KY ISHTE PROF.ARSHI PIPA


Arshi Pipa: (1920 – 1997)

Fritz RADOVANI

KY ISHTE PROF.ARSHI PIPA

Në 100 vjetorin e lindjes…


ELEGJI PËR GAC ÇUNIN

Vdiq edhe nji tjetër! Qanje shokë, të ngratin! Banja t'madhe gjamën! Vdiq tue sosë afatin! Si, pat hjekë e vuejtun, mbasi shumë qe rrekë Tue luftue me morden! Vdiq: e lanë me vdekë! Shtrydhë e shterrun forcash djerreve t'Bedenit, fill andej përplasun brrakave t' liqenit; ra e u'mek djaloshi… Vinte i imët kah shtati, s'ishte për tê kazma, s'ishte për tê shati Se ktij qielli i fali çka s'i dha secilit: frymën e muzikës, zanin e bilbilit. Oh sa herë ndër muzgjet e robnis’ ai zâ Zemrën qi lëngonte balçëm ai ju bâ Dridhej nën zâ letas, mallshëm, melodija, tash ndër kangë shkodrane, tash n'Ave Maria. Prante zhurma e dhomës, që të gjithë veshtojshin Tretun ndër kujtime t'ambla qi ato zgjojshin… Gac, o shok i vuejtjes, nxânsi im i lashtë, mâ s'ta gjegja zanin, mâ nuk t'ndesha jashtë! N'imshtën e Burrelit vorrin ku ta banë Kur ushton gjethnaja, Gac ti ndoshta fshân? Fshâj nji kangë lirije qi t'u mbyll n'krahnuer! Fshâj nji jetë artisti qi pa fryt u-buer! Fshâj e përmbas teje le t'ankojë shoqnija qi na njofti vlerën, mbarë t'ankojë rinija!

ELEGJIA VLLAZNORE

Ma thonte zemra e ngrata se jeta t’kishte lanë, edhe pse miqt e shokët nuk dojshin me ma thanë. Der sa mbi krye mandata kur s’e pritsha më ra, dhe mora vesh çka n’anderr prej kohe m’ishte gja.

E pau epileptiku qi s’njifte mue as tye. Po kapërcejshim lumin kur befas ura u-thye… Un’ rashë… m’u-turr vertikut… humba! uluroi nji za… Ti u-hodhe, m’kape, m’qite… por vetë nuk dole ma!

Ti vuejtje, ti rreziqe durove simbas stinës, nga ishulli i Ventottenës (3) ndër telat e Prishtinës (4). E pse përbuze vdiqe terrorin bolshevik, gjithmonë anmik i shtypjes, e bir i atdheut, besnik.

Sot qi nga dita e mortit ka rrjedhë ma se nji mot tue t’a nderue kujtimin, o vlla, nuk derdhi lot. Pse për vdekjen e t’ fortit i fortë duhet me u-bamë. As përmendi fajtorët: nuk kam ma çka me u namë.

Kur ndofta nga mizori po përgatitet ura, për mue ket herë, e kanga e mbrame asht kjo qi thura, me gjakun tand deshmori vulosi sot nji be: përbuzi komunizmin e truhem per Atdhe.

•Shenim FR: Një kujtesë.., në 100 vjetorin e lindjes…

Melbourne, 28 Korrik 2020.

44 views

Shkrimet e fundit