Leopold Loro Shkreli: PËR VLERAT SHËRUESE TË RAZMËS
- 11 hours ago
- 8 min read

PËR VLERAT SHËRUESE TË RAZMËS TË THANUNA TË MËPARSHME E TË THANA TË TASHME
Razma bën pjesë në njësinë administrative të fshatit Vrith, Komuna e Shkrelit, Bashkia Malësia e Madhe. Distanca e rrugës me makinë nga qyteti i Shkodrës për në Razëm është 41 km, ndërsa nga bregdeti (Velipoja) është 65 km. Gjendet në një lartësi prej 900 m mbi nivelin e detit. Shtrihet në rrëzë të malit të Veleçikut, në veri-lindje të tij, dhe rrethohet nga male të larta. Ajo është e vendosur në një pllajë karstike me kontraste të theksuara relievi. Ambienti është tipik alpin, me pyje të denduna ahu e pishash, me livadhe të gjelbërta me lloj-lloj lulesh. Mikroklima mesdhetare malore, me nuancë kontinentale, krijon kushte të favorshme me vlera shëruese për sëmundjet e frymëmarrjes, duke vepruar shpejt dhe në mënyrë mahnitëse në organizmin e njeriut.
Të tregosh për vlerat e vendit tënd nuk është kurrë vonë. Shumë persona, për gjendjen e mirë shëndetësore që gëzojnë sot, falënderojnë Zotin dhe Razmën, vendin ku gjetën shërim.
Cilindo nga banorët e Malësisë së Madhe që ta pyesësh për Razmën, do të të flasë më parë për vlerat e saj shëruese dhe më pas për vlerat turistike të këtij vendi dhe kanë “shumë çka me shtue”.
Të shkruash për vlerat shëruese të Razmës është një detyrë e rëndësishme që më ka nxitur vazhdimisht. Në këtë shkrim po paraqes artikuj të gazetave ndër vite, dëshmi të personave që e njohin mirë këtë vend, si dhe dokumente shkresore që e trajtojnë atë.
***
Në fletoren e përditshme “Gazeta e Re”, të shoqërisë aksionere “Tipart” (Tiranë), në artikullin, “Për një stacion klimatik pranë Shkodrës”, e dielë, datë 16 qershor 1929, ndër të tjera shkruhet: “Jo larg qytetit asht një vend krejt i bukur dhe i pajisun prej natyret, i quajtun Raza e Vrithit, i cili asht 800 m. mbi livel e detit. Ky vend mund të bahet nji stacion klimatik ndër ma të mirët për ajr e ujë e mirë qi ka.
….Po të ndreqet udha deri në vendin ku thamë se mund të bahet një stacion klimatik dhe, po t’u jipen disa lehtësi dhe përkrahje atyne që duen të ngrehin hotele dhe lokale konforti, puna kishte për tu krye mâ së miri në dobi të madhe të shëndetit dhe t’ ekonomisë së popullit.
Do t’i luteshim pra mâ së pari Ministrisë së Punvet Botore, qi t’apë dizpozita për ndërtimin e udhës deri te Raza e Vrithit, e mândej Ministrisë s’Ekonomisë Kombëtare dhe të Financavet, për përpilimin e nji ligjë me të cilin u ipen perkrahje atyne që duan të ngrehin hotele e lokale banimi e konforti ner stacione klimatike, tuj i akordu trojet pa pagesë, si dhe tue perjashtuem prej takses doganore e tjera, materijalin për ndërtimin të ndërtesave të stacioneve”.
Në një tjetër gazetë politike të përditshme që dilte në Tiranë, me emërtesën“Besa”, në artikullin “Rruga e Vrithit”e premte, datë 19 Prill 1935, ndër të tjera shkruhet: “…Lajmohemi se në këto ditë fillojnë përsëri punimet për çeljen e rrugës së Vrithit. Qëllimi i qeverisë asht me e krye këtë rrugë sa ma parë, që të jetë e mundun, vetun se vendi i quajtun Razna, ku shkon rruga, asht vend klimatik që ka me sherbye teper turizmit e sidomos atyne që kan me pasë nevojë për ndrrim ajri”.
