KRYQI IM ...
Nga Odise Kote
I kam besuar kryqit thellë n'asht të malit,
në bërthamë të gurit,
shqipes në gjenezë.
Tingujve që më sjellin këngët e thinjura të lumenjve,
kur derdhen në det ...
I kam besuar kryqit të brengës së thyer,
lënë në mes si zhgaravina fëmijësh,
ndërgjegjes së brejtur.
Lëngut të athtë të bajames,
kujtimeve të varrosura,
në lëngatën e trarëve të shqepur.
I kam besuar kryqit në petal të manushaqes,
që dridhet si ëndërr adoleshenti
prej dëborës.
Ditareve të fshehura nē plasaritjet e parvazeve,
e shtrëngimit prej Njeriu,
të dorës.
I kam besuar kryqit në limfë të drurëve,
pendesës së ngecur në tel të teshave
të pathara të foshnjës.
Vizatimeve të lëna në llërën e lofatës,
dorzës së udhëtarit,
në zemër të portës...
I kam besuar dhimbjeve, ankimeve të pafata, që zbulohen prej dritës,
nga njëri në tjetrin rreth të vjetër...
E di se një ditë do ta humbas Kryqin tim,
por dashuria do të ma kthejë në formë tjetër ...
Comentarios