top of page

Fatmir Terziu: Sot, në ditëlindjen e Petrit Rukës

  • 6 minutes ago
  • 4 min read

Të bekuar nga të ikurit: Sot, në ditëlindjen e Petrit Rukës

 

Nga Fatmir Terziu

 

Ende më vjen në mendje ai gradacion i rakisë buzë lulebukovileve të Naimit të Madh, në Sarandë, nën shoqërinë e Petrit Rukës.Timo Mërkurit dhe Ilirian Zhupës, në atë ftesë të paharruar të Triremës Poetike të Agim Matos. Ishte një nga ato çaste që nuk e kupton menjëherë se po i jep jetë një kujtimi që do të mbijetojë gjatë. Fjala, rakia, poezia dhe deti ishin bërë një në atë tryezë, ndërsa Petriti, me atë praninë e tij të veçantë, dukej sikur e kishte sjellë poezinë jo vetëm në varg, por edhe në bisedë, në buzëqeshje, në gotën që ngrihej ngadalë dhe në atë heshtje të bukur që herë pas here i merr përpara fjalët. Sot, kur do të ishte ditëlindja e tij, ai çast më rikthehet jo si një fotografi e vjetër, por si një dritë që ende lëviz mbi kujtesë.

E pas vargut, pas jetës, koha mund të mbyllë një derë, një varr mund të heshtë mbi një emër, fotografitë mund të zbehen dhe zëri i dikurshëm të mos dëgjohet më në dhomë, por lidhje të tilla, memorje të tilla kanë një mënyrë tjetër për të qëndruar. Ata mbeten në fjalë. Mbeten në vargje. Mbeten në atë hapësirë të padukshme ku kujtesa dhe letërsia bëhen një. Sot do të ishte ditëlindja e poetit Petrit Ruka. Dhe kjo është një nga ato ditë kur njeriu nuk e ndien nevojën të thotë thjesht se “na mungon”. Mungesa është një fjalë shumë e vogël përballë një krijuesi që ka lënë pas një botë të tërë fjalësh, figurash, ndjesish dhe kujtimesh. Sot, më shumë se ta kujtojmë Petrit Rukën si njeriun që nuk është më fizikisht mes nesh, duhet ta kujtojmë si poetin që vazhdon të jetë. Natyrisht, nga ajo që dihet, poetët e vërtetë nuk kanë vetëm një datë lindjeje dhe një datë ndarjeje nga jeta. Ata kanë edhe një jetë të tretë. Poetët kanë jetën që nis pas tyre, sa herë që dikush hap një libër, lexon një varg, ndalet përpara një metafore dhe ndien se aty, në atë fjalë të shkruar dikur, dikush ka folur edhe për të. Petrit Ruka i përket kësaj jete të tretë.

Në poezinë e tij ka një lidhje të veçantë me tokën, kujtesën, njeriun, dashurinë, vendlindjen e tij Tepelenën e poetëve dhe atë dhimbje të qetë që nuk ka nevojë të ngrej zë për t'u ndier. Ai nuk e kërkoi madhështinë përmes zhurmës, as andej nga ku shkruante skenare filmash. Krijimtaria, talenti dhe Poezia e tij e gjeti atë në një tjetër rrugë. E gjeti përmes afërsisë me njeriun dhe me gjërat që shpesh kalojnë pranë nesh pa i vënë re. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse sot, në ditëlindjen e tij, kujtimi nuk vjen si një ceremoni e ftohtë. Vjen si një bisedë. Sikur të ulemi pranë një tryeze dhe të hapim një libër të tij. Sikur të dëgjojmë sërish një zë që e kemi dëgjuar dikur. Sikur poeti të mos jetë larguar, por vetëm të jetë tërhequr paksa nga zhurma e ditës, për të na lënë ne të kuptojmë më mirë atë që shkroi. Ka një padrejtësi të çuditshme në mënyrën se si koha sillet me krijuesit. Ajo i merr njerëzit, por nuk arrin gjithmonë t'ua marrë veprën. Mund t'i marrë duart që shkruajnë, por nuk mund t'i marrë dorëshkrimet. Mund ta heshtë zërin, por nuk mund ta heshtë vargun. Mund ta largojë trupin, por nuk mund ta zhdukë praninë.

Kështu ndodh me Petrit Rukën. Ai është larg nesh dhe, njëkohësisht, më pranë se shumë prej atyre që ende i kemi pranë. Është në një varg që dikush mund ta lexojë sot. Është në një kujtim të një miku. Është në një recitim. Është në një libër që dikush e mban ende në bibliotekë. Është në një brez lexuesish që mund ta zbulojë nesër, pa e pasur njohur kurrë personalisht. Kjo është mrekullia e letërsisë. Dhe ndoshta kjo është edhe mënyra më e bukur për ta kuptuar vdekjen e një poeti: jo si fund të zërit, por si kalim të zërit nga një gojë në tjetrën, nga një faqe në tjetrën, nga një brez në tjetrin. Ne shpesh themi se të vdekurit na mungojnë. Por ndoshta duhet të themi edhe diçka tjetër. Ne jemi të bekuar prej tyre. Jemi të bekuar prej atyre që na lanë një këngë kur mund të na kishin lënë vetëm heshtjen. Prej atyre që na lanë një varg kur mund të na kishin lënë vetëm një emër në gur. Prej atyre që e kthyen jetën e tyre në një dhuratë për kujtesën tonë. Petrit Ruka është një prej tyre. Prandaj sot nuk dua ta shoh vetëm përmes mungesës. Dua ta shoh përmes vazhdimësisë.

Në këtë ditëlindje që ai nuk mund ta festojë me ne, le të jetë poezia tryeza e tij, kujtesa qiriu, librat vendi ku mblidhemi dhe vargjet e tij ajo dritë që nuk fiket, sepse ditëlindjet e poetëve nuk mbarojnë me ikjen e tyre. Ato ndryshojnë vetëm adresë. Nga shtëpia ku dikur jetonin, kalojnë në librat e tyre. Nga zëri i poetit kalojnë te zëri i lexuesit. Nga koha e tyre kalojnë në kohën tonë.

Dhe sot, në ditëlindjen e Petrit Rukës, mund të themi me qetësi se ai nuk është vetëm një poet që kujtojmë. Është një poet që vazhdon të na kujtojë. Na kujton se fjala mund të mbijetojë më gjatë se njeriu. Se dashuria mund të udhëtojë përtej vdekjes. Se një varg i vërtetë nuk ka nevojë për zërin e autorit për të vazhduar të flasë. Dhe ndoshta kjo është dhurata më e madhe që një poet mund t'i lërë botës: Të largohet nga ne, por të mos na lërë kurrë vetëm.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page