Lumnie Thaçi-Halili: ERINITË E HESHTURA TË KOHËS SONË
- 35 minutes ago
- 13 min read

(Ese shoqërore-filozofike rreth vrasjeve të grave)
“Mua nuk më mbrojtën heshtjet e mia. As juve nuk do t’ju mbrojë heshtja juaj.”
(Audre Lorde)
Brenda pak ditësh, në hapësirën shqiptare (Kosovë e Shqipëri), dëgjuam tri kumte të kobshme: u vranë tri gra, ku dyshohet se dy vrasje u kryen nga bashkëshortët dhe njëra nga i biri. Në Malishevë, J. F., 25-vjeçare dhe në javën e 34 të shtatzanisë, humbi jetën nga arma e zjarrit dhe tashmë dihet që bashkëshorti i saj është dorasi i kësaj ngjarjeje makabre. Në Prizren, një tetëdhjetëvjeçare, e njohur publikisht vetëm me inicialet L. D., dyshohet se u vra nga burri i saj, duke ia zënë frymën me forcën e duarve. Në Zhymë të Lushnjës, F. D., po ashtu tetëdhjetëvjeçare, u vra brenda shtëpisë, për krimin dyshohet i biri. Të tria e humbën jetën nga dora e njerëzve të familjes dhe u gremisën në humnerën e pakthyeshme, mu aty ku afërsia duhej të nënkuptonte mbrojtje e jo rrezik për nënën, bashkëshorten a gruan në përgjithësi, aty ku ajo duhej të ishte e sigurt, ngase ne familjes i kemi dhënë metaforën e strehës-çerdhe, ndërsa atë vetë e kemi quajtur mbretëreshë në perandorinë e quajtur familje.
Më erdhi rëndë t’i numëroja lumëzezat tjera që janë vrarë vetëm gjatë këtij viti. Nuk desha t’i ktheja në shifra, ngaqë numri nganjëherë e qetëson ndërgjegjen duke e mbyllur tmerrin brenda aritmetikës. Prandaj veçova tri rastet më të fundit, të cilat i vendosin gratë në dy skajet e kohës njerëzore, me më të renë e cila mbante brenda trupit një jetë që priste të shihte dritën, ndërsa dy të tjerat që kishin përshkuar pothuajse tërë udhën e tyre mbi tokë.
U goditën jetët e tyre , njëra në agim dhe dy të tjerat në muzg. Nusemira në prag të amësisë, me frytin që pritej ta gëzonte familjen, kurse dy të tjerat në pleqërinë e thellë që duhej t’i gjente të rrethuara nga përkujdesja, kur udha e tyre po i afrohej paqes së përhershme. Asnjëra prej tyre nuk mundi t’i shpëtonte dorës që, në vend të mbrojtjes, u solli vdekjen. Nga trupi ku një jetë e palindur numëronte rrahjet e para, deri te flokët e thinjur që ruanin kujtime të shumta të një jete të tërë, shtrihet i gjithë harku i qenies grua. Kjo javë e përgjakshme e përshkoi atë hark nga agimi deri në muzg dhe na la përballë një të vërtetë rrëqethëse, që duhet pranuar, se në shoqërinë tonë, gruaja nuk është e sigurt në asnjë stinë të jetës.
Si grua, unë dhe simotrat e mia nuk mund ta pranojmë gjuhën që këto krime i ndryn brenda shprehjes së zbrujtur, thjesht si “tragjedi familjare”. Tragjedia, në kuptimin e saj të lashtë, lind nga përplasja e njeriut me fatin, mirëpo këtu fati nuk ka dorë. Këtu vepron një etje për sundim, një dorë që godet, një armë që shkrepet dhe, përballë këtyre, një vargan i gjatë heshtjesh që e ka ushqyer burrin me bindjen se afërsia i jep të drejtën e pronësisë. Edhe shprehja “krim pasioni” e falsifikon natyrën e krimit, duke i dhënë dhunës një shkëlqim që nuk i përket. Pasioni mund të krijojë e të përvëlojë, madje ta çojë njeriun deri në rrënimin e vet, veçse vrasja e gruas lind nga etja për pushtet, nga tërbimi i atij që nuk e duron dot praninë e saj jashtë kufijve të vullnetit të tij. Për pasojë, në etapën vijuese padrejtësisht gjuha ia zbut emrin krimit, ajo i end vrasësit perden e arsyetimit dhe hedh mbi viktimën hijen e dyshimit, duke mos e kursyer as nga përçmimi e fajësimi, madje as nga njollosja morale.
