top of page

Lumnie Thaçi-Halili: KOHËT E TRAZUARA NË REFLEKSIN LETRAR FEMËROR

  • 14 hours ago
  • 26 min read

(Studim letrar nga perspektiva gjinore për romanin “Liria në lotët e Gresës”, autore Valbona Ahmeti)

 

Parafjala dhe poetika e dëshmisë

 

Valbona Ahmetit në romanin “Liria në lotët e Gresës” e rrëfen luftën jo vetëm si ngjarje historike, po edhe si përvojë që prek jetën e gruas në thellësinë e strukur të saj, siç është fëmijëria, trupi, amësia, frika, dëbimi dhe mërgimi, brenda një bote të ndarë: “Ishte kufiri mes dy botëve, njëra e mbushur me ëndrra dhe pafajësi, tjetra me frikë, pasiguri dhe më vonë, me luftë (Valbona Ahmeti, “Liria në lotët e Gresës”, URA. Prishtinë, 2026, f.7). Në këtë vepër, lufta nuk shihet vetëm në pamjet e mëdha të dhunës, por edhe në gjërat e vogla që e mbajnë gjallë të vërtetën e një kohe, e këto janë: çanta e studentes, udhëtimi pa siguri, dhoma e spitalit, shtëpia e braktisur dhunshëm, lindja e vajzave dhe qarja e parë e Gresës në mërgim. Kështu, liria në roman merr kuptim flatrues përmes trupit të gruas, zërit të nënës dhe brezit që e trashëgon atdheun nëpërmjet rrëfimit personal dhe familjar.

Boshti argumentues i këtij interpretimi nuk mbështetet te madhështia faktike e ngjarjeve në roman, mirëpo mbështetet te mënyra përthyese e vetëdijes rrëfyese. Thënë prerë, këndvështrimi për luftën, nuk pasqyrohet si skenë e ngritur mbi retorikën e heroizmit, por si përvojë traumatike që e shpërbën rendin e zakonshëm të jetës. Ajo shfaqet si thyerje e brendshme, si plagë që e zhvendos historinë nga hapësira publike e ngjarjes në thellësinë e përjetimit njerëzor: “Lufta nuk erdhi vetëm si ngjarje, ajo erdhi si thyerje e brendshme“ (Valbona Ahmeti, “Liria në lotët e Gresës”, URA, Prishtinë, 2026, f.8). Ajo e sheh luftën ngado: në dhomën e spitalit, në familje, në trupin shtatzënë, në frikën nga kontrolli në autobus, në telefonatat që mbeten pa përgjigje, në qesen e refugjatit, në hotelin e huaj (sado që është luksoz), në parkun e pastër kanadez, në lotët e Gresës... Romani e zhvendos historinë e madhe të Kosovës te gjërat e vogla, për të dëshmuar se shpeshherë imtësitë e ruajnë më saktë të vërtetën e një epoke. Në këtë përmasë mikrohistorike, romani e përforcon konstatimin e Svetlana Aleksijeviçit se lufta përbëhet edhe nga imtësitë: “Lufta nuk përbëhet vetëm nga ngjarje të mëdha, por edhe nga imtësi”(Svetlana Aleksijeviç, “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, Buzuku, 2013, f.197). Kjo frazë e përforcon poetikën e romanit të V. Ahmetit, se historia nuk ruhet vetëm në data e përvjetorë të lavdishëm, por edhe në gjërat e vogla të jetës, aty ku njeriu përpiqet të mos e humbasë thelbin e vet njerëzor.

Të gjitha skenat në roman i përgjigjen natyrës së tij hibride, në të cilat bëhet e dukshme se “Liria në lotët e Gresës” nuk është roman tradicional. Aty përzihet kujtimi autobiografik, dëshmia historike, kronika familjare, rrëfimi intim, letra, refleksioni dhe testamenti. Nga ky kënd, vepra mund të lexohet edhe si rrëfim disparat romanësor, në kuptimin që R. Musliu i jep nocionit të disparates, jo si shpërndarje e pakontrolluar, por si ndërtim i përbërë nga regjistra të ndryshëm ligjërimor, tematik e kompozicional, të përbashkuara krijojnë tërësinë kuptimore (Ramadan Musliu, “Vëllimi 3, Kritikë letrare”, Botime Koliqi, 2023, f.119). Edhe te Valbona Ahmeti, kjo disparatësi i përshtatet natyrës së kujtimeve, të cilat prej vijës së drejtë kthehen, ndërpriten, lidhen pas një objekti a ngjarjeje, ndalen te një emër, hapin një skenë familjare dhe pastaj kalojnë në dëshmi historike. Prandaj forma e romanit duhet lexuar si zgjedhje e qëllimshme estetike, përmes së cilës mbahen bashkë jeta private, dëbimi, dhimbja historike, vuajtja shpirtërore e trupore, trupi femëror, mërgimi, amësia dhe kujtesa e brezave.

Romani, që në hyrje, të lë përshtypjen e arkivit të brendshëm femëror, që e ndërton rrëfimin mbi kujtime, aty ku përvoja personale dhe familjare mbajnë peshën më të thellë të përvojës, e cila nuk ruhet vetëm në fakte, por në dridhje emocionesh e frikësime, në pamje të fëmijërisë, në ankth, në mall, në amësi dhe në ndjesinë se ajo që është jetuar, duhet marrë formë të qëndrueshme, pra libër. Në këtë mënyrë, romani paralajmëron se do të ecë mbi ritmin e një përvoje që ka lënë gjurmë në qenien e gruas dhe po ashtu do të lë edhe në fatin e fëmijëve të saj.

Kjo qasje e afron veprën me linjën e fuqishme të dëshmisë femërore që Svetlana Aleksijeviç e ka ngritur në një nga format më të veçanta të letërsisë dokumentare bashkëkohore. Në romanin “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, Aleksijeviç e bën dallimin ndërmjet historisë së luftës dhe historisë së njeriut në luftë, që nuk nënkupton kronikën e frontit, por historinë e ndjenjave: “Nuk shkruaj një histori të luftës, por një histori të ndjenjave...Pjesën njerëzore gjithnjë të pranishme tek njeriu" (po aty, f.18), gjuhën e brendshme të atyre që kanë jetuar mes frikës, vdekjes dhe kujtimeve. Ky parim udhëheq edhe romanin e Ahmetit, ngaqë edhe këtu lufta shihet kryesisht si përvojë e brendshme. Ajo hyn në mënyrën e rritës së një vajze, në periudhën e studimeve të saj, në ndjenjën e trupit të saj kur qëndron në hapësirë publike, në dashurinë e saj, në frikësimet, në lindjet e fëmijëve, në ikjen prej atdheut, në kujtimet dhe rrëfimet që duhet t’ua bëjë fëmijëve, për të mos u harruar asgjë.

