top of page

Llesh NDOJ: Rreth romanit “Velloja e Kryqëzuar” e autorit kosovar Prend Ndoja


KUR RRËFIMI ARTISTIK TË NGËRTHEN NË SHTJELLËN E VET


Nga Llesh NDOJ


        Shtysa drejt leximit të një vepre letrare artistike mund të vije nga rrethana dhe faktorë të ndryshëm, mund t’i qasesh asaj nga emri i autorit, nga ato çfarë të tjerët kanë shkruar rreth saj, apo si një detyrim, qoftë ky shoqërorë, apo për të realizuar një referim të caktuar ndaj saj. Rasti më fatlum është të lexuarit e një romani, novele, drame apo poezie, realizohet për të shuar etjen e brendshme tënden, kur leximi të bëhet një nevojë apo pjesë integrale e jetës tënde, si dhe ushqim i përditshëm i shpirtit. Ndërsa qasja ndaj leximit të një vepre letrare, apo hyrja në aktin sublime të leximit, mund të vije si shtysë e një apo disa nga faktorët e sipërcituar, dhe jo vetëm ata, akti i leximit në vetvete, rrjedha e tij dhe ajo që të mbetet në kujtesë postlexim, deri tek qasja për t’iu rikthyer asaj në një kohë tjetër, nuk mund të jenë rastësi. Kjo varet tërësisht nga gjuha e autorit, nga shtjella e ngjarjeve në vepër dhe nga mesazhi që përcjell ajo. Ndërsa ka vepra që “leximi nuk ecën”, që bëhen “ilaçi” më i sigurtë për pagjumësinë, që shpesh nuk i shkohet dot deri në fund një vepre, e nëse i shkon, asgjë s’të mbetet në kujtesë. Por ka vepra që të përfshinë në shtjellën e ngjarjeve që pasqyrojnë, e lexuesi noton nëpër faqet e librit si në rrjedhën e një lumi, herë mes dallgësh e herë në vanaje më të qeta, por duke mbetur gjithnjë pjesë e tij. Por qasja ndaj një vepre letrare të shkruar, apo hyrja në lexim, mund të jetë edhe rastësi.