Të gjithë ne nuk mund ta shpërfillim të vërtetën se, gratë nuk vriten vetëm në çastin kur mbi to shkrepet arma. Vrasja zë fill shumë më herët, në terrinën ku dhuna ende nuk ka marrë ngjyrën e gjakut, qëparë kur vullneti i gruas quhet kryeneçësi, kundërshtimi mosmirënjohje, largimi tradhti, heshtja virtyt dhe bindja dashuri. Ajo zë fill e zgripton kur burri i jep vetes të drejtën të caktojë kufijtë e trupit të saj, të masë kohën e saj, t’ia përzgjedhë miqtë, t’ia kontrollojë punën, t’ia mbikëqyrë fjalën dhe t’ia ngushtojë frymëmarrjen. Prandaj, plumbi, grushti a sqepari janë vetëm vulosje e përgjakshme e urdhrit që patriarkati shqiptar e ka gdhendur ndër breza, duke thënë “Ti më përket mua dhe me ty bëj ç’të dua.”. Sot, këtë urdhër duhet ta shkulim nga rrënjët e ndërgjegjes sonë, sepse gruaja nuk është pronë që fitohet a humbet, gruaja është botë më vete, së cilës askush nuk mund t’i shpallet pronar.
Sa larg kemi mbetur nga njerëzorja, na e dëshmon, paradoksalisht, edhe bota antike. Me gjithë mizorinë e saj, ajo e kuptonte se disa krime nuk përfundonin te trupi i viktimës, sepse çartnin vetë rendin e gjithësisë. Kur Oresti vrau të ëmën, Klitemnestrën, pas tij u lëshuan Erinitë (Eumenidet). Ato nuk përfaqësonin ligjin e shkruar të qytetit, as drejtësinë e matur me afate e procedura, ndonjëherë merrnin rolin e drejtësisë së pashkruar të gjithësisë, e ngritur për të mos e lënë gjakun e nënës pa përgjigje. Në përfytyrimin e lashtë grek, ai gjak nuk humbiste në dhe. Zgjonte fuqitë e nëndheshme, hynte në gjumin e vrasësit dhe përballësonte kundër tij mbarë botën. Vrasja e asaj që e kishte sjellë në jetë kërkonte një ndëshkim përtej masës njerëzore, sepse dora e ngritur mbi nënën kishte goditur vetë amën e jetës.
Nga terrina e mitit grek, vështrimi kalon në korridoret e përgjakshme të pushtetit romak, te figura e Neronit. Sipas Tacitit dhe autorëve të tjerë antikë, perandori urdhëroi vrasjen e nënës së vet, Agripinës, e më vonë, në një shpërthim zemërimi, goditi bashkëshorten shtatzanë, Popea Sabinën, duke i shkaktuar vdekjen. Leximi bashkëkohor kërkon rezervë, ngase burimet që na e përcollën këtë histori ishin thellësisht armiqësore ndaj Neronit dhe vdekja e Popeas nuk pranohet njëzëri si vrasje e vërtetuar. Megjithatë, rrëfimi e ruan të paprekur tmerrin e vet simbolik, sidomos përballë asaj që po ndodh sot tek ne. Historiografia antike bashkoi në figurën e Neronit dy mohime të jetës, të parin mohim atë të birit që shuan prejardhjen duke vrarë të ëmën, Agripinën, dhe bashkëshortin që këput pasardhjen duke vrarë Popean shtatzanë. Dora e tij u ngrit kështu mbi dy brigjet e ekzistencës, mbi burimin prej nga kishte ardhur dhe mbi jetën e palindur që do ta çonte gjakun përtej tij.
Në këtë zonë të mjegullt ku historia prek legjendën qëndron edhe Periandri i Korintit, tirani për të cilin thuhet se, në një shpërthim zemërimi, vrau bashkëshorten shtatzanë, Melisën. Miti grek e sjell krimin edhe në kahun e përmbysur të Medeas, e cila vret fëmijët për ta goditur Jasonin atje ku dhimbja nuk njeh shërim. Asnjë prej këtyre figurave nuk mund të vendoset si barazim i thjeshtë përballë vrasjeve tona, për shkak se miti nuk dëshmon si arkivi, ai depërton në humnerat e qenies dhe zmadhon impulset që njeriu përpiqet t’i fshehë nga vetja. Prej andej na vjen paralajmërimi se pushteti, sapo humbet cakun moral, kërkon të sundojë jo vetëm mbi trupin e tjetrit, po edhe mbi lidhjet prej nga vijmë, jetën që mbartim dhe brezat që ende presin të lindin.