Parë nga ky këndvështrim, “Liria në lotët e Gresës” mund të lexohet si histori ndjenjash, duke e vendosur historinë në brendi, aty ku epoka shndërrohet në përjetim. Ky është dallim i rëndësishëm. Historia zyrtare shpesh e përmbledh të kaluarën në ngjarje, data dhe institucione, kurse romani e ruan atë në ndjenjat e trupit. Lufta në këtë roman ka zërin e grave në spital, zërin e nënës që këshillon, zërin e etshëm të vajzës shqiptare që dëshiron të studiojë, zërin e infermiereve serbe që poshtërojnë lehonat shqiptare, zërin e gruas që lind nëpër kohë të ndryshme, qarjen e fëmijës dhe zërin e nënës që shkruan për ta lehtësuar peshën e kraharorit. Prania e këtyre zërave i jep romanit tinguj polifonik, ndonëse boshti rrëfyes mbetet i lidhur me një qendër të vetme narrative.

Në vijim të kësaj ideje, Aleksijeviç thotë se “Rrëfimet e grave janë të një lloji tjetër dhe trajtojnë të tjera tema” (po aty, f.12). Po ky mendim lidhet drejtpërdrejt edhe me romanin që po e shqyrtojmë, se lufta në këtë vepër nuk ka vetëm fytyrën e dhunës së jashtme, ajo ka edhe frymën e ankthit të nënës, heshtjen e vajzës që frikësohet, dhimbjen e trupit shtatzënë, pritjen e të afërmve, mallin e mërgimit dhe pagëzimin e emrave të fëmijëve. Në këtë mënyrë, romani nuk rrëfen vetëm se çfarë ndodh aty, por edhe përjetimin e këtyre ndodhive. Ky roman nuk e vendos ngjarjen mbi njeriun, por krejtësisht e vendos njeriun brenda ngjarjes.

 

Urat e kulturës dhe afirmimi i gruas

 

Në njërën nga skenat e romanit shfaqet antena, një objekt i thjeshtë në dukje, që gradualisht merr peshën e një simboli të rëndësishëm. Familja pret Festivalin e Këngës në RTSH, së bashku të gjithë dëgjojnë këngëtarë shqiptarë, ndjekin emisione, kapin valët e programeve evropiane dhe përjetojnë këngën “Insieme” si thirrje për paqe, bashkim dhe Evropë humane: “Ndërkohë që Televizionit të Kosovës ia kishte mbyllur sytë dhe gojën sistemi jugosllav... programi i vetëm që na lidhte me botën, ishte ai i RTSH-së“ (po aty, f.15), andaj antena mbi ballkon bëhet urë shpirtërore, apo është  instrument i çmuar i mbijetesës kulturore, me anën e së cilës një familje e izoluar lidhet me Shqipërinë, me Evropën dhe me botën e gjerë ku zëri qarkullon lirshëm.

Ky motiv ka vlerë të veçantë, sepse tregon se rezistenca përveç që zhvillohet në skena të hapura politike, ajo rezistencë rritet edhe në mbrëmjet familjare, në pritjen e një kënge, në përpjekjen për ta rregulluar sinjalin, në zërat që thonë “forcoje aty antenën”(po aty, f.16). Këto veprime të vogla mbajnë peshën e një përvoje shumë më të madhe, nevojën për të mos u shkëputur nga bota shqiptare. Kultura që zbukuron jetën, përmes ekranit televiziv jep frymëmarrje, madje hyn në indin e brendshëm të jetës së shqiptarëve të Kosovës. Tregon familjen e cila dëgjon këngë, diskuton për artistë, voton me pasion për festivalin, argëtohet dhe e mban të gjallë përfytyrimin e vet për normalitetin, për bukurinë, për gjuhën dhe për përkatësinë.

Këtu romani krijon një antitezë të ndjeshme midis botës së ekranit dhe botës së jetuar, tek e cila pamja e ndërmjetësuar ndeshet me përvojën e drejtpërdrejtë, sepse rrëfimtarja dhe Hasimja, si dy protagoniste aty e kuptojnë se ajo që shohin në televizor nuk përkon me realitetin e tyre të përditshëm. Atje ka drita, këngë, festivale, kurse këtu ka dhoma të fshehta mësimi, ku mësimi bëhet në kushte aspak të përshtatshme, frikë nga policia, varfëri... E ndiejnë se jetojnë “... në dy kohë të ndryshme” jo vetëm në dy vende (po aty, f.27). Spikatje e saktë e gjendjes së shqiptarëve të Kosovës në periudhën e shtypjes, një jetë që ekziston, punon, mëson, ëndërron, por e cila mbetet e padukshme në ekranet e botës, për më tepër ajo nuk ka muzikë sfondi, po ka pluhur, kujdes të përhershëm ndaj rreziqeve dhe nga ana tjetër për çudi, vullnet për të mos u ndalur.

Në këtë segment rrëfyes, arsimi shfaqet si njëra prej shtyllave kryesore të romanit. Autorja niset në kryeqytet me ëndrrën “të bëhesha e zonja për t’u pavarësuar në jetë” (po aty, f.17). Në këtë fjali dëshirore të thjeshtë, pasqyrohet gjithë horizonti emancipues i protagonistes. Ajo dëshiron të diplomohet, të punojë, të ketë të ardhura, të pavarësohet, të rritet në jetë. Kjo dëshirë personale lidhet me përvojën historike të vendit, drejtpërdrejt me sistemin paralel të arsimit në Kosovë gjatë atyre viteve, ngritur si përgjigje ndaj mbylljes së institucioneve shqiptare nga regjimi serb. Në kohën kur shqiptarëve u mohohej e drejta e shkollimit dhe e punës në institucionet publike, shkollat u zhvendosën në shtëpi private, duke u bërë forma të fuqishme të qëndresës qytetare, kulturore dhe kombëtare, për të cilën periudhë janë botuar edhe mjaft vepra, si këto (Bajram Shatri, “Arsimi shqip në Kosovë: 1990 – 1999 - Shtëpitë - shkolla, sfidat, arritjet dhe aspiratat”, Shtëpia botuese Libri shkollor, Prishtinë, 2010; Zijadin Gashi, “Shtëpitë shkolla në fotografi”, Libri shkollor, Prishtinë, 2017; Fadil Aliu, “Shtëpitë-Shkolla: Kujtojmë që të mos harrojmë”, Prishtinë, 2026) etj. Shkollat dhe universitetet e zhvendosura, mësimdhënësit që punonin në kushte të rënda, lokalet dhe shtëpitë e hapura për mësim, si dhe mërgata që mbështeste këtë organizim përmes fondit të trepërqindëshit, formojnë së bashku rrjetin e gjerë të qëndresës civile në Kosovë.

