakemi/derisa i dëgjojmë debatet politike me parashikime/të mbrapshta të hidhura e të lodhura/për çdo mbrëmje në televizionin e njëjtë”(poezia, “Në Monako të kryeqytetit”, fq.22-23.) Pra, lirika shpalos një metaforë-protestë shpirti, sado që poeti bashkëjeton në ngrohtësinë e miqve, përditshmërinë e sheh si një vrojtues i shqetësuar.
Meqë autori një kohë të gjatë jeton në mërgim,. Mërgimi ia vjedh ngjyrat më të mira të kohës, të shpirtit, të udhëtimit...”Në kasollen e kurbetit/ëndrrat lehin pas meje/s’kam çka u jap/veç vargjeve të mërzitura/dhe kujtime shkrumb e hi”(fq.224)Lirika bart frymën e plagës kurbet. Ndonëse në libër dominojnë tema edhe nga vendlindja Lluka e Epërme, Deçani dhe Kosova.Vendlindja e tij, Lluka e Epërme e përcjell autorin kudo në udhëtime,në ëndrra jetësore qoftë në skaj të botës, ngase ajo është një mall shpirtëror kujtim, që djeg vazhdimisht.Vendlindja nuk e lodh si bartje kujtimi, malli, por atë e shlodh, e çliron, i dhuron emocion, është “fushë magnetike”, që i jap energji, shpresë, dritë. Ai diell vendlindjeje nuk perëndon kurrë te autori.Ato rrënjë të kujtesës vegjetojnë, rritin lisa kujtimesh, blerojnë në ngjarje, kujtime nëpër kohë si gjakim lirie, si ëndrra shekullore, si identitet, si frymë që nuk vdes kurrë.Kur e përmend Llukën e Epërme, sikur sytë i ndriçojnë edhe në errësirë dhe nostalgjia rri ndezur si pishë në poezitë:Përsëri në Llukë ku kjo poezi është pasqyra dhe piktura e fëmijërisë, ku shpaloset nota sociale me thyerjet e saj të jetës së pamëshirshme :”Në shitoren e katundit/e lashë emrin/të shënuar në fletoren e borxhlinjve/atje e lashë blinin/që për herë të parë/nën hijen e tij/me moshatarët/thithnim ajër të tymosur/i shikonim kryqëzimet e insekteve/ si kafshonin njëra tjetrën/e çiftoheshin në duart tona”(fq.45), Rruga deri te Kuvendi i Llukës, Im atë të shtunave më blinte këpucë llastiku/Nëna ime, heroina ime/Kur e varrosën babën Mungesa e fqinjit tim/Cermonia e varrimit/Kukullat që marrin frymë/Ura e Haxhive/Hëna në oborrin tim, janë poezi që nuk anashkalohen lehtë për nga rrëfimi, emocionet, shpalosja e një biografie të hershme e autorit dhe prindërve.Po të ndalemi te poezia Nëna ime, heroina ime, autori shpalos portretin social, shpirtëror, qëndrestar, rrezatues, pra , jo vetëm nëna e autorit që është heroinë, por të gjitha nënat , motrat mbesin heroina jete:”Ajo /na lindi ne shtatë fëmijët/na rriti pa mjek në fshat/as në qytet s’kishte ndonjë mjek popullor/kur e kishim kollën e keqe apo fruthin/rrinte gjithë natën zgjuar/duke na fërkuar ballin/babai s’kishte kohë t’i ndihmonte/se rrinte me kaçakët në mal”(fq.76) apo te poezia “Kur e varrosën babën” Kur e varrosën babën/ka qenë pranverë/binte shi/zogjtë këndonin himn funeral/tani edhe shtëpia ka mbetur jetime”(fq.77).Autori e ndërlidh peizazhin e jashtëm(biente shi)me peizazhin e brendshëm shpirtëror.Fuqia e rrëfimit, kthyer në vargje dhe emocione na dalin si mos harresë, përballë eruzionit të harresës që në çdo provon të “mbisundojë” mbi kujtesën.
Edhe motivi i mërgimit është i pashmangshëm tek autori, ngase një gjysmë jete autori jeton në mërgim.Poeti shpalos dromca përditshmërie në kurbet, fate njerzish në kohë, ku njeriu bart fatin rrugëve të Evropës. Duket se vitet në kurbet janë vetëm vite të akullta, sikur çdo stinë i ka humbur gjelbërimi ku mallshëm dhe me zhgënjim shprehet:”Sa e trishtueshme është vjeshta e kurbetçarit/kur i mbledh gjethet e zverdhura të mallit/kësaj vjeshte e pashë trishtimin/kur iku dielli dhe zogjtë nga plaga ime”(fq.217, “Vjeshta e kurbetçarit).Pra, fatin e mërgimtarit e përplas drama shpirtërore, ikja nga rrënjët dhe gradualisht harresa që e harron koha, njerëzit, vendlindja...