      Autorin Prend Ndoja, shkrimtarin kosovar që jeton në SHBA prej dekadash, e njoha në rrethana të rastësishme, nga ana ime. Them nga ana ime, sepse nga ana e tij ky takim ishte i planifikuar. Ai kishte dëgjuar për takimin letrar që u organizua për të promovuar pjesë nga krijimtaria ime në Klinë, nën organizimin e Forumit të Intelektualëve “Luigj Gurakuqi” nën kujdesin e autoriteteve komunale atje, me 17 maj 2025, dhe kishte mbërritur aty si një dashamirës i letërsisë. U prezantuam fizikisht, pasi virtualisht ishim miq në facebook prej kohësh dhe kishim shkëmbyer edhe ndonje koment reciprokisht ndaj postimeve të njëri - tjetrit, sidomos atyre letrare, por kurrë nuk ishim takuar më parë. Shkëmbyem në takimin e Klinës përshëndetje dhe konsiderata reciproke, por dhuruam edhe libra. Veç librave të tjerave ai më dhuroi edhe romanin e tij të parë, botuar në vitin 2024 nga “Lena Grafik” Prishtinë, të titulliar “Velloja e Kryqëzuar”. Romani “Velloja e Kryqëzuar”, ishte një botim simpatik për nga paraqitja, lidhja e pamja, që nuk iu desh gjatë “të presë radhën” e leximit në bibliotekën time. Por “detyrimi” apo vetëdetyrimi im do të përfundonte këtu, nëse rrjedha e ngjarjeve të shtjelluara bukur nga autori nuk do të më “rrëmbente” si pa e kuptuar, nuk di kur do t’a përfundoja leximin, e nuk di a do më kishte mbetur gjë në mendje për t’i shkruar këto radhë. Me një renditje gati lineare të ngjarjeve të trajtuara, me personazhe që vetiu të bëhen të dashur, romani “Velloja e Kryqëzuar” e autorit Prend Ndoja, të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një romancier të sprovuar, ndonëse ky është romani i tij i parë. Lexuesi e ndjen veten “në lëkurën” e personazheve të librit, rritet bashkë me ta, qesh e gëzon me ta, por edhe loton me ta, gjë që e mban atë të lidhur me rrëfimin, e ai rrëshqet pa asnjë vështirësi nga faqja në faqe, nga ngjarja në ngjarje. Ngjarjet zhvillohen në dy vende ekstremisht të largëta fizikisht, sa në Kosovën e martirizuar, aq edhe në Amerikën e bekuar, vende që i lidh jo vetem emigracioni i hershëm dhe i vonë, por edhe ndihma e pakufizuar e shpëtimtare e SHBA ndaj Kosovës, duke e nxjerr atë përfundimisht nga kthetrat sllavo – komunisto - shoviniste të Milosheviçit. Gjithë vepra, sjellë situatën në Kosovë, kryesisht në vitet e nëntëdhjeta, kohë kur shtypja serbe e genocidi ndaj shqiptarëve atje arriti kulmin e vet, gjë që solli edhe rritjen e revoltës së tyre e vetëdijen e lartë se rruga e vetme e shpëtimit ishte heqja qafe e regjimit millosheviçjan me të gjitha mënyrat e pavarësisht sakrificave që kjo do të kërkonte. Autori, për t’a bërë rrëfimin të bukur dhe të ndjeshëm, por edhe për të nxjerr në pah më mirë dhunën serbe, ka vënë në qendër të subjektit të romanit dy të rinj, Lisin dhe Erën, që rriten e shkollohen dhe dashurohen bashkë, por që dashurinë e tyre nuk mund t’a shijojnë dhe konsumojnë lirisht, pasi regjimi vë në shenjestër Lisin - student për t’a arrestuar, thjesht dhe për shkak se ai kishte shfaqur përkrahje të hapur ndaj Naimit, mësuesit të letërsisë, që rregjimi e kishte diferencuar si person me rrezikshmëri të lartë.

     Personazhet e librit vijnë nga nje fshat malor e tradicional Kosovar, ku “Çdo njeri e kishte frikë turpin,…” (faqe 12), ku dy të rinjtë bien në dashuri pa faj, ndonëse për vite të tëra udhëtonin bashkë nga shtëpia në shkollë, si dy shokë thuajse të pa ndarë dhe ku Lisi ishte edhe mbrojtësi më i madh i Erës. Momenti i ndjesisë ndryshe mes tyre, vjen përpara mbrëmbjes së matures, kur dy të rinjtë ishin ulur në një lëndinë buzë lumit për të pushuar dhe si padashur syri i djalit rrok gjinjtë e harlisur të vajzës dh si të zënë në faj, që të dy skuqen… Tëk të dy sundonte dëshira për t’i propozuar njëri – tjetrit, por këtë e shtyjnë për në mbrëmbjen e maturës, duke lundruar në mëdyshje, se a duhet t’i besojnë zemrës apo traditës, e cila mund t’a merrte këtë ngjsrje edhe si besëprerje, megjithatë kjo nuk ndodhi as aty. Familjet e tyre njiheshin me kohë e të rinjtë i mundonte fakti, në se dashuria e tyre mund të quhej edhe si një besëprerje. Por ndjenjat bëjnë të tyren e dashuria tejkalon pengesat psikologjike e familjare pasi prindërit e tyre, Mali - babai i Lisit, i shtyrë në moshë dhe i sëmurë, e ëma Eliza dhe prindërit e Erës, Shkëmbi e Liria, e pranojnë dashurinë e tyre. Zoti e kishte bekuar lindjen e saj, prindërit gjithashtu, të rinjtë duheshin, por regjimi shovinist, nuk e lejon atë të rrjedhë normalisht në udhën e bekuar prej perëndisë… Të rinjtë vazhdojnë universitetin, ndihmojnë njëri - tjetrin, diplomohen, duhen pa masë, por edhe porositin fustanin e bukur të nusërisë.

