top of page

Fatmir Terziu: Një zemër që koha nuk e largoi dot

  • 16 minutes ago
  • 4 min read

Një zemër që koha nuk e largoi dot

 

Ajo ende nuk e kishte mbushur moshën. Ishte në atë prag të jetës ku bukuria nuk kishte nevojë të shpallej, sepse mjaftonte të shfaqej. Në lagjen Shurbofci, aty ku shtëpia ndahej vetëm me pak metra nga çezma e rrjedhshme e lagjes së fshatit Trebisht Bala, bukuria e saj kishte rënë në sy edhe të ish-partizanit të Luftës Nacionalçlirimtare, Kadri Rrahman Terziut. Ai sillej herë pas here andej. Pin­te me shuplaka ujin e freskët të çezmës dhe, bashkë me freskinë e ujit, priste edhe atë çast të vogël kur Razija, vajza bukuroshe, do të shfaqej me shtamën në dorë për të mbushur ujë.

Koha, si gjithmonë, bënte të sajën. Një ditë sytë u ndezën dyfish dhe ajo që dukej si një pritje e pafajshme pranë çezmës u kthye në një histori jete. Pas një dasme të madhe, që mblodhi njerëzit në krye të fshatit, aty ku Terzinjtë kishin krijuar tashmë dinastinë e tyre familjare, Razija u bë pjesë e asaj shtëpie dhe e asaj historie. Aty ndërtoi familjen për disa vite, derisa më pas u vendosën familjarisht pranë ish-Shkollës “Thoma Kalefi”, në Elbasan.

Razija rriti fëmijë model që shkëlqyen si brenda vendit ashtu dhe jashtë, kujtojmë djalin e saj Xhevitin, që shkoi të kualifikohej në Kinë, e deri në shëndetësi vajza e saj, Nafija, apo djali tjetër Kujtimi, në Ligj-Drejtësi. Razija ishte nënë dhe bashkëshorte, por edhe një grua e zonja në disa profesione. Ndër mjeshtëritë e saj spikaste veçanërisht qepja me makinën qepëse, një punë që kërkonte durim, përkushtim dhe dorë të sigurt. Ajo dinte të punonte, të kujdesej, të këshillonte e mbi të gjitha të jepte dashuri. Rriti fëmijë të edukuar, ndërtoi një familje model dhe më pas e pa familjen të zgjerohej me nipa e mbesa.

Sot, pas 23 vitesh nga ikja e saj në amshim, kujtimi për të nuk është zbehur. Përkundrazi, është bërë më i thellë. Ka njerëz që koha i largon nga përditshmëria, por nuk arrin t'i largojë nga zemra. Razija është njëra prej tyre. Ajo kujtohet si një grua e veçantë, e bekuar nga Zoti, e dashur, fisnike dhe gjithmonë e gatshme për të ndihmuar. Kush mund t'i harrojë këshillat e saj? Kush mund ta harrojë dorën e saj ndihmuese? Kush mund ta harrojë atë mirësi të heshtur që nuk kërkonte shpërblim?

Edhe në Elbasan ajo u bë një model më vete. Jo vetëm për brezin e saj, as vetëm për ata që patën fatin ta njihnin nga afër, por edhe për ata që sot e njohin përmes kujtimeve të familjes. Sepse ka jetë që vazhdojnë të flasin edhe pasi zëri është shuar. Ka nëna që mbeten në fjalët e fëmijëve. Ka gjyshe që jetojnë në kujtimet e nipërve e mbesave. Dhe ka zemra që, edhe pas njëzet e tre vitesh, vazhdojnë të rrahin brenda një familjeje.

Unë e kam njohur atë zemër kur isha nxënës i shkollës së mesme. E kam njohur nëpërmjet asaj mirësie që nuk bëhej zhurmë, por që gjendej gjithmonë aty ku një njeri kishte nevojë për një tjetër. Për mua, Razija nuk është vetëm një emër i një kujtimi familjar. Është një figurë njerëzore që lidhet me një kohë, me një lagje, me Elbasanin, me shtëpinë dhe me atë mënyrën e veçantë të të qenit mirësi për të tjerët.

Sot, kur përvjetori i 23-të i ndarjes së saj nga kjo jetë vjen sërish si një trokitje e dhimbshme në kujtesë, fjalët e nipërve dhe mbesave bëhen dëshmia më e bukur se dashuria nuk vdes.

Nipi i saj, Gentian Xhevit Terziu, shkruan me mall:

“Sa do larg teje të jem, e sa herë që shoh fotografinë tënde në albumin tim, aq më shumë mall kam për ty. Ti sot mbush 23-vjetorin që je bashkë me engjëjt e tu, por fjala jote do të më ngelet gjithmonë në mendje e në shpirt. ‘Djali nënës’... Pushofsh në paqe dhe të kujtoj me mall.” Në këto pak fjalë ka një botë të tërë. Ka mallin e një nipi që e mat largësinë jo me kilometra, por me boshllëkun që ka lënë ajo.

Mbesa e saj, Naxhi Çarhoshi, e thotë edhe më thjesht, por ndoshta pikërisht për këtë arsye edhe më fuqishëm: “Genti, nana jonë e mirë, e ëmbël, do të rrojë përjetë në zemrat tona.”

Ndërsa e bija e saj, Nafije Dehari, punonjëse e përkushtuar e shëndetësisë në Elbasan, përgjigjet me atë dhimbje që vetëm një bijë mund ta mbajë në zemër: “Ah Genti, do të rrojmë e do t'i kujtojmë prindërit. Tani që i ka dhe dy djemtë, Xhevitin dhe Zyhdiun, pranë, dhimbja është akoma më e madhe. U prehshin në paqe, u ndriçoftë shpirti!”

Këto nuk janë thjesht fjalë për një përvjetor. Janë copëza të një jete që vazhdon të jetojë në kujtesën e atyre që ajo la pas. Fotografia në album, fjala e mbetur në mendje, këshilla që nuk harrohet, një emër i thënë me mall, një shtëpi ku mungon prania e saj, të gjitha bëhen mënyra për ta mbajtur gjallë.

Dhe ndoshta kjo është fitorja më e madhe mbi ikjen: të mos jesh më fizikisht, por të vazhdosh të jesh pjesë e jetës së të tjerëve. Razija iku nga kjo botë 23 vite më parë, por nuk iku nga familja. Ajo mbeti në fëmijët e saj, në nipërit e mbesat, në kujtimet e njerëzve që e njohën dhe në atë mirësi që dikur e bëri të dallueshme në Shurbofcin e largët, në Elbasanin e saj të dashur dhe në jetën e një brezi.

Ndoshta gjithçka nisi pranë një çezme, me një vajzë të re që vinte të mbushte shtamën me ujë dhe me një djalë që gjente arsye të pinte ujë më shpesh se të tjerët. Por jeta e saj nuk mbeti një histori e nisur pranë një çezme. Ajo u bë një familje, një shtëpi, një trashëgimi dhe një kujtim. Dhe sot, pas 23 vitesh, uji i asaj çezme mund të ketë rrjedhur shumë larg, por kujtimi i Razi­jes vazhdon të rrjedhë i pastër në kujtesën e atyre që e deshën.

U prehtë në paqen e përjetshme. I ndrittë shpirti dhe kujtimi i saj qoftë gjithmonë i bekuar.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page