“Matura 72”, i Sakip Camit, një roman që i shërben kujtesës
Nga Ahmet Prenci, shkrimtar
Si mik i Sakip Camit, por dhe si lexues ndër të parët, pata kënaqësinë ta shijoj që në dorëshkrim përmbajtjen e romanit “Matura 72”. Duhet theksuar se teksti dhe ngjarjet e trajtuara më kthyen shumë prapa në kohë. Përjetova gjatë leximit me mendje dhe zemër periudhën e atyre viteve të shekullit të kaluar, kur unë isha vetëm një fëmijw, që vëzhgoja përreth e përjetoja pastaj me rritjen time ato çka tregohen e rrëfehen bukur dhe me shumë vërtetësi nga autori.
Tashmë duke kthyer në memorje historitë e atyre viteve, jam i bindur se kemi shumë nevojë të gjithë ne për të njohur të shkuarën tonë në atë periudhë të egër të regjimit totalitar.
Jo vetëm të rinjtë dhe adolishentët e asaj kohe, të cilëve autori ua kushton këtë roman, por të gjithë grup moshat sot, kemi nevojë që t’i rikthehemi të shkuarës sonë.
Njohja e detajeve të atij udhëtimi na nxit vazhdimisht që t’ja bëjmë pyetjen vehtes; - ku ishim? - ku jemi? - ku synojmë të mbrrijmë?
Gjithkush që bie në kontakt me kopertinën dhe titullin e librit do t’i vijw në mendje një subjekt që lidhet me jetën e tij. Titulli “ Matura 72” i këtij romani, do ta rikthejw gjithsecilin në ato vite dhe do kujtojë historitë që lidhen me rrugëtimin e tij. Autori, të njejtën gjë ka bërë. Ka përshkruar me detaje si një kronikan, jetën e tij si gjimnazist.
Mbase fletët e ditarit të tij kanë shërbyer për të përshkruar në mënyrë të detajuar e për të sjell në kujtesë detaje që koha na i ka ndryshkur. Ai duke mos dashur që ky të jetë një roman autobiografik vetëm i tiji, ka futur në punë imagjinatën e tij duke ndryshuar emrat real dhe duke vendosur në ngjarje konkrete të tjerë emra, të tjerë toponime…
Përshkrimet letrare e bëjnë këtë roman një libër që ju shërben të gjithëve që jetuan në ato vite dhe jo vetëm. Aty na paraqiten ngjarje që lidhen me vitet 1968-1972. Faqe pas faqeje na ndërthuren bukur peripecitë e jetës së një gjimnazisti që zhvillohen në një qytet të vogël industrial jo shumë larg kryeqytetit.
Memoria dhe përshkrimet e autorit na ndihmojnë të kthehemi mbrapa në kohë për të kujtuar atë çka kemi kaluar gjithsecili nga ne në atë periudhë ku jeta dhe vuajtjet ishin të destinuara për ne, në ambjentin totalitar, si në një kuti të madhe shkrepse.
Një rrëfim mbreslënës lidhet me ngjarjet e pas vitit 1967, ku regjimi komunistkishte nisur luftën absurde kundër fesë. Këto rrëfime na paraqesin me episode e ngjarje letrare, kohën kur u prishën kishat dhe xhamitë në Shqipëri, e më pas fillimin një ere të re ku na ekspozohen disa sjellje “të huaja” për rrethin e mbyllur të jetës totalitare. Këto shenja manifestoheshin në art, kulturë, muzikë, sport dhe në veshje e në paraqitjen e jashtme. Gjatë rrëfimit na paraqiten të rinjtë që zgjatën favoritet “nën vijën e partisë”, që vishnin pantallona kauboj, dëgjonin muzikë të huaj që transmetonte stacioni i dytë I Radio Tiranës, ndiqnin “bidëllsat” dhe festivalin e San Remos, periudhë që zgjati deri në dhjetorin e vitit 1972 në festivalin e XI të RTSH kur u fillua lufta e egër ndaj shfaqjeve të huaja në art e kulturë.
