MARTESA DHE PROBLEMET E SAJ


Fran Gjoka

MARTESA DHE PROBLEMET E SAJ

NË OPTIKËN E SOCIOLOGUT GËZIM TUSHI

FRAN GJOKA

Libri i sociologut të njohur, Gëzim Tushi (Mjeshtër i Madh), i kushtohet një trinomi të bashkëngjitur, sikurse janë: martesa, familja dhe seksualiteti, të cilat edhe pse pranohen se janë institucione fondamentale të jetës sociale, të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm për jetën njerëzore normale, përsëri kujdesi i shoqërisë për përmirësimin e “shëndetit” të tyre, sikurse duket qartë kohët e fundit, është i pakët. Autori, në një libër prej 500 faqesh, analizon me shumë kujdes pasojat që po i vijnë shoqërisë nga “dobësimi” i familjes dhe deformimi i tipologjisë së martesës. Ato, sipas mendimit të tij, aktualisht janë tejet shqetësuese. Madje, ai mendon se në disa drejtime, ato janë shfaqur në përmasa gati shkatërruese. Ato janë tregues të dobësimit të lidhjes martesore, që në të vërtetë nuk janë krejt të reja dhe të panjohura më parë në jetën dhe historinë e qytetërimit modern. Historia teorike dhe empirike e martesës është e lashtë dhe e komplikuar, sepse martesa ka qenë dhe mbetet, me sa duket, institucion kompleks që vazhdimisht është vlerësuar dhe anatemuar, është goditur dhe mbivlerësuar, është konsoliduar, por dhe është deformuar, pikërisht për shkak të problemeve endemike dhe komplikimeve pa mbarim që ka dimensioni i kësaj lidhjeje intime, ky institucion specifik i botës dhe qytetërimit modern. Por debati në shoqërinë shqiptare për “difektet” dhe dobësitë e lidhjes martesore, u bë më intensiv dhe më gjithpërshirës pikërisht në kohën e zhvillimit të jetë