Marset e mia (Plotë 64)
Marsi vinte fije-fije, Thurte ngjyra nëpër vesë, Thurte ngjyra, shthurte hije, Sapo zgjohej çdo mëngjes.
Në ditën e dytë të tij, Marsi i pesëdhjetë e tetës, Thuri pelenat e mia, Më ngjyrat e së vërtetës.
Nën paqen e kaltërsisë, Fjalët çelnin lule drite, Tek ylberët kanë pirë sisë, Gjashtëdhjetë e katër vite.
Tani marset zënë më shfaqen, Si me rrotullim Venere, Pak të zverdhur manushaqen, E shohin dhe mes pranvere.
Me dorë rrudhash përmbi ballë, Dy rrathë ore – sytë e mi, Akrepa vitesh plotë mall, Më zbardhën flokun e zi.
Vitet janë tik-take ore, Masim moshën në çdo kohë, Çdo dy mars marrë përdore, Moshën që tek vetja shoh.
Nëpër vite shoh që jeta, Është një vazo endërrimesh, Lulet që bëra buqeta, Thahan me aromë kujtimesh.
Kokën kthej pak i mërzitur, Se ç’kërkoj as vetë s’e di, Ndaj vështrimi krejt papritur, Prej syve më zbret në gji.
Jeta është porsi qielli, Që stinët i sjell me vete, Retë që s’i ter dot dielli, Rrjedhin ujëra nëpër dete.
Një nga një marset e mia Shtegëtojnë në prag pranvere, Stinët e tjera – të tria Rrinë dhe presin prapa dere…
Fatmir Terziu
Marset me dyshin simbolik të shkulen prej teje kanë frikë. Prandaj do mbesin rreth teje përditë e përditë një kane me gdhënjka urimesh që do mbushin qindra ibrikë. Ndërsa ëndërrat po të mblidhen tinëz, mrekullia e vargut të sjell urimet mes rimës. Se kështu e ka arti i vargut ritmik të bekon me urimin më fisnik.