Autori i trajton me realizëm dhe “besnikëri” ngjarjet dhe jetën e atyre viteve pa bërë psikoanalizë e komente që do ta lodhnin lexuesin. Në roman paraqitet ashtu sikurse ka ndodhur procesi mësimor. Trekëndshi revolucionar mësim-punë prodhuese- edukim fizik dhe ushtarak ishte unik për të gjith të rinjtw në të gjithë vendin. Episodet dhe detajet e paraqitura në libër janë shumë domethënëse që lexuesin do ta shkundin në memorje për të rifreskuar saktësisht atë kohë, ato situate, atë atmosferë mbytëse.
Recensenti i librit, Profesor Fatmir Terziu i ka bërë një analizë profesionale duke e quajtur këtë roman një aktivizues të gjallë të memories. Profesori në mënyrë shteruese dhe profesionale ka analizuar romanin, ndërsa unë si lexues po radhis disa përshtypje modeste për librin.
Në qendër të romanit, por edhe si narrator i gjithë subjektit është Sako Drini, një djalë nga fshati i largët që vjen të jetojë te xhaxhai i tij në qytetin e Delishit. Aty ai do të ndjek studimet në gjimnazin e sapoçelur të këtij qyteti. Përveç Sakos, që është në qendër të romanit, një vend të rëndësishëm zë mësuesi Dodë Pejani i cli ishte arratisur nga Peja e Kosovës për t’i shpëtuar represionit serb dhe që pas mbarimit të studimeve në Universitetin e Tiranës, emërohet mësues në këtë shkollë. Dashuria e pastër, por e “ndaluar” e mësues Dodës me maturanten Mira, kalon nëpër emocione dhe labirinthe të vështira e të ndërlikuara. Me mjeshtëri autori e përcjell fundin e asaj dashurie duke i dhënë nota pozitive triumfit të saj.
Gjatë leximit nuk mundesh të mos përjetosh emocionin e arrestimit të komandantit Taho Begaj. Ky personazh ishte nga Çamëria i cili kishte mbaruar studimet në Ukrahinë. Problemi i vetëm i dramës së tij njerëzore e familjare kishte vetëm një shpjegim; faktin që kishte studiuar në Bashkimin Sovjetik dhe që ishte martuar me një ukrahinase.
Ne faqet e këtij romani zënë vend edhe aksionet e harruara të rinisë së athershme në Jug të vendit, zboret ushtarake, librat e ndaluar dhe shumë e shumë ngjarje të kësaj periudhe. Këto momente e ngjarje mund të jenë të panjohura për të rinjtë e sotëm, prandaj leximi i këtij romanit të njeh në brendësi dhe nëpërmjet tij vëzhgon imët të kaluarën.
Aty, trasmentohen dhe mesazhet e mbijetesës dhe të përballimit nga të rinjtë e atyre viteve të jetës së vështirë në regjimin komunist.
Romani nuk është voluminoz. Me dendësinë e tregimit, ngjarjet dhe episode e shumta të trajtuara me kujdes nga autori, bën që të shijosh leximin duke mos e lëshuar nga dora deri në faqen e fundit. Përveç rrëfimit të bukur, rëndësia e romanit qëndron tek mesazhet e rëndësihme që trasmenton duke i shërbyer më së miri mbajtjes gjallë të kujtesës, detyrë e rëndësishme e çdo brezi për hitroninë e shoqërisë. Ajo periudhë e vështirë mbijetese është e shkuara jonë dhe përbën memorjen tonë shoqërore. Unë me këto radhë, siç e përmenda dhe më sipër, nuk marr përsipër të bëj analizën profesionale dhe të thelluar të romanit, pasi kjo është detyrë e studjuesve dhe kritikëve të letërsisë por e thënë si lexues, sugjeroj leximin e këtij roman dhe pas përfundimit ju siguroj që do ju mbetet në memorje dhe do viheni në mendime. I uroj suksese autorit me vepra të tjera.
Comments