Kriza e karakterit
Fatmir Terziu
Dhe ajo po ndodh. Po shihet, po zvarritet, po ngjitet, po kapërcen salla e sheshe, po mbush stadiume. Po bëhet si të gjitha, edhe tradicionale, edhe dixhitale. Po fryhet Postmoderne. Është kriza e karakterit. E shohim. E dëgjojmë. E besojmë?! Këtë më duket se ende nuk e kuptojmë. Nuk e kuptojmë edhe pse asgjë nuk flet më thellë për krizën e karakterit, sesa fraza, "Unë identifikohem si ...".
Në të kaluarën, individët ishin thjeshtë anëtar të bindur të statutit, ndikues të tij, pjesëmarrës aktivë, dëshirues. Ishin dhe s'ishin thjesht të rrjeshtave. Sot janë anëtarë të kushteve, të dilemave, të sfidave, të arsyeve e të mos-arsyeve. Dhe secili ka një arsye të tillë. "Unë jam një themelues e nënshkrues i PD-së." "Unë jam një nga tridhjetë, treqind, tremijë të parët." "Unë jam një nga ata qëndrestarët." „Unë jam… jam… jam.“
Po dje? Dhe dje kjo kishte një besim. Kishte një kuptim. Kishte një risi, një siguri, në ndjenjën e tyre të identitetit dhe në deklaratën e tyre për të. ‘Unë jam.’ Fundja e kishin të gjithë një Krenari! Sot?!
Sot, individët identifikohen si diçka. 'Dikush identifikohet si pjesë e Një PD-je të rithemeluar' 'Dikush identifikohet si anëtar i strukturave që lidhen me godinën, kryetarin aktual, apo dhe me atë që quhet „e ligjshme“. Dikush quhet „Berishian“, dikush „Bashist“… e dikush i përjashton të dy kahjet. Ose, në rastin më diktues të një militanti nga zonat e thella të Pogradecit, një njeriu të shumëvuajtur, si dje dhe sot, që kurë nuk ka qenë në politikë, që u doli para kamerave dhe u tha: 'Unë identifikohem si ri-themelues i PD-së'.
Dhe kjo sjell frazën edhe për atë që nuk duket. Rritja e fjalës „Unë“ në përkufizimin tonë për veten, epërsia e asaj që quhet "vetëidentifikimi", është një nga zhvillimet më të dukshme të ditëve të fundit në mesin e asaj që ndodh në PD, si një ngjarje e pandodhur e shekullit të 21-të deri më tani. Kjo flet për një zhvendosje të njeriut të rrjeshtimit, nga të qenit në kalim, nga një ndjenjë e qartë e pranisë në botë në një ndjenjë kalimtare, nga identitetet që ishin të rrënjosura në bindjen demokratike, në identitete që janë tashmë tentative, të pasigurta, të dyshimta.
Por kur vetëindentifikohen karakteret ka një risk tjetër. Këto fjalë "Unë identifikohem si" - qofshin ato që shkojnë në një kahje, apo në një tjetër, apo dhe ato në dilema kahjesh, mosbesim, apo dyshim, ndjehen jashtëzakonisht të kushtëzuara. Ata flasin për ndryshueshmëri. Nëntonimi, ose saktëkuptimi i tyre momental është "Unë identifikohem si i tillë dhe i tillë tani për tani". Në të vërtetë, këto "identifikime si" shumë të personalizuara ndonjëherë vijnë me një pranim se identifikimi mund të ndryshojë me kalimin e kohës dhe të ndryshojë në mënyrë dramatike. Një shkrues, analist, apo dhe idealist i këtyre ditëve shkruan dhe i identifikon si të tillë, sikurse thuhen, sikurse deklarohen, por më pas thotë: 'Nuk e di… kë do ta identifikoj si të tillë në të ardhmen.' Mediat në Atdhe, raportojnë përditë tashmë, për rastet e tilla më karakterin aktivist që identifikohet si një gjë e ndryshme në baza ditore.
E kjo nuk është thjesht në dilemën e asaj që ndodh diku, por në dilemën e një Opozite, të dalë për të kryer rolin e saj historik në politikë. Një ditë ai/ajo është „Berishian“, që mbush „Foltore“ dhe „Stadium“; tjetri ai/ajo është „Bashist“ – ‘një njeri që ka destinën të kalojë lehtas nga një kahje në tjetrën’.
Dhe duket mjaft qartë se ku ka shkuar karakteri dhe kriza e tij. Në fakt. "Unë jam" nuk funksionon këtu, sepse vetë baza e qenies së tij/saj mund të ndryshojë në harkun e orëve.
KOMENT
Përshëndetje profesor Fatmiri!
Mendjeve dhe forcave intelektuale, u ka ardhur koha që të veprojnë, të ngrihen në nivelin e mbrojtësve të vendit dhe shoqërisë. Nuk mundet të ecet vetëm me gjykimin se "do të zgjidhet ngërçi dhe politika do të reflektojë" në ndërrimin e drejtimit të gabuar 30 vjeçar. Sigurisht e dëshironim këtë korigjim si shoqëri në tërësi, por një pjesë intelektualësh, si vrojtues të sinqertë, të paanshëm partiak, dijet e tyre ia kushtojnë projekteve, veprave, veprimeve më të mira që shkojnë në shërbim të atdheut dhe shoqërisë në teresi dhe jo gërrmërreve politike të partive gjatë 30 viteve. Mjaft intelektualë kanë ngritur zërin fort se politika e ndjekur nuk është ajo që duhet. Dhe këto zëra janë dëgjuar…