top of page

KUR TË ZGJODHA TY...

  • Oct 10, 2021
  • 1 min read

Vullnet Mato


Kur të zgjodha ty, mbretëreshë jete,

ishe më e bukura, në shtatë qytete.

Për bukurinë tënde, si zana në përrallë,

grisa shtatë këpucë, rrotull e vërdallë.

Për sytë e tu, ku valëzojnë dy dete,

zemra më dridhej, sikur binin tërmete.

Kur i ndale tek unë, sytë fluturakë,

në sytë e mi, lulëzuan dy zambakë.

Kur më erdhe pranë, e të mora erë,

kishe gjithë aromën e asaj pranverë,

sikur të ishe, lëndinë me trëndafila,

ku ligjëronin, kanarina e bilbila.

Kur rruzujt e gjirit, tek unë mbështete,

u ndjeva kozmonaut, në dy planete.

Kur në buzët e tua, buzët ëmbëlsova,

mu duk, nektarin e gjithë botës shijova.

Kur fustanin me vello nusërie veshe,

m’u duk sikur të dolën, flatra hyjneshe.

Kur shkuam në shtrat, dorë për dore,

dysheku na e mbushe, me re pupëlore.

Kur më ngjite lëkurën, e bardhë si borë,

ma mbështolli lëkurën, kaltërimi qiellor.

Kur ramë të flinim, të përqafuar bashkë

dielli harroi, të risillte ditën jashtë...

Koha e hapësira, ato çaste nuk ekzistonte,

as Toka me kontinentet e oqeanet e saj.

Materia mishtore, e dashurisë krijonte,

dridhërima gjaku, të ndezura në çdo skaj.

Kur trupi yt krijoi, fëmijë të ngjashëm,

m’u duke, nëna e engjëjve të parajsës.

Kur engjëjt, gugitnin si pëllumba në dhomë,

ndjemë se parajsa, ishte në folenë tonë.

Bukuria jote, do të ndryshonte pas vitesh,

si në çdo lule të bukur, ku petalet vyshken.

Por bukuria të kaloi, në shpirt pak nga pak,

dhe mbete përjetësisht, shpirti im binjak...

Comments


Shkrimet e fundit

bottom of page