top of page

Bujar Qesja: Miqësia që mban erë deti

  • 1 day ago
  • 6 min read

Katër kostume qytetarie në një fotografi

-Miqësia që mban erë deti

Nga BUJAR QESJA

Ka raste, kur koha vendos të ndalet për një çast. Nuk ndalet për të numëruar vitet, sepse ato ikin pa pyetur askënd. Ndalet për të bërë bilancin e jetëve, që kanë lënë gjurmë. Një fotografi, e realizuar pak ditë më parë më solli pikërisht këtë ndjesi. Katër burra, u ulën pranë njëri tjetrit, me qetësinë që të fal vetëm ndërgjegjja e pastër. Nuk kishte nevojë për prezantime, për tituj apo dekorata. Secili mban mbi supe biografinë e vet, të shkruar jo me bojë, por me punë, përkushtim dhe qytetari.

Nuk janë thjesht katër miq. Janë katër jetë, që kanë kaluar përmes arsimit, ushtrisë, administrimit shtetëror, letërsisë, gazetarisë dhe kulturës. Janë katër njerëz, që kanë ditur të japin më shumë sesa të marrin.

Dhe pikërisht për këtë arsye, fotografia nuk është më kujtim i zakonshëm. Është një copëz historie e Durrësit. Në të nuk shihen vetëm fytyra. Shihen karaktere. Shihen sakrifica. Shihen ideale. Shihet ai kostum i padukshëm, që nuk qepet në rrobaqepësi, por në ndërgjegjen e njeriut. 

Në atë fotografi nuk shihen vetëm Kadri Tarelli, Shpendi Topollaj, Petraq Konduri dhe Bujar Qesja. Aty shihen katër rrugë jete, që kryqëzohen në një pikë të përbashkët, qytetaria. Qytetaria nuk blihet, nuk trashëgohet dhe nuk fitohet me një dekret. Ndërtohet çdo ditë, në mënyrën si punon, si flet, si respekton tjetrin, si sillet me qytetin ku jeton dhe si e lë pas emrin tënd. Pikërisht këtë kostum, kanë veshur prej dekadash këta katër miq.


Kadri Tarelli mësuesi që nuk e mbylli kurrë librin


Në pamje, nga e majta: Kadri Tarelli, Petraq Konduri, Shpendi Topollaj dhe Bujar Qesja.
Në pamje, nga e majta: Kadri Tarelli, Petraq Konduri, Shpendi Topollaj dhe Bujar Qesja.

Më i madhi në moshë mes nesh është Kadri Tarelli, i lindur në prillin e vitit 1943 në Devoll. Por prej vitit 1954, kur familja u vendos në Durrës, u bë pjesë e pandarë e jetës arsimore dhe kulturore të qytetit.

Mbetet nga ata mësues, që nuk e trajtuan arsimin vetëm profesion, por edhe mision. Për afro gjysmë shekulli, edukoi breza nxënësish, drejtoi shkolla, krijoi modele pune dhe fitoi respektin e kolegëve. Medalja "Naim Frashëri",  nuk ishte thjeshtë një dekoratë. Ishte mirënjohja e një shteti për një edukator, që kishte bërë detyrën me ndërgjegje.

Por Kadriu, nuk u mjaftua me klasën. Kur doli në pension, nisi tjetër mision. Pena u bë dërrasa e zezë e re. Publiçistika, kritika letrare, poezia, monografitë dhe esetë e tij, janë tashmë pjesë e fondit kulturor të Durrësit dhe jo vetëm. Vazhdon të lexojë, të studiojë, të botojë dhe të promovojë vlerat, duke mbetur gjithmonë njeri i thjeshtë, i matur dhe larg çdo protagonizmi.

Vlerësimet pikante e bëjnë Kadri Tarellin, të vështroj me kënaqësi rrugëtimin krijues. Çertifikatë "Noble Star for literature”, nga Akademia Kombëtare e Artit dhe Kulturës në Indi. Veçohet motivacioni,  “Kjo çertifikatë i paraqitet zotit Kadri Tarelli, poet, autor, botues, dhe veprimtar shoqëror. Për njohjen e kontributit të tij në letërsinë dhe kulturën botërore".