E njëjta gazetë, pak ditë më pas, në artikullin “Hapja e rrugës Vrith- Razna”, e hanë, 10 qershor1935, njoftonte: “Me shumë gëzim u informuem dje prej ingjinjerit të Botores së këtushën Z. K. Mani se, rruga deri në Razna ishte hapë, dhe ai vetë kishte vajtë me automobil.
… Rruga e Raznës siguron nji nder vendet ma klimatike nder bjeshkët e kësajë krahine per ajrin e pastër e bjeshkuar, për ujin e ftohët e në naltësinë ma se 1000 metra nalt nga sipërfaqja e detit, me panoramen e bukur të ati vendi afer Veleçikut, terheq vizitoret dhe banuesit per ndrrim ajri. Ky vend ka nisë me u përmendë tash ma se pesë vjet per velagjiaturen e bame prej shkodranëve”.
”Cirka”, revistë e përkohëshmë kulturale-popullore që dilte në Shkodër, në numrat respektivë të datave 20.06 1937 dhe 14.07.1937, në artikullin vijues: “Në Razna të Vrithit“ shkruar nga Rrok Zojzi, ndër të tjera, nënvizonte: “Këtu âsht Razna e Vrithit, qendra ma e randesishme klimatike e malcive të veriut sot per sot. … Razna gëzon, qyshket mâ të pershtatuna per nji vend verimi per popullsinë e qytetit. Disniveli me Shkodrën âsht 1000 e pak metra. Nji vend i hapët e i çilun n’at maltesi âsht e rrallë nder malcina. Nji klimë e thatë e e terun si aty nuk asht gja e zakonshme per malsina. …Dam per ne që rrimë indifirent kundrejt begative të vendit tonë. Dam per ne me kërkue njeti të tilla qendra e me i vu kamen t’onave, vetun se janë tonat.
Sikurse dhe detyrë e jona e e shtypit kombëtarë, âsht me ja ba të njoftun popullit t’onë bukurit me të cilat natyra e ka veshë ket atdheun tonë të vogel. Bjeshket t’ona jo vetëm nuk ja lânë dalë Lovçanit, Nikshiqit, Koloshinit, Stambollçiqit e të tjera, por i rrinë përbri edhe stacioneve t’Europës së mesme”.
Nga artikulli “Thethi dhe Razma, pikat e harruara turistike” të gazetares së ndjerë Anila Dushi, botuar në gazetën”Shekulli”, datë 16.08.2004, kam shkëputur: ”…Razma është një tjetër pikë turistike e qytetit të Shkodrës e shtrirë rrëzë malit të Veleçikut. ..Ajo është një nga vendet më të bukura dhe me klimën më të shëndetshme në Alpe. Në mes pishave lëndinave mjaft banesa të tipit alpin. …Razma është një pikë turistike me vlera kurative për sëmundje të ndryshme…. Tradicionalisht në Razëm kanë patur banesat e tyre private shumë qytetarë shkodranë”.
Në këtë shkrim tërhiqet vëmendja edhe për kujdesin e shtuar që duhet të tregohet, pasi energjia elektrike është shumë e dobët, dhe me kufizime të shumta.
“…Razma ka patur problem ujin e pijshëm, por së fundi është ndërtuar ujësjellësi i Komunës së Shkrelit ku ajo përfshihet, dhe uji ka shkuar aty. Por, megjithëatë ai nuk menaxhohet mirë, dhe ka probleme për furnizimin me të pasi shpesh uji mungon”.
Në Buletinin Shkencor të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Seria e Shkencave Natyrore, nr. 61, 2011, ff. 29–37, në artikullin “Monitorimi i përqendrimeve të materies së grimëzuar në ajrin e pikës turistike të Razmës”, jepen rezultatet e punimit shkencor të një grupi të zgjeruar profesorësh të Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit “Luigj Gurakuqi” dhe të Universitetit të Tiranës, lidhur me monitorimin e ajrit në zonën e pikës turistike të Razmës, në muajt nëntor–dhjetor të vitit 2010.