Atë që miti e pasqyronte në përmasën e llahtarit, në ditët tona ka marrë emrin dhe trupin e grave të vërteta. Me vrasjen e gruas shtatzanë nuk shuhet vetëm një jetë, por i pritet udha edhe një ardhjeje tjetër. Brenda saj bashkëjetonin dy kohë, gruaja që merrte frymë në të tashmen dhe fëmija që, në fshehtësinë e trupit amnor, po përgatitej të hynte në botë. Ndërkaq te dy gratë e moshuara, dhuna goditi dy jetë që bartnin secila nga tetëdhjetë vjet përvojë njerëzore, të mbushura me lindje e humbje, punë e pritje, uri e përkushtime, vite lufte dhe fytyra të ruajtura nga harresa. T’i vrasësh në pleqëri do të thotë që duart, të cilave mund t’u kenë shërbyer një jetë të tërë, t’ua kthejnë përkujdesjen me mohimin më mizor. Kështu, tri vrasjet e kësaj jave e goditën jetën si në çastin kur ajo po përgatitej të vinte, ashtu edhe në kohën kur meritonte të prehej e qetë mes mirënjohjes së të vetëve.
Përballë lashtësisë, koha jonë mbetet pa alibi. Ndërgjegjja mitike krijoi Erinitë, sepse nuk mund të pranonte që vrasësi i nënës të flinte i qetë nën të njëjtin qiell ku kishte derdhur gjakun e saj. Ndërsa ne, pas mijëra vjetësh qytetërim, kemi krijuar lajmin njëditor. Gruaja vritet, shoqëria shkundullohet për disa orë, portalet mbushen me fotografinë e viktimës, institucionet prodhojnë fraza të përmortshme dhe, dalëngadalë, vëmendja i dorëzohet zhurmës së radhës. Përderisa të lashtët lëshonin pas vrasësit hyjneshat e hakmarrjes, ne nxjerrim disa deklarata dhe e lëmë viktimën të tretet në harresë, duke na treguar më të cekët se miti në qytetërim dhe gjithashtu më të varfër në ndërgjegje.
Nga lashtësia, syri i mendimit zbret në shtresat e rendit zakonor mesjetar shqiptar, ku patriarkati u jetësua edhe në normë. Mirëpo, ta bëjmë të ditur që dhuna e sotme nuk buron drejtpërdrejt nga Kanuni dhe do të ishte historikisht e cekët për ne që t’ia ngarkonim një teksti zakonor të vjetër tërë fajin e sotëm të burrit modern. Pavarësisht që edhe pasi një kod e humb autoritetin e dikurshëm, hijet e tij mbeten në gjuhë, zënë vend në zakone dhe depërtojnë në përfytyrimin familjar të nderit.
Në Kanunin e Lekë Dukagjinit gjendet formula e rëndë “Grueja âsht shakull per me bajtë” (Shtjefën Konst. Gjeçov, Kanuni i Lekë Dukagjinit: vepër postume, përmbledhë e kodifikue prej A. Shtjefën Konst. Gjeçov, O.F.M., me parathânë të A. Gjergj Fishtës dhe biografi të A. Pashk Bardhit (Shkodër: Shtypshkroja Françeskane, 1933), Libri III, “Martesa”, Nye XXIX, f.18). Kjo fjali ngërthen një përfytyrim të cunguar të gruas, të ulur nga qenie që mendon e zgjedh në enë që bart dhe duron. Trupit të saj i njihet vetëm vlera e funksionit, ndërsa vetëdija i mbetet pa zë brenda pragut të shtëpisë së burrit.
Është e pamohueshme, se Kanuni kodifikoi një botë ku nderi fliste me zë burri, prona mbetej në duart e burrave dhe gruaja përfaqësohej nga të tjerët, sikur të mos kishte vullnet të vetin. Ta bëjmë atë fajtorin e vetëm, megjithatë, do të thotë t’i ndërtojmë burrit të sotëm një alibi të gatshme. Vrasësit e këtij shekulli që jemi nuk jetojnë në një hapësirë pa ligje, pa shkolla, pa informacion dhe pa institucione. Ata jetojnë nën një kushtetutë që shpall barazinë, pranë universiteteve që përhapin dije, mes rrjeteve sociale dhe një ligjërimi të përditshëm, duke e dashur Europën si cak qytetërimi. Kur ngrenë duart mbi gratë, ata nuk po i binden verbërisht një neni mesjetar, sepse po e zgjedhin vetë tagrin më të errët të sundimit patriarkal. Mesjeta, në këtë rast, ka mbaruar së qeni datë historike dhe është bërë errësirë që vazhdon të jetojë brenda njeriut modern sot.