      Në këtë moment ngjarjet rrokullisen trishtueshëm. Lisi kishte propozuar që në lëndën e letërsisë në shkollë, të futej humori si pjesë e studimit të saj, duke e ilustruar me një gojëdhënë: Takohen në një urë të ngushtë një gjarman, i cili mbante në dorë “Kapitalin” e Karl Marksit dhe një Italian, që mban në dorë Biblën. Gjermani i thotë italjanit, se “Proletariati është varrmihësi i borgjezisë”, duke iu referuar Kapitalit, ndërsa italiani i tregon Biblën dhe i thotë: - Kush i hap varrin tjetrit bie vetë brenda! Mësues Naimi e qoi propozimin në drejtori, por ai propozim u refuzua nga drejtori, pasi “përbënte rrezik” për rendin e vetë mësuesi u bë pjesë e regjistrit të gjatë të strukturave të UDB - së dhe kanaleve të errëta të sigurimit. Kaq mjaftoi që mësues Naimi të largohej nga puna e t’i nënshtrohej procedurave kriminale policore. Në prezantimin e mësueses së re Liljanës, drejtori e mbyll me sentencën: “Kujdes nga humori”, duke parë drejt në sy Lisin. Ky ishte sinjali, që edhe Lisi si mësues Naimi do të bëhej kontigjent syrvejimi i organeve të Sigurimit, si irredentist e nxitës i revoltave antisistem. Por Lisi i shton akoma më shumë “të keqes”. Ai shkon t’a takojë mësues Naimin në qeli, ku nuk e lejojnë, e prej aty shkon të kërkojë leje takimi në gjykatë, në emër edhe të një grupi nxënësisht të tjerë. Në gjykatë i kërkojnë listën e emrave të nxënësve që donin t’a takonin mësuesin e tyre, por intuita e tij e shpëton nga një veprim i tillë. Edhe në mbrëmbjen e maturës ai thotë se “ishin me fat që në mbrëmbjen e maturës kishin edhe policë të ftuar”, duke bërë me shenjë nga një grumbull sish në fund të sallës. Fati e deshi që Bilbili, një ndër shokët e tij më besnikë, përmes një njeriut të vet, të bjerë në gjurmët e dokumentit policorë e të hetuesisë, ku urdhërohej arrestimi i të dyve, duke përcaktuar edhe datën e mënyrën e veprimit për secilin. Ja thotë këtë Lisit dhe i propozon largimin e përkohëshem drejt SHBA - ve, duke marrë përsipër edhe shpenzimet, dokumentet fallso për kalimet kufitare, pritjen atje etj.

   Këtu bota e Lisit përmbyset. Priste fillimin e punës qe t’u gjendej pranë prindërve të vjetër e të sëmurë, ëndërronte Erën me vello nusërie në ditën e caktuar të dasmës, e tash i duhej ose t’i linte të gjitha, ose të pranonte burgun. Më së shumti e mundonte Besa. E ndjente se mund të merrej si besëprerje dashuria me Erën, e tash duhej t’a “priste në besë” edhe atë, duke e lënë, atëherë kur të dy pritsnin kurorëzimin e dashurisë së tyre. Momentet më kulmore vijnë, kur mes këtyre dilemave Lisi vendos të pranojë propozimin e Bilbilit dhe kur këtë i duhet t’ia thoshte Erës. Tronditja e tyre kalon në ndërgjegjësim e të dy bashkë, me këmbënguljen e Erës, “konsumojnë” edhe natën e parë të martesës, aty në lëndinën buzë lumit, ku kishin përjetuar shkëndijën e parë të dashurisë. Vjen kjo si një monent e premtim i Erës, që prej atëherë jo vetëm shpirti, por edhe trupi i përkisnin përjetësisht atij. Jo vetëm lotë e dashuri dallohen këtë mbrëmbje, por edhe besim se “regjimi shovinist i Beogradit do të bjerë së shpejti”, e ata do t’a vishnin vellon e nusërisë e kostumin e dhëndërrisë. Ndërsa prindërit e përcollën djalin natën “…si dy shtatore druri, që as lëviznin e as flisnin”, por që i urojnë fat të birit.

