top of page

Ruzhdi Gole:    Blu –  gri – blu

  • Jul 14
  • 2 min read


    (cikël poetik)

FARËZA 

 

Një stinë e vetme më djeg 

edhe në ftohmë

më përvëlon veç një stinë,

e hershme pema 

me fruta 

shpejt e vonë

 

…ajo pemë tani çel thinj…

 

VETMOHIM 

 

Asnjanës 

ndaj rrëmujave 

asnjanës ndaj shkelmit,

asnjanës

ndaj proletarëve 

rreckamanë të rreshtit,

asnjanës ndaj trumbetave

ndaj moshën aspak joshëse

ndaj himneve lapidare     

gënjeshtra 

të përkohshme,

asnjanës ndaj krismave

me plumb e me qejfe 

asnjanës ndaj njeriut

helmuar prej të vetëve.

 

Më shpejt se vdekja 

paskam tjetër vdekje.

 

POSTË DHE KOPSHT

 

Gëzohem në kopsht,

në kopshtin 

aromë frutash, 

gëzohem 

rreth postës 

uji shpërndan letra

me rreze e ojmë

të lagura

jo të squllura.

 

Gëzohem 

nga fantazia e gjetheve

të cilat përqafen tek pema,

gëzohem dhe nga vdekja

(vërtet është e bukur?)

nga vdekja që të merr 

jo emrin por therrmat.

 

KOMETË

 

Rashë 

dashje pa dashje 

tek grackat e gradave

shpejt 

e urreva fytyrën tjetër 

e imja ish… afër kometës.

 

…dashjepadashje…

 

PA METAFORË

 

Shquaj erën që fiket, shterr në gjinj, 

shquaj dritën që digjet nga flokët, 

shquaj  gurin që flet 

për atin në brinjë 

 

shquaj ullinjtë pa paqe 

me kokrra plumbi 

në torbë.

 

Shquaj ylberin mpakur që kërcen 

pa asnjë ritmikë, metaforë,

shquaj Vlorën 

që të ngjeth

ngjethet

 

detin e endjeve 

pirë paprerë

 

pak nga pak            

mrekulli 

e gjorë.

 

Shquaj erën që rritet, dritën...

LËNDIM

 

Betohem

për asgjë nuk betohem

veç njerëzorëve u kërkoj ndjesë,

të pabesëve u besova armët 

rojat edhe trojet 

shpendin mëngjes.

 

Mëngjesi kraharoi, 

punëmbarat ia behën 

me nektar të ri 

plot thumba, 

të pabesët i njoha 

ata i përlanë

i shkelmuan hojet 

i vranë bletët e urta.

 

Veç njerëzorëve 

u kërkoj besë

për shpendin

mëngjes. 

SHENJË

 

S’mund të eci më tej… por

edhe pak hapa më duhen 

të mbërrij tek vendi i dëshiruar,

s’mund t’i hedh më tej sytë…por 

duhet t’i picërroj të shoh 

ku më është fshehur 

kunadhja

e mbrëmjes, 

krahun e paskam ngritur 

e po i bëj shenjë udhës

t’i hap sytë para humnerës

lënduar nga duart

penduar nga rëniet.

 

Mbrëmja e mbarë s’qenka sonte

por më e mbara, jo me ëndrra 

por me vrulle të reja, 

 

njësoj dhe ndryshe 

nga ata që dashuruan

 

dashurojnë sot 

dëshiruar 

degë

paprera.

 

Ku është fshehur 

kunadhja

e mbrëmjes ? 

NDJESI, NDJESË 

 

Katundi s’duket terr as kthjellët

dritaret rrallë pulitin qerpikët

porta ngrys pis,

 

pjergulla rrudh buzët 

s’ka dorë njeriu 

veriget t’ia vjelë, 

marramendja

kund s'qeton

fërfëllizë.

Këtu

pak gjindje … fle

shpejt pallë ariu

buzë perëndimit 

i gjithi musht,

ujërave kush 

meloditë 

s’ua ndihu, ngrinë 

ndjesë pastë 

ndjesë askush…

 

Pa ardhur dimri 

çuditërisht na afrohen

verige ciklonesh në breg,

 

atje atje tej shoh portin

portin e rrudhur pa koje

me gjys’ rreze në tëmth

gjys’ cigare në vesh.

 

TYMËRA

 

Oxhaku shfryn keq nga brinjët

guf e gulçe pluhurin dinak,

 

mesnata 

nxjerr nga xhepat

veten tinëz … kontrabandë.

 

Fabrika 

rrahur keq 

prej vjedhësve

 

përvuajtje gjer në sakrificë,

 

gjysma 

e urisë

një kokërr veze 

 

kokë e shtypur ajo e lavdisë.

 

Në mesnatë rrugnaja

nxjerr kartmonedhat 

për t’argalisurin 

mik armik 

zot argat,

 

ai që vritet sonte 

do të ngjallet

nesër

 

hero kontrabandë…

 

 

Mesnata 

nxjerr nga xhepat

një plumb, një krodhe fat...

SEKONDA

 

Xixa 

nga një xixëllimë ...

Më shumë sy rreze

nesër 

do të rrezatojnë

për dimrin e përtërirë

jo aq borëtar në të nesërmen…

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page