Dëbimi i kësaj Mesjete nga mendja fillon me çlirimin e gruas prej figurave që e kanë përkufizuar gjithnjë në raport me burrin. Gruaja e sotme nuk mund të shihet më as përmes alegorisë biblike të brinjës, as përmes metaforës kanunore të enës. Ajo nuk është pjesë e shkëputur nga trupi i burrit, as “shakull” për të bartur farën, barrën, turpin ose nderin e fisit. Është qenie e plotë, vetëdije sovrane, mendje që krijon e gjykon, zë intelektual, e zonja e punës dhe e fatit të vet. Barazia nuk është dhuratë që burri ia jep, por është e drejtë që ekziston përpara miratimit të tij.
Epërsinë mashkullore nuk e mbajnë gjallë vetëm duart që godasin, atë e ushqen edhe butësia e rreme e fjalëve që e maskojnë kontrollin si dashuri, si kur thuhet “e ruan”, “e mban afër”, “është xheloz se e do”, “burri duhet duruar” etj. Të tilla shprehje ia mbulojnë dhunës fytyrën e vërtetë dhe e shfaqin brenda familjes e shoqërisë sikur të ishte përkujdesje. Në këtë rend epërsie, gruaja mësohet ta arsyetojë atë që e lëndon, kurse burri ta përjetojë lirinë e saj si poshtërim. Ai mendon se e humb autoritetin kur ajo vendos vetë, kurse ajo mendon se e humb dinjitetin në qoftë se largohet. Kështu ndërtohet një peshore e shtrembër, ku krenaria e cenuar e njërit vihet përballë jetës së rrezikuar të tjetrës, sikur të kishin të njëjtën peshë.
Edhe dashurinë duhet ta çlirojmë nga keqkuptimi patriarkal. Dashuria nuk vë roje, nuk kontrollon telefonin, nuk ndalon miqtë, nuk e bën xhelozinë provë përkushtimi dhe nuk e shndërron martesën në leje pronësie. Ajo e njeh tjetrin si të lirë edhe kur liria e tij mund të largohet. Burri që nuk e përballon këtë mundësi nuk dashuron, atëherë administron frikën e vet përmes jetës së gruas. Dora e ngritur s’ka të bëjë fare me epërsinë fizike, përkundrazi dëshmon dështimin moral të atij që, i paaftë për bashkëbisedim me një të barabartë, kërkon t’i japë argument trupit me forcë.
Mes fjalëve që ia fshehin dhunës fytyrën, më e përfolura është “nderi”. Dhe kur nderi I tillë cenon jetën e gruas, ai pushon së qeni virtyt dhe bëhet turpi i burrnisë, djallëzisht i fshehur nën emrin e traditës. Një kulturë e mirëfilltë nuk e dëshmon vlerën e saj duke ruajtur çdo padrejtësi arkaike të trashëguar, më së miri dëshmon pjekuri kur ka forcën morale ta gjykojë vetveten. Ta duash trashëgiminë shqiptare do të thotë të dallosh brenda saj atë që na fisnikëron nga ajo që na mban të lidhur me prapambetjen. Prej saj duhet ta flakim çdo normë që e dënon gruan të jetojë si pronë, barrë a hije. Tradita që ia mbyll derën kritikës nuk e ruan të shkuarën, vetëm se e burgos të tashmen brenda saj.
Heshtja që sot e mbulon dhunën brenda shtëpisë ka një histori shumë më të dhimbshme për shumë familje shqiptare në Kosovë. Në të shkuarën tonë të afërt, fatkeqësisht trupi i gruas u përdor si territor ku pushteti ushtarak serb gjatë luftës shkroi mesazhe frike, poshtërimi dhe hakmarrje. Në luftë, zezona e dhunës seksuale nuk është vetëm krim ndaj një individi apo disave, për mynxyrë ajo bëhet armë për ta goditur familjen, bashkësinë dhe kombin përmes trupit të gruas. Gjatë luftës në Kosovë, gra dhe vajza shqiptare iu nënshtruan dhunës seksuale nga pjesëtarë të forcave ushtarake serbe. “Human Rights Watch” dokumentoi se këto krime nuk ishin raste të rralla e të izoluara, sepse përdhunimi dhe format e tjera të dhunës seksuale u përdorën si mjete lufte dhe terrori kundër popullsisë civile shqiptare (Kosovo: Rape as a Weapon of “Ethnic Cleansing”, Human Rights Watch, 2000). Për vite me radhë, shumë prej tyre edhe sot, të mbijetuarat bartën e bartin traumën e krimit dhe njëherësh peshën e turpit që një pjesë e shoqërisë ua ngarkoi atyre, në vend që ta linte mbi përdhunuesit.