    Kjo është në vija të përgjithshme shtjella e ngjarjeve e pasqyruar në pjesën e parë të romanit që titullohet “Aromë dashurie”, ndërsa në pjesën e tij të dytë, titulluar “Ëndërr amerikane”, bie në dy solideariteti i Danielit, dajës shqiptaro - amerikan të Bilbilit nga njëra anë, hapat e sigurtë të Lisit, që nga punëtorë që ditën e parë të punës merr shpërblim pagën e një jave, deri tek momenti i afërt, kur ai hedh hapa të shpejtë karriere e ngrihet nga punëtorë në përgjegjës reparti dhe pastaj drejt biznesit të tij privat, që e zhvillon me sukses, por e gjitha kjo kalon përmes peripecive të panumërta të ndarjes me pronarin Calabrese, një mafioz e thyrës i ligjit, i cili e përndjek atë përmes njerëzve të vet ose të paguarëve prej tij, duke e detyruar edhe të bëj aksident me makinë, po aq tek lidhja me Kosovën e ngjarjet atje, që rrokullisen me shpejtësi drejt dhunës shumëplanëshe e genocidit, por edhe me familjen e tij e të Erës, që nis t’i ndihmojë financiarisht. Përgjithësisht, ai ndoshta si shumica e emigrantëve, fizikisht ishte në Amerikë, ku lodhej e shijonte suksesin e rritjen e shpejtë, ndërsa shpirtërisht vuante në Kosovë.

      Bie në sy fakti, që autori përmes ngjarjeve e historive individuale të tij e familjes, apo personazheve rreth tij, ka arritur të sjell për lexuesin atmosferën e tmerrshme e hijen e frikës e të terrorit, që sundonte në Kosovë. Tamam të premten, një ditë pasi mbërrinë Lisi në New York, forcat policore rrethojnë e kontrollojnë shtëpinë e prindërve të tij. Përgjigjes se babës Malë, se nuk e dinte ku ishte i biri, se ai “ishte zog i lirë” që fluturonte s’di se ku, i kundërballancohen kërcënimet policore, se “do t’a gjejmë atë” edhe në vrimë të miut, derisa në një nga kontrollet e radhës, e hedhin atë nga krevati ku dergjej i sëmurë në katin e dytë drejt oborrit, ku plaku i moshuar bie i vdekur, vetëm sepse u përmendi atyre shqiponjën, simbolin shqiptar të qëndresës, që i tmerronte serbët. Për ironi të fatit, as varrimin nuk e lejuan familjen t’ia bëjnë si njeri e nën përcjelljen e bashkëfshatarëve, por vetëm nga e shoqja e ndihmuar nga Era, natën e në një qoshe të maskuar të kopshtit. Përshkallëzimi i dhunës jepet bukur në gjykimin e mësues Naimit, ku ai qëndroi stoic, sepse i vetmi faj që kishte bërë, ishte se ai kishte kombësi shqiptare, se aktakuza s’kishte asnjë bazë, se aty nuk po gjykoheshin faktet, por gjyqtari do të lexonte “vendimin e shkruar diku gjetkë”, jashtë sallës së gjyqit, nga sigurimi etj. Kulmor paraqitet momenti kur studentët e pranishëm në sallën e gjyqit, shpërthejnë në duartrokitje në mbështetje të mësuesit të tyre duke valvitur parulla për liri e demokraci, por rrethohen dhe arrestohen dhunshëm nga policia serbe, e cila kërkon edhe forca shtesë sepse studëntët u pasuan në revoltën e tyre nga mbështetja e pjesmarrësve të tjerë dhe e popullit mbarë, duke marrë përmasa të pa parashikueshme. Vijnë bukur në focus të shkrimtarit fillesat e UÇK - s, ndihma financiare që diaspora u dërgon atyre për blerje armësh, arratisja e mësues Naimit nga burgu e dalja në mal, kthimi i shtëpisë së Lisit të mbetur vetëm me Elizën në bazë të UÇK - s, vrasja e saj mbi varrin e të shoqit e djegja e shtëpisë për këtë shkak nga ushtria serbe, e plot ngjarje të tjera dhune nga njëra anë, por edhe qëndresa e heroizmi nga ana tjetër. Në ditën e Pashkëve në fshatin Bec, polici i armatosur hyn në meshë, e kur nuk mundi t’a ndalë priftin të predikonte në gjuhën shqipe, as të ndante fshatarët nga njëri - tjetri, urdhëroi bastisjen e fshatit, ose vrasjen e kujtdo që do të gjendej në shtëpi, duke u dhënë atyre vetëm 4 - 5 orë kohë. Nis kështu shpërngulja masive e kosovarëve “…si në kohën e eksodit biblik,”, eksod që alarmoi botën e gjeti reagim të fuqishëm ndërkombëtarë.