 Dhjetra çertifikata të tjera vlerësimi dhe mirënjohje, i janë dhënë në konkurse, organizma letrare, shoqërore dhe shtetërore. Në konkursin poetik “Ora e poezisë”, Tropojë, maj 2018, vlerësohet me “Çmim special”. Në konkursin poetik, zhvilluar në Itali, Qershor 2022, vlerësohet me çmim internacional.

Në një kohë kur shumë njerëz lodhen nga puna, Kadri Tarelli vazhdon të lodhet vetëm nga mosleximi.


Petraq Konduri administratori me fytyrë njerëzore


Petraq Konduri, i lindur në vitin 1947, është tjetër emër që ka lënë gjurmë në administrimin e Durrësit. Rruga profesionale është ndërtuar mbi ekonominë, organizimin dhe përgjegjësinë. U vendos në Krujë në pozicionin e gazetarit të gazetës “Kastrioti” dhe në vitin 1976-të, transferohet në Durrës si Kryetar i Degës së Planit në Parkun Automobilistik të Mallrave. Më pas u thirr në Tiranë, ku caktohet Drejtor i Drejtorisë së  Plan-Investimet në Ministrinë e Komunikacionit, ku ministër ishte i mirnjohuri Luan Babameto. Kjo detyrë, kërkonte jo vetëm njohuri profesionale, por edhe vizion zhvillimi.

Në vitin 1988-të, rikthehet në Durrës si nëndrejtor dhe më pas drejtor i Portit Detar, detyrë që e mbajti deri në vitin 1991. Historia do ta vinte përballë sfidave më të mëdha të tranzicionit shqiptar, eksodit dramatik të marsit të vitit 1991. Në ato ditë të vështira, kur mijëra shqiptarë, mbushën kalatat e portit me shpresën për një jetë tjetër, Petraq Konduri nuk ishte vetëm administrator. U kthye në  njeriun që duhej të merrte vendime në minuta, mes presionit politik dhe përgjegjësisë njerëzore. Bëri të mundur rikthimin e ekuipazheve në anije, shmangu bllokimin e portit dhe ndihmoi që situata, të mos shndërrohej në tragjedi edhe më të madhe.

Më pas drejtoi Shërbimin Social të Qarkut Durrës-Krujë, duke vazhduar të mbetet pranë njerëzve. Por Petraq Konduri, nuk njihet vetëm për detyrat që ka mbajtur. Është biri i Stefan Kondurit, një prej shqiptarëve që i mbijetoi kampin nazist të Mauthausenit. Rrëfimet për babanë, nuk i ka përdorur për lavdi personale, por për të mbajtur gjallë kujtesën historike. Është një detyrim moral, që e ka kryer me krenari.

Në jetën familjare, ka në krah shkrimtaren dhe veprimtaren e njohur Myzejen Çullhaj Konduri. Së bashku, kanë ndërtuar një familje ku kultura, libri dhe qytetaria mbeten pjesë e përditshmërisë.


Shpendi Topollaj ushtaraku që fitoi betejën me penën


Edhe Shpendi Topollaj, i përket vitit 1947. I lindur në Berat, por qytetar i Durrësit prej më shumë se pesë dekadash, është nga personalitetet më të shumëanshme që ka njohur qyteti. Jeta e tij, është ndarë mes uniformës dhe letërsisë. Në ushtri u dallua si oficer i përgatitur, komandant dhe drejtues me kulturë të gjerë. Por padrejtësitë politike që goditën familjen, ndikuan edhe në karrierën ushtarake. Për shumë vite, u mbajt larg detyrave që meritonte.