Këtu zbulohet njëra prej padrejtësive më të ulëta të rendit patriarkal, sepse krimin e kryen përdhunuesi, ndërsa turpi i bartet gruas që e ka pësuar. Armiku e përdori trupin e saj si mjet poshtërimi dhe, kur lufta mbaroi, ajo u përball edhe me gjykimin e të vetëve. Në këtë botë s’ka padrejtësi më të madhe se në luftë të të merret siguria, ndërsa në paqe të të kërkohet heshtja. Njohja ligjore e statusit të të mbijetuarave erdhi vetëm pesëmbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, me Ligjin nr. 04/L-172, të publikuar në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës”, nr. 26, më 23 prill 2014, ku procedurat e njohjes dhe të verifikimit u përcaktuan më pas me Rregulloren e Qeverisë nr. 22/2015, të miratuar më 30 dhjetor 2015. Vuajtja e tyre priti me vite që shteti të gjente më në fund gjuhën juridike për ta emërtuar. Deri atëherë, ligji heshti dhe dhimbja mbeti pa emër. Një plagë e paemërtuar nuk mbyllet dot, vetëm se detyrohet të dhembë në heshtje për to.
Ne e kremtuam paqen e fituar me sakrifica të mëdha dhe me një luftë të lavdishme çlirimtare, që erdhi si fryt i gjakut të derdhur për liri dhe i një qëndrese që ia ktheu vendit dinjitetin e nëpërkëmbur. Mirëpo, të ekzaltuar nga hareja e fitores, harruam të shihnim nëse çdo grua e ndiente veten të lirë edhe brenda shtëpisë së vet. Flamujt u ngritën, uniformat e pushtuesit u zhdukën dhe fatmirësisht lindën institucionet tona, mirëpo dhuna nuk u zhduk plotësisht. Ajo mbeti e gjallë pas disa dyerve të mbyllura, ku grushtet vazhduan punën e armëve dhe frika ruajti ritmin e luftës. Paqja bëhet e rrejshme kur liria e fituar për vendin ndalet te pragu i shtëpisë dhe nuk arrin deri te gruaja, e cila vazhdon të jetojë brenda saj si nënrrethim.
Një vend mund të mos ketë më fronte, mund të ketë kushtetutë e institucione, dhe prapëseprapë, nën një çati të zakonshme, sundon ndonjë perandor i vogël plangprishës, i bindur se martesa i ka falur mbretërinë e pushtetshme mbi gruan.
Për gruan, paqja fillon vetëm kur dera e shtëpisë nuk e mbyll brenda frikën, kur policia e dëgjon me vëmendje para se të bëhet viktimë, kur gjykata nuk e mat rrezikun me optimizmin e rutinës, kur familja nuk e kthen te dhunuesi për hir të “fëmijëve” ose të “faqes së bardhë”, kur puna i jep pavarësi dhe shoqëria nuk e paragjykon as e dënon për largimin. Paqja nuk nënkuptohet vetëm kur nuk ka krisma në shesh, fushë e mal, mbi të gjitha paqja është kur ke siguri.
Në anën tjetër, një shoqëri si e jona që pas aktit të krimit pyet menjëherë “Çfarë kishte bërë ajo?”, apo hamendësimi “Duhet t’ketë bërë diçka...?” përpara se të pyesë “Kush ia dha atij të drejtën e pushtetit mbi jetën e saj?”, vazhdon ta marrë në pyetje të vdekurën dhe ta ushqejë sedrën e vrasësit. E për rrjedhojë çdo hollësi nga jeta e viktimës bëhet provë e mundshme kundër saj me pyetje të tilla si pse qëndroi, pse u largua, pse foli, pse heshti, pse e denoncoi, pse nuk e denoncoi... Ndërtohet gjyqi absurd ku e vetmja që nuk mund të mbrohet është gruaja e vrarë, ndërkohë që vrasësi ka avokat, ajo ka lënë vetëm biografinë e shpërndarë në sy të shqyer lexuesish nga kureshtja publike.