Në konkluzionet e monitorimit, të realizuara me aparaturat më të mira të kohës, rezulton se cilësia e ajrit në zonën turistike të Razmës është shumë e mirë. Në këtë studim, Razma përbën një pikë turistike me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare si për sezonin veror ashtu edhe për atë dimëror.
Nga dokumentet shkresorë, tërheq vëmendjen një relacion i datës 23.02.2024, i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Shkodër, Shërbimi Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor, në të cilin trajtohet zbatimi rregullave kombëtare dhe ndërkombëtare për minimizimin e riskut dhe të ekspozimit ndaj patogjenit Covid -19.
Në këtë relacion citohet: “… Vlen të theksohet se Razma, si atraksion ku klima dhe ajri i freskët janë dominuese, ka pasur një incidencë zero, që do të thotë se numri i rasteve të të infektuarve në Razëm ka qenë zero. Ndërkohë, orientimet e profesionistëve kanë bërë të mundur që rastet me COVID-19, në zonat e tjera me problematika shëndetësore serioze të shfrytëzonin pikërisht këtë zonë, për shkak të klimës, e cila përmban në vetvete vlera të larta oksigjeni dhe, rezultatet kanë qenë të dukshme sa i përket përmirësimit të shëndetit të të infektuarve”.
Nga dëshmitë gojore, sjell dëshminë e mjekut të njohur infeksionist Pëllumb Pipero, të cilin pata fatin ta njoh gjatë periudhës së COVID-19. Kemi biseduar kryesisht për Razmën dhe, ndamë të njëjtat mendime. Profesori më tregoi që, kur kishte qenë i infektuar me COVID-19, kishte kaluar pesëmbëdhjetë ditë në Razëm dhe ishte ndier i shëruar. Të këshilluar nga ai edhe miq të tij, të cilët ishin të rënduar me COVID-19 dhe të intubuar, kishin ardhur në Razëm dhe, pas pak ditësh, ishin përmirësuar. Më tej ai më theksoi dëshirën e tij për të promovuar vlerat shëruese të Razmës përmes një reportazhi.
Dëshmi të tjera sjellin përfaqësues të pushtetit vendor dhe mjekë që kanë shërbyer në këtë zonë. Fred Sterkaj, i cili ndër vite ka mbuluar detyra të rëndësishme në pushtetin vendor, pohon:

“Edhe nga të parët e mi e di se Razma është njohur gjithnjë si vendi ku njerëzit gjenin shërim. Gjatë viteve kam njohur personalisht shumë persona që vinin në Razëm për shërim. Në resortin turistik “Kulla e Artë”, në kohën e pandemisë COVID-19, vinin bujtës nga e gjithë Shqipëria. Megjithëse nuk e shprehnin, kuptohej se ishin të sëmurë. Në këtë kohë jemi ndier me frikë, si për veten tonë ashtu edhe për personelin e shërbimit. Fatmirësisht nuk kemi pasur asnjë të infektuar, jo vetëm ne, por as banorët e Razmës.”
Doktor Tonin Trashnaj, mjek turni në kampin e pushimit të punëtorëve, kujton: “Për herë të parë në Razëm kam qenë në verën e vitit 1971 dhe më pas, vite me radhë, kam shërbyer si mjek në kampin e punëtorëve. Ruaj kujtime shumë të bukura. Jeta në kamp ka qenë mirë e organizuar. Në ciklin trembëdhjetëditor të qëndrimit, kampistët merrnin shëndet e energji dhe nga Razma merrnin kujtimet më të mira e më të bukura. Kam vijuar të shkoj në Razëm gjatë stinës së verës. Më është bërë zakon. Këtu i njoh dhe më njohin pothuajse të gjithë. Kam shumë lidhje miqësore me banorët vendas, që janë fisnikë, shumë të dashur dhe me shumë humor. Ditët këtu kalojnë shpejt, ndihem i relaksuar, marr shëndet dhe energji për gjithë vitin. Gjithmonë, edhe në ditët tona, janë të shumtë individët dhe familjarët që dalin rregullisht në Razëm; një pjesë e tyre i njoh edhe personalisht. Ata kanë pasur probleme me frymëmarrjen dhe, falë efektit shërues të këtij vendi, janë përmirësuar. Më vjen keq që Razma nuk promovohet për vlerat e jashtëzakonshme shëruese që ka, as në vendin tonë të vogël”.