      Në planin e brendshëm, atë shpirtërorë e psikologjik, personazhet kryesore, Lisi dhe Era, mbeten fizikisht larg, njëri në Amerikë e tjetri në Kosovë, shpirtërisht duke vuajtur mungesën e njëri - tjetrit, vuajtje e shtuar edhe nga mungesa e komunikimeve për shkak të përshkallëzimit të luftës e represionit serb, por në mes tyre shpresa mbetet e plotë, e ajo qëndron e varur tek velloja e porositur në një dyqan në Prishtinë. Në këtë plan vjen edhe ngjarja makabre kur forcat serbe afrohen tek shtëpia e Erës dhe dialogu i saj me nënë Lirien është mjaft prekës: “E zeza unë. Ne jemi të moshuar e nuk kanë çfarë të na bëjnë. Po kam hallin tënd. Ata janë katilë e me vajzat e reja sillen si kafshë”, i kishte thënë ajo, kur Era i kishte treguar se forcat militare serbe kishin mbërritur deri në lagjen fqinje. “Unë e kam vendosur, nënë. Nuk bie e gjallë në duart e tyre. Qënia ime i përket Lisit dhe vetëm Lisit.” Ashtu siç dinë kafshët, forcat serbe hynë të kontrollojnë shtëpinë e Shkëmbit. Era ishte veshur si plakë, e Shkëmbi e prezantoi si nënën e tij. Oficeri urdhëroi bastisjen e pastaj djegien e shtëpisë, por në oborr dyshoi tek ajo “plaka” e veshur me rroba të zeza e fytyrën gjysëm të mbuluar dhe e ndaloi për kontroll. E njohu Erën dhe e ktheu atë mbrapsht duke e kaluar në katin e sipërm me qëllim përdhunimin e saj e shfryrjen e epsheve kafshërore, siç ishin mësuar të vepronin ata në ekspeditat e tyre të dhunshme. Oficeri urdhëroi ushtarët të ndalojnë vënien e zjarrit shtëpisë dhe aty të mos futej askush. Një dramë  vërtete e brendshme zhvillohet tek Era në ato çaste, e cila kurrë nuk e harronte premtimin hyjnor, se i përkiste vetëm Lisit. Ashtu e lakuriqëzuar forcërisht prej serbëve, e gjakosur në gjoks me thikën e katilit që ia preu rrobat e shtatit, mes dorëzimit e poshtëruar apo vdekjes si burrneshë, zgjedh të dytën: gjuan rastin e i fut një shqelm oficerit serb mes shalëve dhe hidhet nga dritarja e katit të dytë e bie e vdekur, lakuriq në oborrin e saj. Gjatë rënies Erës i zënë sytë këmbanoren e kishës së fshatit e një si re të bardhë që ngjante me vellon e saj të nusërisë së munguar, kryqëzuar mbi kryqin e kishës dëshmitarë.

