top of page

KUVEND LETRAR




Kadri Tarelli, shkruan:

 

Një libër mirë, i shkruar me ndjenjë, përkushtim, përgjegjësi intelektuale e qytetare është si pëllumbi i bardhë lajmëtar. Atëherë librin me cilësi dhe vlera, nuk të bëhet ta heqësh prej dore, por e mban pranë, mbi komodinë.                                      

Kristaq Turtulli 

KUVEND LETRAR

10-vjetori i festivalit poetik, organizuar nga Art Club , “Rifat Kukaj”. 

Drenas. Dardani.

Prag feste “17 Shkurti”, në ditën e shenjtë të “Mëvetësisë Dardane”.

Një udhëtim i këndshëm drejt qytetit të Drenasit, në zemër të Drenicës kreshnike, për të marrë pjesë në kuvend poetësh dhe letrarësh, tashmë të shndërruar në traditë.

Pikërisht, ditën e shtunë, më: 10, të shkurtit, 2024, në Bibliotekën e Shkollës së Mesme Profesionale, ”Fehmi Lladrovci”, në Drenas, u mbajt takimi i X-të i manifestimit letrar, ”Vjeshta dhe Vargjet”, organizuar nga Art Club, ”Rifat Kukaj”, ku kishte pjesëmarrës, poetë dhe shkrimtarë nga trevat tona arbnore. Nga Durrësi u paraqitëm me krijimet tona, Ardita Beqja-Vasjari, me poezinë “Pupël…”, që u lexua nga znj. Fatmira Beqja, redaktore dhe kritike letrare, Merita Kuçi-Thartori, poete me poezinë, “Një dritë”, z. Zija Beqja dhe unë Kadri Tarelli, që po rendis këto pak fjalë krenarie dhe kënaqësie, me vjershërimin “Këpuca më vret…..”.

Programi i tej-ngjeshur, parashikonte dy pjesë:

Në pjesën e parë, u mbajt tryeza tematike për krijimtarinë letrare të shkrimtarit të njohur, Rifat Ismaili, i cili u nderua me Çmim. Për veprat e tij  ligjëruan Emin Z. Emini, Kosovare Krasniqi dhe Ajete Zogaj.

Në Pjesë e dytë: u zhvillua “Ora letrare”, ku garuan (60 poezi), pra mjaft e begatë, me pjesëmarrje të krijuesve poetë, nga të gjitha trojet shqiptare.

Mes dy pjesëve të takimit, në hollin e shkollës u hap edhe ekspozita e artit figurativ me grafikat dhe pikturat e artistit Fisnik Leku. Për t’u vlerësuar si ngjarje ishte se njëkohësisht në atë mjedis pune dhe arti, ishin paraqitur edhe punimet (në maket), të nxënësve të shkollës. Urime nxënësve dhe mësuesve pasionantë.

Si zakonisht në të tilla takime dhe kuvende libri, nuk mungojnë që brenda manifestimit të ketë edhe shumë takime mes miqve dhe shokëve të hershëm. E gjitha kjo një meritë dhe pasuri e çdo takimi, që duhet vlerësuar dhe përshëndetur mirësisht. Në këtë udhë mendimi, vlen për t’u shtuar edhe përqafim, shtrëngim duarsh, biseda, fotografi dhe dhurime librash, në nderim të ndërsjelltë.

Për të gjithë pjesëmarrësit patëm nga dy libra dhuratë: “Vjeshta dhe vargjet” (Edicioni IX) dhe “Dhimbje për Ademin”, (libër kushtuar Adem Gashit), përgatitur nga Izet Abdyli dhe Halil Xani.

Unë si pjesëmarrës në atë kuvend, pata mundësinë të takoj, organizatorin e palodhur, poetin Izet Avdyli, poetin Xheladin Mjeku, poeten Sibela Kurti, shkrimtarin dhe historianin e njohur Bedri Tahiri, autor i shumë librave, ndër më të fundit edhe romanin “Degdisja”. Më erdhi mirë se ma dhuroi këtë libër, ku edhe unë jam bërë pjese tij, me recensën, “Degdisja, plagë e pambyllur e kombit tim”. Për këtë e falënderoj autorin, sepse gjeti pak vend në kapak të librit për të vendosur disa radhë nga fjala ime, ku shprehem: “Romani “Degdisja”, qëllon që në titull. Një fjalë kjo, jo e vendosur si gjetje letrare, apo frymëzim poeti, por e qëmtuar qëllimisht nga autori, për të rrëfyer një dukuri, mbase jo vetëm shqiptare, por e pësuar më shumë nga ne arbërorët…….. ku lufta, shpërngulja dhe dhuna, nuk po na ndahen edhe sot e kësaj dite”.