Përvoja e subjektit femëror në roman rezonon, ndër të tjera, edhe me mendimin e Simone de Beauvoirit, sipas së cilës gruaja nuk përkufizohet nga identiteti i dhënë paraprakisht, po formësohet përmes rrethanave, kufizimeve dhe zgjedhjeve të saj (Simone de Beauvoir,. “Seksi i dytë, Përvoja e jetuar”, vëllimi i dytë, shqipëroi N. Lera, Shtëpia botues “Çabej”, Tiranë, 2002). Autorja që është edhe protagoniste, nuk e pranon fatin e përcaktuar, as shtypjen, as gjininë si pengesë. Ajo lëviz, mëson, kursen, ec në këmbë, hyn në dhoma të zymta mësimi dhe kërkon pavarësinë. Veprimet e saja shfaqin feminizëm të heshtur, ndonëse të pashpallura si qëndrime ideologjike, por të lindura nga vetë përvoja e jetës. Është interesante edhe skena kur para lokalit ku mbahet provimi: “Djemtë i lëshonin shikimet si shigjeta drejt vajzave, sidomos drejt atyre që visheshin me funda të shkurtër“ (po aty, f.19). Subjekti femëror nuk e paraqet këtë skenë si episod të rëndomtë rinor, më shumë lexohet si pjesë e formimit të saj, ngase ndjenjat janë të ngatërruara, dashuria duket e frikshme, përderisa shikimi i djemve zgjon trazim dhe tërheqje të fshehtë, të cilin shikim vajzat përpiqen ta mbulojnë. Skenë e cila e vendos vajzën në situatën ku ajo bëhet e vetëdijshme për trupin e vet përmes vështrimit të tjetrit. Andaj, koncepti i shikimit mashkullor, i formuluar teorikisht nga L. Mulvey në studimin e saj mbi vizualen dhe kinemanë narrative, mund të ndihmojë më qartë në kuptimin e kësaj përvoje, pa ia imponuar romanit një skemë teorike të huaj (Laura Mulvey, “Visual Pleasure and Narrative Cinema”, Screen, vol. 16, nr.3, Autumn 1975, f. 6-18, doi:10.1093/screen/16.3.6). Në roman, vajzat përballen me sytë e djemve dhe me mjedisin shoqëror që e bëjnë trupat femërorë të ndjeshëm ndaj vëzhgimeve, kontrolleve dhe vetëpërmbajtjeve. Mirëpo nga kjo përballje personazhi nuk reduktohet në objekt, përkundrazi, është tregues se vetëdija e saj ndërtohet edhe përmes trysnisë së këtij vështrimi. Kështu që, nuk është e tepërt të thuhet se, romani e pasqyron rritjen femërore si proces vetëdijesimi, ku mbi trupin e vajzës rëndojnë njëkohësisht vështrimi shoqëror, trazimi i ndjenjës dhe kërkimi i lirisë.

Përtej këtij aspekti të sipërthënë, cenimi i dinjitetit në roman shfaqet edhe përmes pamundësisë ekonomike për t’u shkolluar, në çastin kur rrëfyesja niset pa para për biletë, me librin, fletoren dhe indeksin në çantë. Me shfaqjen e kontrolluesit serb, kjo mungesë materiale shndërrohet në frikë politike, sepse për shqiptarët e asaj kohe libri nuk ishte vetëm mjet dijeje, por edhe shenjë identifikuese që mund t’i ekspozonte ndaj rrezikut. Antagonisti mishëron pushtetin poshtërues të përditshëm, i cili nuk ka nevojë të përdorë dhunë të hapur për ta trembur protagonisten. Mjafton zëri, urdhri, shikimi, mundësia për ta dërguar në polici... Ajo del nga autobusi me ndjenjën që nuk e di nëse është frikë, turp apo zemërim?! Këto tri përjetime tregojnë se shtypja e pushtetit e cenon individin në disa mënyra, duke e kthyer varfërinë në turp, përkatësinë në rrezik dhe dëshirën për dije, të mishëruar në librat që barten mbi shpinë, në burim frike: “Mundohesha ta fshihja çantën pas shpine. E dija se librat mund të më sillnin telashe të tjera“ (V. Ahmeti, po aty, f.33).

Jeta e përditshme në roman përbën arkivin e vogël të një epoke. Bahçja, pusi, pjeprat, autobusi i vjetër, pluhuri, rruga me gropa, dhoma e mësimit, tavolina e provimit, çanta me libra, mungesa e banesës, ndihma e vëllezërve dhe kujdesi i motrës formojnë leksikun jetësor të një kohe dhe ndërtojnë, të gjitha së bashku, mikrohistorinë e një brezi të rritur në vijën e brishtë mesarake ndërmjet ëndrrës dhe frikës. Këto hollësi me sfond realist, janë mënyra përmes të cilave historia bëhet e prekshme dhe merr peshë njerëzore. Çdo epokë mund të përmblidhet në bazë të datave të rëndësishme, në bazë të  ngjarjeve të veçanta ose në bazë të akteve zyrtare, mirëpo letërsia për dallim prej tyre, e ruan më thellë dhe, si paradoks më bukur, shpirtin e kësaj epoke në roman përmes erës së pluhurit mbi fytyrë, përmes zhurmës së autobusit të vjetër, përmes dridhjes së zemrës para kontrolluesit dhe përmes vështrimit të një shoqeje para provimit.

 

Nëna, emri pagëzues dhe trupi i gruas nën barrën e historisë


Në kronikën e përbashkët jetësore të romanit, figura e nënës dëshmon burimin e qëndresës, të edukimit, të guximit dhe të pavarësisë së protagonistes. Ajo është sakrifikuese, edukatore, burim force, punëtore, këshilluese, mjekuese e fëmijëve, organizuese e shtëpisë dhe e bahçes, grua që e mposht lodhjen.  Vetë Valbona, vetëza e romanit e quan “edukatorja ime e vërtetë”, duke e lidhur formimin e vet me ndikimin, fjalën dhe shembullin e saj. Këshilla e nënës: “Duhet të jeni të guximshëm dhe të vendosur, nëse jeni të luhatshëm, nuk do të arrini asnjëherë aty ku dëshironi. Vetëm me punë arrihet çdo gjë (po aty, f.12), këshillë e cila kthehet në themel të karakterit të vajzës.

Njëherit nëna është edhe figurë e autoritetit femëror në roman, e cila formon dhe i jep drejtim familjes, pa ua kërkuar bindjen asnjërit prej fëmijëve, por vetëm qëndrueshmërinë. Në personalitetin e saj shfaqet etikë femërore përmes veprimeve që jetohen, pa qenë e nevojshme të marrin formën e shpalljes ideologjike. Pa fjalë të mëdha, ajo e edukon të bijën me ritmin e punës, me qëndrueshmërinë e përditshme, me dinjitetin e heshtur dhe me mënyrën e të mbajturit të familjes, pa e fikur asnjëherë dritën e brendshme. Prandaj prania e saj, përtej  rrethit familjar, shtrihet si themel moral në gjithë formimin e vajzës dhe në vetë ndjeshmërinë e romanit.

