top of page

Kur vlerat mbesin vlera njerëzore

Updated: Jun 6, 2021


Fitim Balla, sekretar i KB Bulqizë

Kur vlerat mbesin vlera njerëzore

Prof Dr Fatmir Terziu


Fitim Balla, duket qartë se ka mbetur intelektuali më i përkushtuar për vendlindjen e tij, Trebisht. Thuajse tridhjetë vite në shërbim të fshatit, banorëve, dhe tërë zonës së Gollobordës. E nisi karierën e tij duke u përfshirë në politikë dhe mjaft shpejt hyri në drejtimin e komunës për disa vite. Si ish-kryetar i Komunës së Trebishtit natyrshëm ka plot ndalesa dhe komente, por në përgjithësi është vlera, respekti dhe përkushtimi ndaj vlerave. Fitim Balla gjithnjë ka vënë në plan të parë përkushtimin, ndihmën, angazhimin dhe sakrificat personale në shërbim të vendasve në nevojë dhe të atyre që kërkuan dhe kërkojnë ndihmën ligjore në vite.

Tashmë si Sekretar i Këshillit Bashkiak të Bulqizës ai ndjen më shumë përgjegjësi dhe përkushtimi i tij është akoma më i madh. Jo më kot të thonë se është një zë i duhur për Gollobordën dhe tërë zonën, një intelektual i duhur për Bulqizën në tërësi. Për të kanë shkruar me modesti mjaft media dhe natyrshëm në thelb mbetet ajo që e dallon atë, ajo që mbetet tek Njeriu i përkushtuar, tek intelektuali që meriton respekt.

Fitim Balla ka ndikuar me forcën e autoritetin e tij në zgjidhjen e mjaft problemeve dhe shtimin e mundësive investuese, duke u dhënë prioritet vendasve të larguar më parë e atyre që janë ende në atë zonë për të investuar e për tu krijuar lehtësi ligjore në angazhimet e tyre. Falë këtij intelektuali të përkushtuar jo pak herë është thënë se ka ndryshuar gjithnjë e më shumë për mirë pamja e një zone të harruar në vite. Tani atje madje ndjen disa godina të reja, sikurse është shkolla, qendra shëndetësore dhe rruga e asfaltuar, e madje dhe dogana që lidh dy shtetet fqinje.

Disa zëra thonë se në të gjitha angazhimet dhe përkushtimet e tij ai ka ngecur edhe në raportet kundërshtive të politikave të diktuara, gjë që i kanë dhënë mangësi zonës dhe vetë investimit, pasi në mjaft raste projektet e tij janë kundërshtuar dhe nuk janë miratuar në vitet që kanë ikur nga këshillat e komunës. Tashmë ai ndjehet krenar teksa shikon se mjaft projekte të ndihmuara prej tij marrin jetë në zonë. Në fshat ka mjaft banesa të restauruara, sikurse është dhe pamja që reflekton me mjaft banesa të reja.

Ajo që duhet theksuar për Fitim Ballën është se ai edhe pse ka banesën e tij në Tiranë, vazhdon të mbetet në krye të halleve të fshatit, duke e shpenzuar kohën e tij dhe të familjes atje, ku ende banon në shtëpinë e tij të dikurshme në lagjen Bala. Bashkë me prindërit dhe të afërmit ai shijon produktet bio të zonës dhe ato që i prek dhe i prodhon prona e tij me duart e veta.

313 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page