top of page

Lela Dardha Kokona: Fjala që më vuri në provim

12 hours ago
3 min read

 

Ndonjëherë, një fjalë e vogël mund të të bëjë të ndalosh përpara gjithë dijes që ke mbledhur gjatë një jete.

Ishte një ditë e zakonshme. Po ecja pranë një trotuari, me qeset plastike të mbushura me perime. Ndjeva nevojën të ulesha, të çlodhja krahët, që, për hir të së vërtetës, ndjeva sikur po më zgjateshin.

Pranë meje, tre nxënës dhjetë–njëmbëdhjetëvjeçarë po diskutonin mes tyre se si shkruhet dhe si lexohet një fjalë: “konotacion”.

U hodh në bisedë njëri, më i vogli në trup:

— Jo, nuk është tamam kështu. Fjalët kanë një kuptim që e lexojmë dhe një tjetër që e ndjejmë. I pari është kuptimi, i dyti është konotacioni.

— Po, — u hodh tjetri, — fjala e zgjedhur bukur mund të thotë shumë më tepër nga sa shkruhet në të.

— Konotacioni është kuptimi i dytë, i nënkuptuar, emocional ose figurativ, që një fjalë merr përtej kuptimit të saj të drejtpërdrejtë. Pra, konotacioni është çfarë na sjell në mendje ajo fjalë. Kështu na tha mësuesja. Është kuptimi që fjala të sjell përtej kuptimit të drejtpërdrejtë. Ja, për shembull: “Në dhomën e saj kishte gjithçka, përveç një zëri që ta thërriste në emër.”

— Po, por duhet dalluar nga kuptimi...

Dhe nisën të argumentonin.

Jo si fëmijë që grinden për të fituar një debat, por si të vegjël që kërkonin të gjenin fjalën e saktë për atë që mendonin.

Unë i dëgjoja në heshtje.

Dhe, papritur, më erdhi një buzëqeshje e çuditshme.

Unë, një mësuese në moshë, po dëgjoja tre fëmijë dhjetëvjeçarë të flisnin për një fjalë që unë vetë e kisha shmangur. E njihja fjalën. E kisha dëgjuar. E kisha lexuar. Por nuk kisha guxuar ta përdorja.

Jo nga padija, por nga ajo pasiguri që ndonjëherë vjen me moshën:

“Po sikur të mos e kem kuptuar saktë?”

Dhe, në atë çast, mendova për brezin tim. Ne u rritëm në një kohë tjetër. Kishim më pak mundësi për të kërkuar, për të dëgjuar, për të krahasuar. Një fjalë të re duhej ta gjeje në libër, në fjalor, te një mësues. Sot, një fëmijë dhjetëvjeçar mund të ndeshet me të njëjtën fjalë në një tekst, në një ekran, në një bisedë, ta kërkojë kuptimin dhe, pak më vonë, ta diskutojë me shokun.

Lind pyetja:

A janë më të zgjuar fëmijët e sotëm?

Ndoshta jo.

Por bota u ka dhënë një mënyrë tjetër për ta ushtruar zgjuarsinë. Ata kanë lindur mes fjalëve që ne i takuam më vonë.

Megjithatë, atë ditë, duke i dëgjuar, nuk ndjeva se humba diçka. Përkundrazi, ndjeva se një brez po ia zgjaste dorën tjetrit.

Dhe fjala “konotacion”, që për mua kishte qenë për një kohë një fjalë enigmatike, papritur mori edhe një kuptim tjetër.

Ajo më mësoi se nuk ka moshë për të qenë nxënës.

Ndoshta kjo është një nga bukuritë më të mëdha të jetës: mund të jesh mësues për gjysmën e jetës dhe, një ditë, të të mësojë një fëmijë dhjetëvjeçar.

Dhe nuk është turp.

Është privilegj.

Sepse dija nuk është një rrugë që përshkohet vetëm në një drejtim. Ajo lëviz nga një brez te tjetri, nga një përvojë te një tjetër, nga një mësues te një nxënës dhe, ndonjëherë, në mënyrën më të bukur të mundshme, nga një fëmijë te një i rritur.

Pra, çdo brez i jep një konotacion të ri fjalëve “zgjuarsi”, “dije”, “mësues” dhe “nxënës”.

Dhe ndoshta kjo është ajo që mësova atë ditë: nuk është e rëndësishme se kush qëndron përballë dërrasës së zezë dhe kush ulet në bankë. E rëndësishme është të mos humbasësh kurrë gatishmërinë për të mësuar.

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page