Ndryshe nga sa u përmend më lart, komponent tjetër që kërkon vëmendje të veçantë është onomastika. Në roman, emrat nuk përcaktohen vetëm për identifikimin e personazheve, po kryesisht lidhen me familjen, gjuhën, përkatësinë kombëtare dhe historike. Në këtë kuptim, mendimi i Shefkije Islamajt se “emri mund të ndikojë edhe në rrjedhën e ngjarjeve dhe në vetë fatin e tij” lidhet natyrshëm me faktin se romani i V. Ahmetit i pagëzon emrat me kuptim jetësor e kulturor (Shefkije Islamaj, “Ligjërimi, gjuha dhe stili”, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2021, f.339). Heroina e romanit tregon se, pas lindjes, nëna e kishte quajtur Burbuqe, ndërsa babai e regjistron me emrin Valbonë, sipas dëshirës së tij: “Ai mendonte mirë për fëmijët e tij dhe dëshironte që ata të kishin vetëm emra shqip, duke refuzuar emra turq ose arabë“ (po aty, f.90). Këtu emri shpreh vullnetin e prindit që fëmija ta bartë përkatësinë shqiptare që nga emërtimi më të cilin do të thirret në jetë. Në një kohë kur identiteti shqiptar ishte i rrezikuar, emri merr funksion mbrojtës, mban lidhjen me gjuhën, me vendin, atdheun e gjerë dhe historinë.

Zgjon interes në roman edhe shfaqja e kritikës ndaj mendësisë patriarkale që e privilegjon lindjen e djalit në familjen shqiptare: “Ende mbretëronte ajo ndjenja e vjetër se djemtë duheshin për vatan“ (po aty, f.91). Autorja shqetësohet në spital nga bisedat që dëgjon kur njerëzit i gëzohen lindjes së një djali. Këtë dukuri  shqiptare e shpreh me forcë kritike, duke kundërshtuar natyrshëm një normë të kahershme, e cila edhe sot e kësaj dite e mat gëzimin familjar në bazë të gjinisë së fëmijës. Mirëpo më vonë, me lindjen e Erëzës, Lirisë dhe Gresës, ky rend patriarkal përmbyset, vajzat konsiderohen njësoj si djemtë, ato janë bartëse të vazhdimësisë familjare, të lirisë dhe të trashëgimisë.

Kjo strukturë nuk mund të kuptohet plotësisht pa marrë në konsideratë edhe trupin e gruas dhe aktin e lindjes që pasqyrohen realisht me gjithë të vërtetat ekzistuese të  asaj kohe. Spitali në Mitrovicë, në të cilin figura qendrore dërgohet në muajin e shtatë të shtatzënisë, shfaqet si hapësirë ankthi, e jo si vend sigurie. Ajo përshkon udhë të  pasigurt për shkak të stacioneve të policisë, atmosfera në sallë është e zymtë, gratë shtatzëna rrinë në shtretër të renditur si shtretër ushtarësh, ndërsa në korridore dëgjohen vetëm fjalë në gjuhën serbe. Mungesa e shqipes tregon mungesë mbrojtjeje. Gjuha e nënës, e shtëpisë dhe e dhimbjes personale mungon aty ku trupi ka më shumë nevojë për siguri. Në këtë mjedis spitalor, gruaja përveç që është paciente, nga ana tjetër është edhe trup i pambrojtur, trup i përkatësisë së rrezikuar shqiptare, trup që bart një jetë tjetër brenda dhe njëkohësisht e ekspozuar përballë përçmimit.

Forma më vështirë dhe më e rrezikshme e përballjes është ajo e cila luftën nuk e zhvillon me armë, por nën trysninë e autoritetit të institucionit. Spitali, që në parim duhet të jetë vend shërimi, shndërrohet në hapësirë ku femrat shqiptare përballen me shpërfillje dhe poshtërim, ndërsa procesi i lindjes tek këto përshkohet nga frika. Infermieret serbe pasqyrojnë personelin mjekësor përbuzës, duke shprehur edhe gjuhë urrejtjeje. Autorja, për ta përshkruar realitetin, ka guximin që për lexuesit, ta përçojë këtë fjalor të ndytë dhe poshtërues në roman: “- Do ia qepim dhe do ia mbyllim krejt apo jo?- iu drejtua koleges së saj dhe ia krisën të qeshurave; - Do ia lëmë vetëm dy gisht sa për t'u pshurrë, - ia priti tjetra dhe prapë ia krisën të qeshurave; - Dinë vetëm të bëjnë fëmijë, - theksoi tjetra. E torturonin me fjalë të ndryeshme! ... ktheva kokën djathtas dhe e pashë gruan e shtrirë nën mëshirën e infermiereve shpirtëzeza, i kishte mbyllë sytë me dy duart, sa nga dhimbjet fizike, frika, aq më shumë nga ato morale“ (po aty, f.90). Ajo me këtë vë në dukje ashpërsinë e etikës dëshmuese të asaj kohe në Kosovë. Një realitet të tillë fyes e poshtërues e ka përjetuar pothuajse secila lehonë shqiptare e asaj kohe nëpër spitale.

Në letërsi, fjalori i këtillë përligjet artistikisht vetëm kur nuk përdoret për tronditje të jashtme, si në këtë rast që vihet në pah zbulimi i mekanizmit çnjerëzues. Te Ahmeti, gjuha e ndyrë përçmuese e infermiereve serbe dëshmon se dhuna etnike nuk mjaftohej me përjashtimin politik, mirëpo ajo shtrihet deri te trupi i gruas shqiptare, madje në mjedisin ku jeta duhej të mbrohej, aty në maternitet, në praglindje. Gruaja shqiptare përgjatë asaj kohe nëpër spitale, ishte trup i një përkatësie të huaj, urryese. Këtu përmblidhen dhuna institucionale, dhuna gjinore dhe dhuna etnike. Kjo përmbledhje ia shton segmentit narrativ, dhimbjen e thellë njerëzore, ngaqë aty historia e madhe, me gjithë errësirën e saj zbret në vendin më të brishtë të jetës, lehonës dhe fëmijës së posalindur. Episodi ku gruaja shtatzënë ndien dhimbje, ndërsa kujdesi mjekësor mungon ose ironizon deri në shpërfillje, e shfaq tragjiken e trupit femëror në luftë. Kjo përvojë të kujton frazën e S. Aleksijeviçit si referencë të natyrshme, duke e parë procesin e lindjes në luftë si dhënie jete: “Por mbi të gjitha ato e përjetojnë gjithanësisht faktin që është e palejueshme të vrasësh, sepse femra dhuron jetën. Jep jetën” (S. Aleksijeiç, “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, Buzuku, 2013, f.20).