Juria bëri vlerësimin me këto çmime:

- Çmimi i parë: Anita Haxhiu, (Austri), me poezinë: “Vdekja e përjetuar për së gjalli”.

- Çmimi i dytë: Pozaet Qose, (Shqipëri), me poezinë “Dua t’i kthej gjyshes përrallat”.

- Çmimi i tretë: Vlora Rexhaj Morina, (Prizren), me poezinë: “Janë do çaste”.

Në përfundim pati çertifikatë “Mirënjohje”, për Lulzim Logun, mikun tonë të vjetër nga Tropoja. Unë shfrytëzova rastin për t’i dhënë z. Lulzim, librin tim me poezi, “Vjeshta në vargje”.

Si mësues dhe drejtues i vjetër, dua të them dy fjalë për shkollën, ku u mbajt veprimtaria. Ndërtesa ishte e re dhe me hapësira tepër të bollshme, si brenda saj, një holl të përmasave të mëdha, ashtu edhe me oborr të gjerë, ku ishte rezervuar edhe shesh parkimi për mësuesit. Ndërsa biblioteka meriton të lavdërohet për mjediset mjaft funksionale, si sallë leximi mjaft e madhe, ashtu edhe rafte për mbajtjen e librave, që pret të mbushet sa më shpejt. Unë i dhurova dy tituj librash: “Vjeshta në vargje”, (5 copë) dhe “Hytbi Tarelli. Mjeshtër i penelit dhe daltës”, Monografi”, (2 copë). Më duhet të them, se në brendësi të këtyre dy librave, ka disa shkrime që i janë kushtuar Dardanisë dhe heronjve të saj.

Para se të paraqes krijimtarinë time, theksova këto fjalë:

Jo më larg se gjashtë muaj më parë, isha pjesëmarrës në festivalin poetik që u mbajt tek “Guri i Plakës”, pjesë e Drenicës. Më mbeti merak pa thënë këto fjalë: Mirë politikanët, mbase nuk guxojnë të thonë emrin shqip “Dardani”, në vend të emërtimit “Kosovë”, sepse i tuten politikës, po shkrimtarët dhe poetët kush i pengon ………!????

KËPUCA MË VRET…..!

           Poezi

Eci udhëve të qytetit, lëviz,

Këpuca më vret, më shpon keq.

Dhimbja më dhemb, më bezdis,

Kur punët mirë s’mund t’i ndreq.


Këmbës i gjej këpucën që vjen,

Dhe syzet sipas shikimit në sy.

Jeta s’është mall që në treg e blen,

Është luftë për t’u ndeshur të dy.


Dështimet janë mësues pa pagesë,

Do mend të përballesh, do trimëri.

E keqja, s’luftohet varur në shpresë…!

Lufta do mund, durim, guxim e burrëri.


Më shumë dhemb pabesia e mikut,

Shigjetë tinzare, pas shpine lëshuar.

Jetën, ndoshta ta merr plumbi armikut,

Por pabesia mbetet varr pa mbuluar…….!

Pas dreke, një kafe me miqtë e Drenasit, e shtoi kënaqësinë e festës dhe bisedave rreth letërsisë, në veçanti të poezisë, aq sa nuk kujtoheshim për orën që nxitonte në udhën e vet, sepse duhet të ktheheshim për në Durrës.

Urime dhe suksese!

Mirë u takofshim në të tjera festa letrare, ku të këndojë e dëgjohet fjala e bukur shqipe!

7 views1 comment

1 Comment


Pershendetje dhe mirenjohje per publikimin e ketij shkrimi modest, per bukurine dhe dashurine qe perjetuam ne ate kuvend letra ne Drenas te Dardanise.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page