top of page

Këtë urim ndryshe: Gëzuar 7-8 Marsin!


Lexojeni deri në fund miqtë e mi këtë urim ndryshe: Gëzuar 7-8 Marsin!


Nga Fatmir Terziu


Mësuesit dhe mësueset e mia, sikurse dhe tuajat, sikurse të të gjithëve, gjithnjë ishin të rritur. Si gjithnjë dhe për të gjithë, ata ishin të huaj, në fillim të pakuptueshëm, që na thoshin se çfarë duhet të bënim, dhe ne e bënim. Vetëm pas vitesh, udhëtimesh të përbashkëta, disa prej tyre i ndjeva më afër, të urtë, të parashikueshëm, dhe u ndjeva pak më i lirë në praninë e tyre. Në fakt, nuk mendoj se i kam perceptuar si qenie njerëzore, por kryesisht si figura dhe funksione që duhen llogaritur. Më pëlqente mësuesja jonë e Gjeografisë në shkollë të mesme, por në vitin tjetër na erdhi një mësues tjetër, më ndryshe. E vërteta është se unë i doja vetëm dy ose tre shokë klase, pjesa tjetër ishin thjesht në të njëjtën dhomë, në të njëjtën ndërtesë dhe secili prej nesh bënte atë që mendonte se ishte e nevojshme, sipas fuqive dhe dhuntive të secilit. Shkolla nuk ishte e vështirë për mua. Nuk më është dashur të studioj veç disa herë për Fizikën dhe Kiminë, pasi vetë mësuesit e këtyre lëndëve dukeshin pak më të ashpër. Unë i dija mësimet, dhe mësuesit e dinin që unë i dija. I kushtoja vëmendje që në klasë, dhe kjo më mjaftonte. Letërsia ishte e lehtë për mua. Por, gjithmonë më ka pëlqyer të studioj, të frekuentoj bibliotekën, kështu edhe në universitet.

Në universitet ishte edhe më e qartë, sepse secili vendoste vetë se sa duhet të studiojë. Dikush e hante tekstin shkollor me kopertina, një tjetër zhgarraviste dhe shtronte shënime të huazuara diagonalisht dhe në fund kalonin të gjithë. Kam studiuar shumë dhe librat më kanë pëlqyer shumë, ndaj i lexoja që nga parathënia deri në pasthënien e tyre, nga vëllimi i parë deri tek i fundit, gjithçka që kishte në brendësi. Disa profesorë flisnin e shpjegonin më interesant se të tjerët. Disa kishin një pikëpamje më të gjerë, të tjerët u mbërthyen vetëm në mendimet dhe kuptimet e tyre. Kjo ishte interesante pavarësisht nëse më pëlqente apo jo.

Dhe kur e mbarova këtë cikël, që në fakt e kisha kuptuar që në klasën e parë, mësuesit dhe mësueset më të mira, më të devotshme për mua ishin ata dy që i kisha në shtëpi. Kështu nga fillimi deri në fund ndjeja udhën e bukur të mësimeve të nënës dhe babait tim të shtrenjtë. E më pas, kur erdhi në sytë e mi ajo shkëndija, që i zbret gjithkujt, ndjeva se udhët po ndaheshin, fjalët po pëshpërisnin ndryshe. E ne bashkë me një mësuese tjetër, e natyrisht mes dy kolegësh, pra unë dhe Luçiana kishim hapur një rregjistër tjetër, amza nuk mbante thjesht Dëftesa dhe Diploma, por atë udhë që e kishin bërë shekujt…Aty kryefjalë ishte jo thjesht si ndjesi Dashuria…

 

 

Fletorja është e bardhë për 7-8 mars

(eja të urojmë mësueset, të gjithë nënat)

Nga Fatmir Terziu

 

Fletorja është e ngjeshur me shkrimin e parë (Nëna)

ledhatimi i saj i bardhë (Mësuesja e klasës së parë)

dhe shkrimi rrëshket mbi dërrasë

është ëndrra e parë

zgjohesh me urimin për 7-8 mars.

 

E bota të pëshpërit me zërin e botës,

ti i thua: Dora që shkruan është e imja

dhe Fletorja,

dhe boja,

dhe mendja,

dhe goja…

janë të miat. Dhe hesht,

pi deri sa ngrihesh një ditë dhe sheh

bulëzat e qumështit në buzët e tua

e tashmë se fsheh,

përtej çdo ëndrre,

këtu në këtë Fletore jemi të gjithë krejt

vetëm një shenjë…Nëne!

 

Të tjera fëmijëri i rikthehen Fletores,

të tjera ledhatime të bardha,

mes tyre lind, rritesh e bekohesh,

të ka mjaftuar vetëm Fjala,

deri sa të ikësh e të largohesh.

 

Fletorja është e bardhë duhet rishkruar (Nëna)

Loti të shëtit thellë në festën e madhe (ëndrra)

zgjimi është një dhuratë përtej çdo dhurate,

jo vetëm në këtë rast,

pse hutohesh, eja të urojmë (mësueset- të gjithë nënat)

askush nuk duhet të harrojë çdo 7-8 Mars!

 

 

Bashkëtingëllore e butë

 

Dashuria është një udhë, është monolog i butë,

dashuria është një lule, dashuria është një botë,

dashuria është një kopësht i qetë e i urtë

dashuria është një lotë

dashuria të pastron buzët, sytë,

dashuria është një mol i ftohtë,

dashuria s'ka ndonjë imitim të dytë,

dashuria është si një botë

dashuria është një dritë,

dashuria të tund një portë,

dashuria nuk është një kërcënim, ajo nuk është një pretendim

dashuria i përshtatet Njeriut të fortë

dashuria zbërthen çdo perceptim,

dashuria është si një zjarr në aortë,

dashuria fle ditën, pastaj shkëlqen në errësirë,

dashuria është një pafundësi në Glob,

dashuria është e paimagjinueshme në këtë rrugëtim,

dashuria është një durim që pret e të josh,

dashuria është edhe një vlerë e rrallë dhe ka diçka për të gjithë.

Dashuria është pafundësisht një udhë

për brezat një Abetare, një bashkëtingëllore e butë.

35 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page