Te V. Ahmeti, kjo ide mishërohet në mënyrë të drejtpërdrejtë, sepse gruaja që jep jetë përballet me sistemin më brutal, i cili e poshtëron mu në çastin e saj më hyjnor. Lindja, si vazhdimësi e jetës njerëzore, vihet përballë gjuhës denigruese, duke krijuar atë përplasje që S. Aleksijeviç e përkufizon si “kufirin e njerëzores dhe çnjerëzores” (po aty, f.33). Ky kufi joimagjinar kalon gjithandej ambientit të spitalit, në zërat që poshtërojnë, në shterzime dhimbjesh që nuk u afrohet kujdesi i duhur, në frikën e bartëses narrative,  që ndien se në atë vend edhe lindja mund të kthehet në sprovë të dinjitetit. Romani i Ahmetit e bën të qartë se çnjerëzore nuk quhet vetëm kur vret, por edhe kur tallesh me dhimbjen, kur ia mohon tjetrit gjuhën, kujdesin, dhe respektin minimal që i takon çdo qenieje njerëzore.

Guximi i autores shfaqet edhe në pranimin e zemërimit. Romanshkruesja nuk e fsheh revoltën e saj të brendshme, madje, shfaqet si dëshmitare e dhimbjes, si zë që i regjistron ngjarjet dhe si subjekt femëror që e ka përjetuar dhimbjen e poshtërimin në trup dhe në shpirt. Ajo tronditet, ndien dhe e përbashkon dhimbjen e saj me atë të grave tjera. Me këtë lloj stili shkrimor, zemërimi i saj është pjesë e së vërtetës, prandaj shmangia do të dukej artificiale. Krejtësisht e arsyeshme është që, në raste të caktuara, etika e kujtesës të kërkojë gjuhë të ashpër, sepse edhe vetë e keqja është shfaqur pa maskë. Kjo bëhet edhe më e kuptueshme përballë një bote ku “e fismja dhe e poshtra, e thjeshta dhe mizorja” mund të bashkëjetojnë brenda së njëjtës hapësirë njerëzore, siç pohon edhe S. Aleksijeviç (po aty, f. 197). Nga kjo përbërje, rrëfimin mund ta kuptojmë edhe si dokumentim të ndjenjës, nocion që lidhet me mënyrën e dëgjimit dhe përcjelljen e dëshmive të grave nga romani i Aleksijeviçit si zëra që e bëjnë të kuptueshme një epokë prej brendsisë, me ndihmën e përvojës së dhimbshme të atyre që e kanë jetuar atë (po aty, f. 118). Edhe romani i Ahmetit dokumenton faktet e luftës me ndjenjë, dëbimit, mërgimit, si dhe peshën e tyre emocionale e shpirtërore. Kështu, lexuesi merr informacion për një periudhë kohore dhe hyn brenda përjetimit të saj, në frikën që e kishte kapluar njeriun, në turpin, mallin, dëshirën për jetë, mungesën e përkujdesjes, zemërimin dhe dhimbjen. Prandaj, ky roman do të mbetet dëshmi letrare që ruan ngjarjen dhe pulsimin e saj njerëzor.

 

Dëbimi, mërgimi dhe drama e ikjes

 

Vetë heroina e romanit nga hoteli “Maritime Plaza” në Montreal shkruan për të treguar dhe për ta lehtësuar peshën që ia rëndon kraharorin. Pavarësisht që hoteli ka luksin me dritë, rregull, pastërti, ndërkohë brenda saj jeton brenga shqetësuese për familjarët e masën e gjerë që kanë mbetur në Kosovë. Kontrast shumë i rëndësishëm, sa që aspak luksi i vendit të huaj nuk e shëron plagën e vendit të saj, mbetur diku larg kontinentit tjetër. Sado që trupi mund të ketë dalë nga rreziku, ndërsa shpirti ende banon në vendin ku shtëpitë digjen, njerëzit dëbohen, telefonatat ndërpriten dhe të afërmit qëndrojnë të rrethuar me ankthin e së panjohurës.

Në të njëjtën linjë analizimi, ky kontrast lidhet edhe me udhëtimin e personazheve në roman. Rruga, stacioni, autobusi, kufiri, aeroporti, hoteli në Kanada dhe parku në Montreal, nuk janë vetëm vende nëpër të cilat kalojnë, para së gjithash, këto vende shënojnë ndryshimin e gjendjes së tyre jetësore. Në fillim, lëvizja lidhet me jetën studentore, si fshati, Prishtina, klasat e improvizura, stacioni. Tek më vonë, e njëjta udhë merr trajtën e ikjes së detyruar dhe të mërgimit, si Kosova, Maqedonia, aeroporti, Roma, Torontoja, Montreali etj. Kështu që, udhëtimi nuk nënkuptohet vetëm si kalim prej një vend në tjetrin, por si kalim nga jeta e zakonshme në jetë pasigurie, nga shtëpia e lindjes, në strehë të përkohshme, nga atdheu në mërgim, nga frika në pritje dhe, më në fund, nga pritja në çlirim kujtimesh.

Gjurmët e përjetimeve nuk shlyhen me mbarimin e luftës ose me largimin prej atdheut, sepse personazhet vazhdojnë ta bartin të shkuarën edhe atëherë kur rrethanat e jashtme kanë ndryshuar. Pikërisht këtë qëndrim ndërmjet asaj që ka përfunduar dhe asaj që ende nuk ka marrë trajtë të plotë e shpjegon Victor Turneri si kalim të papërfunduar nga një gjendje në tjetrën (Turner, Victor. “The Ritual Process: Structure and Anti-Structure”. Chicago: Aldine, 1969). Personazhet e romanit ndodhen shpesh në prag, që domethënë as plotësisht në shtëpi, as plotësisht në vendin e huaj, as plotësisht të lirë, as të robëruar si më parë, as në luftë të drejtpërdrejtë, as në paqe të plotë. Kjo gjendje e ndërmjeme u jep personazheve tension të vazhdueshëm. Liria nuk vjen menjëherë si qetësuese, shfaqet fillimisht si lajm, më pas si mundësi kthimi, përderisa trupi dhe kujtimet vazhdojnë t’i mbajnë gjurmët e frikës.

Dëbimi i dhunshëm drejt Maqedonisë e ndryshon jo vetëm hapësirën vepruese, por edhe marrëdhënien e personazheve me nocionin e shtëpisë. Të shkëputur nga vendi i tyre dhe të vendosur në hapësirë të huaj, ata gjejnë strehë te familjet mikpritëse shqiptare, ku krijohet kronotop i ri njerëzor. Pikërisht brenda kësaj hapësire hyjnë në rrëfim Sermijeta, Zejnepja, Bukurija dhe personazhe të tjera, të cilat nuk duhet të shihen si figura dytësore në roman, por bartëse të etikës e zakonit bujar të shqiptarit. Pavarësisht që dhuna i ka nxjerrë njerëzit nga shtëpitë e tyre, mikpritja ua rikthen, qoftë edhe përkohësisht, ndjenjën e të qenit në shtëpi. Ja si e përshkruan autorja këtë mikpritje vëllazërore: “Në atë kohë lufte, ata i hapën jo vetëm dyert e shtëpive, por edhe dyert e zemrës. Ata strehonin familje të rrezikuara, pa kërkuar asgjë në këmbim, ndihmonin me ushqim, veshmbathje dhe ofronin çdo gjë që ishte e mundur për kosovarët e dëbuar nga lufta“ (po aty, f.131).

