KUJTIME NGA SHKOLLA USHTARAKE E INSTRUKSIONIT NR. 2360, BUNAVI, VLORE. 1984-1986.
Shkolla jonë e instruksionit nuk ishte një repart ushtarak, ku thjesht ushtarët do të kryenin thjesht shërbimin e detyrueshëm ushtarak, por ishte një shkollë e vertetë me lëndë të specialiteteve të ndryshme ku kursantët merrnin njohuri teorike dhe ushtarake në specialitete të ndryshme nëpërmjet stërvitjes së përditshme teorike dhe praktike. Lëndët që jepeshin ndaheshin në:
I.Lëndë të formimit profesional (specialitetet). 1.- Manual i oficerit të artilerisë. 2.- Qitje artilerie. 3.-Stërvitje zjarri artilerie. 4.- Zbulim artilerie. 5.- Topografi artilerie. 6.- Taktikë artilerie. 7.- Material artilerie. 8.-Instrumente artilerie. 9.- Praktikë mësimore profesionale.
II.Lëndë të formimit historiko-filologjik dhe politik. 1.- Filozofi; 2.- Histori; 3.- Ekonomi politike (socializmi, kapitalizmi), Pedagogji; 5.- Psikologji; 6.- Udhëheqje politike; 7.- Histori e artit ushtarak.
III.Lëndë të formimit të përgjithshëm ushtarak. 1.- Rregullore e brëndshme; 2.-Rregullore rreshtore; 3.- Mbrojtje kundërkimike; 4.- Ndërlidhje; 5.- Fizkulturë; 6.- Ushtri të huaja; 7.- Taktikë këmbësorie; 8.- Mbrojtje kundërajrore; 9.- Prapavijë; 10.- Xhenjo; 11.- Përgatitje zjarri; 12.- Shëndetësi;.
•Në shkollën ushtarake të Bunavisë, orët e mësimit ishin 90-minutëshe, pra orë akademike. Programi ishte i ngjeshur dhe orët, në krahasim me Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, varionin në 15-20 orë më pak, këtu se atje.
Mësimi zhvillohej në klasë dhe në terren, në përputhje me programin e miratuar, për çdo specialitet. Flokët i mbanim të shkurtër, por jo të qethur «zero». Uniforma e liridaljes sidomos ajo dimërore, ndryshonte nga ajo e reparteve të tjera të ushtrisë, duke qenë një stof terital me ngjyrë jeshile me të errët. Gjatë fushimeve dimërore kishim kapele me gëzof. Liridalje kishim çdo javë në qytetin e Vlorës, çdo të shtunë ose të diel, nga ora 10.00 e paradites, e deri në orën 11.00 të darkës. Në festën e Vitit të Ri, kishim një javë pushim dhe nç stinën e Verës 1(një) muaj pushim. Ruaj kujtimet më të mira për shkollën dhe shokët. Vlerësoj shumë pedagogët, të cilët, një pjesë vinin nga radhët e ushtrisë, me një përvojë të gjatë pune. Një pjesë tjetër kishin mbaruar Akademinë Ushtarake të asaj kohe. Ishin shumë të përgatitur. Edhe kursantët e maturës së parë, qe fati na ra të ishim 200 vetë, të gjithë nga Shqipëria e Jugut, pasi Shqipëria e Mesme shkonte në shkollën e Zallherit, ndërsa ajo e Veriut në shkollën e Vaut të Dejës.
Shërbimin ushtarak me armë e bënim një herë në 15-ditë, ndërsa vitin e dytë, kur kontigjenti i kursantëve arriti në 400-vetë, e bënim një herë në muaj. Kishim një normë mesatare të ushqimit dhe trajtim financiar, në muaj, më të lartë, krahasuar me repartet e tjera të Ushtrisë së asaj kohe. Gjatë atyre viteve, jo vetëm për shkak të moshës, por edhe të regjimit ditor dhe ushtrimeve fizike (gjimnastikë, vrapim, etj.) nuk u sëmurëm asnjëherë. Në fizkulturën e mëngjezit, bënim 5 km ecje çdo ditë, të kombinuar:- 3 km vrap; - 2km ecje me hap dhe anasjelltas. Me kumbojnë në vesh akoma tingujt e borisë, që i binte aq mirë, borizani, shoku ynë nga Kuçi, Dalan Saliu, për rreshtim, për pushim, për ushqim dhe për kushtrim dhe kohën e lirë. Një ndjesi dhe kënaqësi të veçant na dha edhe praktika mësimore profesionale. Kjo praktikë të jepte brenda vetes, mesazhin e të qenit të aftë, kompetentë, ne rolin e drejtuesit, të aftësive të fituara, të zotërimit të vetvetes etj. Sidomos praktika dymujore në repartet e ndryshme të ushtrisë, përgatitja e plankonspekteve, miratimi nga komanda dhe zbatimi i tyre në praktikë, një lloj ditari mësimor – pedagogjik, edhe si mësues, edhe si komandant.
