Nga Fiqri Shahinllari
Para disa ditësh përcolla në internet shkrimin me titull: "U ruaj nga cdo sherr." Mjaft miq e lexues e pëlqyen shkrimin . Nisur që këtej dëshiroj ta shkoqit më tej idenë duke shtuar shkurtimisht pjesën e mëposhtëme.. Thonë se trim dhe i mënçëm është ai që vetpërmbahet. Siç përmend Sami Frashëri, në portën e faltores së Delfit në Greqinë antike, ishin shkruar këto tri këshilla të filozofit Gilon:
“Njih veten tënde;
Mos lakmo shumë;
Ruaju nga borxhi dhe nga te ngrenit me fjale”!
Këto këshilla të arta janë provuar në jetë të jetëve nga njerëzimi. Fatkeqësitë kanë ndodhur kur një pjesë e trurit të njeriut që drejton vetpërmbajtjen del jashtë kontrollit, “biçikletës
së tij i del zinxhiri” siç shprehet një shoku im drenovar, dhe njeriu nuk mposht dot vetveten. Atëhere ndodh gjëma. Kështu ndodh edhe në rastet e vetvrasjeve me armë, helmimeve, vetvarjeve.
Qelizat e pjesës së trurit që kontrollojnë vetpërmbajtjen, me sa duket, dalin jashtë përdorimit dhe kështu njeriu bëhet viktimë e dobësisë së vet, nuk lufton dot më me të keqen, lodhet. E keqja
mund të vijë edhe nga ndonjë thashethem që, në fillim mund të duket si zbavitje pa të keq, por ai nuk “ecën” deri në një fare vëndi e të mbetet aty. Jo. Thashethemi mund të thellohet e të hapë një humnerë. Muhabeti i thjeshtë kalon me tallje, tallja me përqeshje, përqeshja në shpifje që mer dhenë. Dhe futet pastaj në valle nervozizmi që arrin në shkallën më të lartë duke shkaktuar
nje forcë të pa dukëshme e të pakuptueshme që të shtyn të marrësh vendime të vrazhda. Dora e fatalitetit u jep tjetër rrugë ngjarjeve sidomos atyre me karakter rastësor, që varen krejtësisht
nga rrethanat e nga momenti psiqik. Ndoshta vrasësit një minutë më parë as që i shkonte ndërmënd për të vrarë dikë.
Ka çaste në jetë kur të duket se të gjithë i pengon e të gjithë të pengojnë. Personaliteti moral është më i ndjeshëm se personaliteti fizik. I pari ka të bëjë me ndjenjat e nervat, i dyti me mishin dhe
gjakun. Për ta shpjeguar më mirë këtë të vërtetë populli i referohet legjendave, tregon histori, krijon fabula si kjo që do të tregoj tani.
Thonë se qëmoti, në kohët shumë të herëshme, një floqar kish zënë miqësi të ngushtë me një ari. Disa thonë se njeriu ishte pepellashar,të tjerë ngulin këmbë se ai ka qënë kozelar, po kjo hollësi ka pak rëndësi. Njeriu dhe ariu ishin bërë kaq miq të mirë me njëri tjetrin sa nuk ndaheshin dot. Një herë të dy i zuri stuhija e tufani në mal. U bënë qull nga shiu që binte si purtekë po sidomos njeriu ngriu nga të ftohtit kallkan. Shiu u shndërrua në breshër të rrëmbyeshëm. Ariu nuk donte ta dinte as nga të ftohtët as nga breshëri. Atij i vinte keq për mikun e vet dhe e ftoi të futej nën trupin e tij për ta mbrojtur nga shiu,breshëri e ngrica. Dhe njeriu ashtu bëri. U fut nën barkun e kafshës
miqësore dhe e ndjeu veten ngrohtë e pa u goditur nga kokrrat e breshërit. Pas largimit të stuhisë, ariu e pyeti mikun e vet njeri:
-Hë, u mbrojte mirë, nuk u lage dhe nuk mbërdhive nga të ftohtit?
-Mirë, mirë po atje poshtë barkut tënd seç mbante një erë të rëndë që nuk e duroja dot-u përgjigj njeriu.
