Fatmir Terziu: Bakraçi
- 2 days ago
- 3 min read

Historia po hyn në heshtje. Po hyn si një bakraç i vjetër. Ashtu, i lënë në cep të oborrit, i nxirë nga zjarri, por ende i aftë të mbajë ujë. Edhe pse ka zhurmë, duket heshtje. Kjo e habitshme. Habia? Po. Pikërisht kur kupton se sendet e zakonshme dinë më shumë për një komb, sesa tribunat e politikës. Bakraçi nuk flet. Ai nuk mban konferenca shtypi. Nuk kërkon duartrokitje. Ai vetëm mban atë që i hidhet brenda. Ujë, qumësht, verë, hir, lot. Njësoj edhe shoqëritë. Ato mbajnë brenda vetes durimin, shpresën, revoltën dhe, kur mbushen përtej masës, fillojnë të derdhen. Shqipëria e ditëve të sotme të jep pikërisht këtë ndjesi. Në një anë sheshet mbushen me njerëz që protestojnë, secili me arsyet e veta, secili me barrën e vet, secili me bakraçin e vet të mbushur me pakënaqësi. Në anën tjetër, pushteti vazhdon ritmin e zakonshëm, sikur zhurma e rrugëve të jetë vetëm një tingull i largët që nuk meriton as të dëgjohet.
Në këtë kontrast të fortë, ardhja e një ylli të muzikës rap u shndërrua, për shumë njerëz, në një simbol më të madh se vetë koncerti. Jo për faj të artistit. Arti nuk është armik i askujt. Muzika nuk ka përgjegjësi për krizën politike. Por sepse, ndërsa qytetarët kërkonin përgjigje, vëmendja publike u zhvendos drejt spektaklit. Në histori kjo ka ndodhur shpesh, kur pyetjet bëhen të vështira, dritat e skenës ndizen më fort. Edhe romakët e lashtë e njihnin këtë formulë. "Bukë dhe cirk" nuk ishte vetëm një politikë argëtimi, ishte një mënyrë për ta bërë zhurmën e tribunës më të fortë se zërin e qytetarit. Por historia ka treguar se asnjë spektakël nuk ka zgjatur më shumë se durimi i një populli.
Shpërfillja është ndoshta forma më e rafinuar e arrogancës. Nuk është fjala e rëndë ajo që plagos më shumë. Është heshtja që sillet si përgjigje. Është buzëqeshja që kalon pranë dhimbjes pa u ndalur. Është bindja se pushteti nuk ka më nevojë ta dëgjojë qytetarin, sepse është mësuar të dëgjojë vetëm jehonën e vet. Ballkani ka njohur plot bakraçë të tillë. Në Serbi, gjatë protestave të mëdha, qytetarët kanë parë shpesh një klasë politike që sillej sikur sheshi të ishte vetëm një dekor televiziv. Në disa vende të rajonit, arroganca është maskuar si vendosmëri, ndërsa dialogu është zëvendësuar me monologun e pushtetit. Europa nuk ka qenë imune. Franca, gjatë protestave të "Jelekëve të Verdhë", përjetoi momente kur hendeku midis institucioneve dhe qytetarëve u bë aq i madh, sa rrugët dukej se flisnin një gjuhë tjetër nga pallatet qeveritare. Në Britani, debatet e ashpra rreth Brexitit zbuluan se edhe demokracitë më të konsoliduara mund të bien në grackën e mosdëgjimit reciprok.
Përtej Atlantikut, historia amerikane ka treguar se çdo administratë që fillon ta konsiderojë kritikën si zhurmë dhe jo si sinjal, herët a vonë përballet me një realitet më të fortë se çdo strategji komunikimi. Demokracia nuk rrëzohet zakonisht nga një goditje e vetme. Ajo lodhet nga përsëritja e indiferencës. Sepse pushteti ka një zakon të vjetër: sa më gjatë të qëndrojë në majë, aq më pak dëgjon tingujt që vijnë nga poshtë. Ai fillon të besojë se duartrokitjet janë zëri i vetëm i kombit. Ndërkohë, bakraçi në oborr vazhdon të mbushet. Askush nuk e kupton çastin kur pika e fundit bie në të. Nuk ka sirenë. Nuk ka lajmërim. Vetëm një derdhje e papritur, që duket e papritur vetëm për ata që nuk kanë dashur ta shohin.
Në letërsinë popullore shqiptare bakraçi nuk është simbol luksi. Ai është simbol i shtëpisë. I bukës. I përditshmërisë. Ai nuk zbukuron sallonet, ai ushqen familjen. Prandaj edhe metafora e tij është kaq e fuqishme, kur bakraçi boshatiset, nuk është problemi i enës, është problemi i sofrës. Një qeveri mund të organizojë festa. Mund të sjellë artistë të famshëm. Mund të ndërtojë skena madhështore. Mund të prodhojë imazhe spektakolare. Por asnjë projekt komunikimi nuk e zëvendëson dot ndjenjën se qytetari është dëgjuar. Në fund të fundit, historia nuk i mban mend gjatë fishekzjarrët. Ajo mban mend heshtjet. Mban mend arrogancën që nuk deshi të dëgjonte. Mban mend sheshet që folën kur institucionet pushuan së dëgjuari. Dhe bakraçi, ai send i zakonshëm, vazhdon të presë në cep të oborrit. I heshtur. I nxirë nga koha. Besnik ndaj kujtesës. Dijeni se sendet nuk harrojnë. Nuk harrojnë as popujt.








Comments