Fejzulla Berisha: Kosova duhet ta fitojë betejën diplomatike, jo vetëm t’i përgjigjet asaj

Sovraniteti shtetëror nuk mbrohet vetëm duke iu përgjigjur diplomacisë së Serbisë, por duke ndërtuar një diplomaci të aftë për të krijuar iniciativa, aleanca dhe rezultate në të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
Kosova ndodhet përballë një prej sfidave më të rëndësishme të konsolidimit të shtetësisë së saj: kalimin nga një diplomaci kryesisht reaguese në një diplomaci aktive, të artikuluar dhe strategjikisht të orientuar. Për një shtet që ende përballet me mosnjohje nga një numër shtetesh dhe me një politikë të vazhdueshme të Serbisë për ta kontestuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, diplomacia nuk mund të jetë vetëm mekanizëm reagimi. Ajo duhet të jetë instrument i sovranitetit.
Kosova nuk duhet të presë se çfarë do të bëjë Serbia për të përcaktuar se çfarë do të bëjë vetë. Një shtet serioz nuk e ndërton politikën e jashtme vetëm mbi kundërpërgjigje. Ai ndërton strategji, përcakton objektiva, krijon partneritete, zhvillon iniciativa dhe e vendos veten në qendër të proceseve që lidhen me interesat e tij.
Prandaj, çështja themelore nuk është vetëm se si Kosova duhet t’i përgjigjet diplomacisë së Serbisë. Pyetja më e rëndësishme është: çfarë diplomacie duhet të ketë Kosova për të mbrojtur dhe avancuar interesat e veta shtetërore?
Përgjigjja duhet të jetë e qartë: Kosovës i duhet një diplomaci aktive, profesionale, juridikisht e argumentuar, politikisht e koordinuar dhe strategjikisht e orientuar.
1. Diplomacia nuk mund të jetë vetëm reagim
Në marrëdhëniet ndërkombëtare, reagimi është i domosdoshëm, por nuk është i mjaftueshëm. Një diplomaci që pret iniciativën e kundërshtarit dhe pastaj reagon ndaj saj, në mënyrë të pashmangshme ia lë palës tjetër avantazhin e përcaktimit të agjendës.Kjo është pikërisht ajo që Kosova duhet ta shmangë.
Serbia ka ndërtuar prej vitesh një politikë të jashtme të orientuar drejt kontestimit të shtetësisë së Kosovës, ndikimit te shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, pengimit të anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare dhe paraqitjes së çështjes së Kosovës si një problem ende të hapur të rendit ndërkombëtar.
Kosova nuk mund të mjaftohet duke iu përgjigjur çdo deklarate, note diplomatike apo iniciative të Beogradit.
Nëse Serbia dërgon një mesazh diplomatik, Kosova nuk duhet të kufizohet vetëm në kundërpërgjigje. Ajo duhet të ketë një politikë të vetën që e ka ndërtuar shumë më herët. Nëse Serbia lobon në një shtet, Kosova duhet të jetë atje përpara saj. Nëse Serbia zhvillon një fushatë diplomatike në një rajon, Kosova duhet të ketë tashmë një strategji të konsoliduar për atë rajon.
Diplomacia aktive fillon aty ku përfundon diplomacia reaktive.
Kjo nuk nënkupton një diplomaci konfliktuale. Përkundrazi. Diplomacia aktive është më e matur, më profesionale dhe më e fuqishme, sepse nuk udhëhiqet nga emocionet e momentit, por nga objektivat afatgjata të shtetit.
2. Kosova duhet ta ndërtojë agjendën e saj
Shteti i Kosovës duhet ta ketë një strategji të qartë të politikës së jashtme, e cila nuk ndryshon sa herë ndryshon qeveria.
Interesat themelore shtetërore duhet të jenë mbi interesat partiake.
