top of page

KUR JEP BONUS KY KODOSHI…


E kam thënë, Djalli e merr përsipër atë që bën, sepse e ka të shpallur qëllimin njëherë e pergjithmonë. Kur hyn në marrëdhënie me njeriun, hyn me bonus të gatshëm: “Ti bëje këtë, se unë të jap atë!” Dhe gjen pikën më të dobët. Në një çast të caktuar, njeriu ndien t’i zuzullojnë veshët, pastaj sikur dëgjon një zë të mistershëm, që ia bën sedrën fërtele: “Ama, po habitem me ty! Nuk të kisha ditur kaq sedërli, kaq mendjengushtë, kaq moralist, kaq frikacak e qullac pa cak! E kujt i hyn në punë sot ndershmëria?! Vetëm atyre që janë qorra e kaqola. Pa më thuaj tani, si duron që…” Është Djalli, ky kodosh i përbotshëm, që t’i zbraz në tru ngashënjimet e tij. Dhe për të qenë objektiv, ai di ta joshë edhe arsyen e shendoshë. Sepse, në pamje të parë, të rren mendja se zgjedhje të tilla kleringu, më jep - të jap, janë dukshëm me perfitim. Por në të njejtin çast ekziston një zgjedhje tjetër, duke pyetur veten: “Çfarë është ajo që Djalli ma jepka me kusht dhe Zoti nuk ma jepka falas?” Djalli vërtet është kozmik, por Njeriu është racional, krijesë me mundesinë për të qenë superior ndaj Satanait. Prandaj njeriu nuk ka përse të ankohet aq shpesh me vonesë: “Boboo, çfarë bëra!”, dhe të mos frenohet në kohën e duhur, duke shkundur veten me logjikën: “Përse, përse ta bëj?!” E kjo mund të lakohet pafundesisht: Përse të perdor ndaj të tjerëve një gjuhë me thonj, gjuhë pshtëruese; përse të vjedh e të mashtroj; perse të vë dorë mbi gruan; perse t’i bēj prindërit haram dhe mizorisht t’i braktis në moshë të shtyre?! Përse më vlon përbrenda nakari i zi; përse të korruptohem e moralisht të shëmtohem; përse të blej vota, kur është njësoj si të blej shpirtra, këta shpirtra t’i fus në thes e përsipër t’u dhjes?! Përse të mos deshmoj bujari ndaj njerëzve në nevojë; përse të abuzoj si pushtetar duke u sjellë si totalitar; përse të zhvas çdo ditë nga tregu a nga zyra, pa m’u skuqur kurrë fytyra?! Përse të hedh baltë, gjithnjë baltë dhe të bëj të atillë opozitë, sikur kundërshtarit dua t’i nxjerr sytë?! Përse të më mungojë mirësia, vetëgjykimi dhe empatia; përse të mos e ndiej prore e prore atë që ka thjeshtësi e madhështi, thënë butë dhe ambëlsisht, Dashninë Njerëzore?!... Për t’i paradalë këtij “bonusi”, që të shpie në humnerë, Zoti nuk lë boshllëk. Boshllëkun që gjen Djalli, e krijon vetë njeriu me zgjedhjet e tij të gabuara.


44 views1 comment

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page