Kjo mënyrë e konceptimit të heroizmit përkon me pohimin e Aleksijeviçit se lufta nuk kërkon vetëm “heronj” dhe “bëma të pabesueshme”, por individë të zakonshëm të përfshirë nga një punë njëherësh njerëzore dhe jonjerëzore (2013, f.12). Edhe në romanin e Ahmetit, heroizmi nuk qëndron gjithnjë në veprime të bujshme, por ai shfaqet tek dyert e hapura vullnetarisht, tek fjalët qetësuese, tek gratë që mbajnë fëmijët e refugjatëve si të ishin të tyre dhe tek familjet që i presin me zemër. Ani pse duken veprime të thjeshta, të cilat në kohë lufte marrin kuptim të madh, duke treguar se njerëzorja i bën ballë çnjerëzores vetëm duke mos e humbur trajtën e vet të përditshme.

Më vonë, udhëtimi drejt Kanadasë fiton edhe një simbolikë tjetër. Qeset me veshje, çeqet për blerje, orientimi në aeroporte, udhëtimi prej një shtet në tjetrin, të gjitha krijojnë imazhin e njeriut që hyn në botën ndërkombëtare si i zhvendosur. Refugjati bashkë me valixhe, merr me vete edhe atdheun e tronditur, familjen e shpërndarë, gjuhën, frikën dhe shpresën. Një qasje mjaft tërheqëse vërehet te skenat e vogla me përkthimin e fjalëve, keqkuptimet gjuhësore dhe qeshjen, duke i treguar lexuesit se tragjikja dhe komikja jetojnë pranë njëra-tjetrës. Romani ka ndjeshmërinë ta ruajë këtë përzierje. Ai nuk e bën refugjatin vetëm figurë vajtimi, e ruan si njeri emocional që edhe mund të qeshë, mund të turpërohet, mund të habitet e mund të përshtatet.

Kanadaja shfaqet strehë dhe si pasqyrë tjetërsuese për figurat qendrore të romanit. Atje rrëfyesja sheh bar të pastër, pemë të qeta, njerëz që kalojnë pa frikë, pa ngut, pa e kthyer kokën pas, megjithëse gjithçka është e bukur, por mu kjo bukuri e trondit, sepse njeriu që vjen nga lufta e sheh qetësinë dhe të bukurën si diçka të pabesueshme.

Në pjesën kanadeze të rrëfimit, përveç tjerash autorja zhvendos vëmendjen prej rrezikut të drejtpërdrejtë te vështirësia për të jetuar pas mbarimit të luftës. Sepse njeriu tashmë pyet si të jetojë pas gjithçkaje që ka parë e përjetuar, si të gëzohet pa ndier faj, si të flejë i qetë teksa të tjerët vazhdojnë të jetojnë në ankth dhe si ta pranojë paqen kur brenda po këtij njeriu ende lëvizin hijet e luftës. Prandaj, qetësia e parkut në Montreal, përveç që pasqyron bukurinë, pasqyron edhe jetën e re që protagonistja e sheh, pa arritur ende ta përvetësojë plotësisht.

 

Lindja, dashuria dhe trashëgimia

 

Përtej domethënies së emrit, lindja hap marrëdhënie tjetër ndërmjet gruas dhe historisë në Kosovën e çliruar, se lind edhe Liria, ndodh pikëtakim i rrallë ndërmjet kohës historike dhe kohës njerëzore në roman. Resa (personazh dytësor në roman) ende nuk ia ka zgjedhur emrin së bijës, kur mjeku kujton se është 12 Qershori, dita e çlirimit të Kosovës. Pikërisht atëherë, data hyn në emër, ndërsa emri merr mbi vete sakrificën e vendit. Liria nuk emërtohet thjesht e pa domethënie të caktuar, ajo vjen në jetë në çastin kur edhe Kosova nis të dalë nga koha e robërisë. Dy lindje ndodhin njëherësh, njëra nga trupi i nënës, tjetra nga trupi i trazuar i historisë. Kështu, emri bëhet më shumë se shenjë identiteti. Ai shndërrohet në pagëzim simbolik, ku takohen fryma e parë e foshnjës dhe frymëmarrja e çliruar e një populli. Ajo që për vite kishte qenë dëshirë, mungesë, pritje dhe sakrificë, tash merr trup, dëgjohet si qarje fëmije dhe vendoset në krahët e nënës Resë. Romani e zbret Lirinë nga faqet e historisë dhe e afron me përmasën më të brishtë të jetës, me një foshnjë të posalindur, që ende nuk di asgjë për metaforikën kuptimore të emrit të vet.

Në këtë ndërvarësi, amësia del prej prapavijës historike dhe bëhet mënyrë shprehëse përballë luftës, e cila ka dëbuar njerëz, ka zbrazur shtëpi dhe ka mbjellë frikë, ka vrarë e zhdukur njerëz, lindja rivendos vijimësinë e këputur. Trupi i gruas në roman i shmanget alegorizimit zbukurues të atdheut, tekdo shfaqet në tërësinë e vet si hapësirë e gjallë e përjetimit dhe e dhimbjes.

Resa sjell në jetë një vajzë pikërisht në ditën kur vendi fiton lirinë, ndaj historia e lavdishme dhe jeta e përveçme i bashkojnë dy rrjedhat e ndara, për t’u takuar në të njëjtën datë dhe për të marrë të njëjtin emër, Liri: “Shikoi foshnjën e saj të porsalindur dhe e përqafoi si një motiv jete, si fillimin e një epoke të re, si lindjen e Pranverës Dardane! Theksoi mes buzëve shkrumb! -Sot lindi Liria!“ (po aty, f.181).

Edhe pse lindja e Lirisë nuk e fshin dhimbjen e luftës, por e vendos jetën në qendër të saj. Nga një histori dëbimi, frike dhe pasigurie, lind një emër që e mundëson një fillim tjetër, me fat të ri për kombin.

Lindja e Gresës, disa vite më vonë në Kanada, krijon një kontrast të fortë me spitalin në Kosovë. Këtu shfaqet salla e ndriçuar, kujdesi profesional, mjekë dhe infermiere që flasin butësisht, prania e bashkëshortit në sallë, dora e infermieres që e ledhaton me kujdes pothuajse amnor. Skenë e cila krahason dy botë, njërën në spital ku trupi i gruas shqiptare përçmohet dhe spitalin ku ndodhet tani, në të cilin trupi i gruas respektohet.

Lindja e Gresës është kthesë rrëfyese e rikthimit të dinjitetit, sepse aty gruaja nuk është  vetëm përballë dhimbjes, ajo ka pranë mjekun, infermieren, bashkëshortin, sistemin që e trajton me kujdes. Në vend të përçmimit ka fjalë qetësuese, në vend të frikës ka vëmendje dhe në vend të poshtërimit ka respekt. Romani në saje të këtyre treguesve, përcjell tek lexuesi se çfarë do të thotë civilizim, kuse në nivelin më konkret, mënyrën e trajtimit të një gruaje shtatzënë, një nëne që jep jetë.