        Velloja e kryqëzuar e Erës shënon edhe grisjen e “vellos” së regjimit millosheviçian. Ngjarjet në vijim janë sa të gëzueshme, aq edhe të trishtueshme. Gëzim sepse Amerika dhe NATO filluan bombardimet mbi Beograd dhe UÇK shënon fitore betejë pas beteje, beteja që finalizohet me Kosovën e Lirë, trishtim sepse u vranë shumë bijë e bija nënash të pafajshëm dhe vendi u shkatërrua pothuajse tërësisht. Mes këtij dyzimi të përgjithshëm, Lisi kthehet në atdhe, puth tokën mëmë në aeroport, lan me lotë portën e shtëpisë e cila kishte mbetur e vetmja shenjë se aty kishte qenë dikur banesa e tij dhe e prindërve, pastaj vihet në kërkim të fatit të trishtë të tyre dhe të Erës, që nuk e dinte nëse jetonin apo jo. Takimi me taksistin që e shoqëron e ia lehtëson dramën Lisit, me Ramën fshatarin që i bëhet krah, pritja në familjen e taksistit Lekë, shkuarja në Shtabin e UÇK - s, shpalosja graduale e tragjedisë që kishte ndodhur me të dashurit e tij e deri tek kontakti me letrën e pa nisur të Erës, që forcat e UÇK - s ia kishin gjetur të futur në çorape, rivarrimi i prindërve dhe i Erës - nuse e vdekur pranë tyre, marrja e vellos së parapaguar nga dyqani në Prishtinë dhe palosja e saj në kuti, për t’a bërë pjesë të udhëtimit jetësor të Lisit pas asaj dite, udhëtimi i kthimit drejt Amerikës dhe ëndërra me Erën nuse në avion, paraqesin momente dramatike, që nuk t’a kursejnë as lotin. Por, edhe në këto shtjella të ngjarjeve kaq të vështira, autori gjen shtegun për t’a nxjerrë lexuesin nga situata herë pashere, duke shpalosur momente ku dalin në pah tiparet më të bukura të shqiptarëve, bujaria, besa e solideariteti i tyre, besimi se sakrifica ia ka vlejt, e se Kosova do të jetonte e lirë e sovrane dhe djemtë e vajzat e saj do t’a bënin atë, etj… Vijnë këto momente përmes pjesmarrësve në rivarrim dhe përshëndetjeve të disa prej tyre, përmes pritjes së Lekës, takimit me shokët tek qebaptorja e pagesës nga ish - bashkëstudenti Tomë, e në plot episode të tjera, të shpalosura bukur e me mjeshtri nga autori.

      Këto e të tjera ngjarje që të mbajnë “të kryqëzuar” e të lënë pa frymë, shtjellohen në pjesën e tretë të titulluar Requiem, të librit të shkrimtarit Prend Ndoja. Natyrshëm në fund të leximit të këtij romani të bukur, ku të rrëmben gjithnjë emocioni i veçantë në çdo faqe të tij, lexuesi shtron pyetjet:

- A e veshi Kosova e Re “vellon e grisur” që nuk e veshi dot Era e shumë vajza shqiptare si ajo?

- A përfaqëson emri shqiptar tiparet e virtutet më të larta të rracës njerëzore?

- A duhet të ndjehemi krenar me këtë emër? Dhe më tej: A duhet të ndjehemi të detyruar kudo e kurdoherë që të japim nga vetja edhe për t’a nderuar këtë emër?