Një strategji e tillë duhet të përcaktojë objektivat kryesore të Kosovës në planin ndërkombëtar: konsolidimin e njohjeve, forcimin e marrëdhënieve me aleatët strategjikë, anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, avancimin e integrimit euroatlantik, forcimin e subjektivitetit juridik ndërkombëtar dhe promovimin e një imazhi të Kosovës si shtet demokratik, funksional dhe i përgjegjshëm.
Në këtë kuadër, diplomacia e Kosovës duhet të bëhet më shumë se diplomaci protokollare.
Ajo duhet të jetë diplomaci e objektivave.
Çdo ambasadë dhe çdo përfaqësi diplomatike duhet të ketë objektiva konkrete. Çdo diplomat duhet të dijë se cilat janë interesat e shtetit që përfaqëson dhe cilat rezultate priten prej tij.
Kosova nuk ka nevojë vetëm për më shumë diplomatë. Ka nevojë për diplomatë që dinë të prodhojnë rezultate.
3. E drejta ndërkombëtare duhet të jetë një nga shtyllat kryesore të diplomacisë së Kosovës
Kosova ka një argument juridik ndërkombëtar që nuk duhet të mbetet vetëm në tekstet universitare apo në deklaratat politike.
Opinionin këshillimor të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010 Kosova duhet ta trajtojë si një element të rëndësishëm të strategjisë së saj juridiko-diplomatike.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, në opinionin e saj këshillimor të 22 korrikut 2010, arriti në përfundimin se deklarata e pavarësisë së Kosovës e 17 shkurtit 2008 nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Ky përfundim nuk e zgjidhi automatikisht të gjithë çështjen e njohjeve apo të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare. Por ai përbën një element juridik me rëndësi të veçantë dhe duhet të përdoret në mënyrë më sistematike në diplomacinë ndërkombëtare.
Këtu qëndron një nga dobësitë e diplomacisë kosovare: një argument juridik me peshë nuk mjafton nëse nuk shndërrohet në strategji diplomatike.
E drejta ndërkombëtare nuk funksionon në vakum. Ajo interpretohet, argumentohet, prezantohet dhe promovohet përmes institucioneve shtetërore dhe diplomacisë.Prandaj, Kosovës i duhet një diplomaci juridike.
Jo diplomaci që vetëm citon dokumente, por diplomaci që di t’i shpjegojë ato para shteteve, organizatave ndërkombëtare, institucioneve akademike dhe opinionit publik ndërkombëtar.
4. Diplomacia e njohjeve duhet të rikthehet si prioritet strategjik
Njohja ndërkombëtare nuk duhet trajtuar si statistikë.
Çdo njohje është zgjerim i hapësirës së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Por njohjet nuk vijnë vetëm nga deklaratat publike. Ato ndërtohen përmes marrëdhënieve politike, ekonomike, juridike, kulturore dhe njerëzore.
Kosova duhet të hartojë një hartë të re diplomatike të botës.Duhet të identifikojë shtetet që ende nuk e kanë njohur, arsyet e mosnjohjes, interesat e tyre strategjike, marrëdhëniet e tyre me Serbinë, me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara dhe me rajonet përkatëse.Pastaj duhet të ndërtohet qasje specifike për secilin shtet.Nuk ekziston një formulë e vetme për të gjitha vendet.
Një diplomaci moderne duhet ta dijë se çfarë argumenti funksionon në Uashington, çfarë argumenti funksionon në Bruksel, çfarë argumenti funksionon në një shtet të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine apo në rajonin e Paqësorit.
Kosova duhet të kalojë nga diplomacia e përgjithshme te diplomacia e specializuar.
5. Serbia nuk duhet të jetë qendra e politikës së jashtme të Kosovës
Ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm konceptual.
Serbia është një faktor i rëndësishëm në politikën e jashtme të Kosovës, por nuk duhet të jetë qendra e saj.