Lindja e Lirisë është pikënisje e rëndësishme për ta kuptuar titullin “Liria në lotët e Gresës”. Gresa nuk është dëshmitare e drejtpërdrejtë e luftës, por vajzë e lindur në Kanada, pas ikjes nga lufta dhe pas lindjes së Lirisë në Kosovë. Titulli, në kuptimin që G. Genette i jep si prag interpretues veprës, e udhëheq lexuesin që në fillim drejt boshtit breznor të romanit, sepse bashkon në të njëjtën formulë emrin e Lirisë, të lidhur me çlirimin e Kosovës, dhe emrin e Gresës, që i përket brezit të lindur në mërgim. Kështu, vetë titulli paralajmëron kalimin e kujtesës nga përvoja e drejtpërdrejtë e luftës te përjetimi i saj i trashëguar (Genette, Gérard. “Paratexts: Thresholds of Interpretation”. Cambridge: Cambridge University Press, 1997). Liria është njëherësh emër vajze dhe shenjë e çlirimit të Kosovës, ndërsa Gresa i përket brezit të mërgimit të pasluftës, atij brezi që nuk e ka njohur luftën. Andaj ajo nuk vihet në qendër si bartëse e kujtimeve të drejtpërdrejta, por si trashëgimtare e tyre. Nëna e përjeton luftën, Liria lind në ditën e çlirimit, ndërsa Gresa qan në një kohë tjetër dhe në një vend tjetër. Pikërisht këtu qëndron mjeshtëria e ndërtimit, kujtimet kalojnë nga ata që i kanë përjetuar ngjarjet te brezi që i merr ato përmes rrëfimit, heshtjes dhe dashurisë së trashëguar. Sipas P. Ricœur, identiteti narrativ i lidh përvojat e jetës në një vazhdimësi kohore (Ricœur, Paul. “Memory, History, Forgetting”. Chicago: University of Chicago Press, 2004). Në romanin e Ahmetit, kjo linjë vazhdimësie krijohet nga nëna te vajzat, nga Kosova te Kanadaja, nga kujtimet e saj të përjetuara te ndjenja që trashëgohet dhe nga liria e fituar te loti që bart jehonë.

Lotët e Gresës bëhen jehonë e një kujtese, ardhur nga brezi i prindërve, pa ia ngarkuar foshnjës kuptimin e një historie që ende nuk mund ta njohë. E lindur në mërgim, ajo nuk e ka parë luftën, mirëpo hija e saj hyn në jetën familjare me fjalët e nënës, me emrin Liri, me mungesat, kthimet, mallin dhe heshtjet. Në këtë mënyrë, Gresa përfaqëson brezin e mërgatës që atdheun e njeh fillimisht si rrëfim, afërsi shpirtërore dhe mungesë. Për të, liria nuk është vetëm gjendje e tashme, por kujtesë e fituar me dhimbje, të cilën dikur në të ardhmen duhet ta njohë, për ta kuptuar plotësisht çmimin e lirisë njerëzore.

Dashuria ndërmjet protagonistes dhe Musës paraqitet me çiltërsi, sidomos në çastin kur ajo pranon me vete: “Sado që mundohesha ta fshihja këtë ndjenjë, por ajo ishte si ato rrezet përcëlluese që depërtojnë edhe nëpër çarjet më të vogla e të ngrohin” (po aty, f.51). Kjo ndjenjë bëhet edhe mënyrë për ta mbrojtur jetën nga ashpërsia e kohës. Takimet në Prishtinë, ecjet dorë për dore, heshtjet dhe pyetjet për takimin e radhës krijojnë një hapësirë të afërt njerëzore në mes të trazimit. Dashuria nuk e përjashton historinë dhe as e zë vendin e saj, ajo u jep personazheve mundësinë të ndihen më të plotësuara. Për ngjasim edhe Aleksijeviç shkruan se dashuria në luftë është “ngjarje e vetme vetjake” (2013, f.269), sepse gjithçka tjetër bëhet e përbashkët, madje edhe vdekja. Te Ahmeti, dashuria ruan pikërisht këtë të drejtë të njeriut për afërsi, ngrohtësi dhe jetë, edhe atëherë kur rrethanat historike e ngushtojnë nga të gjitha anët. Në këtë kontekst, Musa nuk është vetëm bashkëshort, më tepër se kaq, ai është figurë e pranishme krah saj, e kthimit, e familjes, e mbështetjes në çaste të brishta. Prania e tij në lindjen e Gresës ka rëndësi të veçantë, sepse e bën lindjen përvojë të përbashkët, jo dhimbje të izoluar të gruas. Ai është aty e kudo, gjithnjë së bashku pranë njëri-tjetrit.

Në shqyrtimin e kësaj marrëdhënieje merr kuptim edhe shprehja kuptimplote e  Aleksijeviçit se “Dashuria mbron dhe i jep njeriut fuqi për të mbetur gjallë” (2013, f.226). Edhe te “Liria në lotët e Gresës”, dashuria  reflekton forcë të brendshme që e ndihmon personazhin ta përballojë luftën. Megjithëse ajo nuk e nxjerr askënd nga lufta dhe as nuk ia largon frikën, po prapëseprapë ajo ia ruan një pjesë të qenies të papushtuar prej saj. Pikërisht në këtë afërsi të mbrojtur, jeta vazhdon të ketë kuptim dhe të zgjojë besim.

Personazhet femërore ndërtojnë në roman një bashkësi të gjerë afërsie dhe mbështetjeje. Nëna, Hasimja, motrat, vjehrra, Gynaj, Sermijeta, Zejnepja, Resa, Erëza, Liria, Gresa, gratë në spital, mikpritëset dhe infermieret kanadeze, ndonëse hyjnë në rrëfim në kohë dhe rrethana të ndryshme, lidhen nga kujdesi, afërsia dhe mbështetja që i japin njëra-tjetrës. Kështu, jeta e grave përshkon romanin nga fillimi në fund dhe krijon një vijë të qëndrueshme nhumane. Në frymën e ginokritikës së E. Showalter, e cila kërkon që letërsia e grave të lexohet nga traditat, zërat dhe përvojat që gratë vetë ndërtojnë (Showalter, Elaine. “Toward a Feminist Poetics.” In The New Feminist Criticism: Essays on Women, Literature, and Theory, edited by Elaine Showalter, 125–143. New York: Pantheon Books, 1985.)

