Martiko: Rreth librit me poezi “Ditë të nxehta”, me autore Mimoza Leskaj
- 20 hours ago
- 2 min read

KUR DISA VENDE NË JETË NUK LARGOHEN KURRË NGA NE
Ka poezi që shkruhen për t’u lexuar, dhe ka të tjera që lindin për t’u përjetuar. Këto që lexuesi do të mbajë në duar i përkasin të dytës.
Ky cikël emocionues nuk është thjesht një rrëfim dashurie. Është një udhëtim i brendshëm, një kalim i heshtur nga e dukshmja tek e padukshmja, nga një vend konkret drejt një hapësire që ekziston vetëm në shpirt. Sahara, në këto vargje, pushon të jetë gjeografi, ajo është një gjendje. Është një boshllëk që përvëlon, një qetësi që flet, një hapësirë ku njeriu përballet me veten dhe me atë që nuk mund ta zotërojë.
Për një lexim më të thellë, poetesha Mimoza Leskaj, tashmë e njohur në letërsinë shqiptare, nuk kërkon të shpjegojë. Ajo nuk jep përgjigje, por hap pyetje. Në këtë botë rëre e zjarri, dashuria nuk shfaqet si shpëtim, por si përjetim. Ajo është e papritur, e pashpjegueshme, shpesh e pashmangshme. Ajo vjen si një stuhi, digjet si një vapë e pandalshme dhe, në fund, mbetet si një jehonë e largët dhe e pashlyeshme në kujtesë.

Ajo që e bën këtë cikël poezish të veçantë është mënyra se si konkretja kthehet në simbol. Trupi bëhet muzikë, rëra bëhet kujtim, heshtja merr formë. Çdo imazh lëviz mes reales dhe ëndrrës, duke krijuar një ndjesi pezullimi që e shoqëron lexuesin deri në fund.
Sa paraqitet në këtë cikël vjershash, nuk është një histori që mbyllet. Por një përvojë që mbetet. Sepse ka disa vende në jetën tonë që nuk largohen kurrë nga ne. Ato thjesht ndryshojnë formë dhe jetojnë brenda nesh, në heshtje dhe në amshim.
Në këto poezi zbulohet një horizont i ri ku shpirti rilind përmes fjalës. Kjo prirje, ndonëse ende e brishtë në Shqipëri, prek një mungesë historike të mendimit shqiptar: atë të një reflektimi të thellë mbi rilindjen shpirtërore si përvojë thelbësore e qenies. Megjithatë, kjo mungesë nuk e pengon poetin me natyrë shpirtërore që të kërkojë e të zbulojë rrugët drejt një bote ku përjetimi dhe brendësimi bëhen themeli i kuptimit.
Sepse vetëm duke e përthithur jetën në thellësi të shpirtit, njeriu mund të ndërtojë një qytetërim me vlera të qëndrueshme dhe kuptime të gjera. Historia e njerëzimit dëshmon se pikërisht ky kthim i brendshëm, kjo rilindje shpirtërore, ndryshoi fatin e miliona njerëzve pas epokave të mëdha të zgjimit, siç filloi të ndodhë pak e nga pak në Evropë pas Mesjetës.
Në këtë kuptim, prania e poetes për të depërtuar në këtë përmasë nuk është vetëm estetike, por edhe thellësisht njerëzore. Është një hap i rëndësishëm drejt një bote më të vetëdijshme dhe më të ndjerë në shpirt.