Shpendi ka ”fluturuar” i sigurtë në shumë pozicione pune, duke vulosur në to karakterin dhe përkushtimin e një burri të rrallë, me kulturë dhe vizion gjurmëlënës. Mbaroi disa shkolla ushtarake, mori titullin nënkolonel, përfundoi studimet për Drejtësi, duke i dhënë mundësi të punojë për disa vite edhe në Gjykatën e Rrethit.

I angazhuar në detyra të tjera shoqërore, deri në Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, drejtues i bordit artistik në teatrin “A. Moisiu”, sekretar i shoqatës së intelektualëve durrsakë, drejues i titullit “Ambasador i Paqes” për qytetin, e mjaft detyra të tjera të rëndësishme.

Megjithatë, nuk lejoi që paudhësia të fitonte mbi karakterin. E shndërroi dijen në armën më të fortë. Pas viteve nëntëdhjetë, Shpendi Topollaj u bë nga emrat më prodhimtarë të letërsisë bashkëkohore shqiptare. Poezi, romane, novela, tregime, kritikë letrare, ese, publiçistikë. Një krijimtari e jashtëzakonshme, e vlerësuar brenda dhe jashtë vendit, deri në marrjen e çmimit ndërkombëtar "Pushkin".

Por kush e njeh nga afër, nuk flet së pari për shkrimtarin. Flet për njeriun. Për mikun besnik, për organizatorin e dhjetëra veprimtarive kulturore, për njeriun që i ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës, promovimit të figurave të harruara dhe mbrojtjes së kujtesës historike.

Një gazetar mes miqve të tij

Në atë fotografi jam edhe unë. Nuk më pëlqen të shkruaj për veten. Gjithmonë kam menduar, se gazetari duhet të jetë pas fjalës dhe jo para saj. Që nga mesi i viteve shtatëdhjetë, gazetaria u bë udha ime. Kam pasur privilegjin të studioj, të jem koleg, mik dhe bashkëudhëtar me emra të shquar të publiçistikës dhe letërsisë shqiptare si Skënder Hasko, Jamarbër Marko, Nexhati Tafa, Tomor Jollldashi, Dilaver Baxhaku, Apostol Duka, Arqile Ndini, Demokrat Anastasi, Zamira Koleci, Hysni Milloshi dhe shumë të tjerë, që i dhanë shkëlqim fjalës së shkruar.

Titulli "Mjeshtër i Madh", që më është akorduar, është nderim që e mbaj me mirënjohje. Por dekorata më e çmuar mbetet fakti, që edhe sot, pas më shumë se pesë dekadash gazetari, vazhdoj të shkruaj për njerëzit e këtij qyteti, për historitë e tyre dhe për kujtesën që nuk duhet të shuhet.

Përfundimi

Fotografia nuk do të mbetet, sepse aty janë katër burra në moshim. Do të mbetet, sepse aty janë katër jetë të mbushura me kuptim. Kadri Tarelli, vazhdon të mbjellë dije. Petraq Konduri, vazhdon të mbrojë kujtesën dhe humanizmin. Shpendi Topollaj, vazhdon të pasurojë letërsinë shqipe me penën e palodhur. Ndërsa unë, vazhdoj të besoj, se gazetaria ka një mision të vetëm, të mos lejojë që njerëzit e mirë të harrohen.

Ndoshta pas shumë vitesh, kur asnjëri prej nesh të mos jetë, kjo fotografi do të vazhdojë të flasë. Nuk do të tregojë, se cili ishte më i njohuri, cili kishte më shumë tituj, apo cili mbajti poste më të rëndësishme. Do të tregojë diçka shumë më të madhe.

Se në një qytet buzë “Adriatikut”, jetuan katër burra që nuk kërkuan lavdi. Kërkuan vetëm të bënin mirë punët e tyre. Dhe ia dolën. Sepse njeriu, nuk matet me vitet që mbart mbi supe. Matet me dritën që lë pas. Dhe kjo pamje do ta kryejë këtë mision.

Bujar Qesja

Durrës: 14 korrik 2026 

 


Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page