Kristo Çipa: ZIA QESH MBI PARDESY
- Aug 12, 2025
- 1 min read

Tragjeditë në shekuj kanë prodhuar kryevepra artistike dhe sidomos ato që i përkasin një morali të hekurt dashuror. Sot tragjeditë janë shpeshtuar dhe janë pa fabul. Viktimat ankohen në apelin e botës pa sy.
(Monolog i zi i viktimës)
Pse tunden kryqet e bardhë?
Rasat e varrit po shtyhen
Brenda dheut natë pa anë
Sipër baltës ditët nxihen.
Frynte një erë e dredhisë
Palëve të fustanit t’zi
Epshi endej nën këmishë
Zia qesh mbi pardesy.
Mos ma shkel dheun e supit!
Mos ma nxirr shpirtin nga nata!
Mos sill trëndafila turpi!
Nga ty më e pastër balta.
Unë për ty e putha vdekjen
Shtatë herë e nduka thikën
Ti me taka bëre shkeljen
Ku gjaku kullonte pikën.
Vet e desha errësirën
Ndaj koha këtu më kalbet
Ik moj ik e ndiq dëshirën!
Se i vdekuri më s’ ngjallet…….!









Comments