Zbatimi rigoroz dhe i përpiktë i kërkesave të rregullores së brëndshme, të asaj rreshtore, të përgatitjes shëndetësore, qitjet me armët e lehta të këmbësorisë, me armët e rënda të artilerisë, minimet xhenjere, reagimi ndaj lëndëve kimike, lëndëve helmuese luftarake, lëndëve djegëse, armëve bakteriologjike dhe atyre të dëmtimit në masë, orientimi i instrumenteve ditën dhe natën me ane të trupave qiellorë, fishekëve shenjëdhënës, mjeteve rrethanore, etj, por edhe mbërthim-zbërthimi i armëve, taktikat në sulm-mbrojtje – prapavijë dhe desantim, hedhja e formacioneve në hartë, përgatitja e të dhënave në mënyrë analitike, përpilimi i urdhërit të marrshimit e të luftimit e sa e sa të tjera lëndë të veçanta dhe interesante për mua.
Historia e artit ushtarak shqiptar dhe botëror, pedagogjia dhe psikologjia, përbërja dhe armatimi i ushtrive të huaja, ekonomia politike për të dy sistemet, si dhe udhëheqja politike. Rregullorja rreshtore më pëlqente shumë dhe veprimet rreshtore i kryeja bukur, me dhe pa armë, në vend dhe në ecje, sidomos kur isha në rolin e drejtuesit. Komandat paralajmëruese i jepja pak të gjata( ashtu siç përcaktonte rregullorja) dhe me drejtqëndrim, ndërsa ato zbatuese, të forta, të prera dhe me qëndrimin Gati-tu!
Rreshtorja ka një bukuri dhe emocion të veçantë, sidomos kur zhvillohet në rastet e ceremonive. Parakalimi i trupave si ai që u zhvillua me rastin e dorëzimit të flamurit Njësisë. E deleguar në atë kohë nga K.Q.P.P.SH ishte Vito Kapo. Pas rreshtimit dhe fjalës përshëndetëse, lexoi betimin në gjunjç para flamurit Komandanti i Shkollës. Mandej nisi parakalimi, ku flamurtarë ishim: Unç, Ilir Voda nga Berati, si dhe shefi i Katedrës së Fizkulturës, Ramazan..... E hodha këtë status të shkurtër, si një kujtim të bukur nga jeta ushtarake, por më tç detajuar do ta bëj kur të shkruaj kujtimet e mia, të cilat i kam filluar herët dhe po i plotësoj dita-ditës, sepse, edhe mungesa e një ditari në atë kohë, bën që ngjarjet të kujtohen pak e nga pak të shkëputura e në kohë të ndryshme, por do presim se, sic thonë të diturit, shkrimet e pritshme dalin më të arrira.
Edhe jeta kulturore, është pjesë e veprimtarisë jetësore të përditshme. Unë kisha aftësi natyrale për të imituar. Imitoja ato fenomene që ishin të dëmshme dhe që duheshin fshikulluar. U aktivizova në veprimtaritë kulturore të shkollës ku organizonim skeçe, madje edhe teatër, pjesë në prozë dhe poezi, që afishoheshin në këndin e emulacionit të shkollës, këndonim në kor marrshe ushtarake dhe introduksione të ndryshme muzikore të shoqëruara me fizarmonikë nga një fizarmonicist që vinte enkas nga Shtëpia e Kulturës së Vlorës. Kishim bibliotekën, për të cilën kujdesej dizenjatori i shkollës, etj.
Përvec sa më sipër, bënim edhe eksursione të ndryshme në fabrikat, uzinat e kombinatet e Vlorës, si në atë të sapunit dhe të llampave elektrike, fushimet dimërore. Marshimi 24-orësh Bunavi - Llogara, në kuadrin e formimit tonë ushtarak, fushimi veror në Lushnjë, në ndihmë të bujqësisë, që ishte një tjetër përvojë e atyre viteve. Po ashtu ngjitje-zbritje alpinistike dhe zënia e rajonit të mbrojtjes, bazës së nisjes, vijës së sulmit, etj. Duke iu afruar fundit të rrëfimit, dua të theksoj se shkolla ishte e organizuar komanda e shkollës përbëhej nga Komandanti, komisari, shefi I shtabit. Shkolla, nga sa mbaj mend, kishte katedrat dhe kabinetet. Ja disa prej tyre :
- Katedra e artilerisë, e këmbësorisë, e fizkulturës, e historisë dhe e specialiteteve. Ndërsa si strukturë ushtarake, ishte e ndarë në skuadra, toga, kompani dhe batalione, të përbëra nga kompanitë e këmbësorisë, artilerisë tokësore dhe asaj kundërajrore, pasi shkolla përgatiste kuadro vetëm në tri specialitetet e mësipërme. Diplomat tona me numrat përkatës, përveç nënëshkrimit të komandantit dhe komisarit të shkollës, u cikluan nga urdhëri i Ministrit të Mbrojtjes Popullore i cili ishte ekuivalent me Rektorin e Universitetit, në shkollat civile. Shkollat ushtarake pas lufte ishin në formë kursesh një dy dhe tre vjeçar dhe vetëm më 1984, kaluan në sistem 4-vjeçar, duke përmirësuar herë pas here nivelin e programeve. Shumë nga shokët e mi u bënë pjesëtarë të forcave të armatosura, posa mbaruan shkollën. Jeta e bukur e atyre viteve ka lënë gjurmë të thella. Ato do të mbeten vite të arta të jetës sonë.
Mentor Serjani.
Comments