top of page

KTHIM ...


Vullnet Mato


KTHIM TE DASHURIA E PARË


Të pres me adhurim, në gjithë ditë-netët e mia!

Në njëzetekatër orët e gjata, të vetmisë ditore,

shoh veç fytyrën tënde, vezulluar nga largësia,

siç shoh xixëllimin e një ylli, në kupën qiellore.


Imagjinoj se tradhtia, të ka vrarë shpirtërisht,

kthehu të lutem, të frymojmë, ku e kemi lënë!

Kthehu, jam penduar mendërisht e shpirtërisht,

gabimin rastësor, nga truri e kam përzënë.


Mendoja se bota kishte plot femra elegante

ku gjendej te secila, ç’i duhej burrit dashnor.

Por kuptova, mbi të gjitha, qenka bota e madhe,

në dimensionin, e një trupi të vetëm femëror.


Ndoshta, si unë për ty, ndjen edhe ti për mua,

kur ndarja, vijon lëkundjet, siç ndodh në tërmet.

Falja, forcon shtyllat, për dashuri të betonuar,

të përballojmë lëkundjet shumëballëshe në jetë;


Magjistaret, që i morën peng Penelopës, burrin,

janë shfaqur herë pas here, në mijëravjeçarë.

Kur u kthjellova, se një e tillë më kish hequr trurin,

fillova të kthehem i penduar, te dashuria e parë.


Ashtu si dielli tradhtoi Tokën, për Venerën,

dhe e la, ta mbulojnë akullnajat, nga Jugu në Veri,

më pas i penduar, e mbolli me blerim të tërën,

pendimi im, do mbjelli blerim fëmijësh, tek ty.


Balli yt i ngushtë, mbuluar me krela bionde,

është një arë me grurë të pjekur, që valëzon,

nga frymëmarrja e ngrohtë e flladeve gojore,

sa herë u fryn flokëve dhe prej syve i largon.


Gjinjtë e tu të bardhë, janë dy fole të pushta,

ku zogjtë e puthjeve tona, çuçurisnin ëmbëlsisht.

Koha është duke pritur, të vijnë aty vogëlushët,

të thithin nektarin, që do pikojmë bashkërisht.


Duart e tua ledhatare, me falanga të gjata,

oh, ishin për mua, dy valë të freskëta lumore,

që më mbështillnin trupin e zhuritur nga vapa,

pres të më freskojnë sërish, zagushinë kohore.


Të pres me adhurim, në gjithë ditë-netët e mia.

të pres, të fillojmë së mbari, të duhemi sërish,

të pres, siç pret nata e zezë, të agojë bardhësia.

Deri në ditën e vdekjes, të pres të më vish!...


Kthehu, të bëhemi engjëj, flatrash fluturimtare,

se me dashuri, edhe vdekja do na gjejë buzagaz!

Pa ty, më kalon jeta, si në një akullnajë polare,

pa ty, s’dua të shkoj i vetëm, as në parajsë!...

16 views0 comments

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page