Kristo Çipa: SI TESTAMENT…
- Prof Dr Fatmir Terziu
- Sep 21
- 1 min read

Në mëndafsh rozë kur vjen agimi
Dhe sytë e malit lahen nga bora
Dua o miq, të më përcillni!
Shpirti të lahet në detet tona.
Një vaj i lehtë si fllad në Maj
Dua nga motra me zë të qaj.
Gjithë pasionet bëmni muzik!
Të luhen ëmbël udhëve të jetës
Bashkë me të dhimbja të ik
Të shkoj pa zhurmë e të gjej netët.
Dhe po më patën inat rrufetë
Pranë meje kollonë i dua djemtë!
Lule lëndine qofshin lëndimet!
Asnjë rënkim mos pastë xhani
Haroni miq gjithë lëvdimet!
Fryma të shkas si fletë jorgani.
Shpirti kur ikën në pastë spazma
Mbi kokën time të vijë vajza!
Avaze kënge si manushaqe
Vargje dhe strofa shtruar mëndafsh
Do të kërkoja një puthje faqe
Nga buzët e holla për epitaf
Dhe hëna kur të dalë mbi maja
Të lotoj heshtur syri i saja.
Kori kishtar në psalm ungjilli
Shokët e këngës në elegji
Ashtu i hapur të rijë syri
Bota të jetë në qetësi.
Dhe kur të gjithë të thonë:-U shua.!
Në këtë botë më kthen ,ti grua!









Comments