Ariu nuk e priste këtë vlerësim të gjestit miqësor që kish treguar për mikun e vet njeri. I hipi një maraz që lere mos e pyet,as hasmi mos e pastë. I fyer rëndë iu drejtua njeriut me këto fjalë:
-Si miq që jemi prej shumë kohësh, më bëj një nder. Merr atë sëpatën që ke me vete për të prerë dru në këtë shpatin e Lirsit,poshtë këtij malit të Bardhë dhe bjemë fort në vithe!-Në asnjë mënyrë, ti mos bëj shaka me mua, ne jemi miq për kokë. Ç’të gjeti kështu? Ti sapo më mbrojte nga stuhia me breshër e shi dhe tani të shkrepi kjo marrëzi?-Bjemë shpejt, fort, dhe mos e zgjat se ndryshe të vrava me gurët e mëdhenj që shikon këtu-iu hakërrye kafsha tepër e inatosur dhe e fyer.
Deshi s’deshi njeriu i ra me sëpatë në vithe ariut. Gjaku doli pizgë nga kërbishtja e prerë. Vithet u llangosën me gjak të ngrohtë që dilte vollte vollte nga trupi i kafshës së gjorë. Njeriu, tërë frikë përzier me keqardhje, priste zemërimin e tërbimin hakmarrës të ariut. Mirëpo u çudit dhe shqeu sytë nga habia kur dëgjoi zërin e tij:
-Faleminderit, tani ik në punën tënde. Plaga e madhe që më hape në trup, siç e sheh, po nxjerr gjak. Më dhemb po do të shërohet. Do ta shëroj vetë duke e lëpirë me gjuhë.
Në fakt ariut “gjak” i kullonte sedra e lënduar më tepër se plaga e sëpatës. Pas disa muajsh, të dy ish miqtë e vjetër u takuan përsëri në pyll. Njeriu u tremb e u bë kruspull, kur pa që ariu rrunguçungu u rrukullis nga lart dhe i doli përpara njeriut.
Qëndroi mbi shputat e pasme, ngriti lart dy putrat e këmbëve të para, buzëqeshi dhe iu drejtua duke i thënë:
-Pa më shiko të lutem në vithe, e kam atë plagën që më hape dikur? Duket ndonjë shënjë?
Njeriu iu afrua dhe hapi me duart që i dridheshin qimet e lekurës mbi vithe të kafshës. Nuk po e dallonte shënjën e plagës.
-Nuk po shoh gjë-iu përgjigj.
-E sheh-e mori përsëri fjalën ariu-plagën fizike që më shkaktove në trup e mbylla për një kohë të shkurtër, mirëpo plagës tjetër, fyerjes që më bërë duke më vënë në dukje erën e trupit tim nuk po i gjej dot derman, nuk po e mbyll dot. Ajo është fyerje shpirtërore që s’harrohet kollaj..
Historia e fabulës mbyllet këtu. Nuk dihet nëse miqësia midis ariut dhe njeriut vazhdoi edhe më tutje apo u prish një herë e mirë.
Po morali i kësaj historie është i qartë. Nuk më kujtohet se cili personalitet i kalibrit botëror ka thënë se njeriun mund ta vrasësh në disa mënyra: me plumb, me shpatë, me helmim por mund ta vrasësh edhe moralisht. Të gjitha në një qafë dalin, fundi është i njëjtë me përjashtim se vrasja morale është më e egër, më e pamëshirëshme!
Po le të kthehemi në linjën tonë. Sherri i mpleksur me fatalitet merr jetë njerzish. Ka individë që bëjnë njërën duke këmbëngulur që o t’u dalë e tyrja o rashë e vdiqa. Dhe ndodh pastaj që puna
arrin deri atje ku s’mban më. Marja e jetës së njeriut për hiçmosgjë,veç dhimbjes së të afërmëve shkaktojnë edhe humbje morale,pezmin që ndjen fshati që në raste të tilla shndrrohet në një masë
njerzish sentimentalë.
FIQRI SHAHINLLARI
Comments