- A ka romani “Velloja e Kryqëzuar” e shkrimtarit Prend Ndoja edhe elemente autobiografikë në rrëfimin e tij të bukur artistik? Lexuesi sigurisht që do t’i shpalosë edhe përgjigjet e këtyre pyetjeve gjysëmëretorike gjatë leximit të romanit, por unë i shtrova ato thjesht si një nxitje, apo ftesë për lexim.

                                                                   ***

     Sido që të konsiderohet kjo vepër, roman historik, roman dashurie, apo roman me ngjarje reale apo fiksion i autorit, fatet e Lisit dhe të Erës janë dhe mbeten përfaqësuese tipike të fatit të të mijëra të rinjve kosovarë të kohës, madje dhe fatet e të gjitha personazheve të këtij libri, flasin me gjuhën e lotit, të dhimbjes, të sakrificës sublime e të heroizmit të gjithë shqiptarëve atje, ashtu siç përfaqësojnë bukur traditën, vitalitetin, qëndrueshmërinë e papërkulshmërinë e shqiptarit ndaj së keqes dhe mbijetesën e triumfin e tyre në çdo situatë, sado e vështirë të paraqitet ajo.

Situata që kanë kaluar kosovarët nën regjimin barbarë të Millosheviçit, heroizmi e mbijetesa e tyre, përbën lirisht subjektin e një romani, të një drame a të një filmi, për shumicën e familjeve kosovare atje, por që t’a shkruash një vepër të tillë duhet të zotërosh aftësi të spikatura, siç i ka zotëruar shkrimtari i njohur Prend Ndoja, për të mos e lënë lexuesin “të notojë” vetëm mes dhimbjesh e lotësh, duke i dhënë atij sy të shohë nga e nesërmja, duke përdorur një stil të veçantë rrëfimi, që “të gozhdon” me librin nga faqja e parë deri tek e fundit. Libri shoqërohet me një parathënie nga shkrimtari Ndue Lazri, pasuar edhe nga disa recensa, opinione e reagime të pasqyruara në pjesën e fundit, si nga Dr. Migena Arllati, Dr. Besim Muhadëri, Dr. Pashko R. Camaj, Msc. Enver Sulaj, Msc. Marjan Ndoja, Msc. Kosovar Alija, nga Mimoza Meço - Lazri, Sokol Paja dhe Fadil Hadërgjoni, të cilat personalisht do të doja të mos ishin pjesë e librit (unë as që i lexova derisa i përfundova edhe këto shënime!), jo se ato nuk kanë vlera, pasi secila prej tyre është një analizë e bukur e autorëve me vlera të spikatura, por për t’a lejuar lexuesin të konkludoje natyrshëm vetë dhe i pa ndikuar prej tyre, rreth vlerave artistike të romanit, thjesht duke lexuar tri pjesët e rrugëtimit të suksesshëm të rrëfimit artistik të shkrimtarit.

Prend Ndoja vjen me këtë roman pas dy vëllimeve me poezi: “Lot mbi oqean”, “Përtej valës” si dhe një libri me ese e shënime udhëtimi, titulluar “Udhës së mërgimtarit”, por ai prezantohet si një prozator i regjur e profesionist i vërtetë dhe meriton vlerësimet maksimale për këtë roman të bukur dhe me subjekt interesant. Ai është një libër që duhet lexuar nga të gjithë, në Kosovë e Shqipëri, por që meriton edhe “udhëtim” në gjuhë të huaja, me qëllim që bota t’a njohë edhe artistikisht vitalitetin e popullit shqiptar të Kosovës dhe “vellon e grisur” të regjimit serb, që edhe sot ëndërron “martesën” me hirushen e bukur e të ëndërruar Kosovë.

                                                                                                            Lezhë, më 17 qershor 2025

Комментарии


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page