top of page

Lela Dardha Kokona: Pushimet verore të një pensionisti

  • 20 minutes ago
  • 2 min read

 

Nga Lela Dardha Kokona

 

Të moshuarit nuk kërkojnë luks, por kërkojnë të mos harrohen, të ushqehen me dashuri. Ka një heshtje që nuk dëgjohet, por që dhemb më shumë se çdo fjalë e thënë. Është heshtja e të moshuarit, i cili sheh familjen të bëjë plane për pushime, pa e përfillur atë, pensionistin, apo edhe prindin e tyre.

Ai nuk ankohet, nuk pyet, por buzëqesh lehtë dhe thotë: “Shkoni, kënaquni!” Por brenda tij diçka thyhet në heshtje.

Pse ndodh kjo? – them shpesh me vete. Sepse jeta moderne na ka mësuar të vrapojmë. Rinia kërkon hapësirë, liri, aventura. Pushimet janë kthyer në një luks për të moshuarin dhe, jo rrallëherë, ai shihet padrejtësisht si një barrë për të rinjtë.

Por, a është vërtet kështu siç e mendon i moshuari?

Ai nuk kërkon shumë. Nuk ka nevojë për hotele luksoze, udhëtime të largëta apo shpenzime të mëdha. Ai kërkon diçka që nuk blihet: praninë.

Një vend në tavolinë mes tyre. Një dorë që ta mbajë gjatë. Një shëtitje, duke u mbështetur në krahun e të birit apo të bijës, përballë barrës së moshës. Qoftë edhe një fjalë e mirë, kurajuese, që ta bëjë të ndihet i vlefshëm; që të ndiejë se ende fjala e tij apo e saj ka peshë në familje, se është pjesë e saj, se kërkohet respekti dhe vëmendja e tyre.

Sa herë që ai mbetet në shtëpi, nuk mbetet vetëm fizikisht. Ai mbetet jashtë një kujtimi që mund të ishte i përbashkët, jashtë një fotografie, jashtë një momenti që nuk do të rikthehet më kurrë.

Dhe, ndoshta, dhimbja më e madhe nuk është vetmia, por ndjenja se nuk je më i vlefshëm, se nuk je më i nevojshëm.

Të moshuarit shpesh vetëpërjashtohen, duke menduar se nuk mund t'i përballojnë shpenzimet apo se do t'u bëhen barrë fëmijëve. Kështu, me një ndjenjë dinjiteti të heshtur, zgjedhin të qëndrojnë pas.

Por familja nuk është llogari. Ajo është rrënjë, është kujtesë, është burim dashurie.

Çfarë vlere ka një tryezë e mbushur, kur mungon ai apo ajo që na ka ushqyer me sakrifica?

Ndoshta një ditë, kur rolet të ndërrohen, do të kuptojmë se pushimi më i bukur nuk është vendi ku shkuam, por njerëzit që nuk i lamë pas.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page