Nëse politika e jashtme e Kosovës ndërtohet vetëm mbi raportin me Serbinë, atëherë Serbia, në mënyrë indirekte, përcakton agjendën e Kosovës.Kjo duhet të ndryshojë.Kosova duhet të ketë marrëdhënie me botën jo vetëm sepse ekziston Serbia, por sepse Kosova është shtet me interesat e veta, me popullsinë e vet, me ekonominë e vet, me pozitën e vet gjeopolitike dhe me përgjegjësitë e veta ndërkombëtare.
Prandaj, diplomacia e Kosovës duhet të flasë më shumë për Kosovën dhe më pak vetëm për Serbinë.
Kosova duhet t’u shpjegojë partnerëve ndërkombëtarë se çfarë ofron si shtet, çfarë kërkon, çfarë kontributi mund të japë dhe çfarë roli dëshiron të luajë në Evropë dhe në hapësirën euroatlantike.
Një shtet forcohet ndërkombëtarisht kur të tjerët fillojnë ta shohin jo vetëm si çështje, por si aktor.
6. Diplomacia duhet të lidhet me ekonominë
Diplomacia moderne nuk është vetëm politike.Kosova duhet të përdorë diplomacinë ekonomike për të tërhequr investime, për të hapur tregje, për të zhvilluar marrëdhënie tregtare dhe për të krijuar interesa të ndërsjella me shtetet partnere.
Sa më shumë interesa ekonomike të krijohen ndërmjet Kosovës dhe shteteve të tjera, aq më të fuqishme bëhen edhe marrëdhëniet politike.
Ambasadat nuk duhet të jenë vetëm vende të ceremonive diplomatike. Ato duhet të bëhen qendra të promovimit ekonomik, kulturor, akademik dhe teknologjik të Kosovës.Kjo dhe është diplomaci e shekullit XXI.
7. Diaspora duhet të bëhet pjesë e strategjisë diplomatike
Kosova ka një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor jashtë vendit.
Diaspora shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe vende të tjera ka krijuar lidhje politike, ekonomike, akademike dhe shoqërore që mund të shërbejnë si ura të fuqishme ndërmjet Kosovës dhe vendeve ku jeton.
Por ky potencial duhet të organizohet institucionalisht.Diplomacia shtetërore dhe diplomacia e diasporës nuk duhet të funksionojnë të ndara.
Institucionet duhet të ndërtojnë mekanizma për bashkëpunim me profesionistët, profesorët, juristët, biznesmenët, gazetarët dhe figurat publike shqiptare që kanë ndikim në vendet ku jetojnë.
Kjo nuk duhet të jetë lobim spontan.Duhet të jetë diplomaci e organizuar e interesit shtetëror.
8. Akademia dhe e drejta duhet të hyjnë më fuqishëm në diplomaci
Kosova ka nevojë për një sistem ku diplomatët, juristët në të drejtën ndërkombëtare, profesorët universitarë, historianët, ekonomistët dhe ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare punojnë së bashku.
Diplomacia e shekullit XXI kërkon dije të specializuar.Në veçanti, Kosova duhet të investojë në përgatitjen e ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, të drejtës evropiane, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë.
Duhet të krijohet një kulturë institucionale ku para çdo beteje të rëndësishme diplomatike përgatitet një dosje e plotë: juridike, politike, historike, ekonomike dhe komunikative.Kështu, diplomacia bëhet më e argumentuar dhe më pak improvizuese.
9. Marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në duhet të jenë strategjike, jo vetëm deklarative
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
Por marrëdhëniet strategjike nuk ndërtohen vetëm përmes deklaratave të miqësisë.Ato kërkojnë komunikim të vazhdueshëm, koordinim institucional dhe diplomaci profesionale.
Diplomacia e mirë nuk është vetëm të kërkosh. Është edhe të dëgjosh, të kuptosh dhe të ofrosh.
Kosova duhet të ndërtojë një politikë të jashtme që i bind partnerët se forcimi i shtetësisë së Kosovës është në interesin e stabilitetit evropian dhe euroatlantik.
Kjo kërkon argumente të qarta, institucione të besueshme dhe një qasje të qëndrueshme shtetërore.








Comments