Institucionet tona mbajnë përgjegjësi të madhe faji, sepse paralajmërimet gjithmonë humbin nëpër sirtarë, ndërkohë që as shoqëria nuk mund të qëndrojë në rolin e spektatores së pafajshme. Fqinji që dëgjon britmën dhe e quan “punë çifti”, familjari që e këshillon për të duruar, medie që e materializon viktimën në imazh të konsumueshëm për klikime dhe politikani që shfaqet vetëm përpara kamerave, të gjithë endin, secili me fillin e vet, pelerinën e bashkëfajësisë nën të cilën dhuna fshihet, merr frymë e rritet. Për faktin se jo çdo heshtje është vrasje, por shumë vrasje rriten brenda heshtjes. Pikërisht përballë kësaj heshtjeje, fjalët e Audre Lorde tingëllojnë sikur të ishin shkruar për kohën dhe shoqërinë tonë: “Mua nuk më mbrojtën heshtjet e mia. As juve nuk do t’ju mbrojë heshtja juaj.” (Audre Lorde, “The Transformation of Silence into Language and Action”, shih në Sister Outsider: Essays and Speeches, Trumansburg, New York: The Crossing Press, 1984, f.41).
E megjithatë, në anën tjetër të këtij realiteti, nuk vuajmë nga mungesa e zërit, sepse hapësira jonë publike është e tejmbushur me britje ulëritëse. Aq sa prej mëngjesit deri në mbrëmje dëgjojmë lloj-lloj replika, kundërreplika, akuza, debate studiosh, konferenca, patriotizma konsumuese dhe llapaqenëri politike, që të gjitha na shiten si çështje të mëdha kombëtare. Çka e bën të vërtetën të kuptueshme se jemi pushtuar nga politika, kurse vrasja e një gruaje mezi e prish heshtjen e një mbrëmjeje. Politika na ka zaptuar dëgjimin, ndërsa mendësia e sundimit mashkullor na e ka mpirë ndërgjegjen. Për të keqen tonë, jemi një publik që zemërohemi shumë për pushtetin e tronditemi pak për jetën e marrë.
Vajtimi është njerëzor, mirëpo nuk mund të mbetet fjala jonë e fundit. Lotët u përkasin dhimbjes së familjarëve, ndërsa përgjegjësia na përket të gjithëve. Një shoqëri që qan gratë e vrara dhe njëkohësisht i rrit djemtë me bindjen se burrëria dëshmohet përmes urdhrit, po përgatit në heshtje vajtimin e radhës. Djalit duhet t’i mësohet se gruaja nuk është pronë për t’u sunduar, as qenie e dobët që pret mëshirën e tij, por e barabarta pranë së cilës ai duhet të dijë të jetojë. Ta mbrosh gruan nga dhuna nuk do të thotë t’i falësh lirinë, do të thotë të mos lejosh askënd t’ia marrë atë. Liria e gruas nuk është vetëm çështje e jona gjinore, mbi të gjitha pasqyron kufirin moral ku matet njerëzorja e një shoqërie.
Në mit, Erinitë nuk lejonin që gjaku i nënës së vrarë të harrohej. Në historinë tonë të afërt, të mbijetuarat e dhunës së luftës i dhanë zë asaj që shoqëria e politika kishte kërkuar ta mbulonte me heshtje. Sot, emrat e grave të vrara nuk duhet të konsumohen si lëndë njëditore e kronikës së zezë, por duhet të nguliten fuqishëm si kufi moral përtej të cilit një shoqëri humb të drejtën ta quajë veten të qytetëruar. Sepse aty ku gruaja vritet nga ai që duhej ta dashuronte e ta mbronte, familja brenda asaj shtëpie pushon së qeni strehë dhe paqja pushon së qeni e vërtetë. Dhe përfundimisht, në një vend si i yni, kur llomotitjet politike bëjnë më shumë jehonë se gjaku i grave të vrara, nuk janë gratë ato që kanë mbetur në margjinat e qytetërimit, duhet pranuar se është qytetërimi ynë që është vetëdëbuar nga njerëzorja. Prandaj, na dëgjoni, na dashuroni pa na zotëruar dhe mbrojeni lirinë tonë! Mos na vrisni!
Prishtinë,
Fundgusht 2026








Comments