Mjaft domethënës është edhe skica letrare “I vetum në majë”, e shkrimtarit të mirënjohur kosovar Ag Apolloni, Razëm, prill 2023. Nga ky shkrim kam shkëputur këto radhë:
“Pesëmbëdhjetë ditë më parë erdha në Razëm për shkak të një problemi serioz me mushkëritë si pasojë e COVID-19. Kam qenë në disa spitale në Kosovë e Maqedoni, por shëndeti kishte marrë tatëpjetë dhe nuk ekzistonte ndonjë mrekulli shkencore që ta ndryshonte drejtimin. Kur erdha këtu, tri ditët e para arrita të ec vetëm gjysmë ore, pastaj një orë, dy orë, dhe në fund të javës e ndjeva ndryshimin, kurse në ditën e dymbëdhjetë nisa vrapimin. … Po jua them këtë, meqë të gjithë kemi kaluar pandeminë. Sugjerojani Razmën të gjithë atyre që kanë probleme me mushkëritë. Meqë “medicus curat, natura sanat” (“mjeku kuron, natyra shëron”) … një falënderim i veçantë shkon natyrisht për Razmën.”
Sipas Inteligjencës artificiale, klima e Razmës konsiderohet gjerësisht si një nga më të mirat në Ballkan për trajtimin e sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes.
Pse vlerësohet Razma për mushkëritë?
Lartësia dhe ajri i pastër: ndodhet rreth 900 m mbi nivelin e detit dhe ofron ajër të pasur me oksigjen dhe pa ndotje urbane; gërshetimi i klimave: kombinim i ajrit malor me rryma të buta detare; pyjet me pisha: lëshojnë substanca natyrore me efekt antimikrobik; afërsia me detin: ndikon në cilësinë e ajrit dhe jonizimin e tij; flora e pasur: kontribuon në pastërtinë dhe freskinë e ajrit.
***
Nga këto shkrime vërtetohen vlerat shëruese të Razmës, që gjatë njëqind e katërmbëdhjetë viteve të shtetit shqiptarë janë lënë jashtë vëmendjes. Razma është një pasuri shumë e rëndësishme kombëtare që duhet të promovohet jo vetëm në vendin tonë, por edhe në Europë duke bërë të njohura vlerat e saj shëruese.
Duhet që të gjithë së bashku, të mos kursejmë përpjekjet tona, që të arrijmë, që të sëmurët europianë, që kanë probleme me mushkëritë të vijnë në Razëm. Kur ata të njihen me mrekullitë e shumta që natyra i ka dhuruar këtij fshati të vogël alpin; kur ata ta provojnë vetë vlerat shëruese të këtij vendi, jam i sigurtë se do të jenë ata vetë, që do të bëjnë të njohur ndërkombëtarisht Razmën.
Me angazhimin e shtetit, zhvillimi i këtij stacioni shërues do të jetë i jashtëzakonëshëm, i shpejtë dhe i gjithanëshëm. Me përparësinë që shteti shqiptar po i jep zhvillimit të turizmit malor, dhe me “Paketën e Maleve” që aplikimi i saj këtu zë vend më shumë se kudo tjetër, unë kam besim se kjo kohë për Razmën, është kohë historike.
Gjithmonë me ndihmën e Zotit.
Leopold Loro Shkreli








Comments