Harta e konfiguracionit poetik është burim i një realiteti që ndeshet përditë autori.Poezia na vjen jo si burim emocional, por si burim rrëfimi.Shpirti i çdo poezie është rrëfimi poetik, veshur me metaforë dhe ironi, që bartin mendimin si peshë dhe mesazhin si thirrje.Poezia Biografia e padukshme, paraqet një ngjyrë sociale, por edhe një kohë dramatike, një biografi e rëndë kur erdhi poeti në jetë 1953, koha e urisë, koha kur pushteti serb provonte edhe përmes urisë t’i nënshtronte shqiptarët.Ndërsa pas pak viteve vjen edhe Koha e Armëve që shqiptarët nuk e harrojnë kurrë atë kohë torturash, duke përjetuar fate të dhimbshme burgjeve, e pati ose nuk e pati armën, pra mbledhja e armëve shqiptarëve.Cikli Sarkofagu i zogjve është një nga ciklet ku poezia bart tensionin e dhimbjes.Autori na paraqitet një kronikan i kohës.Këto dhimbje kanë një emër, kanë prejardhje.Këto dhimbje i shkakton armiku shekullor ku mbi një shekull nuk i ndali përsekutimet, vrasjet, torturat, diskriminimin mbi popullin shqiptar.Pra, poeti shpërthen , proteston.Poezia Kush m’i vrau zogjtë,mbetet njëra nga poezitë më të realizuara në ide, mesazh dhe ndjenjë, protestë ,akuzë...ku shprehet:”Nën çatinë e shtëpisë/m’i kanë vrarë zogjtë/i kanë lënë foletë e zbrazta/kanë mbetur vezët kllukë/askush nuk e di sa zogj çelën”,(fq.41).Poezia e Molliqajt është poezi rurale, por edhe urbane.Poeti është një zog shtegtar: sa në vendlindje, sa në mërgim, ndonëse Lluka e Epërme i mbetet çerdhja ku i i fle trupi, shpirti dhe ëndrrat...Poeti kujton Llukën legjendare, Kuvendin e Llukës, pajtimin, burrat, krenarinë.Autori nuk i harron as figurat e luftës, as ato të udhëheqjes shpirtërore, poezi përkushtuese, komandantit të Koshares, Sali Çekajn dhe Dr.Ibrahim Rugovës, nekrolog për Jusuf Gërvallën.
Gjeografia e atdheut shtrihet në poezinë e Molliqajt si dhimbje dhe si dramë, p.sh.Lamtumirë Çamëri!,Sënime nga Shkupi,Te kulla e Zhlepit, Kalaja e Ulqinit, Dy Drinat/Në Tiranë, etj.
Pas gjithë kësaj harte tematike, dromcave jetësore me fate të rënda si kolektivitet, Molliqaj “mbledh fragmentet e jetës së shpërndarë-kujtimet, humbjet, dashuritë, plagët...kujtesën familjare, edhe rrënjët e dashura të trungut familjar që s’i ka më e që i kujton shpesh (nënën, babanë, motrat, vëllezërit...”(Berat Armagedoni, Fq.8).
Gjuha dhe metrika e poezisë
Poeti përdor një gjuhë sa të pjekur në ide me një ton rrëfimi, po aq përdor figura letrare; metaforë, ironi, krahasim, simbol. antitezë.Poeti përdor strofa dyvargëshe, trivargëshe, katërvargëshe, por pjesa kryesore është poezi e vargut të lirë, pa rimë.Ndërsa zogjtë bartin simbolikën e veçantë dhe metaforën e jetës, kur ata vritën duke ëndërruar jetën...
Poezia e këtij vëllimi është poezi e kohërave të rënda, e kthesave të shpirtit personal, por edhe e ëndrrave , dramave dhe kthesave të mëdha historike-kolektive.Është poezi me taban që e shënon kohën dhe kujtesë në kohë. Molliqaj mbetet një zë modern me një univers të thellë, të pasur tematik dhe ideor.Autorit i urojmë suksese dhe vepra të radhës.








Comments