Romani në fjalë  i Ahmetit ofron lëndë të pasur interpretimi për rolin e femrës, ngaqë këtu gruaja nuk kufizohet brenda një roli të vetëm, por ajo shfaqet si vajzë, si studente, si nënë, si vajzë e dashuruar, si grua e sëmurë, si grua shtatzënë, si refugjate, si mikpritëse, si dëshmitare, si rrëfyese dhe si mburojë kujtese. Gruaja nuk është vetëm viktimë, ani pse ajo vuan, megjithatë diçka ndërton. Ajo shumë herë trembet, megjithatë studion. Ajo poshtërohet, fyhet e dëbohet dhunshëm, megjithatë lind. Ajo edhe pse qan, megjithatë rrëfen. Ajo tretet e humb e ankthon mendimi, megjithatë i jep emër së ardhmes. Në të gjitha këto qëndron ideologjia e feminizmit të romanit, tek mënyra që vepra e vendos gruan në qendër të mbijetesës, kujtesës dhe kuptimit. Që kuptimisht do të thotë se romani e ndërton perspektivën e vet feministe duke ia besuar gruas jo vetëm përballimin e jetës, por edhe ruajtjen e kujtesës dhe interpretimin e tërë asaj që ka ndodhur.

 

Pasfjalë

 

Përmbyllja e romanit e shqipton qartë misionin e veprës. Libri synon të jetë kujtesë e gjallë, mesazh për brezat, dëshmi se rrënjët nuk duhet harruar, sepse dhimbja, kur rrëfehet, lehtëson plagët dhe bëhet ilaç shërues, ndërsa çfarë shkruhet sot, mund të bëhet dritë për të tjerët në të ardhmen. Kjo përmbyllje ka ton amaneti. Romani hap para lexuesit një album të pasur, të ruajtur nga koha, ndërsa rrëfimi bëhet përmendësohet që t’u flet brezave, për t’mos e lejuar historinë të memecohet. Në këtë pikë, fraza e Aleksijeviçit se në histori ka “faqe memece” që prekin po aq sa fjalët (2013, f.269) lidhet me përmbylljen e romanit të V. Ahmetit. Romani merr përsipër t’u japë zë pikërisht atyre faqeve të memecuara, dhomave të frikës, heshtjeve të nënave, trupave të poshtëruar, lotëve të foshnjave, pritjeve në mërgim, dhimbjeve që u i kishte ikur gjuha etj. Në këtë mënyrë, shkrimi e dëshmon forcën e gruas në luftë. Ai e bën të dukshme atë që përndryshe do të mbetej e burgosur në qelitë e kujtimeve.

Në fund, “Liria në lotët e Gresës” dëshmon se çlirimi i një vendi nuk i zbut menjëherë gjurmët që robëria dhe lufta kanë lënë në jetën e njerëzve. Liria duhet të marrë kuptim në trupat që kanë vuajtur, në emrat e dhënë, në fëmijët e lindur, në kujtimet që nuk shuhen dhe në rrëfimin që i mban të lidhura të gjitha këto. Në roman, ajo është njëherësh politike, kombëtare, familjare, femërore dhe mërgimtare. Ka datën e 12 qershorit, trupin e foshnjës së quajtur Liri, kujtimet e nënës dhe lotët e Gresës. Prandaj titulli, përtej formulimit poetik, bëhet sinteza më e ngjeshur e gjithë veprës, sepse liria e një populli vazhdon të jetojë në ndjeshmërinë e brezave që vijnë pas, ndërsa historia ruhet jo vetëm në dokumente, por edhe në kujtesën njerëzore që i jep zë, dhimbje dhe vazhdimësi. Pikërisht si nënë, protagonistja e ndien më të fortë detyrimin për t’ua përcjellë këtë kujtesë fëmijëve, kur pohon: “Por mbi të gjitha, jam nënë dhe kjo është forma më e thellë e besimit tek e ardhmja” (po aty, f. 209).

Aleksijeviç shkruan se gjithçka “Duhet bërë e njohur dhe duhet kumtuar e gjitha. Që në ndonjë pjesë të botës të mund të dëgjohen ende klithmat tona” (S. Aleksijeviç, “Lufta nuk ka fytyrë gruaje”, f.376), me qellim që zëri i atyre që e kanë përjetuar luftën të mos shuhet në heshtjen e kohës. Romani i Valbona Ahmetit i përgjigjet kësaj domosdoshmërie jo duke rindërtuar vetëm ngjarje historike, por duke ndjekur mënyrën e pranishme të ndërgjegjes, trupit dhe marrëdhënieve familjare të atyre që e kanë përjetuar. Vlera e romanit të saj qëndron pikërisht nga zhvendosja historike si fakt te historia si pasojë njerëzore. Lufta nuk paraqitet vetëm si diçka që i përket së shkuarës, por që vazhdon të jetë e pranishme, si përmbajtje e cila vazhdon të kërkojë gjuhë rrëfyese, vesh për dëgjim dhe përgjegjësi morale. Në këtë kuptim, përmbyllja e romanit, sipas së cilës rrugët “kalojnë nga një zemër në tjetrën, nga një brez në tjetrin” (po aty, f.209), e ngre kujtesën mbi kufijtë e dëshmisë vetjake dhe e shndërron në detyrim ndaj së ardhmes. Kështu, rrëfimi nuk mjaftohet me ruajtjen e asaj që ka ndodhur, por kërkon të ndikojë edhe në mënyrën e kuptimit të lirisë për brezat e mëvonshëm, dhimbjen dhe përgjegjësinë e tyre ndaj atdheut dhe historisë kombëtare.

 

Bibliografi

 

Ahmeti, Valbona. Liria në lotët e Gresës. Prishtinë: Shtëpia Botuese URA, 2026.

Aleksijeviç, Svetlana. Lufta nuk ka fytyrë gruaje. Prishtinë: Buzuku, 2013.

Islamaj, Shefkije. Ligjërimi, gjuha dhe stili. Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2021.

Musliu, Ramadan. Kritikë letrare. Vëll. III. Prishtinë: Botime Koliqi, 2023.

Bakhtin, Mikhail. The Dialogic Imagination: Four Essays. Austin: University of Texas Press, 1981.

Beauvoir, Simone de. Seksi i dytë, Përvoja e jetuar, vëllimi i dytë, shqipëroi N. Lera, Shtëpia botuese “Çabej”, Tiranë, 2002.

Cixous, Hélène. The Laugh of the Medusa. Signs, vol. 1, no. 4, 1976.

Genette, Gérard. Paratexts: Thresholds of Interpretation. Cambridge: Cambridge University Press, 1997.

Lejeune, Philippe. Le pacte autobiographique. Paris: Seuil, 1975.

Mulvey, Laura. Visual Pleasure and Narrative Cinema. Screen, vol. 16, no. 3, 1975.

Ricœur, Paul. Memory, History, Forgetting. Chicago: University of Chicago Press, 2004.

Showalter, Elaine. Toward a Feminist Poetics. The New Feminist Criticism: Essays on Women, Literature and Theory. New York: Pantheon Books, 1985.

Turner, Victor. The Ritual Process: Structure and Anti-Structure. Chicago: Aldine, 1969.

 

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page